Σάββατο 26 Φεβρουαρίου 2011
Poezitë e shkurtit (Pjesa e dytë)
GRIGOR JOVANI
Nuk është thjesht
një emër vendi.
Është gardh resh,
që hapur rri.
Ngaqë shqipet
hyjnë e dalin,
i thonë Zotat:
Shqipëri!
Pretendon,
çdo gjë ta ndjejmë bashkë,
miks?
E dashur, këtu dhe orët tona
asnjëherë s’mund të jenë
fiks.
Jashtë kohës
Më flisje për verën. Më tregoje
fotografitë
me plazh.
Ndërsa unë e kisha mendjen gjetkë,
dremitja,
pak nga pak.
Ç’doje të bëja? Jashtë ishte dimër,
bubëlinte zjarri
në oxhak.
Shqiponjat
Na u shndërruan flatrat në këmbë
dhe mërguam,
kur nga malet munguan
kreshnikët.
Ngaqë nuk i gjetëm askund,
ngado shkuam,
në kthim i gjetëm qiejt të mbyllur:
“Ju ikët...”
Kompesim
Ngaqë njerëzit u bëmë shumë,
si minjtë,
u pakësuan gjarrpërinjtë.
Ndarjet
Çdo ndarja jonë -
një vdekje e vogël.
Me ringjallje,
fatlumtërisht.
Të bëjmë kujdes!
Vetëm Jesunë,
nuk e gozhduan
gabimisht.
Udhët
Ndërtojmë dhe ndërtojmë udhë,
pafundshmërisht.
Ç’i duam? Të gjitha kanë tabelën:
“Pa rrugëdalje!”
Them të bëjmë një udhë
çmendurisht.
Mbase do na nxjerrë diku,
në gjallje.
Shpresa e fundit
- Ç’është kjo?! Thua gjithmonë
fjalën e fundit.
Lëre, të lutem,Vdekjen
jashtë...
- Po qysh ta lë? Është shpresa e fundit,
të jemi, të paktën, diku
bashkë.
Bisedë familjare
Burrin e vet, kur kafenë pi,
e sjell si shembull,
vjehrra:
“Punoi një jetë nëpër galeri.
Pension ariu fitoi
nga miniera...”
Por edhe unë, ashtu si ai,
gërmoja çdo natë,
vite të tëra.
Nëse vjershat s’kushtojnë,
sa qymyri i zi,
nuk është faji im.
Punën time e bëra!
U shkrive së qeshuri
U rrëzova në rërë,
tek të ndiqja,
ndërsa trupi yt,
si fllad,
drithërohej.
Nuk është se jam plak...
Unë i thashë,
firaunes Tokë,
të rrotullohej?
Politikanët
Në një afishe,
në anë të rrugës,
kanë nxirë sytë e një politikani.
Është thjesht provë. Një herë tjetër,
do t’ia nxjerrin sytë.
Mend të ma mbani!
Naimi
Pas Naimit,
të pretendosh në Poezi,
ofiqe?!
Unë tërhiqem. Më mirë mushti i zi,
që nxjerrin nga gjinjtë
fuçitë bullafiqe.
Nga dialogjet e mesnatës
- Të të them një gjë?
- Pa bërë ç’është e shkruar,
nuk dëgjoj asgjë!
Poetët
Të pasur,
nuk mund të bëhen kurrë!
Është ligj.
Dhe vetëm që e pranojnë,
ndërsa e dinë,
s’mund të konsiderohen të ligj!
Parajsa ime e vogël
Më thua:
askund nuk ekziston Parajsa!
I ke rënë Botës rreth e rrotull...
Po mirë,
ke shkuar ndonjëherë në Dropull?
(Përfunduar në:
Athinë, 26, 2, 2011)
Εγγραφή σε:
Σχόλια ανάρτησης (Atom)
Δεν υπάρχουν σχόλια:
Δημοσίευση σχολίου