Πέμπτη 6 Μαΐου 2010

VAID HYZOTI NDËRRON "ARMË": ME PROZËN E TIJ, "TRONDIT" "PUNISHTEN" E MIKUT...



           Tavolina e ushtarit
                      tregim

 Kamarierja na drejtoi për tek tavolina e fundit.
 -Vetëm tavolina e ushtarit është e lirë,-tha ajo si e zënë më faj.
 Nuk doja të rrija   atje, madje kërkoja një tavolinë në hyrje, jo më të isha afer asaj "të ushtarit".Kisha  pirë kafe dje në këtë bar me emrin "Shqiponjat".Në fillim pata një si ndjenjë ngazëllimi,kur dallova që larg flamurin shqiptarë dhe atë amerikan në farfuritje.Lokali ishte në krye të një sërë godinash njëkatëshe,që ishin zyra apo dyqane të vogla,minimarkete.Sa hyje brenda të dukej se kaloje si në revistë tërë Shqipërinë.  Madje edhe emrat e tavolinave u përgjigjeshin pamjeve, fotografive në sfond.Ja,tavolina e Rozafatit,e Krujes,e Saradës,Tiranës...Vetëm një tavolinë e madhe në fund të lokalit nuk kishte emrin,madje as kishte ndonjë pikturë,apo fotografi. Dy rekuizita te vogla prej xhami kishin nga një bluzë marinsi; njëra e shpuar nga plumbi në mëngën e majtë,tjetra-akoma e përgjakur.
  -Mos u habisni që kam shpëtuar.Nuk ka plumb që ta vrasë shqiptaro-amerikanin që lufton terrorizmin Jo vetëm në Falluxhah të Irakut,por dhe në Polin e Veriut,në xhunglat e Afrikës,kudo që ka terroristë jam gati të shkoj...-nisi fjalimin e përditshëm djaloshi i veshur me uniformë marinsi.
   Askujt nuk po i  bënte përshtypje fjalimi i tij patetik.Ndoshta ishin mësuar ta dëgjonin çdo ditë, ndoshta edhe vidiot në televizorët e sallës kushedi sa herë e kishin transmetuar atë.Vetëm ca syresh  e shihnin me keqardhje dhe pëshpëritnin:"Sa djalë i mirë ka qenë.U bë gjytrym për tekat e të atit".
    Kamarierja,si duket e kuptoi hezitimin tim:
-Mos u shqetesoni, Besmiri,ushtari , nuk vjen sot, është shtruar prapë në spital , i shkreti. Rrini të qetë dhe mirë se erdhët
    Zumë vend.Xha Mustafa, që sapo kishte ardhur nga Shqipëria,u bë me krahë që po gjente një  kafe kaq pranë shtëpisë së të birit dhe ku shërbehej dhe flitej në shqip.
  -A ka fernet këtu?
  -E do "Branca", apo të Tiranës,si të duash...
 -Më sill një dopio të vendit dhe nje ekspres streto,-i tha kamerieres dhe na u drejtua ne:-Tani këtu  më keni çdo ditë.Të vonohet djaliu sa të dojë...Do të gjej ndonjë shok të tjerr kohën.Po këto televizorët a e dijnë shqipen?
-Kemi edhe video, edhe program direkt...
-Po çfarë kanë vidiot?Humor me Koço Devolen?
  Kamarierja mori një kasetë që i zuri dora dhe telekomandën...
 -Shihe, more, po sikur e njoh këtë...A mos është ky Brahim Brahushi,berberi i Selvisë?Po ç'e paska këtë kollare të madhe si ministër.Mos e kanë bërë ministër këtu në Amerikë?
  Kamarierja duket shumë e muhabetit dhe nuk besdisej nga pyetjet e shumta të xhaxha Mustafës:
  -E ç'është ministri para Brahushit?Asgjë.  Brahushi është pronari i këtij lokali dhe i tre dyqanëve  të tjerë në këtë zonë.Në një shtet tjeter ka blerë një pikë karburanti...Brahushi është dhe babai i ushtarit,-nxitoi së fundi të sqaronte kamarierja,sepse po i bënin shenjë nga një tavolinë tjetër për pagesën.
 -Allah Brahush berberi qenka bërë pasanik i madh në Amerikë,-foli nëpër dhëmbë xha Mustafa me  sytë tek televizori-Pa prit,prit,çfarë thotë?Brahushi qenka dhe kryetar i shoqatës së intelektualëve shqiptaro-amerikanë Zot,na ruaj kaplloqen,se po na bie ta shkelim me këmbë Mirë për tregëti,po paska patur edhe shkollë?
  Në vidio një gazetar i televizionit lokal,po intervistonte Brahushin,pas zgjedhjes si drejtues i intelektualëve:"Tërë jetën time ia kam kushtuar drejtësisë dhe ekonomisë së tregut.Amerika shpalosi para meje horizonte të ndritura Amerika-vendi kampion i demokracisë...".
  Xha Mustafa kroi kokën me shejtani; e njihte mirë Brahushin...


*   *   *
Brahushi kishte një jetë të tërë që punonte berber tek Selvia.E njihnin të gjithë dhe për gërshërën dhe për muhabetin e embël që të bënte kur të shërbente.Kur dilje nga berberhania e tij e kuptoje se nuk kishe bërë një qethje të thjeshtë anash,apo kare,por dhe ishe rruar nga xhepi.Jo se Brahushi ta merrte lekun me hile,por se si qe aq i ëmbël dhe i përshtatshëm në muhabet.Ta shihje  në rrugë Brahushin,nuk e ndërroje me ndonjë drejtor apo ministër.i rruar taze,i kollarisur,syzet me  skelet të verdhe,si të ishin larë me flori.Edhe kur gratë nuk gjenin bojë për flokët dhe i lanin me lëng gështenjash,Brahushi kishte; kurrë nuk e kam parë të thinjur.Sa për zanatçi-jepi hakun-qe mjeshtër.Për njëzet a tridhjetë vjet ai më ka qethur.Zyrtarët e ministrive,drejtorët, shefat-kë nuk ka  patur klientë Brahushi.Të gjithë e donin për zanatin dhe muhabetin.Kur një ditë i mori Palokë Plakut vetëm 5 lekë për një rruarje,e morën vesh të gjithë.Tjetri zgjaste t'i jepte edhe pesë lekë të tjera,po mezallah që pranonte Brahushi."Ik dhe mirëardhsh,prapë Unë e mora hakun tim,-i tha me  zë të lartë që ta dëgjonin të tjerët,-se kaq do të marr   përherë...".Paloka kishte dalë dhe Brahushi po  u shpjegonte klientëve të tjerë:"I bëra 50% zbritje se ai njërën faqe e ka të djegur...".Gazin s'e kish mbajtur asnjeri dhe për dy-tre ditë tregohej si barsaleta më e suksesshme në baret e Tiranës.Paloka s'u duk më tek Brahushi...
Xha Mustafa tregonte rrjedhshëm dhe me humor.Kishte shumë për të thënë.Teksa fliste sytë  i mbante në vidiot e tre televizorëve të sallës.E pyeta në e kish takuar këto vitet e fundit në Tiranë,se  dija që Brahushi kishte shkuar shpesh.
  -Vetëm një herë e takova.U poqëm si miq të vjetër.Më tha se s'po ia kalonte keq në Amerikë,"Por ke par ti,Mustafë se mua më djeg malli për Selvinë,për vendin tim?Sa kthehem në Amerikë,më vjen  të kthehem prapë.Po të mos lëvizja,me siguri do të hidhja rrënjë këtu dhe ju s'do të thonit më "tek selvia",por "te Brahushi"...Nuk e kuptoi njeri pse lokalit që e kish privatizuar ia ndërroi emrin.Madje kur e pamë u habitëm.Në ballë të tij shkroi "BERBER  ME POROSI". Jemi mësuar për këpucë me porosi, fustane dasmash me porosi, por jo berber,dreqi e mori...
    -Po me porosi ka punuar gjithnjë Brahim Brahushi,o xha Mustafë,-desha të sqaroj unë. Dhe i tregova se ,pasi pa që   nuk e hante punën,vrau mendjen si të nxirrte lekun.Se edhe kur punonte berber i thjeshte,gjithjë plot e pati kuletë ai.Merrej me shoferat e "Albanieve",me kontrabandë floriri.Nuk është se ngelesh pa bukë në Amerikë. Madje,që kur erdhën edhe e shoqja ,edhe të dy djemtë punonin.Më beso,të gjithë thonin"s'ka çuna si të Brahushit".Në punë përditë,në shkollë të parët.Por ç'e do,i mori vetë në qafë.Ta dëgjosh djalin,të këputet shpirti.Nejse,tjetri shpëtoi dhe po ndjek kolegjin. Por Besmiri,e bëri budalla të birin me pangopësinë e tij.Dhe i shiko këto njerës në kafe?Shumica thonë se Brahushi u tregua i zgjuar...
  Xha Mustafa po më shikonte i habitur.Ai s'dinte gjë ç'i kishte ngjarë Brahushit.Madje ishte i ngazëllyer nga kasetat,për prakticitetin e tij.
  -Pa më fol më shkoqur,se më hutove krejt,-më tha.
 -Po, Brahushin e kapën në Kanada tek shoqëronte për në Amerikë 23 refugjatë nga Shqipëria...E arrestuan.Zuri një avokat të mirë.E liruan pas tre muajsh dhe e urdhëruan që për të gjithë jetën të mos  shkelë në Kanada...Edhe atë "Berber me porosi" Brahushi e përdorte për të zbukuruar njerëzit,për t'i  përngjasuar personave që i kishin dhënë green cartën për të sjellë njerëz të tjerë.Dhe mua ma ka kërkuar,se gjoja donte të sillte një kushëri të vetin që s'paska ç'të hajë në Shqipëri...
  Xha Mustafa kishte ngelur i shtangur:
-Po çfarë ngjau më pas?
  -Erdhi në Amerikë, por ia mori emigracioni dokumentat.Ishte djegur kot, se për tre muaj duhet të merrte pasaportën amerikane.Dhe e gjeti zgjidhjen:nisi lufta në Irak dhe hoqi djemtë nga puna dhe shkolla, i çoi ushtarë.Pa krijoi gjoja shoqatën e intelektualëve dhe ku shkel dhe për çfarë bën pas e ndjek kanali televiziv shqiptar. Me siguri i ka paguar mirë.Të gjithë këto kaseta përdori avokati i tij si dhe një tjetër nga darka që shtroi kur u kthyen djemtë nga Iraku. Sot Brahim Brahushi është qytetar amerikan...
   -Sa të rrosh do të dëgjosh. Po a vjen këtu, se paskam qejf ta takoj e t'i them nja dy fjalë,-xha Mustafa më kishte ndjekur me vëmendje.
  -Aaa... s'e sheh lehtë këtu Tani është në Shqipëri.Përsëri me refugjatët që duan të shkojnë në Evropë.Megjithese dikush më ka thënë se e kanë parë në Kinë.S'e di në merret me tregtinë e kukullave "Barbie"që dolen me kimikate, s'e di a po viziton vendet e tjera aziatike. Por mbase interesohet për lojërat olimpike "Kinë 2008 .Mund të zgjidhet shef i organizimit...
  Qeshëm të dy për një çast.Po pinim kafe tek "Tavolina e ushtarit" në klubin e Brahim Brahushit në Amerikë.
 Nju Jork, 2007

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου