Dje kisha një nga surprizat më të mëdha të jetës sime. Nga ato që të ndodhin mu përpara syve, por ti nuk mund t’u besosh atyre. Ngaqë ajo që ndodh të duket jashtë realitetit. Thjesht e pamundur.
Duke shfletuar në mëngjes një gazetë të lehtë sportive, nga ato që i merr në kioskat e metrosë, pa para, pak përpara se të hapen zyrat e firmës ku punoj, në një lokal veror përpara tyre, sytë më ranë tek lista e eliminatoreve të EUROPA LEAGUE (ish Kupa UEFA) në futboll.
Menjëherë u prek sedra ime prej tifozi. E mbylla me forcë gazetën dhe e hodha në ndenjësen pranë. Ç’të shikoja? Ke pare ti? “Olymiakosi” i Pireut, ekipi im i zemrës, për të cilin harxhoj çdo vit një pjesë të konsiderueshme të të ardhurave të mia, që të siguroja një vend të sigurtë abonimi në tribunën kryesore të “Karaiskaqit”, (pranë të cilit, madje, që të jem afër, kam blerë edhe shtëpinë time në Athinë), këtu e dhjetëvjeçarë frekuentues i rregullt i salloneve mondane të CHAMPION LEAGUE, kampioni i përhershëm i Greqisë, tashmë, këtë vit të mbrapshtë sportiv ishte i detyruar të zbriste në “bodrumet” e vendit të pestë të kampionatit helen dhe, kësisoj, të detyrohej të luante, në pikë të vapës (ku?!) në... grupin e parë të eleminatoreve të UEFES, duke pritur (o zot!!!) edhe dy grupe të tjera eleminatorësh, për të zënë vend (prapë, ku?!) në “stallat” e grupeve paseliminatore të kësaj komedie. Tragjedia e tanishme ekonomike e Greqisë është pasqyruar më së miri në fatin e sivjetshëm të kamarit të saj, “Olympiakosit”.
Por prapë, diçka më shtyu ta rihap gazetën. M’u kujtua titulli i rubrikës: “Kundërshtarë për të gjitha shijet”. Thashë të shikoja, se cilët mund të ishin kundërshtarët tanë, nga ajo listë e stërgjatë ekipesh të panjohura, me qëllim që të programoja, në ia vlente, ndonjë udhëtim turistik me ekipin, në këtë angari të pashembullt, që na kishte gjetur. Porosita një “fredo espresso” të dytë dhe fillova të lexoja. Kur, aty nga fundi, sytë m’u stepën në një vend të gazetës, tek një emër i vogël ekipi, të cilit i kthehesha dhe i rikthehesha për të satën here, thjesht ngaqë nuk u besoja syve. Ç’dreq! E kisha matur në mëngjes tensionin. E kisha mirë... Mund të më bënin një lojë të tillë sytë e mi, akoma të përgjumur?!
... ... ...
“Santa Koloma” (Andora)
“Sahtar Karagada” (Kazakistan)
“Laçi” (Albania)
... ... ...
O zot, ishte e mundur?!
Një lumë i rrëmbyer emocionesh më kishte përmbytur të tërin, më kishte kthyer kaq pas, në një kohë dhe botë kujtimesh të magjishme, aq sa hutimi im u ra në sy kolegëve të tjerë, aty pranë, sa që njëri më tha: “Je mirë? E ke matur tensionin?”
Doemos, tensioni im i kishte kaluar të 20-tat. Surpriza ishte e madhe. Pra, ishte krejt e mundur, që “Olympiakosi” të luante në grupin e parë të këtyre eliminatoreve me... “Laçin”.
Jo, këtë nuk mund ta përfytyroja kurrë!
Ishte njëlloj si të gjendeshin në të njëjtën tryezë, në të njëjtin kampionat eliminator shahu, dy të dashurat e tua, ajo e rinisë dhe e tanishmja, dhe ti të ishe i detyruar t’i ndiqje. Shiko, ç’lojë të çuditshme të luan nganjëherë fati?!
Tani pasdite, kur po kthehesha me makinën time nga puna, tek isha ndaluar para një fanari udhëkryqi, një motorçiklitist, me kokoren metalike në kokë, i ra kabinës së makinës sime, me atë dorën e tij si panxhë ariu, poshtë një doreze të trashë, siç bëjnë rëndom ata drejtuesit e mërzitshëm të motorrave, për të korrigjuar në vend kodin rrugor të rivalëve të tyre të përjetshëm, drejtuesve të makinave të vogla, siç isha unë në ato çaste. U bëra gati të hapja me forcë portën e makinës sime, për t’i dhënë edhe unë mësimin në vend “korrigjuesit” tim, duke e përplasur me inat në trotuarin përballë, por ndërkohë, motorçiklisti kishte hequr kokoren e tij metalike dhe mu para fytyrës sime shkëlqenin ca dhëmbë të bardhë dhe dy sy të dashura.
-Hë, ta mban? - më kërcënoi ai, duke mos e fshehur gëzimin, për inatin që më kishte shkaktuar.
-Ma mban! - i thashë. - Bëj anash, tek ai dyqani atje, pranë metrosë. Ta tregoj unë...
Pas pesë minutash ishim ulur tek një lokal veror, me dy gota të stërmadhaja birre Gjermanie përpara. Unë dhe Luan Xhuli, miku im i dashur, të cilin kisha ditë, që nuk e kasha parë.
-Të kishim pak nga ai peshku gjigand, që zure në Monemvasia, bashkë me Pilon! - përshpëriti Luani.
-Pse s’thua të kishim pak nga peshku Pilo, - i thashë unë. - Peshku kishte një shtat me Pilon. Kë të haje nga të dy, njëlloj do të ishte. Por prit... peshku Peshk ishte më i shijshëm se peshku Pilo. Kishte më shumë tru.
Na sollën ca cironka të pjekura (si për inat të peshkut Peshk dhe të peshkut Pilo), bashkë me një pjatë specash të tiganisura, të cilat kishin humbur ngjyrën e tyre origjinale, për shkak të vajit të shumëpërdorur.
-Këto janë si poezitë e Vaidit. Nuk djegin, - i thashë Luanit, pasi e dija, që i kishte zët specat djegëse.
-Ç’thua, more! - kundërshtoi ai. - Mua më pëlqejnë shumë. Më përvëlojnë shpirtin.
-Po u ka dalë boja, mor xhan, - i thashë, - ka të njëjtin vaj, këtu e dyzet vjet, që e njoh unë.
Luani nuk kishte të njejtin mendim me mua. Punë e tij. Por kishim të njejtin mendim për shijen e birrës gjermane, prandaj porositëm edhe nga një tjetër.
-Ta them qysh tani, - e paralajmërova unë. - Nuk marrim tjetër. Pij ilaçe...
As që më ra në mendje, që si unë, ashtu dhe ai, po shkelnim kodin e qarkullimit rrugor. Tashmë Luan Xhuli më kishte dehur të tërin. Jo me alkol, duhej të zbriste nga Rixhvudi Vaid katanai, që të më ndodhte mua kjo thagmë, por me poezitë, që m’i kishte lënë ndërkohë në duar, alkoli i të cilave, si gjithmonë, më kishte elektrizuar. Se nuk mund ta fsheh. Luan Xhuli është dobësia ime. Jo më kot, kritika greke, kaq snobe për krijimet e të huajve, e ka pritur krejt ndryshe poezinë e tij. Poezinë e bukur të mikut tim, atë shtrat lumi alpin, që duke zbritur nëpër rrëpirat e shpirtit të tij, bëhet gjithmonë e më i kulluar, përherë e më etjeshues.
-Ku humbe? - më ngacmoi Luani.
-Oh, kam harruar portofolin në shtëpi!
Rudhi buzët, më pa gjithë dyshim dhe tha, me një rënkim të stërzgjatur:
-Unë s’ia kam parë ndonjëherë ngjyrën portofolit tënd.
Pastaj shtoi:
-Ore, vërtet, si kanë bërë me ty, ata të dy, Piloja me Vaidin?! Të fortë, për nder!
U ndamë, pasi i premtova, se do ta prisja të nesërmen, që të cimbisnim diçka, në kohën kur do të lija punën. Harrova t’i them, se të nesërmen nuk do të shkoja në punë, për një hall të familjes.
Me të mbërritur në shtëpi, duke zbrazur xhepat në komonë pranë hyrjes, pashë një letër të palosur, pranë kartmonedhave të parave. Ishte njëra nga poezitë e reja të Luan Xhulit. U shtriva në verandë, pasi i thashë gruas se nuk kisha uri, ngaqë kishim shumë punë dhe isha tejet i lodhur (“Merre me mënd, as një kurabiçkë nuk vura në gojë, shpirti im, gjithë ditën!”). I hodha edhe një sy tjetër poezisë së Luanit. Më pëlqeu përsëri. Eh, ç’mik më ke, or Luan Xhuli! Sa herë t’i lexoj, t’i pëlqej poezitë! Jo si ai, harami i Rixhvudit, që një fjalë të mirë për vjershat e mia, nuk e tha as një herë. Edhe kur i ziu Pilo, kishte shkruar dikur një shkrim vlerësues për mua, i ishte hakëryer: “Ti nuk zihesh! Je nën nivelin e detit!”
Po bëj një sprovë, o Luan: po hedh këtu poezinë tënde. Dhe jam i sigurtë: instiktivisht, kanë për t’i dalë Vaid Hyzotit thonjë e çakallit. T’ia shijosh edhe ti! Ngaqë ia pëlqen poezinë...
Kamarierja na drejtoi për tek tavolina e fundit.
-Vetëm tavolina e ushtarit është e lirë,-tha ajo si e zënë më faj.
Nuk doja të rrija atje, madje kërkoja një tavolinë në hyrje, jo më të isha afer asaj "të ushtarit".Kisha pirë kafe dje në këtë bar me emrin "Shqiponjat".Në fillim pata një si ndjenjë ngazëllimi,kur dallova që larg flamurin shqiptarë dhe atë amerikan në farfuritje.Lokali ishte në krye të një sërë godinash njëkatëshe,që ishin zyra apo dyqane të vogla,minimarkete.Sa hyje brenda të dukej se kaloje si në revistë tërë Shqipërinë. Madje edhe emrat e tavolinave u përgjigjeshin pamjeve, fotografive në sfond.Ja,tavolina e Rozafatit,e Krujes,e Saradës,Tiranës...Vetëm një tavolinë e madhe në fund të lokalit nuk kishte emrin,madje as kishte ndonjë pikturë,apo fotografi. Dy rekuizita te vogla prej xhami kishin nga një bluzë marinsi; njëra e shpuar nga plumbi në mëngën e majtë,tjetra-akoma e përgjakur.
-Mos u habisni që kam shpëtuar.Nuk ka plumb që ta vrasë shqiptaro-amerikanin që lufton terrorizmin Jo vetëm në Falluxhah të Irakut,por dhe në Polin e Veriut,në xhunglat e Afrikës,kudo që ka terroristë jam gati të shkoj...-nisi fjalimin e përditshëm djaloshi i veshur me uniformë marinsi.
Askujt nuk po i bënte përshtypje fjalimi i tij patetik.Ndoshta ishin mësuar ta dëgjonin çdo ditë, ndoshta edhe vidiot në televizorët e sallës kushedi sa herë e kishin transmetuar atë.Vetëm ca syresh e shihnin me keqardhje dhe pëshpëritnin:"Sa djalë i mirë ka qenë.U bë gjytrym për tekat e të atit".
Kamarierja,si duket e kuptoi hezitimin tim:
-Mos u shqetesoni, Besmiri,ushtari , nuk vjen sot, është shtruar prapë në spital , i shkreti. Rrini të qetë dhe mirë se erdhët
Zumë vend.Xha Mustafa, që sapo kishte ardhur nga Shqipëria,u bë me krahë që po gjente një kafe kaq pranë shtëpisë së të birit dhe ku shërbehej dhe flitej në shqip.
-A ka fernet këtu?
-E do "Branca", apo të Tiranës,si të duash...
-Më sill një dopio të vendit dhe nje ekspres streto,-i tha kamerieres dhe na u drejtua ne:-Tani këtu më keni çdo ditë.Të vonohet djaliu sa të dojë...Do të gjej ndonjë shok të tjerr kohën.Po këto televizorët a e dijnë shqipen?
-Kemi edhe video, edhe program direkt...
-Po çfarë kanë vidiot?Humor me Koço Devolen?
Kamarierja mori një kasetë që i zuri dora dhe telekomandën...
-Shihe, more, po sikur e njoh këtë...A mos është ky Brahim Brahushi,berberi i Selvisë?Po ç'e paska këtë kollare të madhe si ministër.Mos e kanë bërë ministër këtu në Amerikë?
Kamarierja duket shumë e muhabetit dhe nuk besdisej nga pyetjet e shumta të xhaxha Mustafës:
-E ç'është ministri para Brahushit?Asgjë. Brahushi është pronari i këtij lokali dhe i tre dyqanëve të tjerë në këtë zonë.Në një shtet tjeter ka blerë një pikë karburanti...Brahushi është dhe babai i ushtarit,-nxitoi së fundi të sqaronte kamarierja,sepse po i bënin shenjë nga një tavolinë tjetër për pagesën.
-Allah Brahush berberi qenka bërë pasanik i madh në Amerikë,-foli nëpër dhëmbë xha Mustafa me sytë tek televizori-Pa prit,prit,çfarë thotë?Brahushi qenka dhe kryetar i shoqatës së intelektualëve shqiptaro-amerikanë Zot,na ruaj kaplloqen,se po na bie ta shkelim me këmbë Mirë për tregëti,po paska patur edhe shkollë?
Në vidio një gazetar i televizionit lokal,po intervistonte Brahushin,pas zgjedhjes si drejtues i intelektualëve:"Tërë jetën time ia kam kushtuar drejtësisë dhe ekonomisë së tregut.Amerika shpalosi para meje horizonte të ndritura Amerika-vendi kampion i demokracisë...".
Xha Mustafa kroi kokën me shejtani; e njihte mirë Brahushin...
U linda në Jorgucat të Gjirokastrës më 1959. U rrita në Laç. Studiova Filologji. Pasi punova për dy vjet mësues letërsie në Mirditë dhe Krujë, deri sa u largova nga Shqipëria kam qenë gazetar profesionist. Prej vitit '91 jetoj familjarisht në Athinë, ku jam marrë me shtypin e emigracionit. Kam qenë në kohë të ndryshme kr/redaktor në gazetat "Zëri i emigrantit", "Rilindja XXI", "Tribuna", në revistën "Pelegrini" dhe drejtor i gazetës "Albanews". Aktualisht, shkruaj letërsi dhe botoj e drejtoj revistën letrare dhe artistike "Pegasi".
“Grigor Jovani ka lindur “Ditën e Gënjeshtrave”, për të thënë në poezi Të Vërtetën”.
NAUM PRIFTI
(Nju Jork)
“Është vështirë të gjesh gjetkë një pikëtakim të tillë, të cilin edhe Morrisey i Madh i lirikës do ta kishte zili. Është fjala për pikëtakimin tipik të poetit Grigor Jovani, i cili vjen mitik në poezinë e tij. Jovani del nga kuadraturat ballkanase dhe krijon anën pikëtakuese Perëndimore, duke sfiduar parësoren dhe duke i dhënë shans dytësores”.
FATMIR TERZIU
(Londër)
“Sjell vlera të mrekullueshme ky poet i vërtetë. I hoqa mënjanë, mezi kursehen në këto kohë. T’i kem aty, kur shpirti të ndjejë dimër...”.
FARUK MYRTAJ
(Toronto)
“Mund të them pa frikë se shtëpinë vjershave ua ke ndërtuar me gurë të skalitur, betonarme, që nuk e shembin dot as breshëri, as dëbora e tufani dhe as tërmeti me nëntë ballë. Shtëpia e vjershave të Grigor Jovanit qëndron e fortë dhe e patundur në mjedisin e poezisë më të arrirë shqipe”.
HYSKË BOROBOJKA
(Tiranë)
“Unë, që zakonisht ruhem nga superlativat, pasi lexoj poezitë e tua, them që je poet i mrekullueshëm, Grigor, gjithnjë befasues. Je poet i lindur, vllajo!”
ALBANA MËLYSHI-LIFSCHIN
(Bruklin)
“Poezia e Grigorit ka një qartësi që të habit me reflekset e dritëzave, nga përthyerjet në prizmat poetik dhe jetësor. Syri i hollë vëzhgues, depërtimi në labirinthet dhe të fshehtat e shpirtit të njeriut, veshja me një vello të butë hënore e motiveve jetësore, të ngritura në art, i japin poezisë së tij brishtësi, freski dhe veçanti”.
MYSLIM MASKA
(Athinë)
“Ndihem e respektuar dhe shumë e kënaqur me poezitë e Grigor Jovanit. Mundësisht, sa më shumë prej tyre, aq më ushqim për shpirtin. Më pëlqen, sepse shpesh ajo më ngjan me reflekset e asaj copëze kristali, që duke e vështruar, të krijohet përshtypja se brënda kësaj mase të magjishme do gjesh labirinthe pafund ndriçimesh.”.
LINDITA AGOLLI
(Tiranë)
“Vërtet të bukura poezitë e Grigor Jovanit. Të mrekullueshme! Më të koncetruara se vera që dehu Polifemin. Poezitë e tij, pa veçuar asnjerën, janë vërtet si një verë e vjetëruar, që sa më shumë të pish, aq më tepër do që ta ngresh gotën”.
NDUE LAZRI
(Bolonjë)
“Një poezi që të bëhet e dashur dhe të intrigon, aq sa ti, si lexues, ke njohur një poet jo të lodhshëm, por një bashkëbisedues të sinqertë dhe një mik të madh të njeriut”.
STEFAN MARTIKO
(Athinë)
“Jovani poet është tejet i çlirët, tejet i natyrshëm e komunikativ, tejet i ndjerë. Xixëllimi i poezisë së tij është në të përditshmen, pa asnjë lloj autocensure, por me një liri të habitshme. Në dukje të thjeshta, të gjitha poezitë kanë filozofinë, përjetimin e thellë, figuracionin e mjaftë për të shprehur me veshjen më të bukur mendimin”.
VAID HYZOTI
(Rixhvud)
“Ti fluturon me një kalë të magjishëm, miku im, me Pegasin. Ndaj krijon vargje të tilla. Dikur kisha bërë edhe unë një poezi, në qelinë e burgut: “Erdhi Pegasi në qelinë time”. Tani vjen tek unë ti, me kalin tënd fluturak. Me poezinë tënde të mrekullueshme”.
VISAR ZHITI
(Romë)
“Miku ynë, Grigor Jovani, është trajektore e spikatur në qiellin e poezisë së krijuesve jashtë Shqipërisë (ndoshta është ky qiell edhe më i kompletuari me yje). Kështu na vjen vlera e tij, duke u informuar me poezinë më të mirë që bëhet në Amerikë, Itali, Angli, Greqi e gjetkë”.
NOVRUZ ABILEKAJ
(Athinë)
“Poezi që botohen në vend të fjalëve të një urimi. I lexoj me një frymë, se ato dreqka janë një grimë, si sheqerkat e dashura të nënave korçare, përpihen menjëherë. Dhe më vjen të them, se ai që ka zemër të sëmurë, mund t’i kërkojë Grigor Jovanit një të re. Ai shejtan ka sa të duash”.
ROLAND GJOZA
(Nju Jork)
“Duke lexuar poezitë e Grigor Jovanit nuk mund të jesh indiferent, sepse ato të ngjiten pas shpirtit, si pjesëz e ndjesive të tua si lexues e kjo sepse ai është tepër i sinqertë në atë çfarë ka përjetuar e mishëruar në vargje, që në dukje mund të shfaqen të thjeshta, por gurgullojnë si burimet poshtë gurëve e fletëve, për t’u shfaqur më pas kristalore”.
KOLEC TRABOINI
(Boston)
“Këndo, Grigor Jovani, këndo këngën e bukur,/ atë këngë, që shpirti ta thotë,/ si dallgë, si valë, si e erë lehtë/ të bjerë zemrave tona, si puhizë e ngrohtë!”
PETRAQ J. PALI
(Virxhinia)
“Të shkurtra vërtet poezitë e Grigorit, por a s’janë të çmuar diamantët, pikërisht mes pakësisë sëformës së tyre?”
THANAS BOÇI
(Athinë)
“Në radhë të parë të uroj për keto poezi, që më dhanë kënaqësi të veçantë. Jo vetëm që jeni PURE i pastër në poezinë që shkruani ( siç thotë për juF.Terziu), por shumë i pastër dhe dashamirës në mendimin kritik ndaj miqve. Lum ata/ ato, që të kanë pranë!”
JULIA GJIKA
(Amerikë)
“Kjo poezi është një rrugëtim pa fund në botën e brendëshme të Grigor Jovanit, që rreket “të pushtojë” e të qetësojë shpirtrat tanë të munduar. Poezitë e Jovanit kanë një varg konciz, të lirë e bashkëkohor, ku të gjithë ne, miq e lexues të tij, e ndjejmë veten aq pranë, sikur të ishim pranë oxhakut të ngrohtë të shtëpisë së tij, në një ditë dimri”.
MIHO GJINI
Mjeshtër i Madh
“Na shtove bukën e kësaj vere, t’u shtoftë bereqeti! Të falenderoj për këto poezitë e bukura, secila sjell metaforisht një fabul, sa të këndshme, aq edhe mbreslënëse”.
AGIM BACELLI
(SHBA)
“Unë u përpoqa të të ndiqja në udhëtimin tënd brenda vetes, por nuk munda, u dorëzova, mbeta pas dhe kërkova gjirin tim, më të qetë, por nuk më linin ato dallgë, që më ngrite ti në mendje dhe në zemër, o Gole. Po me mua ç’pate?! Apo, ç’desha unë, që u ngatërrova me detin e shpirtit tënd?!”
LLAZAR VERO
(Filadekfia)
“Të bëj portretin poetik të Grigor Jovanit? Poet lirik i mrekullueshëm, ironik dhe i drejtpërsëdrejti, plot vezullime ngjyrash, ku në një pasqyrë të madhe sa bota sheh fytyrën e njeriut, nëpërmjet një vetvetjeje plot nerva, ndjenja e pasione të sinqerta...”
PIRRO LOLI
(Tiranë)
“Grigor Jovani luan me poezinë e tij, pse e ka nënshtruar plotësisht atë, vendos ai se në ç’monopate apo bulevarde do ta shpjerë, sa hapësirë do t’i lejojë, në ç’oktavë ta ngrejë apo ulë zërin. Poezia e mirë, si kjo që kemi në duar, detyrimisht është ngushëllim, shpresë, kurajë”.
ROBERT GORO
(Athinë)
“Të paça, o këngëtar, me shpirtin më fisnik,/ me ty sot derte qava, poezia jote mallet m’i ndezi,/ atje ku ti Greqisë, me fjalën e bukur shqipe i flet,/ porsi rrezja e dritës, në një bukuri mëngjezi!”
LLEMADEO
(Gjermani)
“Poezia jote të përkëdhel e të çjerr, të ngroh e të shkakton mornica, të mjegullon sytë e të dhuron një buzëqeshje. Je poet i vërtetë, Gole, e di apo jo? ”.
ZHANETA LAZRI
(Bolonjë)
“Kantina poetike e Grigor Jovanit, prodhon verë me cilësi të lartë. E di që e dini, por pse po e rikujtoj, nuk ka ndonjë të keqe...”
PILO ZYBA
(Monemvasia)
“Shpirti ma ka një maraz:/ do desha vargjet e mia/ të m’i çojë kali Pegas/ në Athinë, tek Gole miku,/ ku selinë ka poezia!”
PANO TAÇI
(Tiranë)
“Asnjë e shtënë tronditëse. Asgjë solemne. Magnetizim që të tërheq. Poezi sa rrënqethëse, aq dhe balsam qetësues. Një “sëmundje”, nga e cila nuk mund të shpëtosh, por infektohesh. Dhe që të duhet shumë mund, për të shpëtuar prej saj. Nëse dëshiron të shpëtosh, gjë që e konsideroj të pamundur”.
ALUSH AVDULI
(Sarandë)
“Mos, o Gole! Mos bëj vjersha të tilla, si ajo me titull '”Orë e çakordisur”, i dashur mik, se mirë ti je i “çakordisur” krejt, por na bën edhe ne të lëngojmë dhimbshëm për atë të shkretë... çakordisje”.
DILAVER BAXHAKU
(Tiranë)
“Usta” më është Grigor Jovani,/ Prej tij dua të vjedh ndonjë varg./ Sado që plasa nga “inati”,/ Mbeta pas tij, si çirak”.