Δευτέρα 28 Φεβρουαρίου 2011

ALBANA MELYSHI - LIFSCHIN Dje preva flokët…



Grigor Jovani dhe Albana Mëlyshi, pranverë 2009
Tinguj, që duke u bashkuar në formë, bëjnë një muzikë të magjishme.
Rreze, që duke u shkëputur nga hëna, vëjnë në gjumë dashnorët,
 që mallkojnë gjumin.
Fjalë, që duke u mbështjellë me metafora, tingëllojnë si përrallë në veshët e fëmijës.
Shpirt, që duke u zhveshur përpara aktit më të shenjtë, krijimit,
zbulon hire të mrekullueshme.
Sekrete, që duke u përshpëritur ëmbël, me delikatesën e gruas,
zbulojnë shumëkendshmërinë femërore.
Dhe poezi. Shumë poezi. Poezi e krijuar, duke mos dashur të bësh poezi,
por thjesht një këngë nën buzë.
Poezia e Albana Mëlyshit!
Aferim, moj mike! Dhe, njëkohësisht, mëkat. Si nuk të vjen keq,
që na bën të kujtohemi, se nuk jemi më për këto këngë...
Apo mos jemi?

GRIGOR JOVANI

ALBANA MELYSHI - LIFSCHIN 

ALBANA MELYSHI - LIFSCHIN
MOMENT MAGJIK
 
Sa kohë vallë kaloi nga ajo mbrëmje,
kur mbi duart e mia  buzët vure ti,
magjinë e dashurisë ndjeva unë,
si kisha bërë pa të… S'e di.
 
Trazuar, hutuar, përkulem sot
mbi copëza shënimesh kërkoj për të,
drithërim i ardhur nga një tjetër  mot,
prapa më merr, pa gjumë më lë.
 
PSE TE DESHA TY?

... sepse ti prure tek unë
thesarin e rinisë sime
që unë e kisha kyçur,
e kyçin e kisha fshehur,
harruar e humbur diku..

Si munde ta gjesh ti?

SHPIRTI I POETES
 
Mbrëmë një gotë verë
piva me një poete
 
Pashë si shpirtin
magjisht derdhi në gotë
 
Vjedhurazi gotët i shkëmbeva
dhe shpirtin ia mora me vete
 
BUQETE LULESH NE TE GDHIRE
 
Ajo buqetë lulesh
N’ora pesë të mëngjezit
Mirësinë time duke lavdëruar
Më tregoi padashje
Se atë natë,
Ah, pikërisht atë natë i dashur,
më kishe tradhëtuar!
 
 Ti nuk më do më..
 
… se më deshe veç qëngj të butë
edhe vetëm pranverë
por unë ashtu nuk bëhesha dot,
se ashtu s'do isha e plotë,
katër stinëshe jam
si shumë  të tjerë

GJETHJA
 
Një gjethe vjeshte
Si pëllëmbë e hapur,
në ajër fluturoi
duke u luhatur,
mbi gjoksin tënd
ra të pushojë
 
I mrekulluar
më mbetën sytë
në atë gjethe vjeshte
Si kishte mundur
të bënte aq lehtësisht
atë që unë studenti
ëndëruar kisha në vjete?
 
NGJYRA E DASHURISE
 
Lëshuar në një qosh,
e vetmuar rri...
Petale  trëndafili
mbetur që nga mbrëmja,
mbuluar prehër e gjunjë,
petale mëndafshi, vishnje,
nuk i shkund e as i hedh,
të dhimshme janë kujtimet,
të ëmbla si verë e vjetër,
trëndafil i pupurt - ato,
ngjyrë e dashurisë,
si asnjë ngjyrë tjetër…

TINGUJ
 
Ç'dhuratë për mua sot,
ky koncert në pjano e violinë
monotoninë e përditshme tutje hedh
si vjetërsirë flak vetminë
Zërat e pranverës sjell
përplasje flatrash- zogj në fluturim
gurgullimë ujrash,
zambakë të bardhë në oborrin tim
një derë e magjishme hapet,
një qilim i gjelbër dhe i pafund
aromë e barit të posambirë..
në ngazëllim shpirtëror lëshohem
jastek nuk dua për t'u shtrirë

UNE NUK KISHA IKUR…
 
Unë nuk kisha ikur, por ti s’më shihje,
me duart të padukshme,
të regulloja jastëkun nën krye,
shtratin si Borëbardha ta ndreqja,
çarçafi të mos shkiste, të ftohtë të mos kishe
 
Ndërsa ti më dënoje me dufe  zëmërimi
se vetëm të lashë në krah të trishtimit…
 
Unë nuk kisha ikur, aty isha, reth teje,
në shushurimë gjethesh, në ujvarë rrëkeje
në qiell e varur si hije e madhe reje, pa shi,
në ujdi rënë me erën për t’të sjellë freski,
ngrije kokën lart, besomë,  më shih…
 
 POEZIA IME E 100-të

Tani mund të shohësh përmes tyre
si në transparencë zemrën time,
ndoshta vetullat do t'i ngresh përsëri
me habi do pyesësh: Ti je ketu? Ti?
Nuk më çudit me habinë tënde,
se gjithnjë kështu je habitur,
me kë ndave ndjenjat, kurrë se ke ditur!
Se me ty unë kam qenë e ndrojtur,
Se me ty unë kurrë s'kam lojtur,
Se për ty lotët fshehurazi kam fshirë,
tek prisja e merakosur der'në të gdhirë...
 
DASHURIA E GRUAS
 
Vetëm
një moment
i duhet gruas
të bjerë në dashuri,
ai mund të jetë
moment:
admirimi,
sinqeriteti,
boshllëku,
përngjasimi,
egzaltimi,
rrefimi,
keqardhje,
pranvere,
rinimi,
iluzioni,
hakmarrje,
 nevoje.


Vetëm nje moment,
për të ngecur
në grackën e saj
e reth tij
të endë
fijen e mendimit
tërë jetën.
 
 
 (Marrë nga vellimi  poetik
shqip-anglisht i Albana Mëlyshi - Lifschin
” Dje preva flokët”, 2006)

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου