Πέμπτη 25 Νοεμβρίου 2010

… ia vleka të shkruhet poezi.


ROLAND GJOZA                       
… ia vleka të shkruhet poezi.

- Letër e hapur
GRIGOR JOVANIT -

 Grigor Jovani, them se e ke një libër gati me këtë cikël e dy tre më parë.
Të lexoj ty dhe them, se ia vleka të shkruhet poezi.
Ngado që hedh sytë, gjithçka tjetër ka përreth, po poezi s’shoh. Bëkan njerëzia pa poezi.
I hedhin barkut, i hedhin xhepit, kaq mjafton. Zemrën e kanë si bateritë: prishet ajo e  uruar, flaket, vënë një tjetër. Ç’t’u dha kjo zemër ty, o Grigor, njëckë fillikate, sot e motmot po ajo, që këndon poezi. Pak ta venë veshin, po ti s’pyet, na merr më qafë dhe ne të tjerëve, që marrim revan e të ndjekim.
Ti vërtet të ngjall shpresë me këtë mosbindje për të hequr dorë.
Më shkruante një mik, libraritë s’pranojnë poezi, ato janë si qentë dhe zezakët dikur në Amerikë. Si qentë dhe zezakët. E po, kjo kohë erdhi. Veçse është fillimi, më keq do të katranoset.
Ashtu Grigor, t’i kam lexuar poezitë nja njëzetë herë, bëja çudi si nuk mbushkan mushkat të lexojnë e ta ndjejnë veten si ditën e takimit të parë, të dridhen nga emocionet e t’u duket, kësisoj, kjo botë plehrash, kopsht edeni.
Po ta kesh mendjen vetëm te bark llup kollofitja, bixhoz mavria, pambuk nduk mish engjervia, s’ka më ndjenjë delikate, po interes për zhvatje e yxhym, se deti bëhet kos për derdimenin kokosh.
Këta kokosh trimoshat e jetës së zbrazët kanë mbushur pjacën e të tregojnë pjatën, ku ideali yt, poet, për ta është derrkuci i pjekur në hell dhe vera e butit, që duhen përlarë sa më parë, se të tjera bakunale varg e vister i presin. Kjo kohë erdhi! S’ka njeri më durim t’i verë veshin zemrës e të dëgjojë këngën e saj.
Dhe ti shkruan pa e çarë dhe na i rrëfen ne, miqve. Na pataks guximi yt për t’i hapur petët lakrorit, na e nxjerr nudo poezinë dhe sikur na thua: ç’t’i hedhësh cohën përsipër këtij kurmi drithëronjës, që të shtin në varr të gjallë?! Pse, s’ke të drejtë, thua? Asgjë s’fsheh, si të vjen e hedh, pa zor e merak, se ti poezinë e ke prej atij vreshti, që bën verë kreshme. Verë për perëndi. S’njeh mot ajo, por motmot zbukurohet e prit e prit ne, mavrinjtë, të lashtësohet. Përkundër, ajo rrufjankë, rinohet.
S’ka gjë se libraritë s’i pranojnë.
S’na prishet gjiza. Kështu më bëhet se thua e më tund Pegasin tënd flatrazjarr, që ka marrë prej kohësh viset t’u trokasë në portë poetë dudumëve, që e kanë humbur pusullën, po s’heqin dorë dhe, sa herë bien në gjumë, siç po ndodh ndë këto kohë zbrazëtie, ti u prin me ato zoçkat e tua tundimëmëdha, që i ftojnë atje ku Venusi na pret pa para.. E ke bërë marrëveshjen, ia ke kripur kokën asaj bukuroshke mëndjelehtë, me ato të tuat dhe të ka besuar. Po të ndjekim…
Se, ç’të bëjmë tjetër?
Rolja
Nju Jork, 25.11.2010
(Marrë nga Lista internetike LGSHD - Lidhja e Gazetarëve Shqiptarë të Diasporës)

Τρίτη 23 Νοεμβρίου 2010

“Në vjeshtë, kur pemët vdesin...”


“Po ç’është gjithë ky frymëzim, tani në vjeshtë,
 kur pemët e poetëve vdesin?!
Ti qofsh!
ROLAND GJOZA
(LGSHD - 19.11.2010)

GRIGOR JOVANI

Cikli:
  “Në vjeshtë, kur pemët vdesin...”

Livadhet e shkreta

Ka kohë,
që nuk shkruaj më vjersha.

Ngjajnë të shkreta,
livadhet e djera,
në fletore dhe blloqe.

E ç’u bë?!

Këtu ka kaq kohë,
që s’kam bërë dashuri,
me time shoqe... 

Lufta për mbretëreshën

Si anije torpiluese lufte,
kërkon të çajë nëndetëset
gjuha ime,
gardhin e shtërnguar
të dhëmbëve të tua,
pas të cilit fsheh gjuhën,
mbretëreshën
e flotës detare.

Në ta pushtofsha
bazën e mbyllur
të gojës tënde krenare,
mbretëresha
do më ndjek pas,
si manare.

Për shkak të harresës

Një bletë,
mes fletëve të blirit,
harruar.

Pret bletërritësin,
për ta pickuar.

Manastiret

Ngjanin me kodrat e bregdetit,
me nga një manastir në majë,
gjinjtë e tu të shtrënguar,
tek u shtrive mbi rërë.

Makar të isha eremit,
të lypja strehë në manastir
dhe të kungohesha me verë.

Letrat

Bëni qetësi!

U lodhën vjershat e mia,
të shkretat!

I zuri gjumi,
të shtrira mbi letrat.

Shpirti

Të mund të bëja një vjershë të bukur,
si ty,
të ta dhuroja.

Mund të përsillej rreth teje gjithshka,
duke vallzuar...

Por ka ca kohë,
që vjersha shpirti s’më ka.

Edhe të vallzoj kam harruar...

Prova

Zogjtë e porsalindur
provojnë flatrat në ajër,
duke rënë nga foleja.

Ata që arrijnë të kthehen,
nostalgojnë fluturime të reja.

Lumi

Ky lumë
nuk gjen qetësi,
nuk ka moshë.
. 
Prandaj, kudo
dhe kurdoherë,
të josh.

Deti

Brenda kësaj fotografie,
dëgjohet deti.

Dikur ishte varkë.

E nxorën erërat në breg
dhe mbeti.

Hambarët

Karavet u plakën me kohë.
Filluan të mbushen me ujë
hambarët.

U thanë t’i braktisnin.

Minjtë
u larguan të parët.

Unë s’e dëgjoja...

Këto më thoshte,
para se të vdiste,
im atë,

por unë s’dëgjoja
asgjë.

I gjeta të fshehura
poshtë gjetheve të rëna,
një natë,

pastaj m’u kujtua
çdo gjë.

Libri i hapur

Nuk e di
si u gjend para meje
ky libër i hapur.
Kalonte era
dhe ndërronte fletët.
Kur mbërriti në fund,
i kisha lexuar
të gjitha jetët.

Bjeshkët e Namun

Vë buzën
tek qelqet e ftohtë
të burrimeve.
Kur uji është i tejdukshëm
pi bashkë me të
majat e maleve.
Kur ngjan i turbulluar,
është nga gjaqet e patretur
të hakmarrjeve.

Gratë

Vijnë edhe ikin,
dalin dhe hyjnë
gratë,
që dashuruam.
Fshiheshin,
kur i kërkonim,
shfaqeshin,
kur i tradhtuam.

Borxhi

Një fuçi që rrotullohet
bota.

I rrijmë përsipër,
pa ditur asnjëri,
në është jona,
apo ka tjetër pronar.

Kështu udhëtojmë
drejt pafundësisë.

Pa ditur akoma:
kujt i jemi në borxh
dhe sa kemi marrë.

Kruja

Në rrugica
japin shpirt
erërat.
Nëpër rënoja
fërshëllejnë
gjarrpërinjtë.
Veçse (o Zot!)
durojnë akoma,
tek muret e kalasë
qirinjtë!

Vonë...

Kur bien pemët,
ushtojnë pyjet,
kur bien malet,
gjëmon deti,
kur bien njerëzit
ngrihen këngë,
kur bie një botë
zbret Zoti në tokë,
gjithshka nga e para
për të ngritur.

S’del kush për ta pritur...

Gjiri i Palasës

Gjurmët e kuajve nuk i ruajti rëra,
i shuajti era.

Megjithatë,
nuk harron ranishtja ngjyrë ari:
Dhe miliona erëra të kalojnë,
këto brigje kurrë nuk do harrojnë:

Këtu ka zbarkuar Jul Qesari!

E panjohura

Më priste e panjohura
jashtë portës.
Më shikonte
me ca sy të pangjyrë.
I hodha një sy,
gjoja kalimthi,
me një buzëgaz falls në fytyrë.

Gjoja se doja të lidhja këpucët,
u ktheva për ta parë,
pak pak.
Ajo kishte zënë hijen time për dore.
Poshtë mantelit,
i ndriste syri dinak.

Gjurmët

Padashur,
shkela poshtë këmbëve
ditët e mia të gëzuara.
Kërcitën
si bletë të ngarkura
me mjaltë.
Të paktën,
ëmbëlsova një herë
gjurmët e mia,
ndonëse ato
s’rrojnë gjatë.

Sa herë vdisja

Më mbyllje sytë,
në çdo vdekje:
Shkofsh i qetë,
në mbretërinë
            e heshtjes!
Dashuria për ty,
është çdo riardhje,
gjuha e nxjerrë,
në formën
          e përqeshjes.

Pogradec

Sa kohë
do të flejë akoma
                   hëna,
në fund të liqenit?
Dielli shfryn
          në majëmale,
si lokomotiva
në stacionin e trenit.

Anijet që kthehen në Pire

Them të dalim një mëngjes në liman,
të presim anijet që kthehen në Pire,
në të aguar,
ngarkuar me yjet e detit,
koralet e thellësive,
nga shtegtimet që nuk kemi shkuar.

Kur do të jemi ngatërruar edhe ne,
me turmën që do të zbresë nga karavet
e përgjumur,
të jesh e sigurtë,
askush sdo të kuptojë,
sa shtegtime në jetë kemi humbur.

Vajza e Dionisit

Të prisja mbrëmjeve,
pasi shtypnit rrushin,
për mushtin e verës.

Por të përcillte
përnatë Dionisi,
gjer tek pragu i derës.

Shtëpitë në dimër

U rrit nëntori.

Filloi të godasë
muret e gurtë,
me erërat,
         si me ushta.

Brenda shtëpive,
shtrëngojnë bisqet
e pranverës së re,
vajzat në grushta.

Fotografia

Dakort,
s’është e zezë gjithshka.

Le të formoj një të qeshur,
me zemër të rëndë,
sikur nxjerr një gjëmb.

Është kaq i vërtetë
buzëgazi im,
sa dhe mua më trëmb.

Turbullirë

Fjalë,
fjalë,
shumë fjalë,
lumenj të turbulluar,
që s’i pranojnë
brigjet.

Tokë djerrë - shpirti im,
digjet.

Partizanët

Ne ishim njerëz të thjeshtë,
nuk ëndërruam kurrë
“Dolçe vitat”.
Punë - shtëpi dhe ndonjë verë
në tavernë,
sa pa u shuar dritat.

Nuk shkuam në Itali me anije,
si “balila”,
atje “ku na ftonte mbreti...”
U ngjitëm gjer në mal
me nga një yll në ball
dhe vdiqëm,
prej vërteti.

El Greko

Në Spanjë
ëndërronte të dashurën e vetë,
që digjej për një të puthur
në Kretë.

Një natë
e vizatoi në pëlhurë,
si të ishte e gjallë.

Pastaj fiku qirinjtë
dhe filloi ta puthte
me mall.

Frymëzimi

Të ftova gjithë natën,
me të lutura.

Në shollët e këpucëve
më shkrove.

Tani që erdhe,
filloi ime shoqe me të puthura...

Ç’të të bëj? U vonove...

Lotët e krokodilëve

Nga familja e madhe e dinosaurëve,
shpëtuan vetëm kushurinjtë e largët,
krokodilët.

Mallkojnë fatin e paraardhësve,
duke u vënë gjithë fajin atyre:
“I hëngri madhështia,
debilët!”

Dhe qajnë për humbjen e kushurinjve.

Por dihet,
ç’lotë derdhin krokodilët...

Shkaku

Më le,
ngaqë kurrë nuk të thashë,
fjalë dashurie.

Nuk më lexove sytë,
nuk dëgjove
damarët e duarve të mia,
që të preknin,
si një ikonë.

Ngaqë dashurisë
nuk di t’i falem me fjalë,
u shemb kisha jonë.

Maska

Ditën mbaj të veshur një maskë,
ka të stampuar tek buzët
një buzëgaz të përhershëm.

Vetëm natën nuk mund ta duroj...

Të paktën, në ëndrra
të tregohem i ndershëm.

Unazat

Nuk vura unazë në jetën time.
Përse të fyhesh,
dashuri?
Një jetë të tërë, unazat tona -
kaq larg,
njëkohësisht kaq afër,
ashtu si motrat në mëri.
Nuk do takoheshin në gjallje,
si të kishin burrat hasmëri.
Ne thamë: çdo gjë e kemi bashkë!
Kështu nuk thamë,
dashuri?

Aktorët

Ekranet janë si krematoriumet:
përtypin
dhe djegin
jashtëqitjet e artit të aktrimit,

të vërtetat
arrnuar me rrena.

Numërohen si viktimat e olokausit
veprat e artit,
harrohen -
çifutët që luajnë në skena.

Monedha

Ç’janë këta njerëz sytharë në varrim?
Përse e përcjellin të papërlotur,
të ndjerin?

Sepse edhe ai, në gjallje të tij,
nuk fali lotë dhëmbshurie
për asnjerin.

Prindërit

Kur bie shi,
më ngjan se lotojnë
prindërit e mi.
Ujëvarëset ngjit,
në qiell t’i gjej,
për t’u shmallur.
Kur shiu mbaron,
bie në një pyll,
me dru të vdekur,
ende të pakallur.
Ngjaj i vdekur dhe unë,
por akoma s’është shpallur.

Gjuha e udhës

Më në fund e kuptova,
pse marr rrugët pa krye,
që s’të nxjerrin askund:

vesh këpucë,
me shollë të trasha në fund.

Këtej e tutje, si Gandi,
them të ecë pa këpucë,
të mësojnë këmbët
                   gjuhën e udhës,
në pluhur dhe llucë.

(Athinë, tetor - nëntor, 2010)


Παρασκευή 19 Νοεμβρίου 2010

Poezi të tjera...

I ke qarë, Gole, Ç’të të them tjetër. Mbeta pa fjalë, si para një cope… Një alamet cope.
Po ç’është gjithë ky frymëzim, tani në vjeshtë, kur pemët e poetëve vdesin?
Ti qofsh! Nxjerr bukuri llahtarisht të bukura, në dite të vdekura vjeshte.
E po dihet, këto thagma i bën vetëm një bohem, si Grigor Jovani.
Më ke kënaqur, Grigor.
ROLAND GJOZA
Nju Jork, nëntor 2010
(Marrë nga Klubi internetik i Gazetarëve të Diasporës - LGSHD)

GRIGOR JOVANI

Lotët e krokodilëve

Nga familja e madhe e dinasaurëve,
shpëtuan vetëm kushurinjtë e largët,
G. Jovani, në Zapio, gjatë një vjeshte.
krokodilët.

Mallkojnë fatin e paraardhësve,
duke u vënë gjithë fajin atyre:
“I hëngri madhështia,
debilët!”

Dhe qajnë për humbjen e kushurinjve.

Por dihet,
ç’lotë derdhin krokodilët...

Shkaku

Më le,
ngaqë kurrë nuk të thashë,
fjalë dashurie.

Nuk më lexove sytë,
nuk dëgjove
damarët e duarve të mia,
që të preknin,
si një ikonë.

Ngaqë dashurisë
nuk di t’i falem me fjalë,
u shemb kisha jonë.

Maska

Ditën mbaj të veshur një maskë,
ka të stampuar tek buzët
një buzëgaz të përhershëm.

Vetëm natën nuk mund ta duroj...

Të paktën, në ëndrra
të tregohem i ndershëm.

Unazat

Nuk vura unazë në jetën time.
Përse të fyhesh,
dashuri?
Një jetë të tërë, unazat tona -
kaq larg,
njëkohësisht kaq afër,
ashtu si motrat në mëri.
Nuk do takoheshin në gjallje,
si të kishin burrat hasmëri.
Ne thamë: çdo gjë e kemi bashkë!
Kështu nuk thamë,
dashuri?

Aktorët

Ekranet janë si krematoriumet:
përtypin
dhe djegin
jashtëqitjet e artit të aktrimit,

të vërtetat
arrnuar me rrena.

Numërohen si viktimat e olokausit
veprat e artit,
harrohen -
çifutët që luajnë në skena.

Monedha

Ç’janë këta njerëz sytharë në varrim?
Përse e përcjellin të papërlotur,
të ndjerin?

Sepse edhe ai, në gjallje të tij,
nuk fali lotë dhëmbshurie
për asnjerin.

Prindërit

Kur bie shi,
më ngjan se lotojnë
prindërit e mi.
Ujëvarëset ngjit,
në qiell t’i gjej,
për t’u shmallur.
Kur shiu mbaron,
bie në një pyll,
me dru të vdekur,
ende të pakallur.
Ngjaj i vdekur dhe unë,
por akoma s’është shpallur.

Δευτέρα 15 Νοεμβρίου 2010

10 poezi të reja


GRIGOR JOVANI

Sa herë vdisja

Më mbyllje sytë,
në çdo vdekje:
Shkofsh i qetë,
në mbretërinë
            e heshtjes!
Dashuria për ty,
është çdo riardhje,
gjuha e nxjerrë,
në formën
          e përqeshjes.

Pogradec

Sa kohë
do të flejë akoma
                   hëna,
në fund të liqenit?
Dielli shfryn
          në majëmale,
si lokomotiva
në stacionin e trenit.

Pireu

Them të dalim një mëngjes në liman,
të presim anijet që kthehen në Pire,
në të aguar,
ngarkuar me yjet e detit,
koralet e thellësive,
nga shtegtimet që nuk kemi shkuar.

Kur do të jemi ngatërruar edhe ne,
me turmën që do të zbresë nga karavet
e përgjumur,
të jesh e sigurtë,
askush sdo të kuptojë,
sa shtegtime në jetë kemi humbur.

Vajza e Dionisit

Të prisja mbrëmjeve,
pasi shtypnit rrushin,
për mushtin e verës.

Por të përcillte
përnatë Dionisi,
gjer tek pragu i derës.

Shtëpitë në dimër

U rrit nëntori.

Filloi të godasë
muret e gurtë,
me erërat,
         si me ushta.

Brenda shtëpive,
shtrëngojnë bisqet
e pranverës së re,
vajzat në grushta.

Fotografia

Dakort,
s’është e zezë gjithshka.

Le të formoj një të qeshur,
me zemër të rëndë,
sikur nxjerr një gjëmb.

Është kaq i vërtetë
buzëgazi im,
sa dhe mua më trëmb.

Turbullirë

Fjalë,
fjalë,
shumë fjalë,
lumenj të turbulluar,
që s’i pranojnë
brigjet.

Tokë djerrë - shpirti im,
digjet.

Partizanët

Ne ishim njerëz të thjeshtë,
nuk ëndërruam kurrë
“Dolçe vitat”.
Punë - shtëpi dhe ndonjë verë
në tavernë,
sa pa u shuar dritat.

Nuk shkuam në Itali me anije,
si “balila”,
atje “ku na ftonte mbreti...”
U ngjitëm gjer në mal
me nga një yll në ball
dhe vdiqëm,
prej vërteti.

El Greko

Në Spanjë
ëndërronte të dashurën e vetë,
që digjej për një të puthur
në Kretë.

Një natë
e vizatoi në pëlhurë,
si të ishte e gjallë.

Pastaj fiku qirinjtë
dhe filloi ta puthte
me mall.

Frymëzimi

Të ftova gjithë natën,
me të lutura.

Në shollët e këpucëve
më shkrove.

Tani që erdhe,
filloi ime shoqe me të puthura...

Ç’të të bëj? U vonove...

Σάββατο 13 Νοεμβρίου 2010

DANTE MAFFIA


Dante Maffia
U lind në Kalabri të Italisë, në Roseto Capo Spiluco (Cosenza), më 1946.
Studioi filologji italiane në Romë. Është lektor i italishtes dhe i historisë në disa universitete. Ka botuar pesë vëllime poetike, duke u bërë një nga poetët më të rëndësishëm italianë të kohës sonë. Bashkëpunon me disa nga gazetat më të njohura në vend dhe drejton periodikët e njohur letrarë “Il Policordo” dhe “Poetica”. Mendimi i tij kritik, veçanërisht për poezinë, ndikon ndjeshëm në qarqet letrare. Me poezinë e tij janë marrë entet më të rëndësishme botuese evropiane. Është përkthyer në 12 gjuhë dhe është vlerësuar me çmime të ndryshme brenda dhe jashtë Italisë.