Πέμπτη 10 Ιουνίου 2010

ALI PODRIMJA Për kë shkruajmë? - esse -



Në një qytet të Bavarisë, rastësisht më ra në dorë një gazetë e Zagrebit. Duke e shfletuar, hasa një tekst të mikut tim, Mirko Kovaç. Me kënaqësi fillova ta lexoj. Vazhdimi ishte dramatik, me plot gërçe. Ajo që e thoshte shkrimtari i nderuar, nuk dëshiroja të ishte e vërtetë. Ishte diçka monstruoze. Diku në Bosnjë, në qytetin Foça, kryesisht i banuar me myslimanë, jeta kishte marrë tatëpjetën. Iracionalja mbisundonte arsyen. E kuptoja revoltën e mikut, por nuk mund ta merrja me mend, se njeriu ishte shndërruar në një gjësend pa vlerë, se në mbarim të shekullit XX urrejtja ndërnacionale ishte bërë instinkt dhe Evropa ishte shndërruar në një teatër të absurdit.
Sipas shkrimtarit të nderuar, njëfarë Vojisllavi, profesor serb i Universitetit të Sarajevës, rrugëve të përgjakura të Foçës ishte parë tek luante futboll me koka të myslimanëve të masakruar. Nga ato viktima, ndoshta ca kanë mundur të jenë dhe studentë të tij, të cilët atje, buzë Milackës piktoreske, përcillnin ligjëratat e tij mbi të bukurën në art. Vojisllavi kishte harruar se ishte profesor i Universitetit e që merrej herë pas here edhe me mjeshtrinë e shkrimit. Ai ishte shndërruar në një fantom dhe me gradën e majorit ushtarak kishte marrë pjesë në vrasje të shumta dhe pastrime etnike. Rrënimi i Vukovarit, i Mostarit, i Dubrovnikut, i Sarajevës dhe i shumë fshatrave e qyteteve të tjera më pak të njohur flitnin bindshëm se nuk ishte fjala vetëm për psikoetikën e individit.


***
Paranoja, nga dita në ditë zbulonte fytyrën e vet të shëmtuar, jo vetëm në shkrime bulevardeske, por edhe ne etnosin, ideologjinë dhe filozofinë e një populli, që i afrohej katastrofës. Në krye të asaj të keqeje qëndronin shkrimtarë, gjysmë-shkrimtarë, intelektualë, kuazi-intelektualë, politikanë të dyshimtë e kriminelë në zë, që i gjurmonte dhe policia ndërkombëtare. Me programe nacionaliste dhe elaborate fashistoide mbusheshin bibliotekat ose krijoheshin të reja, sipas skenarëve. E kë nuk e shqetëson kjo? Në vetëdijen e krijuesit kishte ndodhur një eklips i tmerrshëm, humaniteti dhe dinjiteti nuk ekzistonin më. Sipas kokave nacionaliste, një “popull qiellor” nuk mund të gabojë. Atij i lejohej çdo gjë, edhe krimi. Toka serbe shpalleshin brenda nate edhe ato vende, ku një qorr apo topall i sojit të tyre kishte kaluar ndonjëherë. Ekspeditat ndëshkuese shpejtonin të shlyenin çdo gjurmë nga trashëgimia kulturore e identiteti i të tjerëve, në trojet e pushtuara me dhunë. Nga një filozofi primitive, nuk mund të lindte diçka njerëzore, pos një krijesë kiç, pikëlluese, pa vlerë, me një mjerim të thellë shpirtëror. “Nacionalizmi është një kiç”, thoshte Danilo Kishi. Nacionalizimi u bë ushqim kryesor për mediokër, që shtoheshin rreth tryezës nacionale. Ata krijues të paktë, të cilët kishin guxim intelektuali t’i kundërvihen kësaj paranoje kolektive, shpalleshin tradhëtarë të interesave kombëtare, botuesit ua mbyllnin dyert, ose detyroheshin të mernin udhën e ekzilit. Guximi i Mirko Kovaçit ma kujtonte fatin e një poeti serb, i cili, duke parë në ekran të TV-së, se ç’po ndodhte me fëmijet shqiptarë në demostratat paqësore, ku policia serbe i masakronte, ngaqë kërkonin atë, për të cilën kishin luftuar më parë edhe prindërit e tyre. Poeti kishte parë shkakun e turpit dhe mjerimit të popullit të vet. Pas disa ditësh, më kishte rënë në dorë një poezi e tij për fëmijët shqiptarë, që kishin rënë nga breshëritë e plumbave dumdum, të cilën e kishte shkruar natën e kobshme. “Ti mund ta botosh. Unë do të të jem mirënjohës tërë jetën, se më ndihmon ta pështyj në fytyrë nacionalizmin e popullit tim”, në telefon kaq më kishte thënë. Por një letër kishte bërë një gjysmë viti udhë. Poezia për fëmijët shqiptarë, mllefi i tij, nuk ishin thjesht një gjest Ajo që e thoshte poeti, ishte një përplasje me regjimin totalitar. Ai besonte në vlerën dhe lirinë e njeriut. Para së gjithash, ai mbronte etikën e shkrimtarit, në një kohë të ligë, kur euforia nacionaliste, metaforë e së keqës, është një ekstazë dhe më e forte, se fjala e tij prej humanisti.
Devalvimin shpirtëror të krijuesit, që mundonte jo vetëm Mirko Kovaçin, e theksonte edhe më rëndë disidenti dhe bardi malazez, Jevrem Bërkoviq, në një tubim të mbajtur në Bled. Por tmerri e agrisiviteti i një diktature nacionaliste nuk ishin diçka e papritur për shqiptarët. Vrasjet, ekzodet, ndjekjet dhe tmerrin e bardhë e kishim përjetuar me dhjetra herë gjatë historisë sonë. Duke konstatuar, vetëm se atje në Ballkan ndodhka diçka e tmerrshme, kujtesa jonë nuk mundi t’i shlyejë vajet dhe britmat mbi të vrarët e fëmijët e masakruar. Mjafton të lexohet libri “Luftërat e Toplicës”Dimitrije Petroviqit e do të bindeni nëpër çfarë golgote kaloi populli ynë…

***
T’i kthehemi të tashmes, që na është bërë shqetësim i përbashkët. Në fillim të viteve 80-të, në Beograd u mbajt takimi i parë dhe i fundit ndërmjet shkrimtarëve serbë dhe shqiptarë. Midis fqinjëve kërkoheshin shtigje, për një mirëkuptim e dinjitet. Por, ç’ndodhi?! Shkrimtarët serbë, në vend që të përkrahnin kërkesat e arsyeshme të shqiptarëve, rreth thellimit të bashkëjetesës në këtë pjesë të shqetësuar të Ballkanit, u shpallën luftë dhe, për çudi, këtë nxitonin ta bënin para Sheshelit, Arkanit, policisë dhe ushtrisë serbe. Gjeniun krijues serb nuk dua ta fyej, por atë nuk mund ta pranoj si kreator të një ideologjie nacionaliste.
Emrat që i përmendte Bërkoviq, në tekstin e vet, fatkeqësisht i njihja. Ata ishin shkrimtarë, që zjarri i brendshëm demonian i kishte mundur. Tashti ata gjendeshin në krye të ekspeditave vrastare, të pastrimeve etnike dhe gjenocidale. Udha e krimeve ishte përgatitur me vite, në kontinuitet: nga poetika e viktimës, si popull i shtypur, i persekutuar, i keqtrajtuar dhe i vrarë nga të tjerët, deri te mistifikimi i një patosi  folklorik. Nëse një nobelist, siç ishte Ivo Andriq, ose një akademik serb, siç ishte Vasa Çubriloviq, njëri nga atentatorët e Sarajevës të vitit 1914, pas të cilit shpërtheu Lufta e Parë Botërore, patën guxim që, sy e faqe Evropës, të shkruanin elaboratet bizare të viteve 1937, ’39, në stilin e Gebelsit, për zhdukjen e qenies kombëtare të popullit dhe të shtetit shqiptar nga faqja e dheut, pse të mos vepronin kështu pasardhësit e tyre mediokër, që për virtyt e pranojnë rrenën dhe filozofinë e tyre nacionale e ngrisin mbi të. Apo siç  thotë, kryearkitekti i ideologjisë nacionaliste serbe, Dobrica Qosiq: “rrejmë në mënyrë kreative… të paramenduar”. E, kjo nuk bëhej për shkak të ekzistencës, siç mendon Qosiqi, por për të fshehur dhunën, krimet dhe frikën e fajësisë. Ndërkaq, për një popull dinjitoz, vrasjet, rrënimet e plaçkitjet nuk janë cilësi e dinjitetit. Shkaktar për një rënie kaq të madhe, para se gjithash, është euforia nacionaliste, e cila kishte krah të fortë pseudoshkencën dhe propagandën e saj pansllave, brenda e jashtë trevës gjuhësore sllave, që bën çmos të mohojë autoktoninë e të tjerëve, pra edhe të shqiptarëve. E, kjo të shtynë të mendosh, se populli serb ka zënë të ndjejë ndjenjën e inferioritetit ndaj të tjerëve. Bota e ka të qartë, se kush nga është, ndërsa një popull autokton, askund në botë, nuk mund të shpallet ardhacak. E vërteta për shqiptarët, si pasardhës të ilirëve dhe popull autokton në trojet e veta, nga dita në ditë vjen e forcohet, me dëshmi e vepra jo vetëm të shkencës shqiptare. Pjesëmarrja e shkrimtarëve në euforinë nacionaliste, le të kuptohet si fatkeqësi për artin e lirinë e njeriut. Nëpër veprat e shkrimtarëve, që i përmendte Bërkoviq me një shqetësim të thellë, nëpër fjalët e simbolet e tyre bridhte e keqja, e akumuluar me vjet dhe e mbeshtjellë me gjak të zi. Ishin ato imazhe të errëta e përmbajtje të vdekura. Në to, dorë e krijuesit, më së pakti, hetohej. Theksimi i tepërt e arrogant i krenarisë dhe i ndjenjës nacionale kishte arritur të zhdukë çdo dallim të mundshëm në mes nacionalizmit dhe kombëtares.

***
Ishte fillimi i verës në Bavari, kur i mblodha copat e verdha të gazetave, që më vinin nga Jugosllavia e mbeturinave dhe në fund të kopshtit ua vura zjarrin. Njëherë e përgjithmonë dëshiroja të lirohem nga ankthi i tmerrshëm, që njeriun e kishte poshtëruar, atje në Ballkanin tragjik. Nga leximi i shtypit të verdhë hoqa dorë dhe më rrallë ndizja TV-në. Në bibliotekën familjare, fillova ta kaloj kohën, duke lexuar vepra nga autorët antikë. Më mundonin fjalët: gjak, ekzod, vaj, bukë. Fundshekullin e shihja, si hynte në oborrin tim, mjaft i lodhur dhe i leckosur. Përpiqesha të vë dialog me njerëzoren, me të bukurën dhe me të gjallën, që ende frymonte rreth meje. Bota vazhdonte të sillej rreth meje sipas ligjit të dhunës apo, si e quaja në shaka me miqtë e mi: pendrek demokracia serbe ishte në lulëzim të plotë. Njeriu nuk vlente më as për pesë para…
Kthehesha në shtëpi dhe në një vitrinë librash, aty ku para ca vitesh, në demonstrata të mëdha paqësore të shqiptarëve ishte qëlluar për vdekje një fëmijë, ma tërheq vëmendjen një fotografi karakteristike, që kishte zënë të zbehej, më tepër nga turpi. Ishte një luftëtar serb, i cili kthehej “triumfalisht” nga një fushëbetejë në Kroaci, duke i “falur” botës një buzëqeshje karakteristike, me një varg plot gishtërinj njerëzish, që e kishte varur rreth qafës së shkurtur e të trashë. Fotografia fliste më shumë se çdo libër i tmerrit. Ai luftëtar, me atë pozën karakteristike të ngadhënjyesit, i cili mendonte, ndoshta, se ata gishtërinj njerëzish rreth qafës së shtypur ishin speca të vjelur në ndonjë kopsht të Shumadisë apo të Vojvodinës, dëshmonte për një shthurje të madhe në Ballkan. Ai ishte, me siguri, prototip, që e kishte paralajmëruar nga studioja e vet krijuesi i njohur, zoti Orvell. Ditët më shkonin ters. Gishtërinjtë e njerëzve rreth qafe dhe ajo pozë karakteristike e luftëtarit të gjorë, më rrinin parasysh e posaçërisht më tmerronte qetësia e akullt e Evropës, që nuk i lëvizte as qërpiku i syrit, kur ia dërgonin peshqesh kokat e prera të njerëzve. Kur nëpër gjësendet e mia, sapo kishte filluar të shtrihet hija e vdekjes, i shkrova një miku të pendës: “Të lutëm, më thuaj për kë shkruajmë?” Përgjegja e tij ishte e shpejtë dhe ekvivoke: “Për Ballkanin e di ku bie, por Serbia me gjasë nuk gjendet në Evropë…” Ishte ai intelektual i një metropoli....

***
Tek lexoja librin “Mbretëria e Osmanlinjve”, të turkologut të mirënjohur austriak Joseph von Hamer, nga kapitulli në kapitull, zbuloja mistifikime të mëdha në shumë vepra, që i kisha lexuar më parë, në vërtetësinë dhe vlerat e të cilave kisha dyshuar. Koha e humbur më dhimbsej dhe më mundonte mjerimi njerëzor e krijues i autorëve, që kishin helmuar breza lexuesish e përçarë popuj.
“Mbretëria e Osmanlijve”, një çelës i artë, më hapte derën e rëndë të vilajetit të errët dhe më nxiste të rilexoj shumë vepra, që i kisha hedhur në një qyshk të bibliotekës familjare. Mallkoja krijuesit ballkanikë, se kishin lëshuar një shans jetik të forconin bashkëjetesën në rajon. Shkrimtari ynë i shquar, me famë botërore, Ismail Kadare, iu qas të kaluarës, me një senzibilitet të ri e vërtetësi historike, duke respektuar e çmuar edhe përpjekjet e të tjerëve, në shtegtimin nga drita e largët e vilajetit të errët. Ngjashëm kishte vepruar edhe historiani i nderuar austriak, Joseph von Hamer. Njëzet vjet kishte kaluar nëpër arkivat e osmanlijve, duke kërkuar të vërtetën, për atë se ç’kishte ndodhur në Ballkan në kohë të shkuara.
Përkundër përpjekjeve të krijuesve dhe intelektualëve shqiptarë, për të vënë dialog paqësor me krijuesit serbe, gjenocidi kulturor e fizik në etninë shqiptare në Jugosllavinë e mbeturinave vazhdoi të marrë përmasa katastrofike edhe për vetë rajonin.
Shkaktarë të një gjendjeje të tensionuar, jo vetëm në hapësirën shqiptare, para se gjithash janë ishin elaboratet e memorandumet e shkrimtarëve serbë, ku nxitin dhunën dhe ekzode biblike. E tmerrshme është kjo, kur qetësia e Evropës na ishte false. Popullin dhe kulturën tënde ta duash, është gjë e shenjtë, as nuk jam kundër atyre, që bëjnë programe nacionale. Kundërshtoj ata, që rrënojnë qetësinë e njeriut. Populli im nuk  pranoi dhunën, si mjet për zgjidhjen e konflikteve.
Shtrohet pyetjaMund t’i iket një katastrofe të mundshme dhe të na kthehet paqja në trojet tona? Apo më parë t’i shkundim nga demonët Kokat e fjalët. Atdheu ynë më i sigurt është Njeriu.
(Vjenë, janar, 1993)



Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου