Tek gërmoja përpara disë ditësh, për një punën time, në Arkivin e gazetës athinjote “ESTIA”, sigurisht më e vjetra (117 vjeçare) dhe mbase më seriozia në të gjithë historinë e shtypit grek (edhe sot e kësaj dite, ka mbetur, në kundërshti me rrjedhën, në formën e saj të parë, me pak faqe, të mëdha, thuajse vetëm me 3-4 fotografi, pa reklama dhe, ç’është më e habitshmja, shtypur me radhitje në po ato shtypshkronjat e përpara një shekulli të gazetës, pranë Parlamentit të Vjetër, në qendër të kryeqytetit), më ra në sy emri i Pavlos Nirvanës, pseudonimi letrar i poetit dhe gazetarit të shquar athinas të fillimshekullit, Petros Apostolidis (1866-1937).
Nga kureshtja, i hodha një sy artikullit që mbante firmën e tij dhe pashë që s’ishte thjesht një shkrim publicistiki atij poeti dhe artikullshkruesi të shquar, mik i ngushtë me kolosë të tillë të letrave helene, si Kosti Palamas dhe Aleksi Papadiamanti. Do ta quaja më shumë një shkrim letrar. Nga ato që vetëm letrarët-gazetarë mund të shkruajnë dhe vetëm ata.
Ajo që më bëri më shumë përshtypje, aq sa nuk u besoja syve dhe kontrollova përsëri datën e atij numri të “ESTIA”-s, që kisha në duar, ishte fakti se nuk do të habitesha aspak, nëse ai shkrim do të ishte botuar në numrin e mëngjesit të ditës që jetoja, shkruar një mbrëmje më parë, prej njërit nga artikullshkruesit e tanishëm të kësaj gazete. Gjithshka ishte kaq aktuale. Siç ishte tejet bashkëkohëse edhe tema e këtij shkrimi: ndërvarja absolute e mendimit publik prej medias, ndikimi absolut i këtij “pushteti” të fuqishëm - shtypit - mbi masat.
Pra, për t’u siguruar që nuk bëja gabim, hodha sytë në datën e asaj gazete. Në krye të faqes së parë ishte shënuar kjo datë: 22 shkurt 1911.
Këtu e njëqind vjet, asgjë nuk kish ndryshuar!
GRIGOR JOVANI