Κυριακή, 30 Οκτωβρίου 2011

Përbëj rrezik, e di...


GRIGOR JOVANI



OKB

O-rganizatë
K-urvash
B-udallaqe.

KOMBETARE

Çdo shqiptar,
kur mban në dorë një kapistër,

i ngjan vetja kryeministër.

LIRIA

Mos thuaj kurrë: “Ç’kafaz i artë!”,
edhe në është
i bukur...

Fyen një zog,
një flutur.

RREZIKU

- Shkruan thjesht
dhe të kuptojnë të gjithë.
Pa ngatërrohu pak...

- Përbëj rrezik, e di,
kam thjeshtësinë në gjak.

QENI

Mjerrë qeni i stanit,
që një jetë adhuron
erën e çobanit!

Është e shkrojtur:
një jetë si qen
ka për të rrojtur.

ZARET

S’e marr vesh. Kur hedh ai zaret,
zë gjithmonë dopjo gjashtë!

Idiot! I ka të rrumbullaktë,
veç me një numër jashtë.

NDRYSHKU

Jam i fortë, si hekur?
Flet budallallëqe.
Pa më pyet, si ndjehem,
prej ndryshkut, në këllqe...

TERSI

Bëra hapin e parë:
zbraza kaptinën
nga mendimet e marra.

Por koha nuk del,
të filloj nga e para.

KERCENIMI

Mbaj mend të ndjerën, nënën time:
“Do të ta hajë macja zogun
dhe do të lë pa gjë...”

Ka njohur shumë mace jeta ime,
por nuk më ka ndodhur asgjë... 

NDERKOMBETARET

“Keni bërë një gabim”,
shkruan ata,
që i rrënoi tërmeti.

“U shkatërruam ne,
u zhdëmtua shteti!”

DASHURIA

Kam faj unë?!
Më qëlloi syshtrembër...

Nuk isha kurrë i sigurtë,
ku shikonte ajo femër.

KUNGUJT

Këtë të keqe kanë kungujt
dhe s’e kuptojnë dot:

Ngaqë qëndrojnë sipër ujit,
kujtojnë se dinë not!

ARBERIT

Para pesëqind vjetësh,
në bregun matanë
kapërcyen.

Këtu e pesëqind vjet,
nuk u kthyen.

TERMETI

Kaq kohë me fqinjën derë më derë,
veç “mirmëngjesi” në agim,
“oreks të mbarë” në drekë...

U desh të ndodhte një tërmet
dhe u gjendëm veç me brekë.

POLITIKANET

Koha është të na thonë politikanët,
që nga ballkonët,
në fjalime:

“Nga dashuria për të vdekurit,
shkojnë edhe mizat
në varrime”.

PAPAGALLI

“M’i tregon papagalli të gjitha.
mos guxo të bësh ndonjë gjë...”

Për vizitat e mia tek fqinja,
papagalli s’ka treguar asgjë.

SUKSESI

E bukur premiera, vërtet,
ç’aktrim, o zot!
U mrekulluam!
Mirë që nuk kishte spektatorë
dhe e shijuam.

PAAFTESIA

E pushuan, si të paaftë,
arkivolistin e mjerrë.

Para se t’i merrte metrat
të ndjerit,
priti të vdiste një herë.

BURSE

Në qafën tënde të bukur,
një kryq i artë.

Nuk di sa është kursi i arit,
dreqi e marrtë!

ATDHEU

Kaluat kufirin? U fikët...

Në kthim do gjeni tabelën:
“Ju ikët...”

(Athinë, fillim dimri, 2011)




Πέμπτη, 1 Σεπτεμβρίου 2011

Cikli: “Pejsazhe të detit”


GRIGOR JOVANI


 TRE SKICA

1.
Drita e mëngjesit zgjoi fëmijët,
si këmbana e kishës, që paralajmëron
kreshmën ditore.
Pastaj,
kujdestari diell do t’i marrë për dore,
do t’i shoqërojë tërë ditën,
gjersa hëna
t’u thotë përrallën e mbrëmjes
në fjetore.

2.
Pasi rendën gjithë ditën mbi det,
zhveshën këmishët e djersitur
erërat.
Nderur për t’i tharrë,
nëpër degët e ullinjve të nxehur,
shpirti im,
nuk kishe gjë tjetër për të fshehur.

3.
Prej erës së tërbuar, deti
ngjan së largu impozant,
por i paprekshëm.

Trëndafil i hershëm,
mes gjëmbave strukur.

Po t’i përgjakja
gishtërinjtë e shpirtit nëpër dallgë,
mund të këpusja një poezi
më të bukur?

Σάββατο, 23 Ιουλίου 2011

Ku e ka selinë, ky kalë?

Drejtori i "Pegasi" G. Jovani, duke hapur Konferencën e Shtypit
Ishin të gjithë aty. Drejtuesit e medias së shkruar shqiptare në Greqi, gazetarë, poetë, artistë të ndryshëm, lexues të thjeshtë. Korrektë në takimin e radhës me “Pegasin”, me kalin fluturues të letërsisë dhe arteve, në konferencën e shtypit me “kujdestarët” e tij.  Vëndtakimi i njejtë: ambasada shqiptare në Athinë, një copëz Shqipërie në qiellin e madh, të përbotshëm, ku fluturon ati pellazgjik i legjendave. Qëlloi dhe vapë, qëlloi dhe ditë e fundit e javës, në prag të një uikendi veror, kur njerëzit mezi presin të çlirohen nga e përditshmja. Megjithatë, të gjithë ishin aty... Të gjithë të dashuruar me një kalë ëndrrash...

Τετάρτη, 29 Ιουνίου 2011

Abonimet Vjetore tek "PEGASI"



“PEGASI”
Revistë Periodike për Letërsi dhe Arte
Adresa:
Leoforos “Fleming” 48
Kt. G/D11
Renti, tk 18233
Athens
Greece
Tel. 00302104825942
e mail: pegasi2008@hotmail.com
Botues:
THOMA NAKA
ORAMA Editions
Drejtor:
GRIGOR JOVANI
Tel. 00306942698148
 Kr/redaktor:
MIHO GJINI
(Mjeshtër i Madh)
Tel. 00306998760406

ABONIMET VJETORE:
Greqi: 50 euro
Shqipëri: 3000 lekë
Europë: 70 euro
Amerikë, Kanada, Australi: 100 $

Numri i llogarisë bankare:
NATIONAL BANK OF GREECE
GR 1301101950000019576956916

Çmimet e abonimeve përfshijnë edhe dërgesat postare.
Lutim abonuesit, të lajmërojnë redaksinë për abonimet,
si edhe të dërgojnë nëpërmjet postës elektronike të revistës
adresat e tyre.
Ju falenderojmë!
Fluturim të mbarë dhe të këndshëm,
nëpërmjet “Pegasit” tonë,
në qiejt e letërsisë dhe arteve!


QARKULLOI “Pegasi”-8

Bordi drejtues i "Pegasit"

Një kalë me “rrobat e mbretit”


Më fund, doli, qarkulloi “Pegasi” i ri. U step për një çast, aty tek porta e shtëpisë së tij, në Udhën “Fleming” të Athinës, sa t’i mësoheshin sytë me dritën e kësaj bote, të cilën kishte pothuajse një vit pa e kundruar, fërkoi patkonjtë në asfaltin e nxehtë të këtij qershori, si për të provuar njëherësh edhe punën e nallbanëve të vet, turfulloi kreshtën e artë dhe... fluturoi. Kapi menjëherë qiejt. Poshtë bota kishte ndryshuar dramatikisht... Por një kalë i tillë nuk ka punë me çndodh këtu poshtë, vendi i tij i natyrshëm janë qiejt.
Rrija, bashkë me mikun tim, Miho Gjinin, dhe e kundroja përmallshëm. Ua kishte paralajmëruar Miho Gjini: “Së shpejti, po të ngrini kokën drejt qiejve, do të shikoni përsëri “Pegasin” tuaj. Veçse tani me një veshje të re, shumë e shumë më të bukur. Me “rrobat e mbretit”...”
... Ja ku është tani. Aty, tek porta juaj. E kalërojnë kësaj here kalorës me famë të letërsisë dhe arteve. Të vjetër e të rinj. Të njohur dhe të panjohur. Fisnikë të tillë si Llosa, Gjoza, Lazri, Dhimitriu - i bëjnë nder “Pegasit”-8, në kopertinën e punuar nga kubisti ynë, i mirënjohuri gjithandej, Leonidha Bullgari, që drejtoi dhe përshtati për lëndën punën e një bordi piktorësh të talentuar, si Agron Dingo e Limbrand Dhrami. Krahas tyre, puna profesionale e fotoreporterit tonë, Armand Zogaj, që fotografon ashtu siç shkruan poezitë e veta. Dhe unë, që i hyra një pune të tillë, siç është faqosja, ndonëse nuk është brenda “kompetencave” të mia, vetëm dhe vetëm pasi u ndjeva përgjegjës për këtë brum të mrekullueshëm artistik, që më besuan kolegët dhe miqtë.
Trak-trak! Mos u shqetësoni, miq dhe mikesha! Troket “Pegasi” në portat tuaja. Hapini, t’u lejë bereqetin. Ç’mbart nëpër baulle dhe strajca? 
Le të shikojmë...

Κυριακή, 26 Ιουνίου 2011

Cikli poetik: “Barbeque”


GRIGOR JOVANI

BARBEQUE

Me lukunisë suaj -
zemra ime,
gati për skarë,
në barbeqiu.
Me nga një thikë
dhe një pirun në duar,
duke lëpirë buzët,
të gjithë ju...


Σάββατο, 4 Ιουνίου 2011

“Weekend” (Poezitë e majit - 2)


GRIGOR JOVANI

WEEKEND

Tek më zbraznin xhepat edhe panë,
që nuk kisha as një dyshkë,
për be,
- Lëreni, të ik! - policët thanë, -
ky nuk është për vete,
jo për ne...

Tek po ikja, njëri tha: - Zbraz kokën!
(Kur ma zbrazën,
mos t’iu them ç’u gjend...)
U gjend dhe mënyra, që nëntokën
të ma jepnin falas,
për “weekend”.