Bën art të vërtetë Rolandi.. Përshkruan, zografis realitetin. Ashtu siç e shikon. Ashtu siç filtrohet prej vetëdijes së tij krijuese, tashmë të kristalizuar. Dhe kujt t’i pëlqejë....
Σάββατο 20 Φεβρουαρίου 2010
Amerika e Roland Gjozës
Bën art të vërtetë Rolandi.. Përshkruan, zografis realitetin. Ashtu siç e shikon. Ashtu siç filtrohet prej vetëdijes së tij krijuese, tashmë të kristalizuar. Dhe kujt t’i pëlqejë....
Katër poezi - një reportazh për Amerikën e sotme. Ama, një reportazh, bërë nga një poet. Më kujtohet, se gazetarët gjithmonë nuk i kishin dhe kaq qejf poetët. Poetët që bënin reportazhe. Kolegët e tyre, që kishin një talent më shumë, bënin poezi. Thjesht, ngaqë nuk i bënin dot reportazhet si ata. Njëqind vjet të mundoheshin, nuk i bënin dot si ata. Atëhere dhe sot. E njëjta histori...
Rolandi është nga ata që e bëjnë. I ka të dyja. Në shkallën e epërme. Bën poezi reportazh dhe reportazh poetik. Dhe kudo është i pranishëm arti. E vërteta e shprehur me art.
Katër poezi. Një reportazh për Amerikën e sotme. Gjithshka ndjen dhe përjeton artisti. Reportazh me pjesë. Një poezi - një kënd vështrimi i ndryshëm. Të tjera emocione. Të ndryshme mjetet dhe format e shprehjes artistike. Një kolorit artistik.
... Nëna ballkanase, ngujuar në një kënd të metropolit të madh amerikan. Nëna që di dë gatuajë atë guzhinën e mrekullueshme turke, por që tani nuk mund dhe ne, neoamerikanët, mjaftohemi me hamburger. Nëna me duart gjithë damarë, njëra mbi tjetrën. Përvëlohet për njerëz. Për një fjalë nga gardhi në gardh, nga avlia në avli. Për një thashetheme. Por Amerika nuk ka nga këto.
“Ah! Orët për nënën, që i ha dollari!”
Lexo po deshe vijimin e reportazhit. Në Broduej pëllumbat nuk fluturojnë. Përse të fluturojnë? Kapitali ua ka sjellë ushqimin tek këmbët. Amerikë hesapi, bollëk, ushqim për të gjithë, edhe për pëllumbat, aq më shumë për ta. Këtu do ta mbaronte reportazhin gazetari i mirëfilltë. Ç’sheh, shkruan. Veçse gazetari poet do të shtojë atë të veçantën, artin, gjetjen:
“Por një i urtë që lexonte Montenjin më tha:
S’fluturojnë, se nuk ka më qiell për ta,
i kanë zënë gratacielat...”
Fap, mua më kujtohet Majakovski. Edhe ai, çuditërisht, e kishte vënë re këtë. Ja, ç’thotë, tek libri i tij reportazh “Amerika ime”: “U ula në trotuar, për të përkëdhelur pëllumbat. Dhe ngrita kokën vetëtimthi për të parë qiellin. Por qiell nuk pashë. E kishin zënë gratacielat e Nju Jorkut. Nuk kishte më qiell për pëllumbat amerikanë...” Jam krejt i sigurtë që Rolandi nuk e ka lexuar atë libër. Ku ta lexonte? Edhe mua më ra në dorë rastësisht. Ishte, si të thuash, një libër broshurë, botuar nga një ent komunist në një periferi të Athinës, në disa dhjetra kopje, me shaptilograf, nga një ish komunist, që kishte jetuar në Moskë, në kohën kur ishte botuar. Por filtri poetik i realitetit është i njejtë tek të dy vizituesit e Nju Jorkut. Atëhere dhe sot.
... Nju Jorku poshtë në metro. Ajo lëvizje maramendëse njerëzish. Ai kolorit përshkrimesh, si shkrepje blicesh të aparatit fotografik të gazetarit. Frap-frup metaforat. Dhe Uollt Uitmani, me të cilin është lënë një takim. Pikërisht aty poshtë, në metro. Sepse aty takohen poetët. Ngaqë:
“Ata që duan të ngjiten janë lart
dhe ata që duan të zbresin janë poshtë...”
Ç’je ti, Roland Gjoza? Gazetar apo poet? Mua më duket se je më i gjerë se një kronikan dhe më i thellë se një poet. Por je edhe ti njeri. Doemos, njeri me kostum dhe gravatë, njeri që pas rëmujës së metrosë së Nju Jorkut, dëshiron qetësinë e gruas. Ja, moj grua, nuk kam kostum të dytë. Të gjitha për ty... (E bëjmë të gjithë këtë lojë...) Rri e qetë. S’ia them për të dashuruar... Stop, këtu! Çfarë, je poet dhe mund të lozësh me një grua? Qoftë edhe gruaja jote? Por ajo , si të gjitha gratë, ka shqisën e shejtanit, o poet! Kur mbështet faqen në jakën tënde, ç’kujton ti, lum miku? Përgjërohet? Është ajo që thua ti, në fund të reportazhit për Amerikën, në atë pjesën njerëzore të përshkrimit: mban erë jakën tënde, mos ka mbetur ndonjë parfum i huaj..
Bukur! Etyd! Gjetje! Ja poeti... Poeti, që ka maninë e përhershme t’u hyjë në pjesë gazetarëve, t’u hajë bukën. Të bëjë reportazhe.
E lexova me një frymë reportazhin poetik të Gjozës. Dhe ai stil... Ngjeshje, poezi që të jep idenë e prozës dhe prozë që lexohet si poezi. Sepse ka ritëm të brendshëm. Ka një trak-truk të vazhdueshëm. Vargu nuk mbaron. Vazhdon në vargun e mëposhtëm, mendimi rrjedh dhe ritmi gjithmonë përshpejtohet. Trak-trauk, trak-truk! Ai varg kilometrik, qëllimisht kilometrik. Të jep idenë e shinave, që shtrihen dhe shtrihen pambarim, teksa përshkon treni i këtyre poezive Amerikën. Vargje të gjatë, për të shprehur dimensione gjeografikë. Poezi që të merr frymën. Amerika e Roland Gjozës. Të cilën ai e pyet:
“Amerikë, më jep një përgjigje,
kush do t’i japë nënës sime një gotë ujë?”
Akoma s’i ke harruar këto, o poet ballkanas i Amerikës së sotme?
GRIGOR JOVANI
Εγγραφή σε:
Σχόλια ανάρτησης (Atom)
Δεν υπάρχουν σχόλια:
Δημοσίευση σχολίου