Κυριακή 6 Μαρτίου 2011

“Pegasi” në një kalërim të ri




Të dashur miq të “Pegasit”, lexues të nderuar dhe bashkëpunëtorë të shtrenjtë!
Dy vitet e Revistës “Pegasi” ishin të mjaftueshme për ta njohur mirë këtë “kalë fluturues” të letërsisë dhe arteve, ngarkuar rëndshëm me krijimet më të mira të “bereqetit” shqiptar dhe të huaj. Shumë nga ju, që e deshët “Pegasin”, e prisnit me merak, atje ku jeni, për ta shfletuar e për ta kalëruar nëpër hapësirat qiellore, që nga Tirana e Athina, gjer në Nju Jork e Toronto. Kudo ku ndodh të flitet shqip. Dhe kudo ku mbërriti ky “kalë zevzek”, la një emër të mirë dhe lëshoi pas “hingëllimat” e tij të paharruara. Që të dëgjohej... Që të lexohej... Që të përhapej... Që seicili prej jush të bënte me të një udhëtim të këndshëm. Për këtë nuk kujdesej vetëm i “zoti i kalit”, Grigor Jovani, por një staf i tërë njerëzish të pasionuar me fluturimet, që gjetën në hapësirat që u hapi poeti dhe gazetari i njohur i komunitetit shqiptar në Greqi, botuesi i “Pegasit”, qiejt që ëndërronin.
Por, ka ca kohë, ose më mirë pothuajse një vit, që “kali fluturues” u mungon këtyre
qiejve. Ç’u bë “Pegasi” i zemrave tuaja? Patjetër që e keni vënë re edhe ju mungesën e tij... Nuk u mungon troku i tij oborreve tuaja? Pothuajse një vit...



E ndjeu edhe kali fluturues i arteve krizën e rëndë ekonomike, që përfshiu botën. I mungoi “tagjia” e duhur. Sepse ai donte tagji të veçantë, ngaqë ishte kalë perëndish, siç e kanë cilësuar poetët e Atdheut. Në pamundësi për tu kalëruar, mbeti i gjori kalë në grazhdën e vet. Kujdestarët e tij besnikë, që e ushqenin me ato “thërrimet” që u kishin mbetur, nuk arritën dot t’i jepnin “yshtjen”. I ledhatonin shpinën dhe grifshën. U dhimbte shpirtin heshtja e tij. Dhe e mbanin të gjallë me frymën e tyre të ngrohtë, me shpresën e dëshirës së pashuar, se “Pegasi” i tyre dhe i të gjithëve do të kalëronte përsëri hapësirave.
Disa nga miqtë tanë u trishtuan për kalin. Miqtë tanë, që e kishin rritur qysh njomëzak, që e kishin ushqyer me dërgesat artistike dhe pritur-përcjellur në shtëpitë e tyre, anembanë botës. Disa prej tyre, iu drejtuan publikisht të zotit, nëpër gazetat e emigracionit, duke i bërë thirje të hapur: “Mos e shit këtë kalë, Grigor Jovani! Është i mbarë! Ke për ta parë, do ta nxjerrë vetë tagjinë e tij!” Disa të tjerë, ata që donin ta kalëronin “Pegasin”, por që nuk begenisën t’i afronin asnjë thërrime, kur ai e kishte këtë nevojë, e harruan kalin e gjorë. Nuk u ndjenë, nuk pyetën për shëndetin e tij, nuk u merakosën. Siç bënin dikur, kur “interesoheshin”: “Kur do ta dërgoni edhe këtej nga ne kalin tuaj?” Pati edhe nga ata, që u shpallën: “Mirë iu bë “Pegasit”! Ç’ishte ai, zogu pelegrin, që të fluturojë?!” Cmira dhe keqësia vret njerëz, jo më krijesat e mitologjisë!
G. Jovani dhe M. Gjini
Por, për fat të mirë tonin dhe tuajin, “Pegasi” nuk vdiq. Kali i mitologjisë, që u bëri ballë dekadave dhe shekujve, mbijetoi!
Së shpejti, brenda këtij muaji, marsit, po të ngrini kokën drejt qiejve, ju, miq të dashur, do të shikoni përsëri “Pegasin” tuaj. Veçse tani me veshje të re, shumë e shumë më të bukur. Gjithë shkëlqim. Kalë që s’do ta ketë shokun, në një kalërim të ri, më të sigurtë, më të shpejtë, më të shpeshtë. Do të shikoni “Pegasin” si një nga revistat më bashkëkohore të artit, krejt e ilustruar, tërë ngjyra dhe begati artistike.
Tashmë, fatin e saj e ka marrë në dorë njëri nga entet më të fuqishëm në botën e mediave. Vërtet, i zoti e mbajti fjalën, nuk e shiti “Pegasin”. I gjeti shtëpi të re, “stallë të ndritshme mbretërore”, ku rriten kuajt e perëndive. Ato që fluturojnë...
Përpara Pashkëve të Mëdha, “Pegasi” do të vijë sërish nëpër oborret tuaja me dhuratat e tij!
Që ta keni vizitues të përhershëm të shtëpive tuaja, duhet të bëni kujdes qysh tani! Askush nuk do ta kalërojë më falas këtë kalë! Stafi i revistës do të shpallë së shpejti abonimet. Abonohuni edhe ju! Që të keni në pronësinë tuaj, përherë, një kalë fluturues... 
MIHO GJINI
Mjeshtër i Madh
Kryeredaktor i “Pegasit” 

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου