Dje kisha një nga surprizat më të mëdha të jetës sime. Nga ato që të ndodhin mu përpara syve, por ti nuk mund t’u besosh atyre. Ngaqë ajo që ndodh të duket jashtë realitetit. Thjesht e pamundur.
Duke shfletuar në mëngjes një gazetë të lehtë sportive, nga ato që i merr në kioskat e metrosë, pa para, pak përpara se të hapen zyrat e firmës ku punoj, në një lokal veror përpara tyre, sytë më ranë tek lista e eliminatoreve të EUROPA LEAGUE (ish Kupa UEFA) në futboll.
Menjëherë u prek sedra ime prej tifozi. E mbylla me forcë gazetën dhe e hodha në ndenjësen pranë. Ç’të shikoja? Ke pare ti? “Olymiakosi” i Pireut, ekipi im i zemrës, për të cilin harxhoj çdo vit një pjesë të konsiderueshme të të ardhurave të mia, që të siguroja një vend të sigurtë abonimi në tribunën kryesore të “Karaiskaqit”, (pranë të cilit, madje, që të jem afër, kam blerë edhe shtëpinë time në Athinë), këtu e dhjetëvjeçarë frekuentues i rregullt i salloneve mondane të CHAMPION LEAGUE, kampioni i përhershëm i Greqisë, tashmë, këtë vit të mbrapshtë sportiv ishte i detyruar të zbriste në “bodrumet” e vendit të pestë të kampionatit helen dhe, kësisoj, të detyrohej të luante, në pikë të vapës (ku?!) në... grupin e parë të eleminatoreve të UEFES, duke pritur (o zot!!!) edhe dy grupe të tjera eleminatorësh, për të zënë vend (prapë, ku?!) në “stallat” e grupeve paseliminatore të kësaj komedie. Tragjedia e tanishme ekonomike e Greqisë është pasqyruar më së miri në fatin e sivjetshëm të kamarit të saj, “Olympiakosit”.
Por prapë, diçka më shtyu ta rihap gazetën. M’u kujtua titulli i rubrikës: “Kundërshtarë për të gjitha shijet”. Thashë të shikoja, se cilët mund të ishin kundërshtarët tanë, nga ajo listë e stërgjatë ekipesh të panjohura, me qëllim që të programoja, në ia vlente, ndonjë udhëtim turistik me ekipin, në këtë angari të pashembullt, që na kishte gjetur. Porosita një “fredo espresso” të dytë dhe fillova të lexoja. Kur, aty nga fundi, sytë m’u stepën në një vend të gazetës, tek një emër i vogël ekipi, të cilit i kthehesha dhe i rikthehesha për të satën here, thjesht ngaqë nuk u besoja syve. Ç’dreq! E kisha matur në mëngjes tensionin. E kisha mirë... Mund të më bënin një lojë të tillë sytë e mi, akoma të përgjumur?!
... ... ...
“Santa Koloma” (Andora)
“Sahtar Karagada” (Kazakistan)
“Laçi” (Albania)
... ... ...
O zot, ishte e mundur?!
Një lumë i rrëmbyer emocionesh më kishte përmbytur të tërin, më kishte kthyer kaq pas, në një kohë dhe botë kujtimesh të magjishme, aq sa hutimi im u ra në sy kolegëve të tjerë, aty pranë, sa që njëri më tha: “Je mirë? E ke matur tensionin?”
Doemos, tensioni im i kishte kaluar të 20-tat. Surpriza ishte e madhe. Pra, ishte krejt e mundur, që “Olympiakosi” të luante në grupin e parë të këtyre eliminatoreve me... “Laçin”.
Jo, këtë nuk mund ta përfytyroja kurrë!
Ishte njëlloj si të gjendeshin në të njëjtën tryezë, në të njëjtin kampionat eliminator shahu, dy të dashurat e tua, ajo e rinisë dhe e tanishmja, dhe ti të ishe i detyruar t’i ndiqje. Shiko, ç’lojë të çuditshme të luan nganjëherë fati?!
Me cilën do të ishe? Kujt t’i flisje, pa t’u zemëruar tjetra? Ç’të thoje; ato thëniet klasike: “Dashuria e parë nuk harrohet”, “E mirë e dashura, por gruaja ka vendin e saj”, etj, etj. ?! Kush do t’i hante këto pallavra mashkullore? Çdo dashuri ka ligjin e saj: do vërtetim aty në vend, kërkon pozicionim të prerë. Përndryshe, “adio bella!”
Kisha vetëm një shpresë: të... mos ishte e mundur. Gazetat greke ishin të njohura për gafat e tyre, aq më shumë këto të metrosë, që nuk i paguaje. Mund të kishin bërë gabim. Ja, emrin gabim e kishin shkruajtur: “Lasi”. Mund të kishin bërë gabim edhe në emërtimin e shtetit. Mund... Çdo gjë mund të ndodhte në Greqi. Në vendin e qyfyres.
Menjëherë i telefonova mikut tim, Ramadan Bigzës, gazetarit të njohur sportiv, kr/redaktorit të “Albanis Press”, këtu në Athinë.
-Dan, është e mundur? Laçi tek UEFA?
-Po, po! Biles, sot kanë një festë të madhe në Laç. Do bëhet nami...
Pra, ishte e vërtetë! Oh, ç’nuk do të jepja të isha atë ditë në Laç, në qytetin e shtrenjtë të fëmijërisë dhe rinisë sime, në atdheun tim të vogël, në atë qytet që më kishte bërë të ndjehesha krenar, sa herë, kur më pyesnin më vonë se nga jam, përgjigjesha me mall dhe dashuri: “Nga Laçi!”
Isha rritur me dashurinë për simbolet e këtij qyteti të jashtëzakonshëm kozmopolit, njëlloj si Nju Jorku i Amerikës (nuk besoj se kishte të njëjtë në Shqipërinë e asaj kohe), mes të cilave, ekipi i futbollit, ish “Industriali”, kishte një vend të veçantë. E kisha ndjekur, me miqtë e mi të fëmijërisë dhe rinisë, kudo ku udhëtonte, gjatë “peripecive” të kategorive të ulta të asaj kohe. Ishim përndjekur si ozurpatorë fushave të Peqinit, ishim kthyer të baltosur nga Lezha, kishim marrë të tatëposhtën e Krujës, njësoj si jeniçerët. Kisha ngrënë dru sa herë nga im atë, ndjesë pastë, ngaqë lija shkollën, për të ndjekur ekipin e zemrës, vetëm dhe vetëm për të thënë edhe unë atë thirrjen magjike të të shumtëve: “Para Laçi!” (Këtë parullë e kisha parë para disa viteve të shkruar në murin e një rruge të Athinës dhe isha ndjerë krejt i mallëngjyer). Pastaj, në kohën time gazetareske në atdhe, erdhën reportazhet dhe shkrimet profesionale në dobi të ekipit. Dhe, natyrisht, vendi im në ndenjëset e fillimit të autobuzit, që transportonte ngado ekipin, vendi im i përhershëm tek “zyrtarët” e fushës sportive të Laçit. Dyzimi ynë i natyrshëm: unë dhe “Laçi”. Një binom, që aso kohe më ngjante krejt i natyrshëm.
Mirëpo, erdhën kohë të tjera. Siç ndodh me të gjitha dashuritë, ato zëvendësohen në shpirtin e njeriut. Një dashuri e re, e madhe, kishte zënë vend në zemrën time, pas të tridhjetave. “Olympiakosi” i Pireut. Ekipi i madh i vendit tim të ri. Me dhjetra udhëtime, me mijra debate miqsh, me bileta të përvitshme abonimi në stadiumet e ekipit, me angazhimin tim profesional gazetaresk në dobi të interesave të klubit. Dhe gruaja ime, që e kishte marrë vendim: “S’kemi ç’bëjmë! E djela i takon “Olympiakosit”! Por se mos edhe ditët e tjera... Aty e ka mendjen!”
U zgjata? E kam nga hutimi. Mu zgjuan ëndrrat e rinisë dhe më përmbytën. Po nëqoftëse... ah, nëqoftëse... Do të jetë gjëja më e bukur, që më ka ndodhur këto vitet e fundit.
Këtu lindin probleme të tjera. Me kë do të jem? Do të shkoj, atje, në stadiumin e ri të Laçit, të cilin (o zot, më vjen turp ta them) nuk e kam vizituar asnjëherë? Ngaqë nuk ka ndodhur. Shkoj për disa ditë në Laç dhe iki. Ku e ku. Si turist.
E vendosa: jam me Laçin, në këtë ndeshje dashurish.
Do të bëj një tradhëti dashurie kësaj here, të vetmen në botë, që mund të bëja. Nuk do të shkoj mes miqve të mi tek “Karaiskaqi” (nuk dua të provokoj), do ta shikoj ndeshjen në televizion. Por në Laç, ama, do të shkoj. Të thërras edhe një herë “Para Laçi!” dhe le të më shkojë tensioni 25. E thotë dhe Petëfi: “Ia vlen të vdesësh për një dashuri!”
Në u dashtë, do të bëhem “spiun”, për hir të Laçit. Do të hyj në kontakt me trajnerin e ekipit kurbinas, cilido qoftë ai. Më mirë se unë, nuk e njeh askush “Olympiakosin”. Të metat e tij, dobësitë, më kanë ngrënë shpirtin kaq kohë, si metastaza të kancerit. Le të vlejnë një herë për të mirë. Le të paguajë edhe një herë zoti Kokali, Presidenti, për “mallaqiet” (term i turpshëm grek, por s’kam ç’bëj, jam kaq i zemëruar me Presidentin) në dëm të ekipit. Çdo gjë, në këtë botë paguhet!
Do marr menjëherë në telefon miqtë e mi në Laç. Eliminatoret po afrojnë. Një biletë, miq të dashur (nuk mund të kërkoj më një vend tek tribuna kryesore - kohët ndryshuan) dhe një abonim tek Lokali i Fazanëve në Patog.
U linda në Jorgucat të Gjirokastrës më 1959. U rrita në Laç. Studiova Filologji. Pasi punova për dy vjet mësues letërsie në Mirditë dhe Krujë, deri sa u largova nga Shqipëria kam qenë gazetar profesionist. Prej vitit '91 jetoj familjarisht në Athinë, ku jam marrë me shtypin e emigracionit. Kam qenë në kohë të ndryshme kr/redaktor në gazetat "Zëri i emigrantit", "Rilindja XXI", "Tribuna", në revistën "Pelegrini" dhe drejtor i gazetës "Albanews". Aktualisht, shkruaj letërsi dhe botoj e drejtoj revistën letrare dhe artistike "Pegasi".
“Grigor Jovani ka lindur “Ditën e Gënjeshtrave”, për të thënë në poezi Të Vërtetën”.
NAUM PRIFTI
(Nju Jork)
“Është vështirë të gjesh gjetkë një pikëtakim të tillë, të cilin edhe Morrisey i Madh i lirikës do ta kishte zili. Është fjala për pikëtakimin tipik të poetit Grigor Jovani, i cili vjen mitik në poezinë e tij. Jovani del nga kuadraturat ballkanase dhe krijon anën pikëtakuese Perëndimore, duke sfiduar parësoren dhe duke i dhënë shans dytësores”.
FATMIR TERZIU
(Londër)
“Sjell vlera të mrekullueshme ky poet i vërtetë. I hoqa mënjanë, mezi kursehen në këto kohë. T’i kem aty, kur shpirti të ndjejë dimër...”.
FARUK MYRTAJ
(Toronto)
“Mund të them pa frikë se shtëpinë vjershave ua ke ndërtuar me gurë të skalitur, betonarme, që nuk e shembin dot as breshëri, as dëbora e tufani dhe as tërmeti me nëntë ballë. Shtëpia e vjershave të Grigor Jovanit qëndron e fortë dhe e patundur në mjedisin e poezisë më të arrirë shqipe”.
HYSKË BOROBOJKA
(Tiranë)
“Unë, që zakonisht ruhem nga superlativat, pasi lexoj poezitë e tua, them që je poet i mrekullueshëm, Grigor, gjithnjë befasues. Je poet i lindur, vllajo!”
ALBANA MËLYSHI-LIFSCHIN
(Bruklin)
“Poezia e Grigorit ka një qartësi që të habit me reflekset e dritëzave, nga përthyerjet në prizmat poetik dhe jetësor. Syri i hollë vëzhgues, depërtimi në labirinthet dhe të fshehtat e shpirtit të njeriut, veshja me një vello të butë hënore e motiveve jetësore, të ngritura në art, i japin poezisë së tij brishtësi, freski dhe veçanti”.
MYSLIM MASKA
(Athinë)
“Ndihem e respektuar dhe shumë e kënaqur me poezitë e Grigor Jovanit. Mundësisht, sa më shumë prej tyre, aq më ushqim për shpirtin. Më pëlqen, sepse shpesh ajo më ngjan me reflekset e asaj copëze kristali, që duke e vështruar, të krijohet përshtypja se brënda kësaj mase të magjishme do gjesh labirinthe pafund ndriçimesh.”.
LINDITA AGOLLI
(Tiranë)
“Vërtet të bukura poezitë e Grigor Jovanit. Të mrekullueshme! Më të koncetruara se vera që dehu Polifemin. Poezitë e tij, pa veçuar asnjerën, janë vërtet si një verë e vjetëruar, që sa më shumë të pish, aq më tepër do që ta ngresh gotën”.
NDUE LAZRI
(Bolonjë)
“Një poezi që të bëhet e dashur dhe të intrigon, aq sa ti, si lexues, ke njohur një poet jo të lodhshëm, por një bashkëbisedues të sinqertë dhe një mik të madh të njeriut”.
STEFAN MARTIKO
(Athinë)
“Jovani poet është tejet i çlirët, tejet i natyrshëm e komunikativ, tejet i ndjerë. Xixëllimi i poezisë së tij është në të përditshmen, pa asnjë lloj autocensure, por me një liri të habitshme. Në dukje të thjeshta, të gjitha poezitë kanë filozofinë, përjetimin e thellë, figuracionin e mjaftë për të shprehur me veshjen më të bukur mendimin”.
VAID HYZOTI
(Rixhvud)
“Ti fluturon me një kalë të magjishëm, miku im, me Pegasin. Ndaj krijon vargje të tilla. Dikur kisha bërë edhe unë një poezi, në qelinë e burgut: “Erdhi Pegasi në qelinë time”. Tani vjen tek unë ti, me kalin tënd fluturak. Me poezinë tënde të mrekullueshme”.
VISAR ZHITI
(Romë)
“Miku ynë, Grigor Jovani, është trajektore e spikatur në qiellin e poezisë së krijuesve jashtë Shqipërisë (ndoshta është ky qiell edhe më i kompletuari me yje). Kështu na vjen vlera e tij, duke u informuar me poezinë më të mirë që bëhet në Amerikë, Itali, Angli, Greqi e gjetkë”.
NOVRUZ ABILEKAJ
(Athinë)
“Poezi që botohen në vend të fjalëve të një urimi. I lexoj me një frymë, se ato dreqka janë një grimë, si sheqerkat e dashura të nënave korçare, përpihen menjëherë. Dhe më vjen të them, se ai që ka zemër të sëmurë, mund t’i kërkojë Grigor Jovanit një të re. Ai shejtan ka sa të duash”.
ROLAND GJOZA
(Nju Jork)
“Duke lexuar poezitë e Grigor Jovanit nuk mund të jesh indiferent, sepse ato të ngjiten pas shpirtit, si pjesëz e ndjesive të tua si lexues e kjo sepse ai është tepër i sinqertë në atë çfarë ka përjetuar e mishëruar në vargje, që në dukje mund të shfaqen të thjeshta, por gurgullojnë si burimet poshtë gurëve e fletëve, për t’u shfaqur më pas kristalore”.
KOLEC TRABOINI
(Boston)
“Këndo, Grigor Jovani, këndo këngën e bukur,/ atë këngë, që shpirti ta thotë,/ si dallgë, si valë, si e erë lehtë/ të bjerë zemrave tona, si puhizë e ngrohtë!”
PETRAQ J. PALI
(Virxhinia)
“Të shkurtra vërtet poezitë e Grigorit, por a s’janë të çmuar diamantët, pikërisht mes pakësisë sëformës së tyre?”
THANAS BOÇI
(Athinë)
“Në radhë të parë të uroj për keto poezi, që më dhanë kënaqësi të veçantë. Jo vetëm që jeni PURE i pastër në poezinë që shkruani ( siç thotë për juF.Terziu), por shumë i pastër dhe dashamirës në mendimin kritik ndaj miqve. Lum ata/ ato, që të kanë pranë!”
JULIA GJIKA
(Amerikë)
“Kjo poezi është një rrugëtim pa fund në botën e brendëshme të Grigor Jovanit, që rreket “të pushtojë” e të qetësojë shpirtrat tanë të munduar. Poezitë e Jovanit kanë një varg konciz, të lirë e bashkëkohor, ku të gjithë ne, miq e lexues të tij, e ndjejmë veten aq pranë, sikur të ishim pranë oxhakut të ngrohtë të shtëpisë së tij, në një ditë dimri”.
MIHO GJINI
Mjeshtër i Madh
“Na shtove bukën e kësaj vere, t’u shtoftë bereqeti! Të falenderoj për këto poezitë e bukura, secila sjell metaforisht një fabul, sa të këndshme, aq edhe mbreslënëse”.
AGIM BACELLI
(SHBA)
“Unë u përpoqa të të ndiqja në udhëtimin tënd brenda vetes, por nuk munda, u dorëzova, mbeta pas dhe kërkova gjirin tim, më të qetë, por nuk më linin ato dallgë, që më ngrite ti në mendje dhe në zemër, o Gole. Po me mua ç’pate?! Apo, ç’desha unë, që u ngatërrova me detin e shpirtit tënd?!”
LLAZAR VERO
(Filadekfia)
“Të bëj portretin poetik të Grigor Jovanit? Poet lirik i mrekullueshëm, ironik dhe i drejtpërsëdrejti, plot vezullime ngjyrash, ku në një pasqyrë të madhe sa bota sheh fytyrën e njeriut, nëpërmjet një vetvetjeje plot nerva, ndjenja e pasione të sinqerta...”
PIRRO LOLI
(Tiranë)
“Grigor Jovani luan me poezinë e tij, pse e ka nënshtruar plotësisht atë, vendos ai se në ç’monopate apo bulevarde do ta shpjerë, sa hapësirë do t’i lejojë, në ç’oktavë ta ngrejë apo ulë zërin. Poezia e mirë, si kjo që kemi në duar, detyrimisht është ngushëllim, shpresë, kurajë”.
ROBERT GORO
(Athinë)
“Të paça, o këngëtar, me shpirtin më fisnik,/ me ty sot derte qava, poezia jote mallet m’i ndezi,/ atje ku ti Greqisë, me fjalën e bukur shqipe i flet,/ porsi rrezja e dritës, në një bukuri mëngjezi!”
LLEMADEO
(Gjermani)
“Poezia jote të përkëdhel e të çjerr, të ngroh e të shkakton mornica, të mjegullon sytë e të dhuron një buzëqeshje. Je poet i vërtetë, Gole, e di apo jo? ”.
ZHANETA LAZRI
(Bolonjë)
“Kantina poetike e Grigor Jovanit, prodhon verë me cilësi të lartë. E di që e dini, por pse po e rikujtoj, nuk ka ndonjë të keqe...”
PILO ZYBA
(Monemvasia)
“Shpirti ma ka një maraz:/ do desha vargjet e mia/ të m’i çojë kali Pegas/ në Athinë, tek Gole miku,/ ku selinë ka poezia!”
PANO TAÇI
(Tiranë)
“Asnjë e shtënë tronditëse. Asgjë solemne. Magnetizim që të tërheq. Poezi sa rrënqethëse, aq dhe balsam qetësues. Një “sëmundje”, nga e cila nuk mund të shpëtosh, por infektohesh. Dhe që të duhet shumë mund, për të shpëtuar prej saj. Nëse dëshiron të shpëtosh, gjë që e konsideroj të pamundur”.
ALUSH AVDULI
(Sarandë)
“Mos, o Gole! Mos bëj vjersha të tilla, si ajo me titull '”Orë e çakordisur”, i dashur mik, se mirë ti je i “çakordisur” krejt, por na bën edhe ne të lëngojmë dhimbshëm për atë të shkretë... çakordisje”.
DILAVER BAXHAKU
(Tiranë)
“Usta” më është Grigor Jovani,/ Prej tij dua të vjedh ndonjë varg./ Sado që plasa nga “inati”,/ Mbeta pas tij, si çirak”.
Δεν υπάρχουν σχόλια:
Δημοσίευση σχολίου