Παρασκευή 16 Ιουλίου 2010

GRIGOR JOVANI Sa rron dashuria?


Dashuria

Sa rron një planet?
                   Një pëllumb?
              Një gjethe plepi?

Kushedi...

Di vetëm sa rron
Dashuria -
                  e qara e parë
                      e foshnjës
                       tek djepi.

Do të ta them,
                       shpirti im!
          Pse bëhesh merak?

Sa rron Dashuria?
Sa jeta:
             Shumë pak!

Atlantida

Të të kërkoja
             duhej
diku gjetkë...
U mbush jeta
           kthime,
pa udhëtime.
Kishe shtegtuar
               në cep
të mendimit.
Pe Atlantidën
           e mbytur
dhe more rrugën
e kthimit.

Oxhaku

Ke gjinj të fryrë
dhe të ngrohtë,
si sobat me dru
në hotelet alpine,
të ftohtë.

Zgjas duart e mardhur,
të ngroh gishtërinjtë.
“Më ler! - thua ti. -
I ke të ftohta,
si minjtë!”

Dikur gjiri yt
ishte bujar,
si oxhak,
ndizej për mua
zjarr bubulak...

Një det

Kam përpara një det. Kaq të bukur
                                 dhe të freskët,
sa më dridhen gjunjët,
si dhëndrri,
në pragun e odës,
                             ku nusja
                               e pret...
Imzot!
Më ndihmo,
                    që të mos e zboj
                        edhe këtë det.

Babëzitja

Më erdhi në kokë një mendim i çuditshëm:
përfytyrova çastin tim të fundit,
brenda rrethanash të mundshme,
në të gjallë.

Do të pësoj infrakt, duke spermatizuar,
në raundin e dytë
seksual.

E pres, do ta kem pësuar nga zemra!

Thjesht, nuk do pranojë të vazhdojë,
të bëjë allishverishe
me gjak.

E kam hak!

Gjersa do të kem harruar këshillën:
“Një nga një, o plak!”

Atmosferë

Të prisja
dhe ngjante ndërkohë,
si të kishe ardhur.
Kisha veshur kostumin e ri,
me kollaren time të dashur.
Brenda dhomës, duke të pritur
u bëra heshtje,
album,
pasqyra.
Këputa borzilok në ballkon
dhe nga vazoja me ujë
mbi tryezë
u mbush aromë
gjithë dhoma.
Të prisja dhe ishte
si të kishe mbëritur qyshkur,
ndonëse nuk kishe ardhur akoma.

Fati

E dashur,

me ty më ngjan
se kam fituar
dikur
Çmimin e Parë
në lloto.

Por që më vonë
humba kuponin,
duke bërë
jetën time
burloto.

Çarçafët

Gjithnjë e më shumë
gërryen shpirtin
vetmia.
Si gjarpëri
bishtin e vet
kafshon.

Mendoj trupin e saj
lakuriq
në çarçafët e mia.
Më vjen të varrem
me to
në ballkon.

Djemtë e vetmuar
            - Bisedë me poetin Roland Gjoza -

Afrohu Ermis,
           Lajmëtar i Ndjenjave,
të shikojmë
çdo të bëjmë
                       me vetminë.
Të ndihmojmë
djemtë e pafjetur të netëve,
që s’ndjejnë akoma
zjarrin bubulitës
                            në brinj.
Djemtë e vetmuar,
që brenda gëzofit të tyre
përtypin netët e dimrit,
si arinj.

Oktapodi

Po të ishte grua
do të kishte tetë këmbë,
tetë palë këpucë të shtrenjta,
tetë palë geta nailoni.

Numëroni:
dyzetë gishtërinj me manekyr.

Për të gjitha
është një gjeneral në detyrë.

Kush e pyet,
si ia del mbanë, i ngrati?
Vaterloja e çdo burri,
krevati.

Fotografia

Shkruan diçiturën
poshtë fotografisë,
jo që të kujtohesh
              kur dhe si,

por që nuk je ti.

Asgjë nuk mbet’
nga dasma jote,
vetëm kjo foto
              bardhë e zi.

Ktheje pas,
do të shikosh vetveten,
                     s’ka se si.

- Je ti në këtë fotografi? -
                        të pyesin.
- Nuk e di...

Pari,
princi i Trojës

Mund të rri,
në Spartë,
me orë të tëra,
duke të parë,
Helenë,
i dashuruar,
prej bukurisë
tënde
mrekulluar.

Pasi e di:

në Trojë
kurrë
nuk kam
për të të çuar...

Mikja

Një mike,
më kërkoi çelsat e shtëpisë,
të nxirrte sytë
me një dashnor.

- Kur të ikni, -
i thashë, tek i lija çelsat në dorë, -
rregulloni krevatin!

Nuk u desh. Pasioni s’i la
të arrinin shtratin...

Grerëza

Një grerëz e çmendur
ma prish gjumin.

Dua ta mbys...
Po ku ta gjej lumin?

Grua

Nuk e di,
çdo të jetë ajo, që do na ndajë:
pamundësitë,
sëmundja,
pleqëria.

Di vetëm se në fund të dashurisë,
do t’i zëmë për fyti,
tok,
të tria.

Ndaj do thonë të tjerët, kur do vijë
dhe për ne,
koha,
për t’u ndarë:

Shkuan bashkë,
jo veç!

Bashkëluftëtarë!




Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου