Δευτέρα 7 Μαρτίου 2011

MIHO GJINI Mjeshtër i Madh KULLA LETRARE E NDUE DEDES


Ndue Dedaj dhe Grigor Jovani

Një episod drame psikologjike, e përmasës “Maria Oktober”, por edhe e ngjarë çuditërisht si ajo, m’u faneps gjatë një takimi të vonë të dy poetëve, Grigor Jovanit dhe të Ndue Dedaj, diku në zemër të Mirditës, verës së kaluar, ku do të isha edhe unë i pranishëm, si dëshmitar a spektator gjithaq i tronditur. Të dy poetët ishin njëherësh autorë dhe personazhe të kësaj “Maria Oktober” reale.
Çfarë kishte ngjarë?




Andej nga mesi i viteve tetëdhjetë, disa studentë të filologjisë, të ndodhur për të pirë ndonjë gotë birre tek “Kafja e Madhe” në qendër të Shkodrës, si të ishin anëtarë të “Klubit Petëf”, mbase edhe nën ndikimin e pijes a të moshës, e kishin kapërcyer së tepërmi temën e bisedës, duke debatuar, si letrarë që ishin, se kush ishte në të vërtetë... poeti kombëtar i shqiptarëve. Kështu, pa e kuptuar askush, ishin bërë pre e organeve të Sigurimit të Shtetit, i cili iu përvesh menjëherë punës: javë të tëra thirrje në hetuesi, njërin pas tjetrit, presion i pashembullt psikologjik , për të kallëzuar fajtorin, atë që kish guxuar të vinte në dyshim kombëtarin zyrtar në letra. Kalvari i hetimit ishte i gjatë dhe i mundimshëm. Kush i kallzoi letrarët e rinj studentë? Kush ishte në mes tyre tradhtari? Dhe ndodhën ato që ndodhën. Hija e kobshme mbi njeri-tjetrin. Dyshimet. Supozimet. Ndërsa të gjithë “personazhet” i kërcënonte burgu. Hije që zgjati gjeri vonë, në ditët tona. Por tani ishte zgjidhur enigma. Ishte marrë vesh ai që i kish kallzuar... Veçse, gjithshka i takonte tashmë së kaluarës.
Këto kujtonin dy miqtë, tashmë poetë të afirmuar, gjatë takimit të tyre pas gati tridhjetë vitesh, diku në qendër të Mirditës. Ndërsa Grigorin e njihja, prej kohësh është miku dhe bashkëpunëtori im i ngushtë, më mundonte pyetja tjetër:
Cili ishte ky Ndue Dedaj, që na e ngrohu zemrën atë ditë me mikpritjen tradicionale të mirditorëve dhe, në ikje, na mbushi duart me librat e tij?
Gjithsesi ishte njëri nga ata... të shoqërisë së dikurshme idealiste të studentëve të filologjisë. Por, ndoshta, edhe diç më tepër... Se atëhere, ai, Ndue Dedaj, mbase nuk mendonte se do të bëhej shumë më tepër nga ç’ëndërronte...

***
Shfletoj të 15-të librat e shkruara prej Ndue Dedës, midis tyre poezi, studime historike e sociologjike, ese, monografi, tregime, romane dhe bindem për gamën e gjerë të interesave të tij krijuese, por edhe për atë që mungon shpesh herë ndër botimet tona: talentin e të shkruarit e seriozitetin krijues. Sepse, ajo që thuhet nën zë, se “ka shumë libra dhe pak autorë të vërtetë”, është shumë e hidhur, për të mos thënë... ulëritëse!
NDUE DEDAJ
Midis këtyre botimeve me vlerë të Ndue Dedës, nuk mund të mos ndalesh te studimi i gjatë e i gjerë shkencor “Toka e Katedraleve”. Pa hezituar aspak, do ta quaja këtë libër me vlerë, të ripunuar e botuar së dyti: kontribut të veçantë! Jo vetëm për hulumtimin skrupuloz të përhapjes së krishtërimit në Mirditë, me të gjithë dishepujt e vet, në një vatër autentike shqiptare me ndikim të jashtëzakonshëm tek banorët, por edhe si enigmë e Teatrit Epik të këtyre maleve e grykave të thella, ku varfëria, vyrtyti, karakteri i fortë, tok me shpirtin njerëzor të tokësorëve, gati takojnë qiellin e kthjellët të këtyre anëve.
“Toka e Katedraleve” duket si një vështrim panoramik, por autori hyn në thellësi të asaj enigme, ku depërtojnë jo vetëm bindjet fetare, objektet e kultit, figurat e përhapjes së krishtërimit në Mirditë, por edhe zgjimi i vetëdijes kombëtare, qoftë edhe në embrionet e veta, si zhvillim i mëvetshëm i bashkëjetesës në harmoni me dritësimin civilizues të shoqërisë.
Dhe kështu, treva që mban emrin më të bukur në gjuhën shqipe - Mirdita - e cila ngjan tmerrsisht e egër së largu, paraqitet nga Ndue Dedaj prej Kaçinari, poet, prozator e historian, me një ndjesi të hollë malli e dashurie bashkë, herë si visar i çmuar, herë si thesar i begatë i një populli shpirtërisht të pasur. Edhe pse prapambetja e trashëguar ka qenë përherë e pranishme, së toku me ligjet e shkruara të gjakmarrjes, autori ka mundur të gjejë e të ndriçojë ato figura fetare, që e kanë parë Rilindjen e Mirditasve edhe si një përshkallëzim të dijes, të gjuhës e shkollës shqiptare, që jo pak herë e kanë lartësuar mendjen dhe kulturën.
Përpos këtij kompleksiteti të “Tokës së Katedraleve”, serioziteti shkencor, stili letrar dhe përgjegjshmëria morale e Ndue Dedës duken edhe në shfrytëzimin dhe citimin me ndershmëri të 134 burimeve historiko-shkencore e letrare, duke u zhytur në thellësinë e tyre, por edhe duke dalur mbi to, me sinteza e përgjithësime teorike, nëpërmjet një gjuhe të pasur e të pastërt, pse jo, edhe si një autoritet i njëmendt shkencor.

***
Nëse “Toka e Katedraleve” është një vepër e plotë historike, “Dashuri në kullën e ngujimit” është një letërsi e mirëfilltë dhe e bukur, një prozë poetike, e shprehur me një finesë dhe elegancë për tu pasur zili. Aty ka 22 tregime, që për nga tematika nuk dalin nga orbita e maleve të Mirditës, të mbushur me kisha, katedrale e kulla ngujimi, po që, falë frymës fluturake poetike e kapërcejnë këtë ngushtësi gjeografike, me një përshkallëzim të tillë të së veçantës, sa të arrijë universalitetin e saj. Kuptohet, jo të gjitha mbajnë “peshën” e ndërthurrjen që duhet të ketë tregimi. Disa, madje, janë rrëfime e skica të thjeshta, episode ngjarjesh e karakteresh të mbetura pa zhvillimin e duhur, që mbeten në fazën e tyre ekspozicionale e që mbarojnë me dy-tri fraza fundore. Por, dreqi ta marrë, ato janë shkruar thjeshtë dhe bukur, me një shqipe të pastërt, me ndjesinë e një poeti dhe njeriu të mençur, që gjithsesi mbetet i vërtetë. Dhe, në dy a tre prej këtyre tregimeve, Ndue Dedaj ka stofin e shtrenjtë të atyre shkrimtarëve, ku rolin kryesor e luan gjetja, ajo gjetje rreth së cilës vërtitet befasia, bile gjithë jeta e njeriut. Këtë specifikë, gjetjen befasuese, që të habit dhe ngërrthen  me origjinalitetin dhe spontanitetin njerëzor, e kam ndeshur edhe në poezitë e mikut të tij dhe timit, Grigor Jovanit. Thua, fakti që kanë pirë të njejtin burim gjatë shtatëzimit të talentit, në rininë e tyre studentore, ka bërë efektin e tij?
Po. Gjetja ka të bëjë me zgjuarsinë dhe zgjuarsia me talentin. Ndue Dedaj hyn në jetën tabu të malësorëve, për ta “çvirgjëruar” atë. Fenomeni i çmitizimit është këtu i pranishëm, në mjaft tregime. Autori nuk e idealizon jetën e malësorëve, ashtu siç nuk e nëpërkëmb. Por ai nuk është për mitizimin enfatik të ngjarjeve me kreshnikë, me heroizma dhe trimërira. Perënditë e Dedajt zbresin në tokë, si ato të Olimpit antik, trimat shtrohen në rogoz dhe gratë heqin dorë nga “koburja në brez” dhe “xhamadani i trimërisë”...

***
Dua të ndalem pak më gjatë tek tregimi i shkurtër “Burri-Grua”. I shkurtër vërtet, por i rëndë nga vlera e pesha. Kemi të bëjmë me një malësore, që nuk e ka provuar afërsinë e burrit, edhe pse e ka dëshiruar atë, si të gjitha qeniet njerëzore. Vishet si burrë, ka rrokur pushkën e u bie shkrepave dhe maleve me këmbë, e pranishme në luftë dhe në kuvende burrash. Në të kundërtën e shabllonit të kësaj figure, autori zhbiron ato rrethana psikologjike, morale dhe sensuale, që e bëjnë gruan-burrë të mos e kapërcejë plotësisht fazën denatyruese, gjer në fundin e jetës së vet. Do të duhet vetëm një rast, një rrethanë e natyrshme dhe e veçantë, plot vërtetësi jete, që ky njeri i dyzuar, gruaja e veshur si burrë, me armë në brez, të rikthehet në genin e vet, në natyrën e saj, në ato ndjesi të brishta të sentimentit femëror, që flejnë ende brenda saj, por që kur zgjohen, flakërojnë e harbojnë malet.Kemi përpara një tregim kaq të bukur, sa që s’ka ç’të duhet më tepër, as edhe libri i tërë, as volume me libra të tjera. Mjafton një kupë verë, për të specifikuar vlerën e fuçisë.
Gjetja është e hatashme. E thënë bukur. “Burri i maleve” do të flejë vetëm një natë dimri, me erë, shi dhe dëborë në një mulli, sup më sup, në të njejtin rogoz me mullixhiun. Shkrepëtimat e motit jashtë mullirit do të ndjehen përbrenda vetes, duke ardhur vetiu tek vetvetja, si njeri e si femër. Thëngjijt e zjarrit në vatër e shkrepëtimat e rrufeve nuk shuhen, por ndizen edhe më tepër, gjersa shpërthen “flaka”. E, kur vjen mëngjesi, ka mbetur brenda atij mulliri edhe “burri”, edhe “pushka e burrit”... Miti i burrit kishte mbaruar tashmë brenda dhe jashtë gruas. Kishte arritur një cak përtej imagjinatës. Flokët e saj tani i ledhatonte era e ndezur e bjeshkëve...
Rrallë kam ndjerë emocione të tilla, pas leximit të një tregimi, siç më ndodhi me tregimin në fjalë të Ndue Dedës.

***
Nëse në këtë tregim e në ndonjë tjetër të përafërt kemi të bëjmë me një “dhënie bese”, të kthyer në mit, si shënja më e parë e burrërisë, e trimërisë, qëndresës dhe e heroikës nëpër këto anë, në tregimin “Darka e fundit e Mujit dhe Halilit” autori e zbret legjendën në caqe më të natyrshme. Sipas tij, çdo ngjarje e madhe, çdo figurë e rëndësishme, çdo epokë historike ka arritjet e veta, figurat dhe mitet, që s’mund të jenë të përjetshme. Të vetëdijshëm për misionin e kryer në altarin e kombit, Muji dhe Halili bëjnë vetë darkën e tyre të fundit. Kreshnikët e legjendës, gjer këtu e sollën lavdinë e tyre. Çdo të vijë paskëtaj, është pjesë e jetës së mëtejshme, e zhvillimeve të tjera, e epokave më të përparuara. Filozofia ekzistencialiste qëndron brenda dhe jashtë miteve e legjendave, si realitet i përkohshëm.
Në disa nga tregimet e këtij autori zë vend edhe tema e gjakmarrjes, e trajtuar po me këtë vështrim realist, bashkëkohor. Dedaj e sheh fenomenin e gjakmarrjes si “monstër e përbindshme”, që në kohën e sotme trandet e rrëzohet nga vetvetja. Në novelën “Dashuri në kullën e ngujimit”, përpos anës tragjike të këtij ligji, që shkon duke u rrëzuar, autori kërkon dhe gjen ato anë sociale e fije të erotikës ndër brezat e rinj, të cilat do të dalin përherë kundër despotizmit dhe fatalitetit të këtij ligji barbar, që ka marrë dhe merr vazhdimisht jetë njerëzish. Dashuria e dy të rinjve, nga të dyja familjet që janë në hasmëri, do të realizojë mënjanimin e hakmarrjes. Edhe pse me një dozë naiviteti (realiteti, në kundërshti me atë ç’ka dëshiron autori, mbase është ku e ku më i ashpërr), novela në fjalë e përcjell mirë absurdin e ligjit të tmerrshëm të gjakmarrjes.

***
Në Rrëshen: Në Dedaj, G. Jovani, M. Gjini dhe B. Sulejmani
Me këto 15 libra, Ndue Dedaj, “gur e nga një gur” ka ditur të ndërtojë “kullën” e vet letrare, prej frëngjive të së cilës shihet jo vetëm Mirdita, por edhe jeta rreth saj. Më kishte paralajmëruar për këtë të vërtetë miku i tij, Grigor Jovani, para se të shkonim ta takonim verës së kaluar në Mirditë, nisur enkas nga Athina, por unë ia vërtetova fjalët vetëm pasi ia lexova librat Ndue Dedës, domethënë pasi bujta në kullën e tij.
Athinë, mars, 2011

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου