Thashë të bëj një turne në Atdhe, aty nga fundi i gushtit. Mbase ndriçohej me pak dritë më tepër jeta e ime ...
Alo, Vaid, po nisem! Ç'habere të çoj andej nga do vete?
Po ku shkoj këmbëzbathur, mes ujit që therr si teh i mprehtë?!
Mirmëngjes, baba! Të solla kafenë. Mamaja e ka në filxhan, në tryezë, kur të ngrihet nga gjumi...
Ja shtëpia ime në Jergucat. Dhe xhaxhai im, që më pret, si dikur ati im...
Fillimisht zbrita nga këto shkallë, në oborrin ku mësova të ec...
U hap kjo portë dhe pashë botën e madhe...
... pastaj, oborri i madh, përballë kishës së fshatit...
... dhe përsëri rrugë. ..
Nisje të reja. Prej kësaj rrugice të vogël, ku ka mbirë barri i harresës.
Takoj miqtë, nëpër rrugë. Ja njeri prej tyre, i moshës studentore, që më shoqëron gjer tani. Gëzim Redhaj, nga Tepelena, kritiku i pasionuar i letërsisë italiane, profesori i Universitetit të Gjirokastrës.
Më priti në Ksamil, ku bënte pushimet, me të shoqen, Afron dhe me Ladin, kolegun e tij dhe mikun tim të ri.
Perëndim pësipër Porto Palermos. Parë nga ballkoni i shtëpisë së Mihos, në Piqeras. Si të mos lind poetë, ky reliev i poetizuar nga Perëndia?
Po tani? Ku shkojmë?
Na pret Miho Gjini dhe shkrimtarët e Bregut, të cilët na kanë ftuar në takimin e tyre të përvitshëm në Bunec.
Stefan Martiko dhe Koço Mërtiri. Poetë, miq të afërt. Tani e kuptoj pse poezia e tyre ka kaq shumë det dhe pulëbardha. Dhe mesazhe të kaltra...
Me Dituri Alikën, poeten e re nga Piqerasi, të cilës porsa i redaktova librin e parë me poezi, të cilin e prezantoi në publik Miho Gjini. Kali ynë, "Pegasi", mbart amazona...
Në Bunec, gjatë takimit me krijuesit e Bregut. Bëmë qejf atje. Apo jo, Petraq Pali dhe Thanas Boçi? Folëm gjatë edhe për librat tanë. Na dëgjonte deti dhe heshtëte. Nuk kishte ç'të shtonte.
Të marr Landin në Nju Jork dhe t'i them, sa bukur është këtu...
Një mëngjes në Borsh, tek Ujvara... Sa të shijon këtu kafeja! Edhe thashethemet e Mihos, për kolegët... Por unë jam serioz
Përsëri rrugë... Qafa e Llogarasë.Poshtë, në një gji, ka zbarkuar dikur Jul Qezari.
Ndalim në Vlorë. Të takojmë miqtë. Me shkrimtarin Myrteza Mara dhe publicistin Gëzim Llojdia. Ca sallam mbi tryezë, pak djathë, birra italiane, të modës, dhe zemrën në pëllëmbë të dorës.
Në Fier. Piktori i "Pegasit", Leonidha Bullgari dhe romancieri Tasi Proko, bashkëpunëtori ynë. Kanë ardhur... "shefat" nga qendra. Bromb rakia! Ah, ato bërxollat e mrekullueshme të Fushës...
Në Durrës, me kritikun dhe eseistinFatos Minguli. Bashkëpunimi ynë është i garantuar. Gëzon dhe tund bishtin nga kënaqësia "Pegasi" ynë.
Rrugës, në ndalimet e rastit me miqtë, dhashë ca mësime... Kush mësoi, hallall e ka.
Si të shkojmë në Tiranë dhe të mos takojmë Ilirian Zhupën?
E kam thënë, Iliri është dobësia ime ndër poetët...
Mall, shumë mall në takimin me Pirro Lolin, tek Kafe "Europa", ku ai ka zakon të pijë kafenë me Xhevon. Dhe plane, shumë plane krijuese. "Të kam borxh një botim të revistës, Gole. Nga unë" "Mirë, Pirro! Faleminderit! "
Një mbrëmje në Krujë. Të kujtohet sa të bukura ishin këto mbrëmje atje, mikja ime e shtrenjtë, Albana? Hej, Vaid, kjo xhamia pas meje, ishte atëhere?
Ore, ishmak! Po kalaja, ishte?
Shkojmë në Laç. Aty jam në shtëpinë time. Kam dhe miq të vjetër: piktorin Ndue Pepa, që ka bërë kopertinat e librave të mia të para, poetin Cezar Rica, të cilit i lexova vjershat e fillimit. Kohë të bukura.
Miloti...
...dhe ura e tij e famshme e Zogut. Kujtime të pashlyera nga kujtesa.
Në Mirditë. Miq të tjerë. Ndue Dedaj, kritiku, romancieri, poeti. Mbi të gjitha, miku im i viteve studentore.
Por dhe Bardhok Pulaj dhe Bardhok Sulejmani. Miq të vjetër të letrave, me bereqet të ri.
Në më pyetshit: "Ç'kemi nga Atdheu?", do t'iu tregoj fotografitë e mësipërme me miqtë e mi. Fatkeqësisht, nuk i fotografova të gjithë. Veçse, janë mjaft, për të thënë: "Atdheu im janë miqtë!" Njihuni me ta! Janë gjithë pasuria ime.
E keni vënë re, të dashur miq dhe kolegë? Diçka nuk shkon mirë në Klubin tonë të shkruesve! Dikush na mungon prej kohësh dhe ne bëjmë sikur nuk e vëmë re. Apo jo? Hë, flisni, po apo jo? Kë keni frikë? Mungesën e tij të pazakontë apo mundësinë e rishfaqjes? Flisni, o njerëz! Ciklopin Polifem, ka ca kohë që e ka verbuar i biri i Laertit, ndaj dhe në u shfaqtë, nuk do ketë më sy për t’iu parë, nuk do ketë më takat për t’iu përndjekur. Tashmë nuk bredh Odiseja deteve. Polifemi është i degdisuri i madh...
Vaid Hyzoti, ky i përhumburi i madh, që tash shumë kohë mungon nga Klubi ynë dhe për të nuk çan b... njeri, tashmë endet i pa sy, shkretëtirave të Facebookut. “Në pyet, se kush e ndjek,/ Nga prapa i shkon një grek../ Oi, oi!!!”Unë e ndiqja, unë...
Mungova ca kohë. Por mungesa ime iu ra në sy. Bërtitët: “Ç’u bëre?!” E pra, isha degdisur edhe unë atyre shkretëtirave, për ta kërkuar. “Aty e ke! - më tha mbreti dinak i Monemvasisë, Polipilo Zymbyli, kushëriri i parë i mbretit të Itakës. - Bredh rrënishtave të facebookut dhe bën Homerin. Shko mblidhe! La nam!”
Dhe shkova. Më bëri pesë muaj për ta gjetur. Marko Poloja e gjeti më shpejt Kinën e Largme. E gjeta rëzë një gamileje, mbuluar me një mantel të grisur, si Sokratin. E rrethonin me dhjetra nimfa të rrënishtes, skllavet e facebookut, që e dëgjonin gojëhapur, tek u deklamonte epikat e tij dhe psherëtinin. “Oh, sa i madh! Sa i madh!” Dhe, tek psherëtinin, të këputnin shpirtin nimfat e shkretëtirës facebook. Nuk më bënte zemra të prishja atë ambjent idilik. Doja dhe unë, për një kohë, t’i ngjasoja. Të thoshin edhe për mua hanëmet e facebookut: “Sa i madh! Sa i madh!”
Bardi i mantelit të pluhurosur deklaronte me zë viktorian: “Jam general!”. Mirë që nuk thoshte: “Jam sekretari i parë i facebookut!” Mirëpo ai ishte nga soj gjeneralësh... I vinte në majë të... sekretarët.
Ç’t’i thoja?! Si ta përmendja?! Qysh t’i shpjegoja se ishte miku im i fëmijërisë së baltinave të Ishmit, miku im i rinisë së gjoleve të Rubikut, miku im i madhështisë sonë gazetareske në tatëposhtën e Krujës, mbushur me gjelbërimin e pishave, poshtë të cilave flladitëm epshet tona mëkatarë. Ngaqë thonë se pishat filtrojnë çdo mëkat...
Nuk e përmenda! Ia mbajta shënim epikat, që thoshte aty, në bythë të gamiles së shkretëtirës, si kronikani Mevlan Çelebia, dhe ja ku i keni. Ua solla! Pa lejen e tij! Çdo më bëjë? Do më kthejë pas në shkretëtirën Facebook? Dëm të madh do më bëjë! Ku ta gjej... Do englendisem me nimfat e tij të kolme dhe budallaqe, që të thonë orë e çast: “Sa i madh! Sa i madh!”
Pas pesë muajsh e ca, e keni të gjallë midis jush heroin viktorian të facebookut. Sikur nuk ka munguar kurrë. Dhe është më epik se Homeri! Dhe është më tragjik se Sokrati! Është më i miri se kurrë!
I dashur Koço!
Sepse më pëlqen të të thërras kështu. Mbase më kujton vitet e fëmijërisë, pjesën jo mëkatare të jetës sime, ku thërrisja kështu miqtë e mi të parë të fshatit minoritar, tashmë të harruar dhe të zëvendësuar me miq të tipit Role, Vaid dhe Pilo Zymbyli, më mëkatarë se Ai që i krijoi. Pra, më kujton fshatin tim të fëmijërisë së largët, ku ky emër ishte kaq i shpeshtë, sa ç'janë Kostat dhe Jorgot në Greqi.
Por është edhe një arsye tjetër, Koço, që të ndjej shumë pranë. Paçka se nuk jemi njohur kurrë nga afër. Gjithnjë e më shumë më ngjit poezia jote. Dhe pas asaj, lavires, dorëzohem krejt, jam krejt i pa fuqishëm. Mund t'i rezistoj tundimit të një Afërdite, nuk heq rrobat e mia menjëherë, siç bën Rolja i Nju Jorkut, në ato klabet ku kërcejnë skandinavet në Rixhvud, për "të kërcyer" me to. Vetë e thotë, unë nuk shpik gjë, as kam sy për të parë gjer atje. Mund t'i rrezistoj edhe tundimit të ideollogjisë fashiste, prej një shisheje vere të Duçes, që mund të më dhurojë Ndueja i Bolonjës, ish patrioti i një pjese tjetër të dashur të jetës sime, ama tejet mëkatare, për shkak të ambjentit, asaj të Mirditës, Ndueja, pra, mbase mëkatari më i fshehur i shoqërisë sonë skandaloze (mbase edhe për hir të udhëheqjes), që e ka siguruar udhëtimin e saj për në Skëterrën e Dantes.
Jam mrekulluar me ciklet e tua të fundit, Koço. Më kanë prekur, më kanë pëlqyer. Gjithnjë e më shumë, ti shkundesh nga tepërimet, ia heq një nga një rrobat së dashurës, për të parë në çarçafët e tua, trupin e saj të mrekullueshëm. Poezia jote kështu është tani, miku im. Si ato gratë mahnitëse në shezlogët e verës, që kamarosin me trupin e tyre, ku nuk gjen as një gram të tepërt, me atë lëkurën e bronztë, thua se zoti e ka bërë qëllimisht, të shkosh ti e t'i vësh nënshkrimin.
Është poezia që më pëlqen. atë mundohem të bëj edhe unë, Koço. Kuptueshëm, pa shumë moral, jetësisht, me emocione të nëndheshme. Që vijnë nga poshtë, nga nënrëra, si kumtet e një gruaje, nga nënlëkura e saj, si kënga e ëmbël e një vere, pas thartirës së fillimit.
"Botë
e copëtuar në mijra botë,
që ndizen e shuhen përditë..."
Hë, miq, bukur, hë? Ec e mblidhe veten mes këtyre kristaleve, mes këtyre botëve të vogla. Këtë e bën vetëm poeti, se gurgulis atomet, se përndjek të padukurën.
"Tani
rrezja, era, ajri, uji
luajnë me mua,
më prekin lehtas, më përkëdhelin..."
Ka këtu ndonjë shtirje, ndonjë sforcim, ndonjë gjë të gënjeshtërt? Ka vetëm shkencë jetësore, përvojë ndjesore të hedhur në vargje. Një sinqeritet prej fëmije. Një lehtësim, si ofshamë, që del nga shpirti. Oh, shyqyr, që qenka kështu! Sa mirë që është kështu!
Dhe ajo poezia e mrekullueshme "Sendërtimii poezisë".
"Dhe fjala
tek vargu
u serëndit
në hapësirën e vet
si ta kish përjetësisht".
Për nder, është një hymn për poezinë, është një rregullore e brendshme e poetit. Unë do ta shtyp dhe do ta mbaj në xhep. Sepse do të shpjegojë tek të tjerët origjinën e poezisë sime, më mirë se unë vetë. Aman, më qafshi, lexojeni fjalë pas fjale, o miq. Tingulli, rrokja, fjala, vargu, poezia - avjon, që rend tek të tjerët. Vetë jeta jonë, e qëmtuar në bërthamë, atom pas atomi. Një mrekulli! Tek libri i ri që po bëj, kam një cikël të tërë, rreth 30 poezi për poezinë, një bashkëbisedim me të. Asnjë nuk është kaq e realizuar, kaq e vërtetë, sa kjo e Koços! Hë, më të lumtë, o mik! Kështu plotësohemi, kështu bashkërendohemi! Mbase e marr këtë vjershë të shkëlqyer, nëse më lejon ti, për ta vënë në krye të vjershave të mia. Vjersha për të dashurën janë ato, për POEZINË. Dikur i donim dashnoret e para të gjithë bashkë. Kush të mundëte i pari. Dikur i shkëmbenim poezitë për to. Përse mos ta bëjmë edhe tani. Sikur na iku mosha... GRIGOR JOVANI
LLEMADEO është miku im i vjetër. Një mik, zërin e të cilit mund ta harrosh, për dhjetëvjeçarë të tërë, por fytyrën kurrsesi. As atë temperament të vrullshëm, si lumenjtë alpinë, atë shtat prej lisi malësie, atë karakter prej burri të maleve, që kur e thotë fjalën dhe kur të shtrin dorën, heshtin erërat dhe vënë veshin zanat e bjeshkëve. Ngaqë flet një burrë i vërtetë, një mik që, siç thuhet në viset e zemrave tona, “nuk të bën hasha kurrë...”.
Unë e kisha për fat ta bëja mik dikur, kur punoja me të vëllanë, Palin, në një gazetë të atdheut. Atëhere merreshe me folklorin... Një djalë i pashëm, gjithë jetë, që të bënte për vete me çiltërsinë dhe fisnikërinë e tij prej malësori. Ashtu kishte mbetur në mendjen time.
Pas njëzet e ca vjetësh, në kohëra krejt të ndryshme e në vende të krejt të huaja , u rigjetëm. Virtualisht, natyrisht, por ç’rëndësi ka? Kishte mbetur ai tharmi i vjetër i miqësisë në vetëdijen tonë, i cili kishte buitur filiza të rinj malli e miqësie. Një poemë të tërë më përkushtoi, në faqet e shtypit shqiptar të emigracionit dhe në internet, me rastin e një çmimi letrar, që më kishte dhënë një organizëm artistik (natyrisht, pa të drejtë, siç do të vraponte të ndërhynte me këtë rast, nga Nju Jorku, i treti i shoqërisë sonë të dikurshme, Vaid Hyzoti). Kështu u rilidhëm. Atëhere mësova se pas personalitetit të njohur të artit dhe jetës kulturore shqiptare në Gjermani, pas emrit të koduar LLAMADEO, fshihej miku dhe vëllai i mikut tim koleg të rinisë gazetareske në Atdhe. Poeti, publicisti, fotografi i mrekullueshëm, specializuar madje në shkollat gjermane, veprimtari i shquar i jetës patriotike që bëjnë bashkëatdhetarët tanë në këtë djep të rëndësishëm të kulturës perëndimore, në zemër të Evropës.
“Të paça, o këngëtar, me shpirtin fisnik,
si dikur, derte qamë, vargu yt malle më ndezi…
Qofsh mirë në Greqi, me fjalën e bukur shqipe,
që e përhap si rrezja e dritës,
me nje bukuri mengjezi!
Le të këndojmë së bashku, or mik i vjetër,
se ndoshta vesh i shurdhur do të dëgjoje një ditë.
Kjo botë e çmendur korrupsionesh, ku rrojmë,
prej fjalës sonë poetike,
ndoshta mund t’i hapë sytë!
Llemadeo,
22 Dhjetor 2006, Germany”.
Kështu e përfundonte LLAMADEO poemën që më kishte përkushtuar dikur. Nuk ma merrte mendja kurrë, se do më përkushtohej një ditë një poemë (!) Por hallall edhe teprimet e një miku të vjetër, gjersa u bë shkak të rigjeheshim, për të “kënduar bashkë”, siç na e dëshirojnë zemrat dhe filizat e reja të miqësisë, që flladitin jetën tonë të mëtejshme. Jetën tonë jo dhe kaq të lehtë...
I botova ciklin e mëposhtëm me poezi, në numrin më të fundit të “PEGASIT” - ia bëra surprizë, pasi poezitë ia zgjodha nga ciklet që kishte botuar në shtypin internetik - dhe ia nisa revistën në Gjermani me shënimin: “Po të dërgoj kalin tim fluturues, o vëlla. Shaloje dhe bëj një fluturim në qiejt e ëndrrës dhe shpresës. Paç erë të mbarë!”
Nuk më ka kthyer përgjigje. Ç’rëndësi ka? Mbase është duke fluturuar...
GRIGOR JOVANI
Athinë, korrik 2010
mos ia hap kaq lehte petet lakrorit, pse na rrefen ato qe i dinim per vete, po
s'i dinim per ty, c'na i ben mavri dyfish ato te shtuna e te diela, qe zoti i ka
taksur per ndonje marrezi te embel. Na paske genjyer o bir i Dionisit, na e paske hedhur, ne naiveve, qe benim c'benim te shtune e te diele ( nje vere ne uje ) e te kujtonim; Po Golja c'ben tani, me nje fije zilie qe ushqehej ne dashuri, humbur dritave te kuqe, bere tape buzuqeve? Po paskej qene trill poetik, ajo qe shpesh na ka bere me te bukur, sajimi i nje bote qe se kemi. Nje bote qe ju shkon aq per shtat poeteve xhentellmene.
E zbraze dhe kesaj radhe shishen, jo ate qe dime, te uzos a te uiskit, po hidherimin e vetmise se poetit.
Kishim kohe qe s'kishim lexuar poezi ne liste, qe t'i shkonin kaq shume atmosferes se veres, shkujdesjes, rrefimit intim djaloshar, po ishim perballur me topat e politikes qe shkrepin andej nga dheu meme, topa qe s'pushojne dhe s'shihnim gjekundi nje gazete a reviste ku te shijonim me te rralle ndonje poezi a tregim trondites. Keshtu do te mesohemi, me listat internetike, ku permes gjirizeve te perditshem kuterbues, vezullojne ndoca poezi prej poetesh te lindur, qe su ka mbetur te zgjedhin, po vec te pohojne permes tyre, listave, se ende rrojne ne kete bote jallane qe s'i do poetet.
Kam mesuar te flas me heshtjen time
Kur jam vetem
Vecanerisht te shtunave.
Duke qare pa ze
Te dielave
Shtrydhem si nje re e ngarkuar
Atehere hyp mbi catine time
Kerkoj takim
Me Zotin.
E njeh dhe ai vetmine
Ka bere dhe ai
Idiotin.
Padyshim e mrekullueshme. Gjetje brilante. Kjo eshte, Gole, ate qe kishe lemsh ma hodhe mua, tani e mbaj une dhe s'di s'i ta heq. C'na ngarkon me keto ngarkesa kaq te renda, miku im!
Ne fund te poezive i le ato zavalle fije qe magjijojne e hidherojne e na lidhen si nyje gordiane per shpirti e s'ka Aleksander qe me nje te rene te shpates t'i zgjidhe.
Po ajo tjetra, e Librave, ato kater vargjet e fundit aq trondites;
S'i t'ia bej t'iu marr me vete
Ne ate bote te huaj
Nuk bej dot miq te rinj
Pa ndihmen tuaj.
Miqte! Zhuritur je per miqte, e di, po dyfish i do, perderisa ua perserit me vargje duke ju zbuluar pa ta kerkuar njeri ate shpirtin tend skandaloz, aq te prape, aq njerezor, sepse ti miku im luan vetem me te verteta qe jane shtate, qe nga e hena ne te diele, ca te verteta qe do te na benin t'ia hiqnim vetes me kohe, po na genjen mendja se nuk e paskemi thene ende dhe nje varg qe sapo na erdhi.. Per hir te ketij vargu heqim gjithe keto qe llafos ti.. heshtje, vetmi, parandjenje per atje me libra ngarkuar ne kerkim te miqve te rinj..
Je i parealizuar, i dashur, ende s'je plotesuar me ato hire qe zoti i madh i ka taksur per roberit e vet, sepse dhe ashtu i karfosur me kostum e kollare rri ne pritje te asaj qe ende s'ka mberritur, ashtu me rri ne pritje dhe asgje s'ndodh, sepse ti ke genjyer kaq shume sic genjejme te gjithe te kapluar prej frymes se shenjte qe na vjen kushedi se prej ku, dhe papritur thua nje te vertete te thjeshte, se ajo s'ka ardhur. Pastaj genjen per hir te ndjenjes qe e ke vetem ti, per hir te justifikimit hyjnor ( sa pak do poeti, prandaj s'ia varin se ai s'kerkon, i mjafton sajesa ) mbushet dhoma me aroma, ndonese ajo s'ka ardhur akoma. Pra eshte e sigurte qe do te vije.
Grigor Jovani ne pritje te se bukures. Ne pritje te perjetshme. Dhe ne kete pritje, i vjen poezia, i vjen poezia prej lart, se ai di te prese, aq bukur di sa vete zotat bejne meshe per te.
Keshtu ne kete pritje te asaj, i veshur dhender, sepse je poet dhe asaj i jepesh i plote si nje xhentellmen i vertete, ndodh te na presesh dhe ne ndonje nate kur Athina te digjet prej yjeve te vet dhe Akropoli te mos jete me prej henes se plote, ndonje nate, me ate bocen me libra ne dore per udhen matane ne kerkim te miqve te rinj..
U linda në Jorgucat të Gjirokastrës më 1959. U rrita në Laç. Studiova Filologji. Pasi punova për dy vjet mësues letërsie në Mirditë dhe Krujë, deri sa u largova nga Shqipëria kam qenë gazetar profesionist. Prej vitit '91 jetoj familjarisht në Athinë, ku jam marrë me shtypin e emigracionit. Kam qenë në kohë të ndryshme kr/redaktor në gazetat "Zëri i emigrantit", "Rilindja XXI", "Tribuna", në revistën "Pelegrini" dhe drejtor i gazetës "Albanews". Aktualisht, shkruaj letërsi dhe botoj e drejtoj revistën letrare dhe artistike "Pegasi".
“Grigor Jovani ka lindur “Ditën e Gënjeshtrave”, për të thënë në poezi Të Vërtetën”.
NAUM PRIFTI
(Nju Jork)
“Është vështirë të gjesh gjetkë një pikëtakim të tillë, të cilin edhe Morrisey i Madh i lirikës do ta kishte zili. Është fjala për pikëtakimin tipik të poetit Grigor Jovani, i cili vjen mitik në poezinë e tij. Jovani del nga kuadraturat ballkanase dhe krijon anën pikëtakuese Perëndimore, duke sfiduar parësoren dhe duke i dhënë shans dytësores”.
FATMIR TERZIU
(Londër)
“Sjell vlera të mrekullueshme ky poet i vërtetë. I hoqa mënjanë, mezi kursehen në këto kohë. T’i kem aty, kur shpirti të ndjejë dimër...”.
FARUK MYRTAJ
(Toronto)
“Mund të them pa frikë se shtëpinë vjershave ua ke ndërtuar me gurë të skalitur, betonarme, që nuk e shembin dot as breshëri, as dëbora e tufani dhe as tërmeti me nëntë ballë. Shtëpia e vjershave të Grigor Jovanit qëndron e fortë dhe e patundur në mjedisin e poezisë më të arrirë shqipe”.
HYSKË BOROBOJKA
(Tiranë)
“Unë, që zakonisht ruhem nga superlativat, pasi lexoj poezitë e tua, them që je poet i mrekullueshëm, Grigor, gjithnjë befasues. Je poet i lindur, vllajo!”
ALBANA MËLYSHI-LIFSCHIN
(Bruklin)
“Poezia e Grigorit ka një qartësi që të habit me reflekset e dritëzave, nga përthyerjet në prizmat poetik dhe jetësor. Syri i hollë vëzhgues, depërtimi në labirinthet dhe të fshehtat e shpirtit të njeriut, veshja me një vello të butë hënore e motiveve jetësore, të ngritura në art, i japin poezisë së tij brishtësi, freski dhe veçanti”.
MYSLIM MASKA
(Athinë)
“Ndihem e respektuar dhe shumë e kënaqur me poezitë e Grigor Jovanit. Mundësisht, sa më shumë prej tyre, aq më ushqim për shpirtin. Më pëlqen, sepse shpesh ajo më ngjan me reflekset e asaj copëze kristali, që duke e vështruar, të krijohet përshtypja se brënda kësaj mase të magjishme do gjesh labirinthe pafund ndriçimesh.”.
LINDITA AGOLLI
(Tiranë)
“Vërtet të bukura poezitë e Grigor Jovanit. Të mrekullueshme! Më të koncetruara se vera që dehu Polifemin. Poezitë e tij, pa veçuar asnjerën, janë vërtet si një verë e vjetëruar, që sa më shumë të pish, aq më tepër do që ta ngresh gotën”.
NDUE LAZRI
(Bolonjë)
“Një poezi që të bëhet e dashur dhe të intrigon, aq sa ti, si lexues, ke njohur një poet jo të lodhshëm, por një bashkëbisedues të sinqertë dhe një mik të madh të njeriut”.
STEFAN MARTIKO
(Athinë)
“Jovani poet është tejet i çlirët, tejet i natyrshëm e komunikativ, tejet i ndjerë. Xixëllimi i poezisë së tij është në të përditshmen, pa asnjë lloj autocensure, por me një liri të habitshme. Në dukje të thjeshta, të gjitha poezitë kanë filozofinë, përjetimin e thellë, figuracionin e mjaftë për të shprehur me veshjen më të bukur mendimin”.
VAID HYZOTI
(Rixhvud)
“Ti fluturon me një kalë të magjishëm, miku im, me Pegasin. Ndaj krijon vargje të tilla. Dikur kisha bërë edhe unë një poezi, në qelinë e burgut: “Erdhi Pegasi në qelinë time”. Tani vjen tek unë ti, me kalin tënd fluturak. Me poezinë tënde të mrekullueshme”.
VISAR ZHITI
(Romë)
“Miku ynë, Grigor Jovani, është trajektore e spikatur në qiellin e poezisë së krijuesve jashtë Shqipërisë (ndoshta është ky qiell edhe më i kompletuari me yje). Kështu na vjen vlera e tij, duke u informuar me poezinë më të mirë që bëhet në Amerikë, Itali, Angli, Greqi e gjetkë”.
NOVRUZ ABILEKAJ
(Athinë)
“Poezi që botohen në vend të fjalëve të një urimi. I lexoj me një frymë, se ato dreqka janë një grimë, si sheqerkat e dashura të nënave korçare, përpihen menjëherë. Dhe më vjen të them, se ai që ka zemër të sëmurë, mund t’i kërkojë Grigor Jovanit një të re. Ai shejtan ka sa të duash”.
ROLAND GJOZA
(Nju Jork)
“Duke lexuar poezitë e Grigor Jovanit nuk mund të jesh indiferent, sepse ato të ngjiten pas shpirtit, si pjesëz e ndjesive të tua si lexues e kjo sepse ai është tepër i sinqertë në atë çfarë ka përjetuar e mishëruar në vargje, që në dukje mund të shfaqen të thjeshta, por gurgullojnë si burimet poshtë gurëve e fletëve, për t’u shfaqur më pas kristalore”.
KOLEC TRABOINI
(Boston)
“Këndo, Grigor Jovani, këndo këngën e bukur,/ atë këngë, që shpirti ta thotë,/ si dallgë, si valë, si e erë lehtë/ të bjerë zemrave tona, si puhizë e ngrohtë!”
PETRAQ J. PALI
(Virxhinia)
“Të shkurtra vërtet poezitë e Grigorit, por a s’janë të çmuar diamantët, pikërisht mes pakësisë sëformës së tyre?”
THANAS BOÇI
(Athinë)
“Në radhë të parë të uroj për keto poezi, që më dhanë kënaqësi të veçantë. Jo vetëm që jeni PURE i pastër në poezinë që shkruani ( siç thotë për juF.Terziu), por shumë i pastër dhe dashamirës në mendimin kritik ndaj miqve. Lum ata/ ato, që të kanë pranë!”
JULIA GJIKA
(Amerikë)
“Kjo poezi është një rrugëtim pa fund në botën e brendëshme të Grigor Jovanit, që rreket “të pushtojë” e të qetësojë shpirtrat tanë të munduar. Poezitë e Jovanit kanë një varg konciz, të lirë e bashkëkohor, ku të gjithë ne, miq e lexues të tij, e ndjejmë veten aq pranë, sikur të ishim pranë oxhakut të ngrohtë të shtëpisë së tij, në një ditë dimri”.
MIHO GJINI
Mjeshtër i Madh
“Na shtove bukën e kësaj vere, t’u shtoftë bereqeti! Të falenderoj për këto poezitë e bukura, secila sjell metaforisht një fabul, sa të këndshme, aq edhe mbreslënëse”.
AGIM BACELLI
(SHBA)
“Unë u përpoqa të të ndiqja në udhëtimin tënd brenda vetes, por nuk munda, u dorëzova, mbeta pas dhe kërkova gjirin tim, më të qetë, por nuk më linin ato dallgë, që më ngrite ti në mendje dhe në zemër, o Gole. Po me mua ç’pate?! Apo, ç’desha unë, që u ngatërrova me detin e shpirtit tënd?!”
LLAZAR VERO
(Filadekfia)
“Të bëj portretin poetik të Grigor Jovanit? Poet lirik i mrekullueshëm, ironik dhe i drejtpërsëdrejti, plot vezullime ngjyrash, ku në një pasqyrë të madhe sa bota sheh fytyrën e njeriut, nëpërmjet një vetvetjeje plot nerva, ndjenja e pasione të sinqerta...”
PIRRO LOLI
(Tiranë)
“Grigor Jovani luan me poezinë e tij, pse e ka nënshtruar plotësisht atë, vendos ai se në ç’monopate apo bulevarde do ta shpjerë, sa hapësirë do t’i lejojë, në ç’oktavë ta ngrejë apo ulë zërin. Poezia e mirë, si kjo që kemi në duar, detyrimisht është ngushëllim, shpresë, kurajë”.
ROBERT GORO
(Athinë)
“Të paça, o këngëtar, me shpirtin më fisnik,/ me ty sot derte qava, poezia jote mallet m’i ndezi,/ atje ku ti Greqisë, me fjalën e bukur shqipe i flet,/ porsi rrezja e dritës, në një bukuri mëngjezi!”
LLEMADEO
(Gjermani)
“Poezia jote të përkëdhel e të çjerr, të ngroh e të shkakton mornica, të mjegullon sytë e të dhuron një buzëqeshje. Je poet i vërtetë, Gole, e di apo jo? ”.
ZHANETA LAZRI
(Bolonjë)
“Kantina poetike e Grigor Jovanit, prodhon verë me cilësi të lartë. E di që e dini, por pse po e rikujtoj, nuk ka ndonjë të keqe...”
PILO ZYBA
(Monemvasia)
“Shpirti ma ka një maraz:/ do desha vargjet e mia/ të m’i çojë kali Pegas/ në Athinë, tek Gole miku,/ ku selinë ka poezia!”
PANO TAÇI
(Tiranë)
“Asnjë e shtënë tronditëse. Asgjë solemne. Magnetizim që të tërheq. Poezi sa rrënqethëse, aq dhe balsam qetësues. Një “sëmundje”, nga e cila nuk mund të shpëtosh, por infektohesh. Dhe që të duhet shumë mund, për të shpëtuar prej saj. Nëse dëshiron të shpëtosh, gjë që e konsideroj të pamundur”.
ALUSH AVDULI
(Sarandë)
“Mos, o Gole! Mos bëj vjersha të tilla, si ajo me titull '”Orë e çakordisur”, i dashur mik, se mirë ti je i “çakordisur” krejt, por na bën edhe ne të lëngojmë dhimbshëm për atë të shkretë... çakordisje”.
DILAVER BAXHAKU
(Tiranë)
“Usta” më është Grigor Jovani,/ Prej tij dua të vjedh ndonjë varg./ Sado që plasa nga “inati”,/ Mbeta pas tij, si çirak”.