Παρασκευή 2 Ιουλίου 2010

Rrëfime intime për vetminë


O Grigor Jovani,
mos ia hap kaq lehte petet lakrorit, pse na rrefen ato qe i dinim per vete, po
s'i dinim per ty, c'na i ben mavri dyfish ato te shtuna e te diela, qe zoti i ka
taksur per ndonje marrezi te embel. Na paske genjyer o bir i Dionisit, na e paske hedhur, ne naiveve, qe benim c'benim te shtune e te diele ( nje vere ne uje ) e te kujtonim; Po Golja c'ben tani, me nje fije zilie qe ushqehej ne dashuri, humbur dritave te kuqe, bere tape buzuqeve? Po paskej qene trill poetik, ajo qe shpesh na ka bere me te bukur, sajimi i nje bote qe se kemi. Nje bote qe ju shkon aq per shtat poeteve xhentellmene.
E zbraze dhe kesaj radhe shishen, jo ate qe dime, te uzos a te uiskit, po hidherimin e vetmise se poetit.
Kishim kohe qe s'kishim lexuar poezi ne liste, qe t'i shkonin kaq shume atmosferes se veres, shkujdesjes, rrefimit intim djaloshar, po ishim perballur me topat e politikes qe shkrepin andej nga dheu meme, topa qe s'pushojne dhe s'shihnim gjekundi nje gazete a reviste ku te shijonim me te rralle ndonje poezi a tregim trondites. Keshtu do te mesohemi, me listat internetike, ku permes gjirizeve te perditshem kuterbues, vezullojne ndoca poezi prej poetesh te lindur, qe su ka mbetur te zgjedhin, po vec te pohojne permes tyre, listave, se ende rrojne ne kete bote jallane qe s'i do poetet.

Kam mesuar te flas me heshtjen time
Kur jam vetem
Vecanerisht te shtunave.
Duke qare pa ze
Te dielave
Shtrydhem si nje re e ngarkuar
Atehere hyp mbi catine time
Kerkoj takim
Me Zotin.

E njeh dhe ai vetmine
Ka bere dhe ai
Idiotin.

Padyshim e mrekullueshme. Gjetje brilante. Kjo eshte, Gole, ate qe kishe lemsh ma hodhe mua, tani e mbaj une dhe s'di s'i ta heq. C'na ngarkon me keto ngarkesa kaq te renda, miku im!
Ne fund te poezive i le ato zavalle fije qe magjijojne e hidherojne e na lidhen si nyje gordiane per shpirti e s'ka Aleksander qe me nje te rene te shpates t'i zgjidhe.
Po ajo tjetra, e Librave, ato kater vargjet e fundit aq trondites;

S'i t'ia bej t'iu marr me vete
Ne ate bote te huaj

Nuk bej dot miq te rinj
Pa ndihmen tuaj.

Miqte! Zhuritur je per miqte, e di, po dyfish i do, perderisa ua perserit me vargje duke ju zbuluar pa ta kerkuar njeri ate shpirtin tend skandaloz, aq te prape, aq njerezor, sepse ti miku im luan vetem me te verteta qe jane shtate, qe nga e hena ne te diele, ca te verteta qe do te na benin t'ia hiqnim vetes me kohe, po na genjen mendja se nuk e paskemi thene ende dhe nje varg qe sapo na erdhi.. Per hir te ketij vargu heqim gjithe keto qe llafos ti.. heshtje, vetmi, parandjenje per atje me libra ngarkuar ne kerkim te miqve te rinj..

Je i parealizuar, i dashur, ende s'je plotesuar me ato hire qe zoti i madh i ka taksur per roberit e vet, sepse dhe ashtu i karfosur me kostum e kollare rri ne pritje te asaj qe ende s'ka mberritur, ashtu me rri ne pritje dhe asgje s'ndodh, sepse ti ke genjyer kaq shume sic genjejme te gjithe te kapluar prej frymes se shenjte qe na vjen kushedi se prej ku, dhe papritur thua nje te vertete te thjeshte, se ajo s'ka ardhur. Pastaj genjen per hir te ndjenjes qe e ke vetem ti, per hir te justifikimit hyjnor ( sa pak do poeti, prandaj s'ia varin se ai s'kerkon, i mjafton sajesa ) mbushet dhoma me aroma, ndonese ajo s'ka ardhur akoma. Pra eshte e sigurte qe do te vije.
Grigor Jovani ne pritje te se bukures. Ne pritje te perjetshme. Dhe ne kete pritje, i vjen poezia, i vjen poezia prej lart, se ai di te prese, aq bukur di sa vete zotat bejne meshe per te.
Keshtu ne kete pritje te asaj, i veshur dhender, sepse je poet dhe asaj i jepesh i plote si nje xhentellmen i vertete, ndodh te na presesh dhe ne ndonje nate kur Athina te digjet prej yjeve te vet dhe Akropoli te mos jete me prej henes se plote, ndonje nate, me ate bocen me libra ne dore per udhen matane ne kerkim te miqve te rinj..
 ROLAND GJOZA


GRIGOR JOVANI

Poezi

Re e ngarkuar

Tashmë e di kush qan netëve.
Kush vdes,
me një ëndërr të lënë përgjysmë
në cep të buzëve.
Kam mësuar të flas me heshtjen time,
kur jam shumë vetëm,
veçanërisht të shtunave.
Duke qarë pa zë,
të djelave
shtrydhem si një re e ngarkuar.
Atëhere hyp mbi çatinë time,
kërkoj takim
me Zotin.

E njeh edhe ai vetminë,
ka bërë dhe ai
idiotin.

Librat e mi

Si t’ia bëj,
t’iu marr me vete, kur do të iki?

Me ju në krah
ngrita mbi shpinë vetminë.

Prej jush,
më afruan njerëz të panjohur.

Më bënë vëlla të zgjedhur.

Pa ju,
nuk kisha për t’i njohur kurrë,

as sytë
nuk kishin për të më hedhur.

Si t’ia bëj t’iu marr me vete,
në atë botë të huaj?

Nuk bëj dot miq të rinj,
pa ndihmën tuaj.

Atmosferë

Të prisja
dhe ngjante ndërkohë,
si të kishe ardhur.
Kisha veshur kostumin e ri,
me kollaren time të dashur.
Brenda dhomës, duke të pritur
u bëra heshtje,
album,
pasqyra.
Këputa borzilok në ballkon
dhe nga vazoja me ujë
mbi tryezë
u mbush aromë
gjithë dhoma.
Të prisja dhe ishte
si të kishe mbëritur qyshkur,
ndonëse nuk kishe ardhur akoma.



Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου