Σάββατο 27 Φεβρουαρίου 2010

Si e tradhtova racën time

1.
Këtu e pesëmbëdhjetë vite më mundon pasioni i çuditshëm i një dashurie. Mos t’iu shkojë nëpër mendje ai për gruan time. Dashuria bashkëshortore, pas një çerek shekulli mbijetese, tani i ngjan një lumi, i cili, me të zbritur nga terreni alpin, vjen dhe qetësohet në një shtrat të gjërë, për të arritur destinacionin final, detin.
 Fjalën e kam për pasionin tim futbollistik, “Olimpiakosin” e Pireut.
Jam nga ata burra që nuk krenohen me ç’bëjnë për dashurinë e tyre. Mjafton t’u them se kurrë nuk e kam lënë të më presë në vendtakimet e zakonshme të të djelave dhe të mërkurave. Përkundrazi, kam qënë përherë një orë më parë në vendin e takimit. Madje, me biletën vjetore në dorë. As mund të bëhej fjalë që të mungoja. Kështu pesëmbëdhjetë vite me radhë...
Kësisoj, kur më tha miku im, aktori dhe regjisori i mirënjohur Lefter Simoni, që ndodh të jetë njëri nga bashkëpunëtorët e mi më të afërt tek “Pegasi” (doemos, përveç të njëmbëdhjetëve të “Olimpiakosit”, që u beson fatet e lumturisë sime trajneri), se atë ditë më ftonte në një surprizë (Televizioni Publik Shqiptar transmetonte me satelit monodramën e Robert Shnajderit “Ndyrësira”, ku ai ishte protagonisti numër një, regjisori dhe interpretuesi – ngjarje me të vërtetë e rëndësishme për një artist mik), unë bëra diçka që e befasoi: ... ngurova dukshëm.
I thashë: “Nuk mund ta ndjek... Jo sot, Lefter vëllai...”
Pastaj e dërmova krejt, e fyeva gjer në palcë, kur i paraqita arsyen e pakundërshtueshme të refuzimit tim: “Luan “Olimpiakosi”...
Ishte e mërkurë. Luanim për “Champions Leage” me “Valencian”...
Më vështroi gjithë dyshim, me ato sytë e tij depërtues – dy thëngjij në atë fytyrë mjekroshe - e dinte pasionin tim për shakatë, por kjo... Për të ishte e pakuptueshme. Kur u bind, që unë në dhjetë pa çerek të asaj dite – bota të përmbysej - do të isha në tribunat e “Karaiskaqit” dhe jo përpara ekranit, për të ndjekur monodramën e tij, që transmetohej botërisht me satelit, nuk kishte ç’thoshte. U dorëzua. “Mirë”, tha dhe iku. Duke lënë pas një botë të tërë dyshimi dhe mërzitjeje. 
Ç’të bëja, o njerëz të mirë, të tradhtoja racën time?
Mos të isha dhe unë mes “lëkurëkuqve” të mi të “Karaiskaqit”?!


Arhondi i Janinës

Kësaj teme i jam kthyer disa herë. Rrallë e kam bërë. Jam nga ata, që besojnë se fakti është si një zog: e gjurmon mes pyllit të dendur të ngjarjeve, e mbërrthen mes pëllëmbëve, e fut në kafazin e një shkrimi dhe pastaj... asgjë, ka fluturuar. Nuk është më i yti.
Kjo mund të jetë një risi e përgjithshme gazetareske. Por, si çdo risi, ka përjashtimet e saj. Aq më shumë kur ke të bësh me njerëz, të cilët nuk i nxë kafazi i kohës. Çdo lloj kafazi. Dhe po t’iu thosha se fjalën e kam për një artist, nga ata, të cilëve është e pamundur t’u vësh një tabelë të caktuar për “t’i pozicionuar” kombësisht dhe artistikisht (oh, ç’trill mëkatar ky i “tabelizimit” të artistit!), atëhere shpresoj se do t’i jepnit të drejtë tundimit tim, për t’iu kthyer sërisht kësaj teme.
Jam takuar disa herë me Qenan Mesare-në. Me arhondin shqiptar të Janinës. Aq shumë më impresionuan takimet artistike me të, saqë “zogu” i frymëzimit flatrazoi po kaq herë në kraharorin tim.
Ç’të bëja: mos t’i gjeja qiell për ta liruar?


Πέμπτη 25 Φεβρουαρίου 2010

“Dyshtetësia” kulturore në letërsi

U gjenda këto ditë në një veprimtari paksa të veçantë. Doemos, veprimtaritë artistike nuk mund të jenë të njejta. Por ka disa syresh, që të ngjizin më tepër, që të ngjajnë më specifike se të tjerat, ndoshta ngaqë të janë më pranë ose ngaqë ti vetë je më pranë tyre. “Dyshtetësia kulturore në letërsi”, kështu quhej veprimtaria që u zhvillua në qendër të Athinës, tek “Public” i Sheshit Sintagma, ku drejtori i periodikut letrar “Lexoj”, nga më të rëndësishmit e botës letrare greke, kolegu i nderuar Jani Baskuzo, kishte ftuar në një dialog publik, mes krjuesve dhe dashamirësve të shumtë të letërsisë, tre shkrimtarë të rëndëshëm, me reputacion evropian, mbartës të pashaportës multikulturore në krijimtarinë e tyre: grekogjermania Amanda Mihalopulu (të cilën unë kisha fatin ta mikprisja dhe ta intervistoja tek “Pegasi” i kaluar), helenofrëngu Takis Teodoropulos dhe arabogrekja Persa Kumutsi. Ata vetë u prezantuan kështu, në bazë të pashapaortës atistike që dispononte seicili. Ngaqë shkrimtari, siç u tha atje, është vepra që shkruan...
Si ia arrin një shkrimtar të filtrojë ndikimet e ndryshme kulturore dhe të japë lajtmotivin e tij? Ka ndodhur që dyshtetësia në letërsi të dyzojë vetë shkrimtarin? Për të gjitha këto e të tjera u dialogua atje. Veçse unë doja të shikoja pak më tej, të tejkaloja  Sheshin e Sintagmës (Sheshin e Kushtetutës), për të parë “ligjet kushtetuese” të këtij fenomeni, që desha nuk desha, më kushtëzonin edhe mua vetë, si mbartësin më të ri të dyshtetësisë.




Τετάρτη 24 Φεβρουαρίου 2010

Një ballkanas, që nuk i referohet... historisë


“Je ai që je dha maskat nuk mund të fshehin fytyrën tënde.
Bëji shkrimet e tua të nevojshme për lexuesit dhe mos u merakos për të tjerat.
Shpresoj, që edhe pas vdekjes sime, dikush t’i ketë nevojë librat e mi.
Siç shkruaj tek romani im i fundit, librat janë i vetmi trup i dytë që kam”.
MILORAD PAVIÇ

Shkrimtari që pranon vetëm supermacinë e grave

78 vjeçari Milorad Paviç, mbase shkrimtari më i rëndësishëm serb i ditëve tona, është, gjithashtu, miti i gjallë popullor i fqinjve tanë veriorë. Sa herë prezantohet një libër i tij i ri, gjendet i rrethuar nga të rinj të shumtë - shumica të seksit të bukur -pikërisht, sepse me veprën e tij, konsiderohet se përfaqëson brezin e ri. Nga ana tjetër, siç pohon edhe vetë, “letërsinë tashmë e komandojnë... gratë”.
U gjend para pak kohësh në Athinë, në kuadrin e ciklit të bisedave me korifenjtë e sotëm të letrave të përbotshme, të titulluar “Faqet që dashuroj”, që organizon Lidhja e Shkrimtarëve Grekë. (Autori i këtyre radhëve pati fatin ta dëgjojë).
Dhe s’kishte si të shmangej dashamirësi i pasionuar i grave, prej temës së tij të preferuar (kam patur rastin ta vërej këtë edhe tek intervistat e tij të tjera), d.m.th. atë të kontributit dhe vendit të femrës në letërsinë e sotme. Deklaroi përpara të gjithëve: “Gjithnjë e më shumë lexoj gra shkrimtare. Shkrimtarët më të mirë sot janë gratë. Libri më i lexuar i kohës sonë (nuk ka rëndësi, nëse u pëlqen apo jo) është “Hari Poter” dhe e ka shkruar një grua, Xh. Rouling. Në vendin tim kemi, gjithashtu, shkrimtare të shquara, siç janë Isidora Belika, Jasmina Mihajloviç dhe Neda Cidoroviç”.
Ndonëse “injoron” dukshëm kontributin mashkullor në letërsi, unë mendova t’ia skicoj portretin, qoftë edhe për hir të mikeshave tona të artit.


Κυριακή 21 Φεβρουαρίου 2010

“World Press Photo” - fotografitë më të mira të 2009-ës


Në kuadrin e Konkursit të përvitshëm Ndërkombëtar “World Press Photo” u shpallën fituesit për fotografitë më të mira, sipas kategorive të ndryshme, të botuara në shtypin e përbotshëm, gjatë vitit 2009.
Në të katër anët e globit të përndezur tokësor, fotoreporterët profesionistë, si kronikanët më besnikë dhe origjinalë të së përditshmes, që duke u shkruar futet automatikisht në histori, rrezikojnë përditë jetën për të përmbushur misionin e tyre: t’i transportojnë botës realitetin ashtu siç është, besnikë të devizës që i shoqëron: “Një foto - mijra fjalë”. 
Fotoreporteri Adam Ferguson i “New York Times”, fitues i Çmimit të Parë në kategorinë “Spot News Stories”, thotë për historinë e krijimit të fotografisë së tij: “Po rrija në zyrat e gazetës sonë në Kabul dhe përpunoja disa fotografi. Atëhere u dëgjua një “Buuum!” i tmerrshëm, dritaret shpërrthyen dhe unë u hodha përpjetë. E kuptoja se kishim të bënim me një bombë, e cila  kishte shpërrthyer aty afër. Rrëmbeva aparatin tim fotografik dhe dola jashtë, duke kërkuar renë e tymit. Mbërrita në vendin e ngjarjes , bashkë me një koleg të “Associated Press”-it. Njerëzit ulërinin dhe të plagosurit po largoheshin me të gjitha mjetet: trupa në tenda provizore, gjak në tokë dhe gjuhët e zjarrit, që ngrinin kokën gjer lart. Nga të dyja anët e rrugës, ndërtesat ishin shkatërruar. Bomba ishte shumë e madhe. Shkatërroi gjithë kuadratin”.
Vërtet, ka çmim të përshtatshëm, që të vlerësojë këtë “art”?


Σάββατο 20 Φεβρουαρίου 2010

Amerika e Roland Gjozës

Më duket se ishte në verën e parvjetshme. Kisha marrë me vete në pushimet e Monemvasias një libër të vogël, për të përkthyer disa fragmente të tij për “Pegasin”. Ishte një libër i Majakovskit. Por nga ato të përveçmit. Nuk ishte libër poetik. Ishte një reportazh i gjatë i tij për Amerikën, të cilën sapo e kishte vizituar. Botuar në botën e atëhershme të Sovjetit. I shkruar çuditërisht lirshëm. Si të ishte një vëzhgues i paanshëm, pa frikën e asnjë censure. Aty unë ndjeva sa i madh ishte artisti me “re në pantallona”. Veçse pa asnjë re në vëzhgimin e tij artistik. Shih dhe shkruaj. Natyrisht, filtruar më parë në vetëdijen krijuese të artistit. Në kishte ndonjë cen përshkrimi, fajin, natyrisht, e kishte filtri kohor... Asnjë tendencë për të ndryshuar diçka, për hir të dëshirës dhe... idealit. Aty unë njoha më mirë Amerikën, se sa nga të gjithë librat e shkrimtarëve amerikanë, që kisha lexuar gjer atëhere. Aty dhe tani vonë në krijimet artistike të Roland Gjozës. Siç ishte edhe cikli i fundit afishuar në internet, prej katër poezish...

Παρασκευή 19 Φεβρουαρίου 2010

E mira, mikja ime!


Një kafe
me
Albana Mëlyshi-Lifschin

Je zgjuar një mëngjes me humor të kënaqshëm, moti paralajmëron ditë të këndshme dhe ti, përpara se të fillosh të përmbushësh kusuret që ke lënë për të sotmen, mbush një filxhan të madh kafeje dhe rehatohesh në ndenjësen e gjerë të verandës tënde. Në ndodh të dëgjosh këngën e kanarinës, nga ballkoni i fqinjit, aq më mirë. Nëse të mungon ky koncert, prapë ka zgjidhje. Telefoni, mbase shpikja më e mrekullueshme e njeriut. Unë kështu bëra sot në mëngjes. Nga dëshira të bisedoja me një kolege dhe mike, për të ndarë me të euforinë time, ngatërrova orët, distancat, ditënatën. I telefonova Albana Mëlyshit në Amerikë, nga Athina, qysh në pikë të mëngjesit, duke harruar diferencën e orëve. Thjesht të bënim muhabet, sa të mbaroja kafenë. E mira, mikja ime! Në vend që të më dërgonte në djall, më tha se ishte ende zgjuar (vetëtimthi sytë më shkuan nga ora e murit!) dhe pranoi me qejf, të më bënte shoqëri… në kafenë time të mëngjesit dhe unë asaj, në aspirinën e pasmesnatës…


Πέμπτη 18 Φεβρουαρίου 2010

19.4.2010 - ISMAIL KADAREJA në Athinë


Nëpërmjet udhës elektronike, sot mbërriti në Redaksinë e “Pegasit” programi vjetor i veprimtarive të Forumit më të rëndësishëm kulturor grek, Organizmit “Megaros Muzikis Athinon”, i cili, nën suazën e programit “Megaron Plus”,organizon veprimtaritë më të rëndësishme kulturore-artistike ndërkombëtare, që zhvillohen në Greqi.


Τετάρτη 17 Φεβρουαρίου 2010

RIDVAN DIBRA - Bashkëstudenti dhe miku im i dashur, mikpritur në "punishten" time

U lind në Shkodër më 1959. Është rritur e shkolluar në vendlindje, ku u diplomua për gjuhë shqipe e letërsi në Universitetin “Luigj Gurakuqi”. Ka punuar arsimtar në Kukës (82-87) dhe gazetar në Shkodër (88-94). Aktualisht është pedagog i letërsisë shqipe në Universitetin e Shkodrës. Krijimtaria e tij është nderuar me çmime kombëtare e ndërkombëtare. Është përkthyer në gjuhët gjermane, italiane, maqedonase dhe malazeze.
Botimet:
“Thjesht” (poezi -1989), “Prostituta e virgjër” (tregime – 1994), “Eklipsi i shpirtit” (tregime – 1994), “Nudo” (roman – 1995), “Vetmia e diellit” (parabola – 1995), “Mjerimi i gjysmës” (novela – 1996), “Kurthet e dritës” (roman 1997), “Triumfi i Gjergj Elez Alisë” (roman – 1999), “Stina e ujkut” (roman – 2000), “Të lirë dhe të burgosur” (roman 2000), “Vëlla me centaurët” (parabola – 2002), “Triumfi i dytë i Gjergj Elez Alisë” (roman – 2002), “Email” (roman – 2003).


Τρίτη 16 Φεβρουαρίου 2010

Epidemi në kohë të kolerës


U gjenda edhe unë përballë diskutimit publik të ditëve të fundit, në blogsferën internetike të diasporës shqiptare, por edhe në shtypin veçanërisht të ndjeshëm të Atdheut (për sa i përket moralit), rreth jehonës që kishte bërë deklarata “jozyrtare” (një shaka fluturake, si të puthurat që japin gjimnazistët) e Berluskonit, gjatë konferencës zyrtare të shtypit me homologun e tij shqiptar, Berisha, që mikpritej ato ditë në Italinë fqinje dhe mike. Do s’do, bëhesh pjesë e lojës, pasi “ky stan (gazetaria virtuale), këtë bulmet ka”.

Δευτέρα 15 Φεβρουαρίου 2010

Kundera i dashuruar

MILAN KUNDERA
(Çeki - Francë.
Lindur më 1 prill 1929)
 
(Nga libri poetik 
“Monologë”,
Pragë 1969)





Κυριακή 14 Φεβρουαρίου 2010

“Valentine's day”

GRIGOR JOVANI

Fleta e pashkruar.
Pret t’i vish ti.

S’është bërë
akoma
zemra poezi.




Σάββατο 13 Φεβρουαρίου 2010

Bota, vallë, ka turp?!


Ditë shkurti. Si një pëllumb i trembur,  ai rri i strukur galiç, mbi dyshemenë e ftohtë, në një cep të dhomës-qeli, në katin e tretë të godinës madhore të Asfalias Atiqisë. Ka ftohtë. Dremitet. Për çudi, ndonëse i vjen të qajë, të bërtasë me të madhe, nuk bën asgjë të tillë. Madje, përton dhe të lëvizë, paçka se i është mbirë sakaq i gjithë trupi. Nuk dëshiron as të mendojë. Pastaj, vjen një çast kur koka i varet mbi sup.
- Zgjohu!
Ai hap sytë. Në gjysmëerrësirën e dhomës dallon para vetes një polic trupmadh dhe mustaqevarur, që i shtrin përpara fytyrës një pjatë. Në dorën tjetër mban një gotë plastike me ujë.
- Nuk mundem, - bëlbëzon djaloshi i trembur, me atë greqishten e çalë që di.
Polici dremitet. “Në dreq, - shan me vete fëmijën që ka përpara, - duhet edhe t’i lutim të hanë tani…”
- Përse nuk mundesh? – e pyet i bezdisur.
Nuk merr përgjigje. Lë pjatën përtokë, hap paksa derën, që drita e koridorit të bjerë mbi fëmijën. Befas shtang. I shpëton gota nga dora tjetër, duke i lagur në gjunj pantallonat blu të uniformës. “O zot, - mendon polici, - si nuk ma thanë… fëmija nuk i paska duart!”
Përgjunjet përpara djalit, ia merr nëpër duar kokën e palarë dhe të paqethur dhe papritmas i shpëton një klithmë: “Ç’e kanë sjellë këtu…?!”
Tek ia mban kokën fëminore nëpër duar, befas ajo i shpëton, ashtu si gota që i kishte njomur pak përpara pantallonat. Njëkohësisht i shpëton klithma e dytë e habisë. Djaloshit i mungonte edhe një sy. Kurse tjetrin e kishte shumë të dëmtuar.
- Përse të kanë sjellë këtu? Ç’ke bërë? – pyet fëmijën, tashmë me një zë të butë, sikur të donte të bënte kujdes mos ta trembte më tepër..
- Lypja në pazarin e Gjizit, - përgjigjet djaloshi. – prej andej më sollën këtu.
- Si të quajnë?
- Arsen M., - bëlbëzon i vogli.
- Mirë, ha tani. Do të të sjell dhe ujë, - i thotë polici.

Παρασκευή 12 Φεβρουαρίου 2010

“Uollt Uitman”-i i Karaibeve

Para pak kohësh përjetova një ngjarje të madhe, nga ato që fati na i afron “me pikatore”, aq sa, kur na ndodhin, lutesh që të zgjatin sa më shumë. Nuk është gjë e vogël të jesh brenda një salle, ku bashkëbisedon me ty dhe me të tjerët një poet nobelist, nga ata, që ndonëse në të gjallë të tyre, janë shndërruar në legjendë. Aq më shumë që sot mungojnë në këtë vend Seferis dhe Elitis. Pata  fatin të gjendem tek madhështori “Megaro Musiqis” në Athinë, ku në kuadrin e programit supersticioz “Megaron Plus”, foli njëri nga poetët e sotëm më të rëndësishëm botërorë, Derek Ualkott.

                                   

Πέμπτη 11 Φεβρουαρίου 2010

Dialog për “besën” me Kumandarean


Me Menis Kumandareas, njërin nga prozatorët më në zë  të letërsisë konteporane greke, i shpallur disa herë si "tregimtar i vitit", u njoha fizikisht para dy vjetësh, gjatë një veprimtarie të "Pelegrinit", kur unë isha kryeredaktor i kësaj reviste. Ishte i ftuar dhe në fjalën e tij të përshëndetjes kërkoi papritmas publikisht të më njihte. I kisha “shpëtuar” panelit të veprimtarisë, për t’u ulur në sallë, pranë disa miqve. U ngrita për të më njohur dhe u përshëndetëm. Aty, para të gjithëve, premtoi diçka, që unë nuk do të guxoja t’ia kërkoja. “Do të shkruaj një tregim posaçërisht për ju, -  tha, - dhe do të ishte në nderin tim ta botonit për lexuesit shqiptarë. Disa i kam fqinj dhe miq. Ia vlen të më bëhen edhe personazhe”.
Kur shtrënguam duart gjatë ndarjes, pas kujtesës sime për premtimin e dhënë, shtoi: “Besa është fjalë shqipe? Ndoshta. Por e themi edhe ne. E quajmë tonën”.
Dhe e mbajti fjalën i madhi Kumandareas. Shkroi posaçërisht për ne dhe më dërgoi me mikun tim, Niko Agon, një tregim të mrekullueshëm, me temë jetën e emigrantëve, të cilin, për fat të keq, nuk arritëm ta përgatitnim për numrin e parë të “Pegasit”, ku isha "shpërngulur" tashmë.
Kur ishim duke përfunduar numrin e dytë të revistës, më merr në telefon miku dhe patrioti im, shkrimtari Telemak Koça. “Jam këtu, tek Botimet “Kedhros”, - më thotë, - së bashku me Kumandarean. Më pyet për ty dhe më thotë të të kujtoj, se pret t’i dërgosh një revistë. Më thotë gjithashtu, se dikur keni thënë diçka për besën...”
U zura ngushtë. “E kam bërë gati, - iu përgjigja, – por prisja të më vinte raki e fortë nga Shqipëria. Vështirë ta dehësh veç me letërsi Kumandarean...”
Tani për tani, “dehuni” ju me artin e tij, të dashur miq. Shijoni këtë tregim të mrekullueshëm. Unë do ta mendoj më vonë justifikimin...
                                                                       Grigor Jovani
Athinë, 2008


Τετάρτη 10 Φεβρουαρίου 2010

"24 orë pa ne!"


Koncepti bazë i mungesës së paralajmëruar të emigrantëve 
ka të bëjë me pyetjen sfiduese: 
“Çdo të bëni pa ne?! Qoftë edhe një ditë...”
 NË FOTO:
Manifestim në Athinë i së djathtës së LAOS-it (në qendër deputeti Jeorjiadhis) kundër ligjit për emigracionin, që paraqiti Qeveria,  me parullën: "Grek lindesh, nuk bëhesh!" (Fotoja është marrë nga blogu i kolegut dhe mikut Niko Ago).


Τρίτη 9 Φεβρουαρίου 2010

ALI PODRIMJA - bujtësi i parë në blogun tim



 
Ese për poezinë, 
dashurinë dhe vdekjen


Κυριακή 7 Φεβρουαρίου 2010

… pastaj erdhën gratë


GRIGOR JOVANI

Fragmente nga libri me lirika erotike,
i përgatitur për botim:

              “Të parën herë që Adamit 
iu dha mundësia, 
e hodhi fajin tek gratë...”
NANSI ASTOR




CLEZO - bohemi, që kaloi portën e rëndë të Akademisë Suedeze

Pak kohë më parë, tek lexoja një koment të një vajze letrare në njerën nga dritaret më të njohura internetike shqiptare, u shkriva gazit. Kujtoni ç’thoshte e reja simpatike e letrave: “Kërciku i femrës është shumë i kufizuar dhe aspak për faj të saj, por për faj të fatit. Gjenitë kanë qëlluar krejt burra (uh, sa inat i kam!)”.
Ç’t’i thuash kësaj vajze! Si t’i përballesh sinqeritetit dhe sofizmit të saj?
Pasi mbaron së qeshuri, mendohesh: vërtet, ashtu duhet të jetë! Gjer edhe përjashtimi i sentencës, fituesja e parvjetshme e Nobelit, britanikja Doris Lesing, e kaloi portën e rëndë të Akademisë Suedeze atëhere kur nuk donte, në moshë krejt të thyer, kur i binte rëndë të shkonte gjer tek tregu në qoshe, për të psonisur, jo më të shkonte gjer në fjordet e largëta suedeze, për të qëndruar kaq kohë poshtë prozhektorëve... Sikur ta kishte profitizuar, vajza letrare e internetit, çdo të ndodhte ca ditë më vonë! Njeri prej atyre “gjenive”, që ajo i kishte kaq inat, frëngu Jean Mari Gustave Le Clezo (o zot, si mos të të ndezë llambushkat e inatit ky frëng, qoftë edhe për shkak të emrit të tij kilometrik!), kaloi edhe ai portën e rëndë të Akademisë Suedeze. Kjo ndodhi parvjet, kur shkoi për të marrë në dorëzim Nobelin e shumëndërruar të letrave, që të rendit automatikisht, si me magji, në rreshtin e madh të gjenive.
Nëse do të kërkonim, për hatër të vajzës në fjalë, ndonjë të dhënë lehtësuese për këtë “uzurpator” të ri të lavdisë, do të mbeteshim gojëhapur nga ato ç’ka do të mësonim.


One man show: ROBERTO BENINI


Ky artist nuk krijon thjeshtë role. Është roli vetë. Një rol shëtitës. Si për shembull, kur Sofia Loren e shpall fitues të “Oskar”-it kinematografik në Holivud dhe ai kacavjeret këmbadorazi nëpër dhjetra karige të sallës, gjer në podium, për të marrë në dorëzim statujëzën e artë për filmin “Jeta është e bukur” dhe për t’u gëzuar si klloun: “Kur merr në dorë këtë statujë, është njëlloj sikur bën seks…”. Nuk është e ndryshme ikona e tij edhe në jetën e përditshme, madje edhe kur jep intervista. Aktori i famshëm italian, i cili mahniti dhe shkriu në gaz Athinën, në kuadrin e turneut të tij ndërkombëtar me titull “Tutto Dante” (Gjithshka për Danten), pa dyshim që akrobaton me fjalët. I thekson dhe u gëzohet si fëmijë. Merr frymë thellë dhe është gati të të përqafojë, kur i thua se do të bashkëbisedojë në italisht për intervistën, me ndihmën e një bashkëpunëtoreje. “O, dio mio! Do të të çoj një turtë në shtëpi!”, bërtet i gëzuar, sikur t’i kesh falur botën e tërë…


Rekuiem poetik ndër vite


GRIGOR JOVANI
Prindërit
            Trashëgimi

Shtëpia në fshat vjetërohet
dhe mund të shembet një ditë,
si nëna ime,
që plaket në qytetin e madh, 
               larg nga vendlindja.
Përbrenda e ha një merak,
më i madh se ai i shtëpisë:
            “Mbete me një vajzë,
            ndryshe nga gjindja”.

Fjala është për mosvazhdimin e fisit.
(“Ç’emër do të trashëgojë?
                        Ndryshe po të kisha...
                                       dhe nipër”).
As që i bien në mendje
librat e mi poetikë,
                           me mbiemrin e fisit
                                             përsipër.


Σάββατο 6 Φεβρουαρίου 2010

Tre “gladiatorë” në arenën evropiane të “best seller”-it



Tre shkrimtarë, të rinj në moshë, yje të sapo ndriçuar në qiellin e letërsisë së përbotshme, të gjithë “best seller”-istë në vendet e tyre, por edhe në shkallë ndërkombëtare (aktualisht, më të botuarit, sipas statistikave zyrtare evropiane) u bashkuan  në një sofër mikpritëse, në Megaron Plus të Athinës, me traditë në zhvillimin e këtyre takimeve me korifenjtë e artit dhe kulturës në botë, duke hedhur vështrimin kah “Fytyra bashkëkohore e letërsisë në Evropë”, siç e quajtën takimin e tyre.
U prezantuan, “u provokuan” këndshëm midis tyre, bashkëbiseduan me publikun e shumtë rreth mjeshtërisë së të shkruarit, si edhe për pasaportën e letërsisë moderne, që shkruhet dhe lexohet sot në Evropë.
Njihuni me ta... 


Panteoni evropian i vargjeve



Janë katër poetë evropianë të kohës së pasluftës, seicili "monument kulture" për kombin e tij dhe të katër së bashku "ikona të shenjta" mbi piedestalin e poezisë evropiane dhe të përbotshme. 
Mund të shtohej edhe më tej katalogu... Përpos të tjerave, pas njohjes me ta, seicili prj nesh pashmngshëm do të bënte atë pyetje, që bëri një mik i njohur i letrave, tek e publikova së pari në një sait internetik këtë material: "Qysh nuk i njihnim më parë?! Ku na kishe mbyllur, o dreq?!"
 Shijojini, miq të dashur dhe, për të mirën tonë të përbashkët, shtojeni, në doni, këtë katalog...


Riatdhesimi i vonë i Shekspirit


esse
Dini gjithshka për Shekspirin?
Nuk e besoj! Ashtu dhe kështu, jeta e tij fshihet mes një mjegullnaje, të cilën, në vend që ta shpërbëjnë vitet dhe shekujt, dendësohet më tepër. Për të përcaktuar portretin e dramaturgut u dashka të zhvillohen konkurse dhe simpoziume shkencorë në Britani, ku si i mirëfilltë zgjidhet njëri syresh, gjithmonë më i mundshmi, kurse për të ravijëzuar shpirtin e bardit thirret në ndihmë nuhatja e pashuar e ujkut të plakur të ekranit, 70 e ca vjeçarit Bashter, si dhe talenti i Xhozef Fains-it, tek “Shekspiri i dashuruar”, ku me të vërtetë ringjalli një poet. Por të gjitha këto janë… filologjike.
Kush qe në të vërtetë dramaturgu më i madh, që polli gjenia njerëzore?
Njerëzit e kanë këtë huq: kur zhbirojnë rreth një teme, e ngatërrojnë më keq. Nuk e teproj. Si do t’ju ngjante juve, po t’ua prisja shkurt: “Shekspiri është italian!”. Patjetër, të marrë do më quanit. Mirëpo, këtë nuk e pretendoj unë, por një sërë studiuesish italianë, nga ata me një shportë titujsh e librash.

"Vreshtat e Dionisit"

Poezi
GRIGOR JOVANI

Nga libri në proces: 
"Vreshtat e "Dionisit" 
( Ia kushtoj tim eti, të pasionuarit pas vreshtave)

Cikli:
Deti dhe 
Dashuria