GRIGOR JOVANI
Παρασκευή 19 Νοεμβρίου 2010
Poezi të tjera...
Po ç’është gjithë ky frymëzim, tani në vjeshtë, kur pemët e poetëve vdesin?
Ti qofsh! Nxjerr bukuri llahtarisht të bukura, në dite të vdekura vjeshte.
E po dihet, këto thagma i bën vetëm një bohem, si Grigor Jovani.
Më ke kënaqur, Grigor.
ROLAND GJOZA
Nju Jork, nëntor 2010
(Marrë nga Klubi internetik i Gazetarëve të Diasporës - LGSHD)
GRIGOR JOVANI
Lotët e krokodilëve
Nga familja e madhe e dinasaurëve,
shpëtuan vetëm kushurinjtë e largët,
Mallkojnë fatin e paraardhësve,
duke u vënë gjithë fajin atyre:
“I hëngri madhështia,
debilët!”
Dhe qajnë për humbjen e kushurinjve.
Por dihet,
ç’lotë derdhin krokodilët...
Shkaku
Më le,
ngaqë kurrë nuk të thashë,
fjalë dashurie.
Nuk më lexove sytë,
nuk dëgjove
damarët e duarve të mia,
që të preknin,
si një ikonë.
Ngaqë dashurisë
nuk di t’i falem me fjalë,
u shemb kisha jonë.
Maska
Ditën mbaj të veshur një maskë,
ka të stampuar tek buzët
një buzëgaz të përhershëm.
Vetëm natën nuk mund ta duroj...
Të paktën, në ëndrra
të tregohem i ndershëm.
Unazat
Nuk vura unazë në jetën time.
Përse të fyhesh,
dashuri?
Një jetë të tërë, unazat tona -
kaq larg,
njëkohësisht kaq afër,
ashtu si motrat në mëri.
Nuk do takoheshin në gjallje,
si të kishin burrat hasmëri.
Ne thamë: çdo gjë e kemi bashkë!
Kështu nuk thamë,
dashuri?
Aktorët
Ekranet janë si krematoriumet:
përtypin
dhe djegin
jashtëqitjet e artit të aktrimit,
të vërtetat
arrnuar me rrena.
Numërohen si viktimat e olokausit
veprat e artit,
harrohen -
çifutët që luajnë në skena.
Monedha
Ç’janë këta njerëz sytharë në varrim?
Përse e përcjellin të papërlotur,
të ndjerin?
Sepse edhe ai, në gjallje të tij,
nuk fali lotë dhëmbshurie
për asnjerin.
Prindërit
Kur bie shi,
më ngjan se lotojnë
prindërit e mi.
Ujëvarëset ngjit,
në qiell t’i gjej,
për t’u shmallur.
Kur shiu mbaron,
bie në një pyll,
me dru të vdekur,
ende të pakallur.
Ngjaj i vdekur dhe unë,
por akoma s’është shpallur.
Εγγραφή σε:
Σχόλια ανάρτησης (Atom)
Δεν υπάρχουν σχόλια:
Δημοσίευση σχολίου