Πέμπτη 25 Φεβρουαρίου 2010
“Dyshtetësia” kulturore në letërsi
Si ia arrin një shkrimtar të filtrojë ndikimet e ndryshme kulturore dhe të japë lajtmotivin e tij? Ka ndodhur që dyshtetësia në letërsi të dyzojë vetë shkrimtarin? Për të gjitha këto e të tjera u dialogua atje. Veçse unë doja të shikoja pak më tej, të tejkaloja Sheshin e Sintagmës (Sheshin e Kushtetutës), për të parë “ligjet kushtetuese” të këtij fenomeni, që desha nuk desha, më kushtëzonin edhe mua vetë, si mbartësin më të ri të dyshtetësisë.
“Sado e çuditshme që të duket, qytetari i para dy luftrave botërore i këtij shteti mikroskopik, Greqisë, frymëmerrte ajrin e pothuajse një perandorie. Mundësitë e tij për të qarkulluar pa pasaportë gjuhësore, përfshinin një pjesë të madhe të Italisë dhe Austrisë, gjithë Egjyptin, Bullgarinë e jugut, Rumaninë, Rusinë e Kaukazit dhe, natyrisht, Stambollin me periferitë e tij gjer poshtë, përgjatë Egjeut, ajo trevë që në ditët tona emërtohet Turqia Jugperëndimore. E di, është e vështirë të vlerësosh metalin e sotëm si flori të djeshëm, megjithatë, nëse kërkon të gjykosh me objektivitet (dua të them, të vish në vendin e një arhondi, në kohën kur arhondët, në vend që të luanin bixhoz, krijuan Greqinë e sotme), atëhere duhet ta bësh: në mos për gjë tjetër, për të kuptuar se sa i ndryshëm është mentaliteti i atij, i cili, nga Vjena gjer në Odesë dhe nga Tergesti deri Port - Said, ndjehet si në shtëpinë e vetë”.
Këto janë fjalë që Odisea Elitis, njeriu që duke rrëmbyer stafetën poetike nga duart e të madhit Seferis e la letërsinë greke të shijonte edhe për disa shekuj të tjerë madhështinë e Olimpit të letrave, i shkroi më 1980, dhjetë vjet para se të bëhej banues i përhershëm i këtyre lartësive, në një esse të mrekullueshme për kolegun e tij të fjalëve poetike, Andrea Empirikon, mbase krijuesin më kozmopolit që njohu magja artistike e helenëve. Ishte e tillë kultura që frymëzoi krijimtarinë e këtyre njerëzve të mëdhenj të artit, sa që as kufinjtë e imagjinuar të një perandorie nuk mund të ngushtonin “shtetësinë” e tyre. Ishin me tërë kuptimin e fjalës “Qytetarë të Botës”, në të cilën, siç shprehet dhe Eliti “ndjeheshin si në shtëpinë e tyre”.
Kavafis dhe të tjerët
Shembull i shkëlqyer i kulturës polietnike të një krijuesi të madh mbetet Konstantin Kavafis, për shumë poeti më i rëndësishëm i tyre, gjatë gjithë kohërave. Poeti grek nga Aleksandria e Egjyptit, ngjizur me kulturën britanike, me magjinë e Lindjes dhe demonin poetik të helenëve, vërtetoi me veprën e tij rëndësinë e polikulturës, të shumështetësisë artistike, tipare këto që e ndihmuan veçanërisht Sizifin e letrave, Kavafisin, ta ngjiste Greqinë në majat e artit të përbotshëm.
Kavafis mbetet rasti më i shkëlqyer i krijuesit të atyre përmasave, që duke udhëtuar vazhdimisht si “qytetar i botës”, pasuroi bagazhin e vetë poetik me tiparet më të qenësishme të Perëndimit dhe Lindjes. E kanë quajtur më vonë “semafor në kryqëzimin e dy botëve”. Veçse nuk ishte i vetmi. Shumë të tjerë, para dhe pas tij, vunë këmbët në dy varka kombëtare dhe, megjithatë, drejtpeshuan. Mbase jo me efikasitetin kavafian, por e bënë, duke mbetur ura të rëndësishme kulture në botën ku rrojmë.
Nga grekët, mund të sjell shembuj të tjerë të shkëlqyer kozmopolitësh. Është Dhimitër Haxhis, i cili, mbrujtur me kulturën e erërave shumëkombëshe që rrihnin gjithmonë Janinën e Ali Pashait dhe të “Zosimeas”, ku u mbrujtën edhe rilindasit tanë, u gjend të jetonte për 30 vjet në Hungari, ku studioi, mbrojti doktoratën në hungarisht, u martua dhe shkroi atje pjesën më të madhe të veprës së vetë të rëndësishme. Ç’t’i thuash atij, grek apo hungarez? Vetë ai i paraqiti botës pashaportën e tij shumëkombëshe të veprës që krijoi. Dhe ajo mbeti.
Këto e të tjerë janë shembuj nga e kaluara. Por ka edhe sot kozmpolitë të tillë letërsia greke. Është Pano Karnezi, shkrimtari i shumëvlerësuar në Perëndim, i cili u largua nga Amaliadha e vogël afër Prevezës, për të studiuar në Londër dhe qysh atëhere rron dhe krijon atje. Shkruan në anglisht. Britanikët e quajnë të tyrin, ashtu si edhe grekët. E kam lexuar në një intervistë, kur vetëpyetet se cilës “pashaporte” i përket. Zaten, s’është puna e tij. Puna e tij është arti dhe ai nuk njeh kufinj.
Kufinjtë
Nëse fenomeni i dyshtetësisë artistike do të ishte vetëm i grekërve, mbase nuk do ia vlente të merreshim më gjatë. Veçoria e tyre dhe mbaroi. Por kjo dukuri është e përbotshme. Dhe në më të shumtën e rasteve, në vende me ngushtësi gjeografike apo me pushtetarë despotikë. Siç duket, kufinjtë natyrorë dhe ideologjikë nuk bëjnë të mundur ngushtimin e demonit krijues brenda tyre. Përkundrazi. Ka faktorë jetësorë, që e detyrojnë njeriun të emigrojë dhe të përftojë një pashaportë të re kombëtare, krahas asaj të origjinës. Është nevoja jetike për të qenë i lirë, për të gëzuar edhe ai begatitë e metropolëve, shpirtërorë dhe ekonomikë. S’mund të bëhet ndryshe. E ka natyra e njeriut të rendë drejt më së mirës, qoftë edhe në u dashtë të ndryshojë ose të plotësojë kulturën, me të cilën është formuar. Për të krijuar diçka të re, një kulturë më të sofistikuar.
I pari shembull që më vjen në mendje është, natyrisht, Kadareja ynë. Siç është edhe ai i homologut të tij, Kunderës (vërtet, sa ngjajnë këta të dy!). Milan Kundera u takon shkrimtarëve çekë, por mori shtetësinë frënge, rron në Paris nga 1975-sa. Shkruan veprat e tij në frëngjisht. Kështu dhe Eduard Saint. E filloi jetën në Jeruzalem më 1935, por nga 1963-shi jetonte në Amerikë, ku edhe vdiq. Jepte leksione të anglishtes dhe të letërsisë në Universitetin e rëndësishëm Columbia. I përndjekuri i madh Salman Ruzhdi, për të cilin K’homeini ka shpallur “fetmanë” asgjësuese, për shkak të “Vargjeve satanike” (vërtet, sa satanike të dënosh me vdekje një poet për vargjet e tij!), mohoi Bombenë për të jetuar prej 1961-shit në Londër dhe sot në Amerikë. Ndryshoi shumë gra, shkruajti në gjuhë të ndryshme, jetoi në disa vende, duke marrë, natyrisht, shtetësinë e tyre. Veçse i mbeti, në fund të fundit, pashaporta e veprës që krijoi.
Ajo e “Qytetarit të Botës”.
Εγγραφή σε:
Σχόλια ανάρτησης (Atom)
Δεν υπάρχουν σχόλια:
Δημοσίευση σχολίου