Τρίτη 20 Ιουλίου 2010

KOSTAQ DUKA - Poezia që më pëlqen...


I dashur Koço!
Sepse më pëlqen të të thërras kështu. Mbase më kujton vitet e fëmijërisë, pjesën jo mëkatare të jetës sime, ku thërrisja kështu miqtë e mi të parë të fshatit minoritar, tashmë të harruar dhe të zëvendësuar me miq të tipit Role, Vaid dhe Pilo Zymbyli, më mëkatarë se Ai që i krijoi. Pra, më kujton fshatin tim të fëmijërisë së largët, ku ky emër ishte kaq i shpeshtë, sa ç'janë Kostat dhe Jorgot në Greqi.
Por është edhe një arsye tjetër, Koço, që të ndjej shumë pranë. Paçka se nuk jemi njohur kurrë nga afër. Gjithnjë e më shumë më ngjit poezia jote. Dhe pas asaj, lavires, dorëzohem krejt, jam krejt i pa fuqishëm. Mund t'i rezistoj tundimit të një Afërdite, nuk heq rrobat e mia menjëherë, siç bën Rolja i Nju Jorkut, në ato klabet ku kërcejnë skandinavet në Rixhvud, për "të kërcyer" me to. Vetë e thotë, unë nuk shpik gjë, as kam sy për të parë gjer atje. Mund t'i rrezistoj edhe tundimit të ideollogjisë fashiste, prej një shisheje vere të Duçes, që mund të më dhurojë Ndueja i Bolonjës, ish patrioti i një pjese tjetër të dashur të jetës sime, ama tejet mëkatare, për shkak të ambjentit, asaj të Mirditës, Ndueja, pra, mbase mëkatari më i fshehur i shoqërisë sonë skandaloze (mbase edhe për hir të udhëheqjes), që e ka siguruar udhëtimin e saj për në Skëterrën e Dantes.
Jam mrekulluar me ciklet e tua të fundit, Koço. Më kanë prekur, më kanë pëlqyer. Gjithnjë e më shumë, ti shkundesh nga tepërimet, ia heq një nga një rrobat së dashurës, për të parë në çarçafët e tua, trupin e saj të mrekullueshëm. Poezia jote kështu është tani, miku im. Si ato gratë mahnitëse në shezlogët e verës, që kamarosin me trupin e tyre, ku nuk gjen as një gram të tepërt, me atë lëkurën e bronztë, thua se zoti e ka bërë qëllimisht, të shkosh ti e t'i vësh nënshkrimin.
Është poezia që më pëlqen. atë mundohem të bëj edhe unë, Koço. Kuptueshëm, pa shumë moral, jetësisht, me emocione të nëndheshme. Që vijnë nga poshtë, nga nënrëra, si kumtet e një gruaje, nga nënlëkura e saj, si kënga e ëmbël e një vere, pas thartirës së fillimit.

"Botë
e copëtuar në mijra botë,
që ndizen e shuhen përditë..."
Hë, miq, bukur, hë? Ec e mblidhe veten mes këtyre kristaleve, mes këtyre botëve të vogla. Këtë e bën vetëm poeti, se gurgulis atomet, se përndjek të padukurën.
"Tani
rrezja, era, ajri, uji
luajnë me mua,
më prekin lehtas, më përkëdhelin..."
Ka këtu ndonjë shtirje, ndonjë sforcim, ndonjë gjë të gënjeshtërt? Ka vetëm shkencë jetësore, përvojë ndjesore të hedhur në vargje. Një sinqeritet prej fëmije. Një lehtësim, si ofshamë, që del nga shpirti. Oh, shyqyr, që qenka kështu! Sa mirë që është kështu!
Dhe ajo poezia e mrekullueshme "Sendërtimi i poezisë".
"Dhe fjala
tek vargu
u serëndit
në hapësirën e vet
si ta kish përjetësisht".
Për nder, është një hymn për poezinë, është një rregullore e brendshme e poetit. Unë do ta shtyp dhe do ta mbaj në xhep. Sepse do të shpjegojë tek të tjerët origjinën e poezisë sime, më mirë se unë vetë. Aman, më qafshi, lexojeni fjalë pas fjale, o miq. Tingulli, rrokja, fjala, vargu, poezia - avjon, që rend tek të tjerët. Vetë jeta jonë, e qëmtuar në bërthamë, atom pas atomi. Një mrekulli! Tek libri i ri që po bëj, kam një cikël të tërë, rreth 30 poezi për poezinë, një bashkëbisedim me të. Asnjë nuk është kaq e realizuar, kaq e vërtetë, sa kjo e Koços! Hë, më të lumtë, o mik! Kështu plotësohemi, kështu bashkërendohemi! Mbase e marr këtë vjershë të shkëlqyer, nëse më lejon ti, për ta vënë në krye të vjershave të mia. Vjersha për të dashurën janë ato, për POEZINË. Dikur i donim dashnoret e para të gjithë bashkë. Kush të mundëte i pari. Dikur i shkëmbenim poezitë për to. Përse mos ta bëjmë edhe tani. Sikur na iku mosha...
GRIGOR JOVANI


KOSTAQ DUKA

(cikël me poezi)

Botë

Botë
e copëzuar në mijra botë
që ndizen e shuhen për ditë…

Botë
veç nën këmishën diellore
dhe pelerinën e natës
në vërtitjen pa fund i bashkon të gjithë

Botë
pas lëkurës tënde ngjeshur me të tjerë
edhe pse shpesh them
larg rrëmujës e dashurisë së reme
më mirë në vetvete
edhe pse botëzë-thërmijë.

Kontrast

Rrëzohet fëmija
Bërtet me të lebetitura
Pret prindi ta rrëmbejë në krahë
Ta përkëdhelë e mbulojë me të puthura.

Rrëzohet plaku
Dhimbjen kafshon
Rrënkimin rrëzon
Humnerave të shpirtit.

 ………

Në rini
me rrezen e diellit
erën
ujin e ëmbël të liqenit
dallgën e detit
luaja gjithë gaz e furi……

Tani
rezja,era,ajri ,uji
luajnë me mua
më prekin lehtas, me përkëdheli.

Borxhi

Ju lutem
mos më kërkoni borxh.

Pamundësia per t’u ndihmuar
Më shkakton vuajtje.

Ju lutem
Mos më kërkoni borxh.
Pas mohimit të ftohtë
U trembem pikpyetjeve iluzive
Vrastare të dashurisë njerëzore.

Ju lutem
Mos më kërkoni borxh.

Jetës i jam qepur me thonj
Ju më kujtoni greminën
Ajo është pranë
Po s’dua ta shoh!

 Sendërtimi i Poezisë

Në fillim një tingull
Pastaj një rrokje
Tek fjala u ngjit pazgjidhmërisht.

Dhe fjala
Tek vargu
U serëndit
Në hapësirën e vet
Si ta kish përjetësisht.

Vargu
U shkund, lëvizi
Gjithë drithërimë.

Diku në një strofë
Mendimin,figurën
Zjarrmoi të lirë.

Së fundi
Poezia si një avion
Drejt shpirtërash
U nis në fluturim…

Chikago,
Korrik, 2010.

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου