Δευτέρα 30 Αυγούστου 2010

ATDHEU IM JANË MIQTË - fotoreportazh --

Thashë të bëj një turne në Atdhe, aty nga fundi i gushtit. 
Mbase ndriçohej me pak dritë më tepër jeta e ime ...

Alo, Vaid, po nisem! 
Ç'habere të çoj andej nga do vete?
Po ku shkoj këmbëzbathur, 
mes ujit që therr si teh i mprehtë?!

Mirmëngjes, baba! 
Të solla kafenë. 
Mamaja e ka në filxhan, 
në tryezë, 
kur të ngrihet nga gjumi...
Ja shtëpia ime në Jergucat. 
Dhe xhaxhai im, që më pret, 
si dikur ati im...
Fillimisht zbrita nga këto shkallë, 
në oborrin ku mësova të ec...
U hap kjo portë
dhe pashë botën e madhe...
... pastaj, oborri i madh, 
përballë kishës së fshatit...
... dhe përsëri rrugë. ..



Nisje të reja. 
Prej kësaj rrugice të vogël, 
ku ka mbirë barri i harresës.

Takoj miqtë, nëpër rrugë.
Ja njeri prej tyre, 
i moshës studentore, 
që më shoqëron gjer tani.
Gëzim Redhaj, nga Tepelena, 
kritiku i pasionuar i letërsisë italiane, 
profesori i Universitetit të Gjirokastrës.

Më priti në Ksamil, ku bënte pushimet, me të shoqen, Afron dhe me Ladin, kolegun e tij dhe mikun tim të ri.















Perëndim pësipër Porto Palermos. 
Parë nga ballkoni i shtëpisë së Mihos, 
në Piqeras. 
Si të mos lind poetë, 
ky reliev i poetizuar nga Perëndia?


Po tani? 
Ku shkojmë?
Na pret Miho Gjini dhe shkrimtarët e Bregut, 
të cilët na kanë ftuar në takimin e tyre të përvitshëm 
në Bunec.

Stefan Martiko dhe Koço Mërtiri.
Poetë, miq të afërt.
Tani e kuptoj pse poezia e tyre 
ka kaq shumë det 
dhe pulëbardha.
Dhe mesazhe të kaltra...


Me Dituri Alikën, poeten e re nga Piqerasi, 
të cilës porsa i redaktova librin e parë me poezi, 
të cilin e prezantoi në publik Miho Gjini. 
Kali ynë, "Pegasi", 
mbart amazona...
Në Bunec, gjatë takimit me krijuesit e Bregut.
Bëmë qejf atje. 
Apo jo, Petraq Pali dhe Thanas Boçi?
Folëm gjatë edhe për librat tanë. 
Na dëgjonte deti dhe heshtëte. 
Nuk kishte ç'të shtonte.
Të marr Landin në Nju Jork 
dhe t'i them, 
sa bukur është këtu...
Një mëngjes në Borsh, 
tek Ujvara...
Sa të shijon këtu kafeja!
Edhe thashethemet e Mihos, për kolegët... 
Por unë jam serioz

Përsëri rrugë... 
Qafa e Llogarasë.Poshtë, 
në një gji, 
ka zbarkuar dikur Jul Qezari.
Ndalim në Vlorë. 
Të takojmë miqtë. 
Me shkrimtarin Myrteza Mara 
dhe publicistin Gëzim Llojdia.
Ca sallam mbi tryezë, pak djathë, birra italiane, të modës, dhe zemrën në pëllëmbë të dorës.
Në Fier. 
Piktori i "Pegasit", Leonidha Bullgari 
dhe romancieri Tasi Proko, 
bashkëpunëtori ynë. 
Kanë ardhur... "shefat" nga qendra. 
Bromb rakia! 
Ah, ato bërxollat e mrekullueshme të Fushës...
Në Durrës, 
me kritikun dhe eseistinFatos Minguli. 
Bashkëpunimi ynë është i garantuar.
Gëzon dhe tund bishtin nga kënaqësia 
"Pegasi" ynë.
Rrugës, 
në ndalimet e rastit me miqtë, 
dhashë ca mësime...
Kush mësoi, hallall e ka.









Si të shkojmë në Tiranë 
dhe të mos takojmë Ilirian Zhupën?
 E kam thënë, 
Iliri është dobësia ime ndër poetët...
Mall, shumë mall në takimin me Pirro Lolin,
tek Kafe "Europa",
ku ai ka zakon të pijë kafenë me Xhevon.
Dhe plane, shumë plane krijuese.
"Të kam borxh një botim të revistës, Gole. 
Nga unë"
"Mirë, Pirro! 
Faleminderit! "

Një mbrëmje në Krujë. 
Të kujtohet sa të bukura ishin këto mbrëmje atje, 
mikja ime e shtrenjtë, 
Albana?
Hej, Vaid, kjo xhamia pas meje, 
ishte atëhere?

Ore, ishmak! 
Po kalaja, ishte?
Shkojmë në Laç.
Aty jam në shtëpinë time.
Kam dhe miq të vjetër:
piktorin Ndue Pepa, 
që ka bërë kopertinat e librave të mia të para, 
poetin Cezar Rica, 
të cilit i lexova vjershat e fillimit.
Kohë të bukura.
Miloti...

 ...dhe ura e tij e famshme e Zogut. 
Kujtime të pashlyera nga kujtesa.



Në Mirditë.  Miq të tjerë. 
Ndue Dedaj, kritiku, 
romancieri, poeti.
Mbi të gjitha, 
miku im i viteve studentore.

 Por dhe Bardhok Pulaj 
dhe Bardhok Sulejmani. 
Miq të vjetër të letrave, 
me bereqet të ri.
Në më pyetshit: "Ç'kemi nga Atdheu?", 
do t'iu tregoj fotografitë e mësipërme me miqtë e mi. 
Fatkeqësisht, nuk i fotografova të gjithë. 
Veçse, janë mjaft, për të thënë: 
"Atdheu im janë miqtë!"
Njihuni me ta!
Janë gjithë pasuria ime.


GRIGOR JOVANI Athinë, fund gushti 2010



















Τρίτη 17 Αυγούστου 2010

Në takimin e përvitshëm me detin


GRIGOR JOVANI

Teksa më çelej në fytyrë
një buzëqeshje

Isha kaq i hutuar në takimin e përvitshëm
me detin,
sa harrova t’i fal
një buzëqeshje.

Isha arratisur prej vapës torturuese
të qytetit.
Dhe ndjeja tashmë në përqafimin tim
freskinë e pafund
të detit.

Teksa më çelej në fytyrë buzëqeshja,
kisha harruar se diku aty afër
bënte plazh
edhe vdekja.
Ajo

Nga të gjitha ato që kam njohur,
më e mençura,
më e bukura,
më kapriçozia,
më e përdala,
është ajo me të cilën fle akoma:
Fjala!

Mania e vjetër e seleksionimit

Kur isha i ri,
seleksionoja pulla postare.
Mbyllja nëpër albume
vende të ndryshme,
njerëz të shquar,
zogj shtegtarë.
Tani seleksionoj veten time
nëpër shtegtimet verore.
E dënoj me burgim të përjetshëm,
në fotografitë që marr
me celular.

M’u kujtua dashuria e parë

Bën gjithmonë të njejtin gabim:
humb çelsin
në kthim.

Rilindja

Na detyruan të hapnim
një varr kolektiv,
na lidhën duart pas shpine,
sytë me shami
dhe na vranë
me kallazhnikovë.

Mes errësirës së varrit
kërkoj trupin tim,
të lind lirinë tënde,
Kosovë!

Deti udhëton nëpërmjet dallgëve

Sytë e mëdhenj të detit kanë trishtimin
e Marko Polos,
pas udhëtimeve:
panë shumë,
ndaj u bënë më të mençur...

Koha bën dallgë. Kur mbërrijnë brigjeve,
kurdisen si pllaka gramafoni.

Deti udhëton në kohë nëpërmjet
dallgëve. Vini veshin:
tërë historitë e botës
do dëgjoni!

Çdo dashuri ka këngën e saj

Çdo dashuri ka hymnin e vet,
që lind para saj,
për ta paralajmëruar,
por që vdes pa bujë,
si një borizan,
akoma beteja pa u mbaruar.

Çdo dashuri
lind me një zgjim trumbete,
që borizani e merr në varr,
me vete.

Peshkatari

“Plako!
Të fut varka ujë!
Lëre rrjetën!
Ç’pret?!”

“Edhe njëherë,
që bëre detin kos,
të hedh garuzhden
në det?”

Ndryshimi

Ky vend nuk lindi Perënditë
e veta. Lindi shqiponja.
Kanë huqet e njerëzve Zotat.
Para se të zbresin nga malet
shikojnë interesin...

Kurse shqiponjat nuk bëjnë dot
pa fluturimin. Duke fluturuar
vdesin.

Një përkufizim tjetër
për vetminë

Vetmia është
të të marrë dikush në telefon
dhe nga ana tjetër të dëgjosh
zërin e njohur
të një dashurie të vjetër.

Të të thotë: “Më fal!
Të mora gabimisht!
Desha të merrja dikë tjetër...”

Poetët

Janë si anijet ndëroqeanike Poetët,
një këtu, një atje dhe të ekspozuar
furtunave.
Tallandisen të arrijnë destinacione të rreme,
ndërrojnë vazhdimisht intenerare.
Pak mbërrijnë limanet e ëndërruara...

Kur ndodh,
nuk e kuptojnë fare.

Janë kuverta anijesh të përvëluara nga dielli,
Poetët.
Vetëm kur fundosen shpëtojnë nga etja.
Çështë më e mundimshmja:
duhet të duken seriozë dhe të paepur,
si Odiseja,
domethënë: të dalin nga vetvetja.

Po t’i mblidhte këto anije për luftë,
Agamemnoni,
do të shkrihej në gaz Poseidoni!

Akuariumi

Deti fshiu dallgët nga tabloja
dhe pastroi me leshterikët
penelin.

Ashtu, i palëvizshëm,
të kujton akuariumin.

Pikat e shiut të beftë të pasdites,
trokasin mbi xham,
u prishin peshqve gjumin.

Dëmshpërblimet

Ata që ikin,
nuk pretendojnë
dëmshpërblime.

Të mos jenë,
të paktën,
me të humburit.

Duke dalë nga loja
në çastet e triumfit,
bëjnë pjesë
ndër të fituarit.

Borxhet i paguajnë
ata që vazhdojnë:

të shpëtuarit.

Vjersha

Ma mori shpirtin,
kjo vjershë!

Kaq kohë,
e lë dhe e zë prapë
prej askundit!

Sot isha në formë.

Që të mbaronte,
duheshe vargu i fundit.

Vendroja

Bënim “zborr ushtarak” në shkollë
të mesme. Atëhere më harruan
në vendroje.

Ishte mesnatë. Brinjët e shkrira
në stërvitje. Por dhe ku të shkoje,
po të doje?

Shava shokun e ndërrimit, në dyorëshin
e dytë. Luanin gjer në mesnatë
domino.

Pas dyorëshit të tretë, thashë të hidhja
armën. Nuk e bëra kurrë,
domosdo.

Dikush duhej të mbetej patjetër
në vendroje. Shorti ra mbi mua,
është me fat...

Kështu rrodhën orët, ditët, muajt
edhe vitet. Shndërruar qeshë, pastaj,
në pllakat.

Erdhi një kohë, kur luanin rreth meje
fëmijët. Më gjuanin me topa bore,
si dordolec të sajuar.

Nuk do të flas për ato që kam hequr
dhe humbur. Nuk isha dhe i vetmi,
në vendroje harruar.

Veç më mbeti në mendje ai kalimtar,
që më gjeti. “Ç’bën aty?! - më tha. -
Nuk ka më zborr ushtarak!”

Më kish shpëtuar, ndërkohë, një pikëz
loti. “Dëfrej fëmijët, - i thashë. -
Do të rri edhe pak!”

Dhe po të doja, t’i harroja...

Si t’i harroja,
sytë e tu të zinj?

U shua zjarri, por mbeti hiri,
poshtë hirit,
thëngjinj.

Nata

“Prit, motër, mos ia hap bajlozit portën,
sa të gjej shpatën!

Nuk është shenjë e mirë,
që vjen natën!”

Të nesërmen,
lajmëruan në bjeshë mandatën:

“Kanë vrarë Gjergj Elez Alinë!”

Askush nuk mbajti mend orën dhe datën,
veç natën!

Vdekja

Është i vetmi vendim,
që Gjykata e Shkallës së Lartë
nuk apelon.

E merr Gjykatësi në këmbë.
Nuk pranon avokat
dhe e ekzekuton.

Të pesëdhjetat

Më the se të kam thënë “Të dashuroj!”,
kur isha djalë.

Por unë pas të pesëdhjetave,
e mësova këtë fjalë!

Pasqyra

Sa shkon
dhe plasaritet më shumë pasqyra ime.
Ravijëzohen format e një arkitekture
të çuditshme.

Ec t’i bashkosh përsëri,
në një të vetme,
t’iu gjesh trajtën e saktë,
të dikurshme!

Së pari,
duhet të saktësoj,
këtë problem gjeometrik
me pasqyrën:

Nëse ia arrij t’i bashkoj përsëri,
copat e xhamit,
do ta kthej në trajtën e mëparshme
fytyrën?

Idhujt

Jam nga ai vend,
ku sillen çuditshëm
me idhujt.
Shpërfytyrohen kaq,
sa nuk njihen më.
Kthehen anonimë,
nga njerëz konkretë.
Aq sa bëmat e tyre,
na ngjan
se i bëjmë vetë.

Kënga e gjinkallave

                                           (sprovë)

Në kopshtin prapa shtëpisë, ku plakeshin
drurët e motshëm, që pasi largoheshin, si
aktorët tragjikë, një nga një nga skena, i
stivosnin në oborr, ku pleq të tjerë pinin
kafenë, duke pritur finalet e tyre, e vetmja
gjë, që më ngjante e re, ndonëse përsëritej
verë pas vere, ishte
kënga e gjinkallave.

Tani që pemët nuk rrojnë më, as pleqtë, që
ashtu si drurët e motshëm, ngrohin oxhaqet
e kujtesës, verërave dal në oborr, shkyç
deriçkën e kopshtit pas shtëpisë, vëj veshin
dhe dëgjoj pleqtë e dikurshëm, si dhe
këngën e gjinkallave.

Duke u mbajtur mbi bastunët e tyre të drunjtë,
pastaj,
pleqtë humbasin mëhallave.

Plaku dhe deti

Kur deti egërsohej,
zihej me dallgët.
Njerëzit
nuk i përfillte më.
Edhe zemërimin
e ndante me të.

Këmbanat

Njëherazi,
të gjitha këmbanat e botës
të ushtonin,

vështirë,
që të vdekurit e gjallë,
t’i zgjonin!

Hakmarrja
e vajzave myslimane

Vajza myslimane të metrosë së pasdites,
me këmbët e parruara,
si dhitë,
me sytë e trembura pas perçes,
që shikojnë shkarazi
dhe rendin të fshihen,
si minjtë,
ua fshehin trupin pas një burge,
pastaj urdhërojnë të mos duken
gjinjtë.

Ç’ndjeni, kur djemtë, gjoja padashur,
u prekin vithet
në autobuzë?

Kur të vijë ora dhe të martoheni
me ligjvënësit tuaj,
t’u digjni vajin në buzë!

Kujtohem...

Sa herë më mburrin kritikët
dhe mendja
më rritet,
më vjen në mendje
shqiponja:

i rritet sqepi
dhe mbytet.

Dashuria

Dashuria është si lufta:
fillon gabimisht
pastaj nuk mund t’i largohesh.

Në të vërtetë,
dashuria është një gabim,
që mund të evitohesh.

Veçse, dashuria është si lufta:
kur mbaron,
pendohesh.

Bukuritë

Kisha dikur në oborr tre gjarpërinj,
tërë lule dhe ngjyra,
aq sa të verbonin.

E dija: një ditë, njëri nga ata,
ose të tre bashkë,
do të më sulmonin.

Ndodhi. Mendoni tmerrin tim:
një fëmijë,
në thonjtë e gjarpërinjve!

Qysh atëhere,
gjendem gjithmonë gafil,
përpara bukurive!

Përsëri për vdekjen

Lëreni vdekjen! Është e vogël,
akoma!
Mbase ndryshon kusur,
duke u rritur...

Urdhëro? Ekziston
ndonjë mundësi tjetër
dhe s’e kam ditur?

Ndryshimi i Tokës
nuk ka mbaruar akoma

Morfologjia e Tokës
nuk ka përfunduar akoma.
Epidemitë,
cunamet,
terrorizmat,
dëshmojnë se bërrthama
vazhdon të përvëlojë
dhe provokon shpërrthimet.

Toka është akoma e nxehtë,
nuk kanë mbaruar ndryshimet.

Dielli fton adoleshentët në rrezik,
hëna udhëheq drejt së panjohurës
udhëtarët. Kurse Zotat,
që ndryshojnë vazhdimisht, kanë frikë,
mos bien në Tokë
dhe ndeshen përballë me ithtarët.

Nuk ka mbaruar akoma ndërtimi i Tokës!
Kemi kohë edhe për një revolucion,
të shporrim Zotat sipër kokës!

Pylli

M’u dogj pylli i vargjeve,
prej vapës,
në fund të korrikut.

Mbinë fidanë të rinj,
plazheve,
në gusht.

Vjeshta do më gjejë
me pyll tjetër,
vjershat do të mbajnë
erë musht.

(Monemvasia - Elafonisos,
gusht 2010)