Τετάρτη, 31 Μαρτίου 2010

Ditëlindja


Në ditën e lindjes sime,
para Teje
erdha që të rrëfehem,
Ati im
            dhe Zot.

Por është 1 Prill…

Të bukur ditë
gjete të më lindje!
Tani as Ti
nuk më beson,
                         Imzot!

GRIGOR JOVANI
Nga libri “Punishtja e ëndrrave”, 2007

Δευτέρα, 29 Μαρτίου 2010

Parada e urrejtjes



Diku, në shkronjat e vogla të gazetave greke të së hënës, dallova diçka që më bëri përshtypje: pas një takimi në Bruksel midis ministrit turk Egemen Bajis, titullar i palës turke në bisedimit inkuadruese me BE-në, dhe kryeministrit grek Papandreu, i pari i kujtoi bashkëbiseduesit një proverb të vendit të tij: “Gjitoni ka nevojë për krypën e fqinjit”. E tha për të shprehur gatishmërinë e turqve, në se e shikonin të nevojshme grekët, për t’i akorduar fqinjit ndihmën e tyre ekonomike.
Në ditët që jetojmë, kur janë ndezur papritur dufet ballkanike të “patriotizmave” reciprokë, fjalët e diplomatit turk ngjajnë më adekuate se kurrë. Dhe, natyrisht, me rrënjë të thella në traditën e lashtë të marrëdhënieve ndërballkanase.
Buka dhe krypa. Turku i quajti si të tijat këto simbole, veçse këtu ndodh ajo që është e pranishme në të gjithë trashëgiminë kulturore të gadishullit: doket pleksen dhe përsëriten në magjen e çdo kombi ballkanas, sa është e vështirë, gjer dhe e pamundur, t’u gjendet amësia. Riti i nxjerrjes përpara mikut të bukës dhe krypës, si dësmi e besës dhe e zemrës së bardhë, përsëritet nga vendi në vend, në të gjitha viset ballkanase. Mjerë ai që shkel bukën dhe krypën e mikut! Në mos sot, nesër do të pendohet...
Të njohura, vërtet, të gjitha këto. Me një shtojcë, tejet të nevojshme: ballkanasit janë raca më e çuditshme, nga të gjitha ato që plotësojnë mozaikun e përbotshëm të racave. Thjesht, ngaqë harrojnë thënien e atij spanjollit të urtë, Sanço Pançës: “Të përsëritësh të përsëriturat, është budallallëk me okë!”.
Kohë pas kohe, këtu e mijra vjet, ballkanasit përsërisin gabimet e tyre. Fyejnë bukën dhe krypën e tjetrit. Të fqinjit. Pendohen mandej, por ç’e do. Duhen vite dhe vite të tjera, duhet shumë mund të riparohet paskëtaj dëmi i shumëpërsëritur, prej kokëshkretësisë së tyre...


Σάββατο, 27 Μαρτίου 2010

MIHO GJINI “Teatri i luftimeve”



Në terminologjinë ushtarake përdoret jo pak herë ky term i çuditshëm, që s’ka të bëjë me teatrin real dhe, megjithatë, përmban diçka nga arti i skenës. Atje ku ndeshen forcat kundërshtare të dy ushtrive të rregullta e ku bëhet luftë për jetë a vdekje, “teatri i luftimeve” i ngjan një skene me interpretime të mara shtabeve të mëdha, ku personazhet shkojnë në “thertore” të kushtëzuar nga politika e “regjisorëve”, që ndodhen në krye të shteteve.
Edhe pse nuk e do askush luftën, dramaturgjia dhe teatri e kanë pasqyruar këtë temë edhe në skenën e vogël. Sidoqë thuhet që artistët janë e duhet të jenë apolitikë, prapë se prapë ata nuk janë të përjashtuar nga politikat e kryeshtetarëve të tyre. Nga që reken të jenë apolitikë, ata bëjnë një politikë të atillë (përmes artit të tyre), që del mbi kufizimet e këndvështrimet e politikanëve, të cilët thuhet se bëjnë “një politikë të mirëfilltë”.

Πέμπτη, 25 Μαρτίου 2010

Dialog pranveror në Metronë e Athinës



- skicë -

Po kthehesha nga puna në shtëpi, pas mesditës, me metronë e Athinës, në intenerarin Omonia - Neo Faliro, ku banoj. Është koha e lëvizjes më të shumtë të njerëzve, në linjë bëheshin disa restaurime, ndaj në vagonin e trenit udhëtarët ishin ca shtrënguar. Pranë meje kisha një vajzë të bëshme, veshur lehtë, sipas stilit të stinës, e cila, megjithatë, mbante një erë si livadhet pranverore dhe kishte një fytyrë tepër të ëmbël. Veçanërisht sytë. I kishte të kaltër dhe sfumonin mahnitshëm në atë fytyrë të bardhë, që, siç dukej, nuk ishte ekspozuar akoma në plazhet e Atikës. Drejtpeshonim duke skarfëlitur duart në dy mbajtëset fqinje, që vareshin prej një shufre metalike sipër nesh dhe në çastin kur po mendoja, se mbase bukuria ishte një ngushëllim për kilet e tepërta, e metë shpirtgërryese për një femër të ditëve tona, ajo bëri një lëvizje të beftë, ngaqë donte të ndërronte dorë, duke më goditur në qafë me bërrylin e saj të butë. U kthye menjëherë dhe më pa me ato sytë, si burime livadhesh:

Τρίτη, 23 Μαρτίου 2010

AMANDA MIHALOPULU - e ftuar tek "Punishtja"


Linja: Berlin - Athinë dhe kthim
Avioni: krijimtaria
 
U takuam me shkrimtaren Amanda Mihalopulu, në sajë të ndërmjetësisë së një miku të përbashkët të letrave, në një vend jo të zakonshëm për takime të tilla pune, në aerodromin ndërkombëtar “Venizelos”, në periferinë jo dhe kaq të afërt të Athinës. U shfajësua: “Jam tërë kohën me një valixhe në dorë...”. Prapë mirë, që ky aerodrom modern, të ofron mjedise komode për të ndenjur dhe biseduar, shto këtu që kishim edhe kohën e pritjes në favorin tonë. Një mesogrua fine, e thjeshtë dhe e buzëqeshur, theksoi qysh në fillim se i ishin bërë pjesë e pandarë e jetës udhëtimet, kësisoj një fluturim më tepër me “Pegasin” tonë, nuk do t’i prishte punë. Përkundrazi, do t’i krijonte një variacon më tepër. Dhe na bëri një propozim konkret: të dy palët, ne si botues dhe ajo si e intervistuar, “kishim bërë qejf” me intervista të tilla, ku bëhen pothuajse të njëjtat pyetje dhe jepen, po ashtu, të njëjtat përgjigje. “Nuk bisedojmë për diçka tjetër, - tha ajo, - bie fjala, për inteneraret e udhëtimeve, realitet i natyrshëm në jetën e krijuesit; për mekanizmin e fshehtë të shpirtit, që përcakton pozicionin e shkrimtarit ndaj ambientit që e rrethon, që koordinon marrëdhëniet e tij me vendlindjen, kur ai jeton larg saj. Në fund të fundit, kultura shprehet gjithmonë me mënyrën që hamë, shëtisim, mendojmë, me ambientet që i krijojmë vetvetes. Të gjitha këto janë tema që kanë të bëjnë direkt me mua...”
Kështu bëmë. Dhe, nëse kjo ishte dëshira e saj një herë, “Pegasi” - “zanatçi i përjetshëm” edhe ai i udhëtimeve, kishte nisur ndërkaq fluturimin...
G. JOVANI


Δευτέρα, 22 Μαρτίου 2010

Lajm sensacional: zbulohet ilaçi kundër grindjes së krevatit bashkëshortor


 Të dashur miq!
Para disa ditësh, tek shkoja me taksi në punë, dëgjova nga radioja një lajm të jashtëzakonshëm, për një zbulim të ri sensacional, që i jep mundësinë gjysmës mashkullore të planetit, të shpëtojë një herë e mirë nga grindjet e zakonshme dhe të përnatshme të krevatit bashkëshortor, sëmundje e vjetër kjo, sa bota, qyshkur Adami vendosi t’i kalojë netët e tij në të njejtin krevat me Evën.

Σάββατο, 20 Μαρτίου 2010

Denoncim


Njoftoj kolegët dhe miqtë, se porsa ka ndodhur midis nesh një piratëri e pazakontë artistike.

Poeti, prozatori, publicisti, kritiku, tekstaxhiu (kujdes: tekstaxhiu i këngëve, jo taksixhiu, se atë nuk e lë barku të ulet midis timonit dhe sediljes) Vaid Hyzoti, i nxitur nga dëshira për lavdi ndërkontinentale, përvetësoi një krijim timin poetik në shqip dhe ia paraqiti publikut anglofolës si të tijin.




Τετάρτη, 17 Μαρτίου 2010

P I L O Z Y B A - një rrëfim "fantastik" tek "Punishtja"


                    P I L O   Z Y B A


GJUETI  PAS  MESNATE
-  t r e g i m  -


I  kushtohet mikut dhe vëllait tim, 
Grigor Jovanit,
me të cilin peshkuam bashkë, gjatë një nate të paharruar.
                                                         

Κυριακή, 14 Μαρτίου 2010

“Fatfa” për Tradhti të Lartë


Ndodhi diçka përpara disa ditësh në skenën politike greke, që çuditërisht, nuk e preokupoi dhe kaq median e shkruar dhe elektronike të këtij vendi.
E pra, në kohë të tjera do të ishte bërë nami.
Por, siç duket, këtu hyn risia: “Kur fshati digjet, e ëma e Zeqos nuk kërkon krehërin...”. Bëra një modifikim të risisë së njohur ndërballkanase, pasi në këto kohëra, në viset e gadishullit, të gjithë bëjnë ç’t’u shkrepet. Gjer edhe “fatfa”-në myslimane, atë ligjin e shenjtë të ndëshkimit kapital, kundër atyre që mëkatojnë ndaj Profitit (atë de, që shpalli Homeini ndaj Salman Ruzhdisë për “Vargjet satanike”) u kujtuan të shpallin këto ditë në Greqi, në zemrën e Evropës, kalorësit e “Urdhrit të Kryqit dhe Flamurit”.
Mos t’u shkojë mendja, që “fatfa”-ja e krishterë u shpall ndaj mëkatares numër 1 të këtyre ditëve, pornostares së re televizive Xhulia Aleksandratu, që këto kohë ka monopolizuar vëmendjen e opinionit publik me “Bëmat satanike”, aq të rrezikshme për këtë opinion, saqë u harrua si me magji problemi tjetër i rëndësishëm: që nuk ka vënd më për vrima të reja në rrypin e mesit të grekut Thanas (kujto filmin e njohur  “Thanas, shtrëngo më tepër rrypin”, aq të njohur dhe aktual edhe për publikun shqiptar).  
Jo, “fatfa”-ja nuk u shpall në Greqi ndaj Thanasis Vengos, aktorit të famshëm komik të filmit të mësipërm, ndonëse tani, në të 80-tat e shkuar, do ta meritonte “ndëshkimin e shenjtë” “kalorësve të kombit”, për ato fjalët proverbiale, që tha në filmin po kaq proverbik grek “Shpirt i thellë”, dedikuar një periudhe tjetër të vështirë të historisë së helenëve, vëllavrasjes së tmerrshme të pasluftës, me rreth 70 mijë viktima: “Ç’soj lufte është kjo?! Grekët të dyfeqizin grekët?!”
Në  fund të fundit, do na lini rehat, me ato supozimet tuaja!
Shikoni lajmet!  


Σάββατο, 13 Μαρτίου 2010

KUNDERA në 2 poezi brilante

Të jesh poet
 
Të jesh poet do të thotë
të çash gjer në fund.

Gjer në fund të dyshimit,
gjer në fund të shpresës,
gjer në fund të pasionit,
gjer në fund të trishtimit.

Për herë të parë paskëtaj
përpiqu të përjetosh.
Më parë jo. Mos guxo.

Sepse mund të të ndodhë
që shuma e jetës
të të dalë tmerrsisht e mangët
dhe si fëmijë, përjetësisht të përsillesh
rreth teorisë së shumëzimit.

Të jesh poet do të thotë
të çash gjer në fund.

Për çfarë mendoja?
 
Për çfarë mendoja?
Për këmbët e tua të shtrenjta, pushmbuluar.
Si ecin.
Si durueshëm ecin.
Si tani e tridhjetë vjet tërheqin
karrocën e padukshme.

Si? Nuk qenka kaq e tmerrshme?
I paska jeta? Dhe që, yt bir...

Po, e di, shpërrtheva nga mitra jote, si prej një topi.
Por, e dashura ime, kjo ku është dëgjuar?
Të shpërrthesh një njeri, pastaj ta lesh
të bredhë dhjetra vjet,
gjersa të bjerë dhe të shpërbëhet në tokë, si pluhur...

Flake atë buzëqeshje nga fytyra.
Gëzimin idiot të atij,
që shkon e shkon dhe tërheq karrocën.
Po, ke të drejtë.
Dakord nuk biem.
Je e dëgjueshme, si çdo grua.
Je ushtar.
Dhe unë jam burrë.

Përktheu:
GRIGOR JOVANI


Παρασκευή, 12 Μαρτίου 2010

VAID HYZOTI - "mysafir" në punishten time



Grigor, i dashur!
Nuk e kuptoj kërkesën tënde, për të të çuar ca të dhëna për veten time.
Për të mëdhenjtë duhen studiusit të rrëmojnë.
Por si tolerant që jam dhe 
duke e njohur dembelizmin tënd proverbial, po të nis diçka:

Më kanë thënë se jam lindur më 10 mars 1960 në Ishëm të Durrësit.
Ndonëse erdha pa vullnetin tim në jetë, vazhdoj të jetoj në mënyrë të  vullnetshme. Nga 4 kile që linda, sot jam afro 125 kg, - tregues ky mjaft sinjifikativ për  këmbënguljen time për të qëndruar në jetë. Kam kërkuar të punoj që herët, por meqë  s’gjeta punë (i persekutuar nga familja ime) vazhdova shkollën deri më 1982, kur kreva fakultetin e Historisë dhe Filologjisë për gjuhë dhe letërsi shqipe, kurse më pas një specializim pasuniversitar për kritikë letrare, më 1987.
Kam punuar mësues dhe gazetar, pa iu ndarë kurrë letrave. Artikujt kritikë të botuara në ca revista e gazeta, që tani nuk ekzistojnë më, si “Nëntori” dhe “Drita”, thonë që e  kanë çuar ne kahje të këndshme letërsinë shqipe.
Botova dhe vetë një vëllim poetik më 1986, “Zërat e ditës së re”, por që vendosa ta  harroj, se vetëm 70%  ishte i imi, se u qeth, u rrumbullakua nga botuesit, nën shijen  e  censurës tematike të kohës. Me dhimbje për letërsinë shqiptare, thashë mos të shkruaj  më libra...
Nuk e mbajta betimin, se në vitin 2000 erdha në Amerikë. Takova shumë patriotë shqiptarë dhe çdo ditë merreshim me thashetheme. “Thashethemet e vërteta” - një  libër me skica, profile e tregime humoristike i botova në Detroit, më 2002. Kur shkova në New York u habita nga qyteti gjigand, ku pashë dhe shoh çdo ditë  njerëz që shkojnë rrugës, duke folur e qeshur me vete nën peshën e streseve. Për hir  të tyre dhe vetvetes, që bëja pjesë në këtë peisazh lëvizës, botova librin me  poezi “Qyteti i të marrëve”.
Ndërsa më 2007 botova librin me tregime e novelë “Fëmijë i vjedhur”, ngaqë siç e kupton, të tillë jemi të gjithë ne, emigrantët, miku im i shtrenjtë!
Grigor, s’e di në e ke kuptuar se po plakemi, po bëhemi gati “për andej”, siç thotë në  një tregim miku ynë, Faruk  Myrtaj. Unë dua të shkoj i pastër, i parfumuar, ndaj po  mbaroj romanin “Parfum të vdekurish”. Por ti mos u shqetëso, se do rri dhe ca në emigrim, në këtë “Varr me qera”, siç  shkruaj në librin me poezi, që këto ditë do t’ia shpie botuesit...

Si thua, Gole?
Me këto gjëra të trishta, a e kupton se nuk ka pse të duhet CV-ja ime?

VAID HYZOTI


Τετάρτη, 10 Μαρτίου 2010

Facebook.com


 
 Nga dialogu im i sotëm në facebook,
me Pilo Zybën
 
 


Τρίτη, 9 Μαρτίου 2010

ROLAND GJOZA - “Udhëtoj brenda vetes”, vellim poetik i Grigor Jovanit



SARAFI I VARGUT DHE ZULLUMQARI I JETES
- përsiatje -

Nuk mund të mos vesh buzën në gaz. Poezinë e ndjekin rëndom, ndërsa ajo e mallkuar, që s’shikon nga sytë, krejt naive po dhe e pafajshme, ndjek pas një riosh të përjetshëm, zullumqar të pandreqshëm që, dhe nga mitra e nënës e kanë nxjerrë me shkelma përjashta (“Shtëpia e bixhozit”) dhe s’lodhet e bukura e hollë pas ketij rebeli kokëkrisur, që i fluturojnë nga trupi kostumi i mbrëmjes, gravata, këmisha dhe, ashtu lakuriq, si e ka bërë nëna, ulet e shkruan në copëra letra hundësh, i pirë tapë në buzuqe, salla bizhozi, drita të kuqe, jo lumë vargjesh,siç të vinë, po ca gurëza brilanti për unazë, që shkasin në letër, si nëpër belluz të mëndafshtë.

Σάββατο, 6 Μαρτίου 2010

Poetë amerikanë



Këtë cikël përkthimesh
nga poetët më të shquar amerikanë
e përgatiti
ekskluzivisht për “Pegasin - 6”,
nga origjinali,
miku ynë i dashur,
poeti dhe përkthyesi
BETIM MUÇAJ 
 E falenderojmë përzemërsisht!



Παρασκευή, 5 Μαρτίου 2010

Kriza Greke: Kërkohen urgjentisht armiq!


 Greqia e këtyre ditëve mban erë barut. E përditshmja e madhe filoqeveritare “Ta Nea” doli të mërkurën me kryeartikullin tronditës “LUFTË!” dhe me nëntitullin po kaq luftarak “SAKRIFICA - për të shpëtuar vendin nga falimentimi!”. Një ditë më vonë, konstatimi “ILEKTROSHOK!” zinte gjysmën e faqes së parë të gazetës, pranë një portreti tejet të dëshpëruar të Kryeministrit Papandreu (as sytë nuk i dukeshin, pasi i kishte të mbërrthyera në tokë, në pozën klasike të të gjithë shpresëdyshimtëve të botës), fill pasi kishte dalë nga mbledhja e Këshillit të Ministrave, që zgjati gjithë natën, gjer në agim (si seancat e zgjatura dhe të mbushura plot tension në kancelaritë e luftës), ku u vendosën “raprezalje” të jashtëzakonshme  ekonomike për popullin grek, të cilat ishin të panjohura për Greqinë e pasluftës. Papandreu, si rrallë herë në historinë e liderëve të politikës helene, i tha gjërat troç, në deklaratat e rastit, për shtypin: “Nuk bëhet fjalë më për rrogën e 13-të apo të 14-të. Fjala është nëse mund të paguajmë rrogën e 4-t të këtij viti”. Në takimin informativ, të po asaj dite, me Presidentin Papulias, Kryeministri grek tha fjalët historike: “Jetojmë kohë shumë të vështira, zoti President!”. Si të mos mjaftonte gjithë kjo klimë e përndezur politike, që vetëm një shkëndijë kërkonte për të hidhur në erë statukuonë shoqërore greke, erdhi edhe deklarata publike në greqisht, e kryekomisonierit të Brukselit, Oli Ren,  përpara gazetarëve në Athinë, në fund të pazareve dramatike ekonomike me liderët vendas: “Grekë, ju uroj kurajo!”
Mirë të gjitha këto, por nëse Greqia ishte në luftë, siç deklaroi Kryeministri i saj, cili ishte dhe ku gjendej armiku? Mund të organizohej mbrojtja kombëtare, pa njohur më parë armiqtë? Dhe që të kemi një sqarim sa më të saktë, gjendeshin ata në vend apo jashtë tij? Me një fjalë, ishin armiq të brendshëm apo të jashtëm?
Duhet thënë, se në panik e sipër, ky problem nuk është sqaruar akoma edhe sot, në opinionin tejet të shqetësuar të grekërve.


Τετάρτη, 3 Μαρτίου 2010

ARIANE MNOUCHKINE - Henrik Ibsen “viziton” Teatrin e Diellit


“Mendja ime shkon tek ajo çifutja ,
 që formoi e vetme një teatër, brenda getos së Vilnos.
Po, një teatër.
Duke vjedhur nga racioni i saj i përditshëm i bukës,
formonte  me brumin e saj kuklla të vogla.
Dhe çdo natë, gruaja e uritur u jepte jetë
atyre figurave të lindura nga kafshatat e saj të pangrëna,
nxirrte aktorët e vetë prej brumi në skenën e saj mikroskopike,
para dhjetra spektatorësh,
të uritur sikurse edhe ajo, të destinuar si ajo
për tek kampet e shfarrosjes.
Natë e përnatë, gjer në fund.
Duhet ta ruajmë kujtimin e kësaj gruaje,
si një plagë të pashëruar. Duhet.
Sepse, po të harrojmë teatrin e vogël të brumit të Vilnos,
 do kemi humbur Teatrin e Madh”.

A. MNOUCHKINE

Çmimi Ndërkombëtar “Ibsen 2009”, që shoqërohet nga shuma 2,5 milionë korona (285 mijë evro) iu akordua para pak kohësh regjisores së famshme frënge Arian Mnuskin (Ariane Mnouchkine), themelueses së Teatrit të Diellit në Paris.

Juria e Çmimit, ndër më prestigjiozët në botën ndërkombëtare teatrore, e formuloi kështu nocionin e dhënies së tij regjisores pariziane: “Veprat regjizoriale të Mnuskin-it i japin publikut përshtypjen se merr pjesë në një rrëfim tërheqës. Një rrëfim me përmasa të shumëanshme, matafizike, por që njëkohësisht zbulojnë jetën”.
Kryetarja e Jurisë, aktorja dhe regjisorja e madhe norvegjeze, Liv Ulman, thekson tek deklarata e saj se “… tek vepra e saj, Mnuskin është marrë kryesisht me historitë e krizave të mëdha të kulturës botërore, me beteja që janë dhënë para shumë kohësh në këtë fushë, si edhe me përndjekjet dhe dëshpërimin e refugjatëve në kohën tonë”. 
Themeluesja e Teatrit të Diellit më 1964, 70 vjeçarja Arian Mnuskin, që në karierën e saj ka ngjitur në skenë, duke njohur famën botërore, vepra të tragjikëve të lashtë grekë, por dhe të Shekspirit, Molierit dhe Arnold Ueskerit, mori në dorëzim këtë trofe të çmuar më 10 qershor, në Oslo, në një ceremoni të posaçme. 
Vlen të përmendet që fitues i vjetshëm i këtij Çmimi, që u institucionalizua nga qeveria norvegjeze, për nder të dramaturgut të famshëm norvegjez Henrik Ibsen (1828-1906),  është regjisori britanik Piter Bruk (Peter Brook), njëri nga korifenjtë e sotëm të skenës së përbotshme.


Δευτέρα, 1 Μαρτίου 2010

Majkëll Xhakson - Kurorëzimi dhe rënia e një mbreti


 “Nuk mundem të ndaloj së qari.
Gjithmonë më mrekullonte.
 Ishte ylli më i ndritur
dhe muzika e tij do të jetojë në jetë të jetëve”
MADONA

Ishte Majkëll Xhaksoni i 750 milionë disqeve, i 13-të vendeve të para në Billboard, i 13-të Çmimeve Grammy, i rekordeve të njëpasnjëshme Gines, i turneve legjendare nëpër botë, i marrëveshjeve ekonomike mamuth me shoqëritë më presigjioze të reklamës në rang të përbotshëm, i “moonwalking”-ut dhe i Neverland-it. Por ishte edhe Majkëll Xhaksoni i viteve të vjedhura fëminore, i vetmisë së pashoqe, i problemeve të parreshtura ekonomike, i llogarive të pambyllura me ligjin, i varjes prej ilaçeve nga më të çuditshme. Fenomeni muzikor i përbotshëm, kjo figurë e papërsëritshme mjegullore, krijuesi dhe interpretuesi më tragjik që ka njohur bota, i pashërueshmi Piter Pan, rob i përjetshëm në trupin e një adoleshenti, i pari - dhe mbase i fundit - mbret i pop-it, iku me të mbushur të 51 vitet, vetëm pak ditë para duartrokitjeve të radhës: më 13 korrik të 2009-ës, mbas një heshtjeje të gjatë, do të riktheheshe në skenë, për të rrëmbyer sërisht kurorën e mbretit të pop-it, me 50-të shfaqjet e tij sold out në londrinezen “02 Arena”, me super shoun “This is it”. Tani, të 750.000 biletat, të shitura paraprakisht brenda pak orëve për këtë premierë, ngjajnë si suveniri më i shkëlqyer i pasvdekjes së një mbreti. Shumica e “të pafatëve” kanë vendosur të mos i kthejnë biletat. Kanë ç’t’u thonë pasardhësve: kishin siguruar ftesën në party-n e një mbreti...