Σάββατο 23 Ιουλίου 2011

Ku e ka selinë, ky kalë?

Drejtori i "Pegasi" G. Jovani, duke hapur Konferencën e Shtypit
Ishin të gjithë aty. Drejtuesit e medias së shkruar shqiptare në Greqi, gazetarë, poetë, artistë të ndryshëm, lexues të thjeshtë. Korrektë në takimin e radhës me “Pegasin”, me kalin fluturues të letërsisë dhe arteve, në konferencën e shtypit me “kujdestarët” e tij.  Vëndtakimi i njejtë: ambasada shqiptare në Athinë, një copëz Shqipërie në qiellin e madh, të përbotshëm, ku fluturon ati pellazgjik i legjendave. Qëlloi dhe vapë, qëlloi dhe ditë e fundit e javës, në prag të një uikendi veror, kur njerëzit mezi presin të çlirohen nga e përditshmja. Megjithatë, të gjithë ishin aty... Të gjithë të dashuruar me një kalë ëndrrash...
“Mirëseerdhët!” - i tha Grigor Jovani, drejtori i “Pegasit”, një zonje të re, që ndonëse nuk e njihte, e mori me mend, se ishte një nga dashamirëset e kalit fluturues.
“Mirëseerdhët ju! - i tha ajo, e buzëqeshur. - Kali juaj sot është i yni. Ju jeni të mikpriturit tanë...”
Ishte Mira Braho, diplomatja e re e ambasadës, zëvendësambasadorja, që në vend të shefit që mungonte, luante rolin e mikpritëses. “Të ndjeheni si në shtëpinë tuaj, - u tha ajo organizatorëve të veprimtarisë. - Dhe ta dini: nderi është i yni. E kush nuk do të donte një kalë kaq fisnik, në oborrin e tij?”
“Është viti i pestë, që merremi me këtë kalë, - tha Grigor Jovani, duke hapur konferencën e shtypit. - Qysh nga vera e 2006-ës. Në një ditë korriku, si kjo, bëmë atëhere, po këtu, konferencën tonë të parë të shtypit, ku prezantuam “Pegasin”. Por mua, sepse më duket, që kjo është konferenca e parë. Pasi kam nderin të prezantoj një kalë të ri, të rilindur, që siç thotë Miho Gjini, “ka veshur rrobat e mbretit”.
Një “Pegas” i ri. Ky është numri 8-të i revistës prestigjioze. Duke ruajtur fizionominë e saj tradicionale, revista iu paraqit publikut në një botim të ri, tejet cilësor, duke mos iu patur zili as botimeve më të mira bashkëkohëse greke në këtë lëmë.  Një kalë për kokën e kalit! Në një kohë, kur “Pegasi” kishte gati një vit, që u mungonte hapësira qiellore, për pamundësi botimi, kur shumëkush ishte gati t’i bënte “nekrologjinë”: “Megjithatë, ishte një kalë i mirë...” Që, padyshim, do të ishte edhe “nekrologjia” e dy “musketierëve” të tij, Grigor Jovanit dhe Miho Gjinit. “Grigori ka pësuar tre hemoragji, për shkak të kalit, - iu rrëfye të pranishmëve, publikisht, Miho Gjini, për të vërtetuar kështu, përkushtimin e kalëruajtësve... “Dy, - saktësoi Grigori dhe të pranishmit u shkrinë në gaz. - Po të ndodhte e treta, do më shpinte kali mbi shpinë...”, duke përforcuar edhe ai, nga ana e vet, impenjimin.
Por, pikërisht në këto kohë të vështira, kur kriza botërore ekonomike mbyt njerëzit, jo më kuajt fluturues, u shfaq “musketieri i tretë” i “Pegasit”, i dashuruar me të njësoj si dy të parët, Thoma Naka, pronari i Entit të fuqishëm Botues grek “ORAMA”. “Orama” do të thotë në greqisht “ëndërr largpamëse”. Të tillë e kishte ëndrrën për “Pegasin” e ri Thoma Naka. Dhe ja, tani buzëqeshte i lumtur dhe i sigurtë, përkrah Grigor Jovanit, në podiumin e konferencës së shtypit. Kishte fluturuar kali tashmë. Ëndrra kishte marrë qiejt...
Thoma Naka, botuesi i revistës
“Ne jemi njerëz të thjeshtë, - tha Thoma Naka, pas prezantimit që i bëri “pegasisti” i hershëm, Jovani. - I përhershmi, i famshmi, i rëndësishmi, është kali ynë, “Pegasi”. E njihja prej kohësh këtë kalë. E adhuroja. Dhe, kur m’u kërkua të bashkëpunoja për mirërritjen e tij, nuk ngurova. Është i bukur kali ynë i tanishëm. Më të bukur kemi për ta bërë. Keni për të parë...”
Thamë, që të gjithë ishin aty, në “përurimin” e kalit të ri, në prezantimin e bashkëpunimit të ri të pegasistëve me “ëndërrimtarët” e Oramas, të cilët duan t’i hapin qiej të rinj atit me flatra. Ishte Ira Londo, botuesja dhe drejtuesja e “Gazetës PLUS të Athinës”, tribunës tradicionale shqipfolëse, ishte Ramadan Bigza i modernes “Albania Press”, nderit të shtypit shqiptar në Greqi, ishte Maks Sulollari i shtypit bashkëkohës elektronik shqiptar, ishte Elona Kataro, e talentuara gazetare dhe poete dhe shumë e shumë të tjerë. Por ishte edhe Robert Goro i “Tribunës”, me mesazhin e ngrohtë që i dërgoi veprimtarisë, edhe Nase Jani i “Pelegrinit”, revistës simotër të “Pegasit”, këtu në Athinë, që shfryu dufin e keqardhjes për mosardhjen e tij, në mesazhin drejtuar kolegut të vet, G. Jovanit, ku thoshte: “Megjithatë, e rëndësishme është, që shpendi ynë dhe kali juaj fluturues, flatrazojnë bashkë, në të njëjtat qiej...”
Kryeredaktori M. Gjini
Natyrisht, ka qiej për të gjithë. Një qiell mirësie dhe bashkëpunimi. Ja, ky mesazh përshkoi diskutimet, pyetjet dhe përgjigjet e atyre, që e bënë këtë konferencë shtypi një tryezë pune. Një pasdite me vlerë. U bënë abonime aty për aty nga të pranishmit (“Edhe unë dua të abonohem tek “Pegasi”, ishte epilogu i diskutimeve), vajzat pegasiste nuk arrinin t’u dërozonin “Pegasin” atyre që e dëshironin, që e blinin, për ta patur përgjithmonë nën zotërimin e tyre.
“Na vjen dhe keq, - tha Miho Gjini, Kryeredaktori. - S’e mbajmë dot zap këtë kalë. Na e kërkojnë ngado, na e marrin tashmë, pa na pyetur, anembanë botës. Xhanëm, nuk e mbanim dikur, kur mezi e vishnim, me kursimet tona, unë dhe Grigori. Jo më tani, që Thomai e ka veshur me rrobat mbretërore... U pa puna, nuk është më i yni kali fluturues. Por, të paktën, të na paguajnë tagjinë...”.
Për “tagjinë” e “Pegasit” foli Festim Zaçe, manaxheri i revistës. “Ka ikur koha, - tha, - kur revistën e falnim tek miqtë. Tani nuk mund të falet ky kalë. Është fyerje për vlerat e tij. Ka ardhur koha, kur miqtë të tregojnë praktikisht dashurinë e tyre për “Pegasin” Abonimet janë e vetmja mënyrë...”
“Doemos, - tha Flutura Tafillaku, kryetarja e Federatës së Shoqatave Shqiptare, - “Pegasi” është tashmë një nga vlerat e komunitetit shqiptar të Greqisë. Nga vlerat më të bukura, gjithë bereqet të përzgjedhur artistik. Është një medalje nderi në gjoks të këtij komuniteti. Aq sa tani, ne nuk bëjmë dot pa “Pegasin” tuaj dhe tonën. Diçka na mungon, kur vonohet ai. Ju lutem, mos na e vononi herë tjetër! Përndryshe, ç’kujdestarë jeni ju!”
Stafi i "Pegasit"
Kështu shkoi kjo pasdite e nxehtë korriku, në ambasadën shqiptare të Athinës, ku kjo copëz Shqipërie mikpriti kalin pellazgjik të Gadishullit. të Arteve. Sa për t’u shlodhur një grimë dhe për të marrë fuqi për fluturime të reja. Pushoi pikërisht këtu, ngaqë e njeh këtë strehëz mikpritëse ky kalë... “Tani ngjan i yni kali juaj, - tha Mira Braho, zëvendësambasadorja, në përshëndetjen e saj. - Edhe konferencën tjetër, po këtu do ta bëjmë. “Pegasi” tashmë e di, ku e ka selinë e tij...”.
Faleminderit, zonjë e nderuar! Veçse do na duhet t’i bëjmë një plotësim dashamirësisë suaj: “Pegasi” e ka selinë tek qiejt e tij të fluturimit. Tek njerëzit artdashës! Tek ata që e duan me vepra, jo me fjalë!
FESTIM ZAÇE
Manaxher i “Pegasit”

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου