Τρίτη 8 Ιουνίου 2010

Klarita…

U bëmë miq në facebook.
Se do bëja miqësi të këtij niveli atje, nuk ma merrte mendja kurrë.
Nisëm një komunikim të zakonshëm, si lojë.
Herën e parë u pendova, ngaqë duke harxhuar kohën time me Klaritën në facebook, lashë një koment të pabërë, që ia kisha premtuar një miku në Tiranë. Të nesërmen bëra “mëkatin” e dytë, lashë pa redaktuar vjershat e një mikeje, këtu në Athinë.
Pas një jave, përftova i çuditur faktin, se nuk kisha mësuar asgjë nga seminaret e sigurimit teknik, për të cilat do të jepja provim, në firmën ku punoj.
Dhe ndërsa koha afronte rrezikshëm, unë vazhdoja të diskutoja ditë-natë me Klaritën në facebook…
Për të mos thënë se kisha lënë mënjanë poezitë e mia, komentet e zakonshme në shtyp, diskutimet me miqtë në sajtet e tjerë internetikë.
Ishte si të kisha rënë paprimtas në një gjumë letargjik.
Prej të cilit nuk doja që nuk doja të zgjohesha, kurrsesi…
Ç’kishte ai njeri, ajo grua, që më tërhiqte vazhdimisht e vazhdimisht?
POEZIA!
Klarita është e tëra një poezi. Nuk mund ta shpreh me fjalë. E ndjej. E pranoj. Ka një misticitet poetic tek ato që shkruan dhe thotë, saqë, ndonëse shpesh herë nuk i përshtaten natyrës sime, çuditërisht ndjehem mirë.
Një gjë është e sigurtë: japim dhe marrim POEZI.
Nuk është e mjaftueshme kjo, për një miqësi të tillë?
Prej së cilës, nuk dua të shpëtoj kurrsesi…

KLARITA SELMANI

“Harrova, bën vapë,
si ështe koha tek ti?”

POEZIA IME

Të shkruaj kam vite që provoj.
Gabova diku, tek poezitë e paarira…
Fletë të zhubravitura tej e tëhu,
kujtime të këqija, të brishta dhe të mira.

Ke ardhur mes dhimbjesh, poezia ime,
mbërrite si engjëll, si muzë, pavdekësi.
Gjithshka, veç teje, u bë thërrime.
E verteta e vetme ishe ti.

TE JESH...

Të jesh!
Atëhere…
Në humbjen
e kontureve të hapësirës.
Në ylberin e mijëra
shpërthimeve.
Në lulëzimin e perlës.
Në afshin e mijëra
puthjeve.
Në ngjizjen e qiejve.
Ne kataraktet e pritjes
së ëndrrave.

ÇASTI

Sy,
tokë që pret farën.
Vështrim,
mister katakombesh.
Buzë,
mendim i etur.
Buzëqeshje,
harmoni e natyrës.
Fjala,
betim ëndrre.

Atë çast
u shfaq horizonti.
Ai çast
rrëzoi kështjellën.
Më dënoi përjetë.

Akoma nuk kuptoj,
përse?!

E KOTE...

Ra nata,
shkriu i lodhuri qiri,
hijet gjithshka mbuluan,
vec tymit të shuarjes.

Asgjë

Ra nata.
Gjithshka heshti,
veç shiut në qerpik.
Humbën ëndrrat,
pikoi zhgënjimi
nga tavani i çarë.
Vë sa të duash legenë,
mblidh edhe ibriqet…
Nuk mbahet rrjedha,
kur drita fiket.

Ra nata,
asgjë në horizont,
veç trokëllimës indiferente
mbi asfalt.
Iku!
Eshtë e kotë.
Në amëshimin e shpirtit .
Të jesh aty!

KETU ME KE

Nuk shkulem që këtej!
Hape derën!
Këtu do të më gjejë
shiu me erën.
Si nuk paske zemër!
Pak keq të të vijë!
Harrova, bën vapë,
Si ështe koha tek ti?
Këmbëkryq do ulem,
pa dhe do gërhas.
Ketej, thashë, nuk shkulem.
Do që të pëllcas?


DORA

Dora jote, ku varej
gjithë bota ime.
Kapur prej saj
hodha hapat e parë.
Mbi to,
e pashë veten
të madhe.
Duartrokitja tyre,
e pandarë
për çdo guxim
ndërmarë.
Ndihma e tyre,
më ngriti,
kur rashë.
Këtu jam,
më tha gjithmonë
ngrohtësia.
Kudo ku veja
dhe kurdo,
pranë meje,
ti dhe gjithësia.
Përshëndetja e saj
luhati zemrën.
Ti buzëqeshje,
si gjithmonë.
Syte urime
më dërgonin.
E di.
Per kthim sdo të jetë
kurrë vonë.
Je larg,
shumë më mungon.
Femijë të isha,
përsëri.
Të më mbaje përdore.
Të ecnim sëbashku,
sërisht. Baba,
unë dhe ti.


KOHA

Dy buzë gonxhe lëngun tim thëthitën.
Dy sy universe qiellin sollën pranë.
Dy hapje petali shpërrthyen tek unë.
Dy Diej dritën e tyre më dhanë.

Mbi mua dhunshëm Koha kalon.
Mbi ty sjell vetëm ëndrra e bukuri.
Eshte shkruar: jeta mbi jetë lulëzon,
duke gdhendur kështu një histori.

SALLA

Më quajnë Natali.
Mbi shpatulla më qëndron
e imja histori.
Një civilizim dhe një pikëpyetje.
Jam Maria.
Karatasua jam unë.
Ndodhemi këtu
të zgjidhim
çdo vështirësi tuajën.
Do të studjojmë bashkë
në këtë periudhë.
Jam Mariana,
vendi im është Moldavia.
Kam një ëngjëll të vogël.
Vajza e vetme, ajo, imja.
Jam Nikua, vij nga Komuna.
Jam dhe unë fëmi refugjatësh.
Erdha bashkë me ju,
gëzohem për njohjen!
Quhem Ollga.
Bjelloruse jam.
Më quajne Eleni.
Shqipetare jam.
Jam Tatiana,
vendi im, Kazakistani.
Bashkë njihemi!
Jam Maria.
Ç’bëni? Si jeni?
Telefonin tim e keni?
Për çdo nevojë,
më merni.
Zllateva unë,
jam Bullgare.
Ju lutem, ndihmomëni!
Nuk dua të humbas
këtë rast (seminar)
Më quajnë Juli,
jam nga Gjeorgjia.
Më quajnë Esmeralda.
Jam Ponde.
Emri im, Bogdana.
Ukraneze jam.
Quhem Irini.
Vij nga Rusia.
Me thonë Teuta.
Vendlindja ime, Shqipëria,
e madhe, e lashtë
dhe e imja historia.
Prezantohem: FEMER
Mbart një komb,
një kulturë, nje botëkuptim.
Dua të shoh, të shijoj, të mësoj
thelbin tënd,
Greqi.

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου