Πέμπτη 25 Νοεμβρίου 2010

… ia vleka të shkruhet poezi.


ROLAND GJOZA                       
… ia vleka të shkruhet poezi.

- Letër e hapur
GRIGOR JOVANIT -

 Grigor Jovani, them se e ke një libër gati me këtë cikël e dy tre më parë.
Të lexoj ty dhe them, se ia vleka të shkruhet poezi.
Ngado që hedh sytë, gjithçka tjetër ka përreth, po poezi s’shoh. Bëkan njerëzia pa poezi.
I hedhin barkut, i hedhin xhepit, kaq mjafton. Zemrën e kanë si bateritë: prishet ajo e  uruar, flaket, vënë një tjetër. Ç’t’u dha kjo zemër ty, o Grigor, njëckë fillikate, sot e motmot po ajo, që këndon poezi. Pak ta venë veshin, po ti s’pyet, na merr më qafë dhe ne të tjerëve, që marrim revan e të ndjekim.
Ti vërtet të ngjall shpresë me këtë mosbindje për të hequr dorë.
Më shkruante një mik, libraritë s’pranojnë poezi, ato janë si qentë dhe zezakët dikur në Amerikë. Si qentë dhe zezakët. E po, kjo kohë erdhi. Veçse është fillimi, më keq do të katranoset.
Ashtu Grigor, t’i kam lexuar poezitë nja njëzetë herë, bëja çudi si nuk mbushkan mushkat të lexojnë e ta ndjejnë veten si ditën e takimit të parë, të dridhen nga emocionet e t’u duket, kësisoj, kjo botë plehrash, kopsht edeni.
Po ta kesh mendjen vetëm te bark llup kollofitja, bixhoz mavria, pambuk nduk mish engjervia, s’ka më ndjenjë delikate, po interes për zhvatje e yxhym, se deti bëhet kos për derdimenin kokosh.
Këta kokosh trimoshat e jetës së zbrazët kanë mbushur pjacën e të tregojnë pjatën, ku ideali yt, poet, për ta është derrkuci i pjekur në hell dhe vera e butit, që duhen përlarë sa më parë, se të tjera bakunale varg e vister i presin. Kjo kohë erdhi! S’ka njeri më durim t’i verë veshin zemrës e të dëgjojë këngën e saj.
Dhe ti shkruan pa e çarë dhe na i rrëfen ne, miqve. Na pataks guximi yt për t’i hapur petët lakrorit, na e nxjerr nudo poezinë dhe sikur na thua: ç’t’i hedhësh cohën përsipër këtij kurmi drithëronjës, që të shtin në varr të gjallë?! Pse, s’ke të drejtë, thua? Asgjë s’fsheh, si të vjen e hedh, pa zor e merak, se ti poezinë e ke prej atij vreshti, që bën verë kreshme. Verë për perëndi. S’njeh mot ajo, por motmot zbukurohet e prit e prit ne, mavrinjtë, të lashtësohet. Përkundër, ajo rrufjankë, rinohet.
S’ka gjë se libraritë s’i pranojnë.
S’na prishet gjiza. Kështu më bëhet se thua e më tund Pegasin tënd flatrazjarr, që ka marrë prej kohësh viset t’u trokasë në portë poetë dudumëve, që e kanë humbur pusullën, po s’heqin dorë dhe, sa herë bien në gjumë, siç po ndodh ndë këto kohë zbrazëtie, ti u prin me ato zoçkat e tua tundimëmëdha, që i ftojnë atje ku Venusi na pret pa para.. E ke bërë marrëveshjen, ia ke kripur kokën asaj bukuroshke mëndjelehtë, me ato të tuat dhe të ka besuar. Po të ndjekim…
Se, ç’të bëjmë tjetër?
Rolja
Nju Jork, 25.11.2010
(Marrë nga Lista internetike LGSHD - Lidhja e Gazetarëve Shqiptarë të Diasporës)

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου