Κυριακή, 30 Οκτωβρίου 2011

Përbëj rrezik, e di...


GRIGOR JOVANI



OKB

O-rganizatë
K-urvash
B-udallaqe.

KOMBETARE

Çdo shqiptar,
kur mban në dorë një kapistër,

i ngjan vetja kryeministër.

LIRIA

Mos thuaj kurrë: “Ç’kafaz i artë!”,
edhe në është
i bukur...

Fyen një zog,
një flutur.

RREZIKU

- Shkruan thjesht
dhe të kuptojnë të gjithë.
Pa ngatërrohu pak...

- Përbëj rrezik, e di,
kam thjeshtësinë në gjak.

QENI

Mjerrë qeni i stanit,
që një jetë adhuron
erën e çobanit!

Është e shkrojtur:
një jetë si qen
ka për të rrojtur.

ZARET

S’e marr vesh. Kur hedh ai zaret,
zë gjithmonë dopjo gjashtë!

Idiot! I ka të rrumbullaktë,
veç me një numër jashtë.

NDRYSHKU

Jam i fortë, si hekur?
Flet budallallëqe.
Pa më pyet, si ndjehem,
prej ndryshkut, në këllqe...

TERSI

Bëra hapin e parë:
zbraza kaptinën
nga mendimet e marra.

Por koha nuk del,
të filloj nga e para.

KERCENIMI

Mbaj mend të ndjerën, nënën time:
“Do të ta hajë macja zogun
dhe do të lë pa gjë...”

Ka njohur shumë mace jeta ime,
por nuk më ka ndodhur asgjë... 

NDERKOMBETARET

“Keni bërë një gabim”,
shkruan ata,
që i rrënoi tërmeti.

“U shkatërruam ne,
u zhdëmtua shteti!”

DASHURIA

Kam faj unë?!
Më qëlloi syshtrembër...

Nuk isha kurrë i sigurtë,
ku shikonte ajo femër.

KUNGUJT

Këtë të keqe kanë kungujt
dhe s’e kuptojnë dot:

Ngaqë qëndrojnë sipër ujit,
kujtojnë se dinë not!

ARBERIT

Para pesëqind vjetësh,
në bregun matanë
kapërcyen.

Këtu e pesëqind vjet,
nuk u kthyen.

TERMETI

Kaq kohë me fqinjën derë më derë,
veç “mirmëngjesi” në agim,
“oreks të mbarë” në drekë...

U desh të ndodhte një tërmet
dhe u gjendëm veç me brekë.

POLITIKANET

Koha është të na thonë politikanët,
që nga ballkonët,
në fjalime:

“Nga dashuria për të vdekurit,
shkojnë edhe mizat
në varrime”.

PAPAGALLI

“M’i tregon papagalli të gjitha.
mos guxo të bësh ndonjë gjë...”

Për vizitat e mia tek fqinja,
papagalli s’ka treguar asgjë.

SUKSESI

E bukur premiera, vërtet,
ç’aktrim, o zot!
U mrekulluam!
Mirë që nuk kishte spektatorë
dhe e shijuam.

PAAFTESIA

E pushuan, si të paaftë,
arkivolistin e mjerrë.

Para se t’i merrte metrat
të ndjerit,
priti të vdiste një herë.

BURSE

Në qafën tënde të bukur,
një kryq i artë.

Nuk di sa është kursi i arit,
dreqi e marrtë!

ATDHEU

Kaluat kufirin? U fikët...

Në kthim do gjeni tabelën:
“Ju ikët...”

(Athinë, fillim dimri, 2011)