Σάββατο 22 Μαΐου 2010

Jam spiuni i Laçit


Dje kisha një nga surprizat më të mëdha të jetës sime. Nga ato që të ndodhin mu përpara syve, por ti nuk mund t’u besosh atyre. Ngaqë ajo që ndodh të duket jashtë realitetit. Thjesht e pamundur.
Duke shfletuar në mëngjes një gazetë të lehtë sportive, nga ato që i merr në kioskat e metrosë, pa para, pak përpara se të hapen zyrat e firmës ku punoj, në një lokal veror përpara tyre, sytë më ranë tek lista e eliminatoreve të EUROPA LEAGUE (ish Kupa UEFA) në futboll.
Menjëherë u prek sedra ime prej tifozi. E mbylla me forcë gazetën dhe e hodha në ndenjësen pranë. Ç’të shikoja? Ke pare ti? “Olymiakosi” i Pireut, ekipi im i zemrës, për të cilin harxhoj çdo vit një pjesë të konsiderueshme të të ardhurave të mia, që të siguroja një vend të sigurtë abonimi në tribunën kryesore të “Karaiskaqit”, (pranë të cilit, madje, që të jem afër, kam blerë edhe shtëpinë time në Athinë),  këtu e dhjetëvjeçarë frekuentues i rregullt i salloneve mondane të CHAMPION LEAGUE, kampioni i përhershëm i Greqisë, tashmë, këtë vit të mbrapshtë sportiv ishte i detyruar të zbriste në “bodrumet” e vendit të pestë të kampionatit helen dhe, kësisoj, të detyrohej të luante, në pikë të vapës (ku?!) në... grupin e parë të eleminatoreve të UEFES, duke pritur (o zot!!!) edhe dy grupe të tjera eleminatorësh, për të zënë vend (prapë, ku?!) në “stallat” e grupeve paseliminatore të kësaj komedie. Tragjedia e tanishme ekonomike e Greqisë është pasqyruar më së miri në fatin e sivjetshëm të kamarit të saj, “Olympiakosit”.
Por prapë, diçka më shtyu ta rihap gazetën. M’u kujtua titulli i rubrikës: “Kundërshtarë për të gjitha shijet”. Thashë të shikoja, se cilët mund të ishin kundërshtarët tanë, nga ajo listë e stërgjatë ekipesh të panjohura, me qëllim që të programoja, në ia vlente, ndonjë udhëtim turistik me ekipin, në këtë angari të pashembullt, që na kishte gjetur. Porosita një “fredo espresso” të dytë dhe fillova të lexoja. Kur, aty nga fundi, sytë m’u stepën në një vend të gazetës, tek një emër i vogël ekipi, të cilit i kthehesha dhe i rikthehesha për të satën here, thjesht ngaqë nuk u besoja syve. Ç’dreq! E kisha matur në mëngjes tensionin. E kisha mirë... Mund të më bënin një lojë të tillë sytë e mi, akoma të përgjumur?!

... ... ...
“Santa Koloma” (Andora)
“Sahtar Karagada” (Kazakistan)
“Laçi” (Albania)
... ... ...
O zot, ishte e mundur?!
Një lumë i rrëmbyer emocionesh më kishte përmbytur të tërin, më kishte kthyer kaq pas, në një kohë dhe botë kujtimesh të magjishme, aq sa hutimi im u ra në sy kolegëve të tjerë, aty pranë, sa që njëri më tha: “Je mirë? E ke matur tensionin?”
Doemos, tensioni im i kishte kaluar të 20-tat. Surpriza ishte e madhe. Pra, ishte krejt e mundur, që “Olympiakosi” të luante në grupin e parë të këtyre eliminatoreve me... “Laçin”.  
Jo, këtë nuk mund ta përfytyroja kurrë!
Ishte njëlloj si të gjendeshin në të njëjtën tryezë, në të njëjtin kampionat eliminator shahu, dy të dashurat e tua, ajo e rinisë dhe e tanishmja,  dhe ti të ishe i detyruar t’i ndiqje. Shiko, ç’lojë të çuditshme të luan nganjëherë fati?!

Πέμπτη 13 Μαΐου 2010

Miku im, LUAN XHULI


Poetët

Tani pasdite, kur po kthehesha me makinën time nga puna, tek isha ndaluar para një fanari udhëkryqi, një motorçiklitist, me kokoren metalike në kokë, i ra kabinës së makinës sime, me atë dorën e tij si panxhë ariu, poshtë një doreze të trashë, siç bëjnë rëndom ata drejtuesit e mërzitshëm të motorrave, për të korrigjuar në vend kodin rrugor të  rivalëve të tyre të përjetshëm, drejtuesve të makinave të vogla, siç isha unë në ato çaste. U bëra gati të hapja me forcë portën e makinës sime, për t’i dhënë edhe unë mësimin në vend “korrigjuesit” tim, duke e përplasur me inat në trotuarin përballë, por ndërkohë, motorçiklisti kishte hequr kokoren e tij metalike dhe mu para fytyrës sime shkëlqenin ca dhëmbë të bardhë dhe dy sy të dashura.
-         Hë, ta mban? - më kërcënoi ai, duke mos e fshehur gëzimin, për inatin që më kishte shkaktuar.
-         Ma mban! - i thashë. - Bëj anash, tek ai dyqani atje, pranë metrosë. Ta tregoj unë...
Pas pesë minutash ishim ulur tek një lokal veror, me dy gota të stërmadhaja birre Gjermanie përpara. Unë dhe Luan Xhuli, miku im i dashur, të cilin kisha ditë, që nuk e kasha parë.
-         Të kishim pak nga ai peshku gjigand, që zure në Monemvasia, bashkë me Pilon! - përshpëriti Luani.
-         Pse s’thua të kishim pak nga peshku Pilo, - i thashë unë. - Peshku kishte një shtat me Pilon. Kë të haje nga të dy, njëlloj do të ishte. Por prit... peshku Peshk ishte më i shijshëm se peshku Pilo. Kishte më shumë tru.
Na sollën ca cironka të pjekura (si për inat të peshkut Peshk dhe të peshkut Pilo), bashkë me një pjatë specash të tiganisura, të cilat kishin humbur ngjyrën e tyre origjinale, për shkak të vajit të shumëpërdorur.  
-         Këto janë si poezitë e Vaidit. Nuk djegin, - i thashë Luanit, pasi e dija, që i kishte zët specat djegëse.
-         Ç’thua, more! - kundërshtoi ai. - Mua më pëlqejnë shumë. Më përvëlojnë shpirtin.
-         Po u ka dalë boja, mor xhan, - i thashë, - ka të njëjtin vaj, këtu e dyzet vjet, që e njoh unë.
Luani nuk kishte të njejtin mendim me mua. Punë e tij. Por kishim të njejtin mendim për shijen e birrës gjermane, prandaj porositëm edhe nga një tjetër.
-         Ta them qysh tani, - e paralajmërova unë. - Nuk marrim tjetër. Pij ilaçe...
As që më ra në mendje, që si unë, ashtu dhe ai, po shkelnim kodin e qarkullimit rrugor. Tashmë Luan Xhuli më kishte dehur të tërin. Jo me alkol, duhej të zbriste nga Rixhvudi Vaid katanai, që të më ndodhte mua kjo thagmë, por me poezitë, që m’i kishte lënë ndërkohë në duar, alkoli i të cilave, si gjithmonë, më kishte elektrizuar. Se nuk mund ta fsheh. Luan Xhuli është dobësia ime. Jo më kot, kritika greke, kaq snobe për krijimet e të huajve, e ka pritur krejt ndryshe poezinë e tij. Poezinë e bukur të mikut tim, atë shtrat lumi alpin, që duke zbritur nëpër rrëpirat e shpirtit të tij, bëhet gjithmonë e më i kulluar, përherë e më etjeshues.
-         Ku humbe? - më ngacmoi Luani.
-         Oh, kam harruar portofolin në shtëpi!
Rudhi buzët, më pa gjithë dyshim dhe tha, me një rënkim të stërzgjatur:
-         Unë s’ia kam parë ndonjëherë ngjyrën portofolit tënd.
Pastaj shtoi:
-         Ore, vërtet, si kanë bërë me ty, ata të dy, Piloja me Vaidin?! Të fortë, për nder!
U ndamë, pasi i premtova, se do ta prisja të nesërmen, që të cimbisnim diçka, në kohën kur do të lija punën.  Harrova t’i them, se të nesërmen nuk do të shkoja në punë, për një hall të familjes.
Me të mbërritur në shtëpi, duke zbrazur xhepat në komonë pranë hyrjes, pashë një letër të palosur, pranë kartmonedhave të parave. Ishte njëra nga poezitë e reja të Luan Xhulit. U shtriva në verandë, pasi i thashë gruas se nuk kisha uri, ngaqë kishim shumë punë dhe isha tejet i lodhur (“Merre me mënd, as një kurabiçkë nuk vura në gojë, shpirti im, gjithë ditën!”). I hodha edhe një sy tjetër poezisë së Luanit. Më pëlqeu përsëri. Eh, ç’mik më ke, or Luan Xhuli! Sa herë t’i lexoj, t’i pëlqej poezitë! Jo si ai, harami i Rixhvudit, që një fjalë të mirë për vjershat e mia, nuk e tha as një herë. Edhe kur i ziu Pilo, kishte shkruar dikur një shkrim vlerësues për mua, i ishte hakëryer: “Ti nuk zihesh! Je nën nivelin e detit!”
Po bëj një sprovë, o Luan:  po hedh këtu  poezinë tënde. Dhe jam i sigurtë: instiktivisht, kanë për t’i dalë Vaid Hyzotit thonjë e çakallit. T’ia shijosh edhe ti! Ngaqë ia pëlqen poezinë...
GRIGOR JOVANI
Athinë, 13 maj, 2010


Πέμπτη 6 Μαΐου 2010

VAID HYZOTI NDËRRON "ARMË": ME PROZËN E TIJ, "TRONDIT" "PUNISHTEN" E MIKUT...



           Tavolina e ushtarit
                      tregim

 Kamarierja na drejtoi për tek tavolina e fundit.
 -Vetëm tavolina e ushtarit është e lirë,-tha ajo si e zënë më faj.
 Nuk doja të rrija   atje, madje kërkoja një tavolinë në hyrje, jo më të isha afer asaj "të ushtarit".Kisha  pirë kafe dje në këtë bar me emrin "Shqiponjat".Në fillim pata një si ndjenjë ngazëllimi,kur dallova që larg flamurin shqiptarë dhe atë amerikan në farfuritje.Lokali ishte në krye të një sërë godinash njëkatëshe,që ishin zyra apo dyqane të vogla,minimarkete.Sa hyje brenda të dukej se kaloje si në revistë tërë Shqipërinë.  Madje edhe emrat e tavolinave u përgjigjeshin pamjeve, fotografive në sfond.Ja,tavolina e Rozafatit,e Krujes,e Saradës,Tiranës...Vetëm një tavolinë e madhe në fund të lokalit nuk kishte emrin,madje as kishte ndonjë pikturë,apo fotografi. Dy rekuizita te vogla prej xhami kishin nga një bluzë marinsi; njëra e shpuar nga plumbi në mëngën e majtë,tjetra-akoma e përgjakur.
  -Mos u habisni që kam shpëtuar.Nuk ka plumb që ta vrasë shqiptaro-amerikanin që lufton terrorizmin Jo vetëm në Falluxhah të Irakut,por dhe në Polin e Veriut,në xhunglat e Afrikës,kudo që ka terroristë jam gati të shkoj...-nisi fjalimin e përditshëm djaloshi i veshur me uniformë marinsi.
   Askujt nuk po i  bënte përshtypje fjalimi i tij patetik.Ndoshta ishin mësuar ta dëgjonin çdo ditë, ndoshta edhe vidiot në televizorët e sallës kushedi sa herë e kishin transmetuar atë.Vetëm ca syresh  e shihnin me keqardhje dhe pëshpëritnin:"Sa djalë i mirë ka qenë.U bë gjytrym për tekat e të atit".
    Kamarierja,si duket e kuptoi hezitimin tim:
-Mos u shqetesoni, Besmiri,ushtari , nuk vjen sot, është shtruar prapë në spital , i shkreti. Rrini të qetë dhe mirë se erdhët
    Zumë vend.Xha Mustafa, që sapo kishte ardhur nga Shqipëria,u bë me krahë që po gjente një  kafe kaq pranë shtëpisë së të birit dhe ku shërbehej dhe flitej në shqip.
  -A ka fernet këtu?
  -E do "Branca", apo të Tiranës,si të duash...
 -Më sill një dopio të vendit dhe nje ekspres streto,-i tha kamerieres dhe na u drejtua ne:-Tani këtu  më keni çdo ditë.Të vonohet djaliu sa të dojë...Do të gjej ndonjë shok të tjerr kohën.Po këto televizorët a e dijnë shqipen?
-Kemi edhe video, edhe program direkt...
-Po çfarë kanë vidiot?Humor me Koço Devolen?
  Kamarierja mori një kasetë që i zuri dora dhe telekomandën...
 -Shihe, more, po sikur e njoh këtë...A mos është ky Brahim Brahushi,berberi i Selvisë?Po ç'e paska këtë kollare të madhe si ministër.Mos e kanë bërë ministër këtu në Amerikë?
  Kamarierja duket shumë e muhabetit dhe nuk besdisej nga pyetjet e shumta të xhaxha Mustafës:
  -E ç'është ministri para Brahushit?Asgjë.  Brahushi është pronari i këtij lokali dhe i tre dyqanëve  të tjerë në këtë zonë.Në një shtet tjeter ka blerë një pikë karburanti...Brahushi është dhe babai i ushtarit,-nxitoi së fundi të sqaronte kamarierja,sepse po i bënin shenjë nga një tavolinë tjetër për pagesën.
 -Allah Brahush berberi qenka bërë pasanik i madh në Amerikë,-foli nëpër dhëmbë xha Mustafa me  sytë tek televizori-Pa prit,prit,çfarë thotë?Brahushi qenka dhe kryetar i shoqatës së intelektualëve shqiptaro-amerikanë Zot,na ruaj kaplloqen,se po na bie ta shkelim me këmbë Mirë për tregëti,po paska patur edhe shkollë?
  Në vidio një gazetar i televizionit lokal,po intervistonte Brahushin,pas zgjedhjes si drejtues i intelektualëve:"Tërë jetën time ia kam kushtuar drejtësisë dhe ekonomisë së tregut.Amerika shpalosi para meje horizonte të ndritura Amerika-vendi kampion i demokracisë...".
  Xha Mustafa kroi kokën me shejtani; e njihte mirë Brahushin...


Σάββατο 1 Μαΐου 2010

Koncerti i Verës

VALS

Bota përdridhet
rreth belit të vet.

Rreth saj,
universi i tërë
rrotullohet.

Tha të bëjë Zoti
piruetën e tij…

Por ngec,
si gjithnjë,
dhe rrëzohet.

VERA

Na shqetësoi të gjithë paniku yt:
“Pas, në kopësht, po digjen qershitë!”,
the, ashtu e trembur, para derës.

Rendëm jashtë. S’kishte rënë asnjë zjarr.
Xixëllonjat kishin koncertin e verës.

PARADOKS

Erdhi dimri,
bërtitën të gjithë,
erdhi dimri!

Të ngopet toka
me ujë,
pylli me erë!

Erdhi dimri (?!)

Po si erdhi dimri,
pa njohur verë?

OKTAPODI

Para se ta shtronim në tryezën tonë
mbi një pjatancë të porcelantë Kine,
tetë këmbë kishte. Domethënë,
tetë palë këpucë fine.

Sidoqoftë,
ne do ta hanim me gjithë këmbë,
bashkë me këpucët llustrafine.

ADRESA


Mërzitur do jesh…

Letrat sërish
t’u kthyen pas,
ndaj u trishtove.

Zemra ime s’ta tha:

Ndërroi adresë,
kur u largove.

LULEDIELLI

Mes zhegut e plasur,
kokëzbathur,
i vjen...

... për t’ia mbathur.

Ndërkaq pendohet,
ngaqë kujtohet
si emërtohet.

OQEANI


Qëndronim përballë.
Heshtnim vetvetiu.
Fjalët shpesh herë
të tepërta janë.

Si uji i mbledhur
pas një shiu
mbi oqean.

ELEKTORALE

Do desha të përmblidhja
me pak fjalë
gjithshka u tha
nëpër fjalime:

“Nga dashuria për të vdekurit
shkojnë edhe mizat
në varrime”.

NGUSHELLIMI

Ndodhi një herë në rininë time:
harrova emrin e të dashurës
dhe porsa qemë fejuar (!)

Mendo t’i harroja ngjyrën e syve,
të blertën e lulzuar!

KAMELEONI

Çdo mëngjes, pasi rruhem,
instiktivisht
i bëj një gërmacë përqeshëse
pasqyrës.

Më shkon mendja tek kameleoni,
që ndërron ngjyrat
e fytyrës.