Σάββατο 4 Ιουνίου 2011

“Weekend” (Poezitë e majit - 2)


GRIGOR JOVANI

WEEKEND

Tek më zbraznin xhepat edhe panë,
që nuk kisha as një dyshkë,
për be,
- Lëreni, të ik! - policët thanë, -
ky nuk është për vete,
jo për ne...

Tek po ikja, njëri tha: - Zbraz kokën!
(Kur ma zbrazën,
mos t’iu them ç’u gjend...)
U gjend dhe mënyra, që nëntokën
të ma jepnin falas,
për “weekend”.


SHQIPTARE

Asnjë faj nuk njihet,
pas largimit,

nga kutija e votimit!

QENTE E RRUGES

Nuk njohin
asnjë pushtet mbi vete,
ligjin,
si anarkistët,
refuzojnë.
Prandaj,
demokracitë
në të kulturuarat shtete,
i helmojnë.

AEROPLANI

Çdokush ulet sipas biletës që ka,
të shtrenjtat, natyrisht,
në fillim.
Po të ndodh, larg qoftë, ndonjë hata,
udhëtarët mund të ulen
pa dallim.

ULLIRI

Sa i dhembshur je,
ullir zemërdridhur!

Qyshkur atin tim,
nën hije e ke,

bën kokrra të hidhur!

EVROPIANET

Pasi analizuan fenomenin
në thellësi,
duke shqyrtuar variantet
një nga një,
gjer edhe dyshimet më të vogla,
për mundësitë,
nga më të skajshmet,
më në fund
e gjetën
evropianët:

“U ngatërruan votat
ndër kuti,
pasi frynte
nga të katër anët!”

KISHA

Shëëët!
Mbani qetësi!

Prifti,
i përshpërit në vesh
diçka
          të vdekurit:

“Po të dëgjojnë
çmimin e varrimit,
do vijnë me ty
            të mbeturit!”

BARBARET

Pasi pushtuan qiellin tonë,
na e fikën diellin
nëpër duar.

Pastaj i kënduan dhimbjes sonë,
me gramofon të çakorduar.

NE DORE TE ZOTIT

Çdo pasdite,
pasi numëronte fitimet,
vinte diçka
mënjanë,

për ata që s’kanë.

Shpërndarjen e linte
në dorë të zotit!

Prandaj flinte i qetë,
prej qëmotit...

PAS LUFTE

Medaljet e mëdhaja metalike
iu dhanë dëshmorëve,
me mbishkrimin:

“Për aktet heroike!”

Monedhat e vogla prej floriri,
ua shpërndanë gjeneralëve,
në formë prike.

NE BUTRINT

Ngjante se flinte gjithshka,
prej mijra vjetësh,
kolonat,
statujat,
amfiteatri.
Rojtari,
mbi një karrige të drunjtë,
gogësinte dhe ai,
i ngrati.
Kur bëra ta zgjoj:
“A mund të futem?”
Folën njëzëri statujat:
“Qetësi, ju lutem!”

NJEREZORE

Kur u zgjova,
kisha në krahët e mia
një krijesë të fildishtë.
I ngjante një skulpture,
fshehur nën çarçafë,
me ato vijat e brishtë.
Pashë dhe sytë e tu,
Zoti im,
lumturinë nuk e fshihje dot.
Për një çast,
zhytur në gëzim,
ishe njeri, jo Zot.

SHTEPIA IME

S’ka të sharë,
shtëpia që kam marrë.

Nga njëra verandë shikoj detin,
nga tjetra
vështrim ndal në Akropol,
nga holli shoh një park,
me një liqen të vogëlth,
si një gjol.

Kam marrë shtëpi të mirë,
për besë.
Veç nga dhoma e gjumit
shikoj një varrezë.

Athinë, 31.5.2011

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου