Πέμπτη 8 Ιουλίου 2010

LLEMADEO (Ll. D.)

LLEMADEO është miku im i vjetër. Një mik, zërin e të cilit mund ta harrosh, për dhjetëvjeçarë të tërë, por fytyrën kurrsesi. As atë temperament të vrullshëm, si lumenjtë alpinë, atë shtat prej lisi malësie, atë karakter prej burri të maleve, që kur e thotë fjalën dhe kur të shtrin dorën, heshtin erërat dhe vënë veshin zanat e bjeshkëve. Ngaqë flet një burrë i vërtetë, një mik që, siç thuhet në viset e zemrave tona, “nuk të bën hasha kurrë...”.
Unë e kisha për fat ta bëja mik dikur, kur punoja me të vëllanë, Palin, në një gazetë të atdheut. Atëhere merreshe me folklorin... Një djalë i pashëm, gjithë jetë, që të bënte për vete me çiltërsinë dhe fisnikërinë e tij prej malësori. Ashtu kishte mbetur në mendjen time.
Pas njëzet e ca vjetësh, në kohëra krejt të ndryshme e në vende të krejt të huaja , u rigjetëm. Virtualisht, natyrisht, por ç’rëndësi ka? Kishte mbetur ai tharmi i vjetër i miqësisë në vetëdijen tonë, i cili kishte buitur filiza të rinj malli e miqësie. Një poemë të tërë më përkushtoi, në faqet e shtypit shqiptar të emigracionit dhe në internet, me rastin e një çmimi letrar, që më kishte dhënë një organizëm artistik (natyrisht, pa të drejtë, siç do të vraponte të ndërhynte me këtë rast, nga Nju Jorku, i treti i shoqërisë sonë të dikurshme, Vaid Hyzoti). Kështu u rilidhëm. Atëhere mësova se pas personalitetit të njohur të artit dhe jetës kulturore shqiptare në Gjermani, pas emrit të koduar LLAMADEO, fshihej miku dhe vëllai i mikut tim koleg të rinisë gazetareske në Atdhe. Poeti, publicisti, fotografi i mrekullueshëm, specializuar madje në shkollat gjermane, veprimtari i shquar i jetës patriotike që bëjnë bashkëatdhetarët tanë në këtë djep të rëndësishëm të kulturës perëndimore, në zemër të Evropës.

“Të paça, o këngëtar, me shpirtin fisnik,
si dikur, derte qamë, vargu yt malle më ndezi…
Qofsh mirë në Greqi, me fjalën e bukur shqipe,
që e përhap si rrezja e dritës,
me nje bukuri mengjezi!

Le të këndojmë së bashku, or mik i vjetër,

se ndoshta vesh i shurdhur do të dëgjoje një ditë.
Kjo botë e çmendur korrupsionesh, ku rrojmë,
prej fjalës sonë poetike,
ndoshta mund t’i hapë sytë!


Llemadeo,
22 Dhjetor 2006, Germany”.


Kështu e përfundonte LLAMADEO poemën që më kishte përkushtuar dikur. Nuk ma merrte mendja kurrë, se do më përkushtohej një ditë një poemë (!) Por hallall edhe teprimet e një miku të vjetër, gjersa u bë shkak të rigjeheshim, për të “kënduar bashkë”, siç na e dëshirojnë zemrat dhe filizat e reja të miqësisë, që flladitin jetën tonë të mëtejshme. Jetën tonë jo dhe kaq të lehtë...
I botova ciklin e mëposhtëm me poezi, në numrin më të fundit të “PEGASIT” - ia bëra surprizë, pasi poezitë ia zgjodha nga ciklet që kishte botuar në shtypin internetik - dhe ia nisa revistën në Gjermani me shënimin: “Po të dërgoj kalin tim fluturues, o vëlla. Shaloje dhe bëj një fluturim në qiejt e ëndrrës dhe shpresës. Paç erë të mbarë!”
Nuk më ka kthyer përgjigje. Ç’rëndësi ka? Mbase është duke fluturuar...

GRIGOR JOVANI
Athinë, korrik 2010



LLEMADEO (Ll. D.)
 
 
Cikël me poezi

BIOGRAFIA IME

Unë… thjeshtë unë!

Si një gjeth që e merr era,
si një kujtim që nuk harrohet,
si një mall që dhemb aq shumë,
si një det që s’rron pa lumë…

Unë pra, thjeshtë unë!

NUK DO TE NDODHE KURRE!

Do të shëmben male,
do të këndohen këngë për heronj,
legjenda të reja do të thuren...
Të tjerë do të bien ndër beteja,
dhe të rinj do të ngrihen përsëri...
Por kombin nuk ka mundur kurrë,
ta ngreje mbi shpinë,
i vetëm,
një njeri!

E DASHUR!

Shkuan vitet nëpër ne...
që nga koha jonë lozonjare.
Dielli shkon e vjen,
i njëjtë përmbi re...

Ndoshta ti
s’më harron për fare!

Zjarri ndezur rri në vatrën e vjetër...
Mbase prej së largu s’të duket as shkëndi,
por ah, që ta shohësh dritën e flakëve,
moj zemër,

do të digjem një ditë,
m’u në mes të tij.

KESHTU QENKA JETA...

Në mesnatë është aq terr…
Mëngjezit dritë e plotë na mbështjell.
Por ne, të zgjuar nuk jemi gjithnjë,
ndaj shqetësimi në krahë na merr.

Ti vjen tek unë, unë tek ti vij…
Nëpër udhët imagjinare, mbi male e qytete…
Por në mbrëmje më mungon, si dhe unë ty,
kjo është çudia e kësaj jete!

U THANE...

U thanë të tëra, nga ti... nga unë,
u tha se s’jam,
as nuk do të jesh më...
As ëndrra,
që aq na mbajti në të ankthit gjumë,
sa herë, nga të dy anët,
nuk dëgjohej zë!

QYTETI

Qyteti u zgjua vonë atë ditë,
se pas mesnatës kish rënë në gjumë,
lodhjeve ish këputur,
udhëtarë duke pritur,
por ndër ta nuk ishe,
më kot prita unë!

DIKU...

Diku një pllakë e thyer,
një mur i vrarë,
diçka e shtrembër, e gërrvishtur...
Ndërsa prapë ata,
vinin si më parë,
si tregtarë që blejnë...
kur skanë për të shitur.

ERDHE

Ti erdhe,
por shkove ashtu pa pritur,
si një erë vjeshte, që fshin çfarë ka rënë,
duke i marrë përpara,
vajetimesh në të gërrvishtur...
çfarë qe e thënë dhe e pa thënë.

PO DITE...

S`ka fuqi me të madhe
se Mënçuria!
S`ka armë më të fortë
se Durimi!
Po dite që t’i mbash,
të shkojnë që të dyja,
dhe do të shquhesh
si më i miri!

2 σχόλια:

  1. I dashur mik e vlla Grigor!
    Jam Llemadeo, te shkruaj nga Germany!

    Te falenderoj shuuume per kete Surprize te kendshme qe me ke bere!
    E ti e din pse e perdor neper botime emrin tim Artistik Llemadeo, sepse ai qe me ngjiti babai eshte i bdirshte ne goje te vajzave te bukura, e ai qe me ngjiti Nena me mbet emer shpirti... hahaha!

    Me gezove por dhe me bere te skuqem or mik, pasi une jam nje nje krijues i thjeshte, vertete nje Malsor i alpeve te Dukagjinit jam dhe te falenderoj qe me ke kujtuar pikerisht per ato vlera hyjnore te Dukagjinasve te vertete, por me ke shti borxh or Burre i Dheut, se une e kam mbajte Besen gjithmone, por dikur kur ishim aq te rinje, kishte lezet me ta dhane fjalen ty, se dhe ti ishe Fisnik i Jugut po aq besnik dhe njeri me shpirt te paster qe te buzeqeshte ne fytyre cdo gje njerzore e bukur!
    Eh, sot mik i mire, ska me vlere Besa te shume shqiptare, as fjala e shpirtit jo, por cte bejme, keshtu erdhen kohet, lum kush do te shpetojne pa humbur keso jete si shpirt, se si mish Dhe kena me u ba te tane nje dite...!

    Te jam shume mirnjohes per cdo fjale, edhe pse po te me kishe pyet, mbase ciklin me poezi do ta kisha dhane vizen, hahaha, por pershkrimi me duket se mos po ma marrin sikur une te kam thane me shkrue gje per mua o mik!
    E pasha Besen, me beso se vetem sot me daten 9 Gusht 2010 po te lexoj, e te kerkoj shume falje per kete pakujdesi. Por edhe sot rasteisht e gjeta kete shkrim ne google duke pare thjeshte rreth emrit tim Llemadeo!

    Te jam shume mirnjohes dhe te uroj shume suksese ne punen tende krijuese, atdhetare e kulturore, qe si gjithmone e ke bere cdo gje me shpirt te paster dhe ke qene nje nder djemte me te mire qe kishte Shqiperia ne fundin e viteve 1980!

    Te kujtoj me rrespekt miku im i mire!
    Me ndjej per vonesen, por kam pase pune e halle or mik, pasi emigracioni po na bren pak e nga pak cdo dite!
    Juaji e me ju
    Llemadeo

    ΑπάντησηΔιαγραφή