Κυριακή 7 Φεβρουαρίου 2010
One man show: ROBERTO BENINI
… dhe mbretëreshë e vështirë komedia
Në Athinë do të paraqisni Canto V të “Komedisë Hyjnore” të Dantes. Përse?
Është kënga më e njohur e kësaj poeme epike dhe përqëndrohet te dashuria dhe seksi. Publiku e dashuron. Dante flet për natyrën e dashurisë dhe thotë se, nëse nuk arrin të kuptosh dashurinë, nuk mund të kuptosh jetën tënde.
Ç’është dashuria për ju?
Dëshira të zaptosh të panjohurën. Bindja e rreme se ke arritur të paarriturën. Më i vështiri, por edhe më i ndrituri ngushëllim për vetminë tonë. Shëtitja jonë në Ferr dhe në Parajsë. Përgjigjja ndaj mëkatit. Përpjekja e vazhdueshme për të gjetur atë që na mungon, gjysmën tonë tjetër. Utopia.
Në Toskanë është ende e fortë tradita e poezisë së improvizuar. Këtu i ka rrënjët përpjekja juaj e tanishme?
U rrita pikërisht në fshatin, që është epiqendra e kësaj tradite të vjetër. Interpreton një karakter, të cilin e ka zgjedhur publiku, duke improvizuar gjithnjë me vargje. Im atë, i çmendur pas Toskanës dhe të gjitha traditave të saj, më hodhi në “zjarrin” e improvizimit. Në shtëpi më vinte të përgatisja poema të tëra, aty për aty. Djalosh i vogël, pra, qëndroja anës rrugicave dhe në mes të shesheve dhe improvizoja. Duke përjashtuar paratë, shpërblehesha me gjithshka tjetër: vezë, arra, zogj pulash… Ishin punët e mia të para.
Si ishte jeta juaj në fshat?
Isha bir i një familjeje të varfër fshatare, por im atë nuk kishte tokën e tij. Kërkonte përditë punë me mëditje, duke lënë në shtëpi nënën, mua dhe tre motrat e mia. Kishim vetëm një krevat, për të katër fëmijët. Qysh atëhere, nuk më ka qëlluar të flej në një krevat me tre gra.
Keni punuar edhe në cirk…
Nga “flaka” e poezisë, tek “zjarri” i cirkut. Po teatri?
Duke u ritur, vazhdoja të jepja shfaqje në rrugë. Provoja gjëra të ndryshme tek improvizimet, futja fjalë të ndyra ose bëja paralelizma me të tashmen, të cilat e tërhiqnin publikun. Rastësisht më pa një regjisor dhe më këshilloi të shkoja në Romë, për të provuar fatin në teatër. Shkova dhe shumë më vonë u takova me Xhuzepe Bertoluçin. I rrëfeva jetën time në fshat dhe bëmë bashkë një monodramë, që kishte sukses të madh në Itali.
Vështirë. Veçse ishte periudha më prodhimtare në jetën time. Varfëria është mëma e çdo pasurie. Ishin kohë që kishin emocionin, forcën dhe bukurinë.
Në stilin tuaj interpretues ruani kujtimet e kllounëve. Ashtu si edhe Toto, Çaplini apo Xhulieta Masina te “Rruga” e Felinit…
Ata ishin kllounë të mëdhenj, talentin e kishin dhuratë natyrore. Edhe Xhulieta ishte e mrekullueshme. Toto dhe ajo: dy figura të paharueshme. Si kryeveprat e Rilindjes. Hutohesh nga bukuria.
Veçse ai që ndikoi së tepërmi tek ju, padyshim që ishte Felini. Është kështu?
Përse pyesni, kur e dini? Dhe të mendosh, se kemi punuar bashkë vetëm në një film, te “Zëri i hënës”. Ndërkaq, dhjetë vjet rresht ishim përditë bashkë. Ishte mësuesi im, ashtu si Virgjili për Danten. Felini ishte një nga figurat më misterioze, që kam njohur në jetën time. Me një fuqi natyrore, një personalitet i jashtëzakonshëm. Kuptova më mirë fjalën madhështi, kur e njoha. Më donte, ashtu siç mund të duash një klloun. Në skenë më trajtonte si një vegël me vlerë. Ishte i dashuruar përjetësisht me kllounët dhe gratë. Nuk përsëritet ai njeri.
Kështu dashuronit edhe Bunuelin?
Si iu lindi ideja për “Tutto Dante”?
Grekët e kanë “fajin”. Ata që ia hodhën Polifemit, ndonëse unë s’ngjaj i tillë (shikon veten). Dhe ua kam borxh. Në korrik të 2006-ës, organizmi kulturor grek “Patra, kryeqyteti evropian i kulturës”, më porositi një punë, siç porositim rëndom punëra të ndryshme për shtëpitë tona, nëpër ustallarë. Ishte që të interpretoja Këngën e 26-të të “Komedisë hyjnore”. Unë bëra një ndryshim të vogël, improvizova mbi Këngën e Pestë. Si italian, më interesonin më shumë dashuria dhe seksi. Nuk shikoni kryeministrin tonë, që është “kavaliere” në këtë fushë?
Dhe përfundimi?
O, i çmënda patriotët e mi! Ata që kanë mbetur pa u çmendur… Turneu në Itali i ngjante atij të një ansambli rrok. Na shikonin në çdo shfaqje rreth 8 mijë spektatorë, ndërsa në Siena erdhën 45.000 dhe në Padova 50.000.
Megjithatë, më lehtë do fantazonte dikush një aktor dramatik, që të merrej me “Komedinë Hyjnore”.
Gaboheni. Nuk e quajti rastësisht “komedi”, poeti. Ka çaste, që e qeshura buron natyrshëm. Dhe unë, më tepër se italian, jam banor i Toskanës. Linda në një shtëpi popullore, ku e njihnim Danten. Nuk shkruajti për akademikët poeti, por për popullin e thjeshtë, donte ta lexonin të gjithë.
Të kthehemi te “zanati”. Si e ndërtoni shakanë?
Shpesh improvizoj. Flas për ngjarjet më të fundit, për qytetin ku ndodhem, i referohem politikës, pastaj hyj te “Komedia Hyjnore”. Dhe duket sikur vazhdoj të flas për kohën tonë, ndërsa në të njejtën orë flet madhështia dhe bukuria e poezisë.
Dendësia emocionale. Shtrydhja brenda saj e dijes dhe mençurisë. Poeti mundohet të kapërcejë të zakonshmen dhe të cekë zotin. Poezia është shpirti i fjalëve dhe fjalët shpirti i krijimit. Do të thosha, thelbi i qenies sonë.
Do bënit humor me poezinë?
Jo! Në asnjë mënyrë! Poezia është e shenjtë! Balzaku thoshte se mund të bëjmë shaka me gjithshka, por jo me poezinë. Ekziston, ndërkaq, një mënyrë popullore për t’iu afruar, pikërisht mënyra që kërkonte Dantia, ngaqë poeti donte ta njihnin të gjithë. Dhe kështu i afrohemi, jo me përkushtim fetar, por me tendencën që ajo të lulëzojë më shumë dhe për të gjithë.
Dhe Dantia? Ç’ju frymëzon te ai?
Nëpërmjet udhëtimit të tij, flet për pasionet e njeriut, duke na mësuar artin e jetës. Udhëtimi i tij është i madh, i vështirë, unikal. Dhe Dantia ia arrin të mos jetë didaktitk, hipokrit, të mos flasë nga katedra. E kam gjithmonë në mendje, edhe kur punoj në kinema. Është kinematografisti i parë. 700 vjet më parë zbuloi tërë teknikat e kinemasë me një përpikmëri të rrallë, me thellësi dhe pastërti. Mënyrat e ndryshme të rrëfimit, dekupazhi, teknikat e montazhit dhe zgjidhjet kinematografike, të gjitha këto ekzistojnë te vepra e tij. Akoma edhe efetë speciale, ai i zbuloi.
Gjithmonë kështu jeni në jetë?
Jo, do të më kishte vrarë gjithë kjo energji.
Publiku i gjerë gjithmonë ka përshtypjen, se komedia vjen e dytë, pas dramës.
Ç’thoni kështu? Komedia është një mbretëreshë e vështirë. Këtë e tha i pari Aristoteli. Edhe Virgjili e thotë 470 herë. Komedia është më e vështira, por më e bukura trajtë teatri.
“Pegasi” ynë, tashmë duhet të largohet... Ç’i këshilloni komikët e rinj?
Ah, po ikni. Dhe sapo doja t’u lutesha, t’ia hypja një herë kalit tuaj. Natyrisht, po ta mbanit… Kurse, sa për komikët e rinj, këshilla jepte vetëm Jezu Krishti. E vetmja gjë, që mund të them, është se puna jonë është shumë e lodhshme. Dhe se na duhet, të mos e tregojmë lodhjen, por të jemi gjithmonë të qeshur dhe të thjeshtë. Ky është edhe arti i jetës.
Përgatiti:
GRIGOR JOVANI
Athinë, maj 2009
Εγγραφή σε:
Σχόλια ανάρτησης (Atom)
Δεν υπάρχουν σχόλια:
Δημοσίευση σχολίου