Δευτέρα 15 Νοεμβρίου 2010

10 poezi të reja


GRIGOR JOVANI

Sa herë vdisja

Më mbyllje sytë,
në çdo vdekje:
Shkofsh i qetë,
në mbretërinë
            e heshtjes!
Dashuria për ty,
është çdo riardhje,
gjuha e nxjerrë,
në formën
          e përqeshjes.

Pogradec

Sa kohë
do të flejë akoma
                   hëna,
në fund të liqenit?
Dielli shfryn
          në majëmale,
si lokomotiva
në stacionin e trenit.

Pireu

Them të dalim një mëngjes në liman,
të presim anijet që kthehen në Pire,
në të aguar,
ngarkuar me yjet e detit,
koralet e thellësive,
nga shtegtimet që nuk kemi shkuar.

Kur do të jemi ngatërruar edhe ne,
me turmën që do të zbresë nga karavet
e përgjumur,
të jesh e sigurtë,
askush sdo të kuptojë,
sa shtegtime në jetë kemi humbur.

Vajza e Dionisit

Të prisja mbrëmjeve,
pasi shtypnit rrushin,
për mushtin e verës.

Por të përcillte
përnatë Dionisi,
gjer tek pragu i derës.

Shtëpitë në dimër

U rrit nëntori.

Filloi të godasë
muret e gurtë,
me erërat,
         si me ushta.

Brenda shtëpive,
shtrëngojnë bisqet
e pranverës së re,
vajzat në grushta.

Fotografia

Dakort,
s’është e zezë gjithshka.

Le të formoj një të qeshur,
me zemër të rëndë,
sikur nxjerr një gjëmb.

Është kaq i vërtetë
buzëgazi im,
sa dhe mua më trëmb.

Turbullirë

Fjalë,
fjalë,
shumë fjalë,
lumenj të turbulluar,
që s’i pranojnë
brigjet.

Tokë djerrë - shpirti im,
digjet.

Partizanët

Ne ishim njerëz të thjeshtë,
nuk ëndërruam kurrë
“Dolçe vitat”.
Punë - shtëpi dhe ndonjë verë
në tavernë,
sa pa u shuar dritat.

Nuk shkuam në Itali me anije,
si “balila”,
atje “ku na ftonte mbreti...”
U ngjitëm gjer në mal
me nga një yll në ball
dhe vdiqëm,
prej vërteti.

El Greko

Në Spanjë
ëndërronte të dashurën e vetë,
që digjej për një të puthur
në Kretë.

Një natë
e vizatoi në pëlhurë,
si të ishte e gjallë.

Pastaj fiku qirinjtë
dhe filloi ta puthte
me mall.

Frymëzimi

Të ftova gjithë natën,
me të lutura.

Në shollët e këpucëve
më shkrove.

Tani që erdhe,
filloi ime shoqe me të puthura...

Ç’të të bëj? U vonove...

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου