Δευτέρα 28 Φεβρουαρίου 2011

Këto shkruheshin para 100 vjetëve!


Tek gërmoja përpara disë ditësh, për një punën time, në Arkivin e gazetës athinjote “ESTIA”, sigurisht më e vjetra (117 vjeçare) dhe mbase më seriozia në të gjithë historinë e shtypit grek (edhe sot e kësaj dite, ka mbetur, në kundërshti me rrjedhën, në formën e saj të parë, me pak faqe, të mëdha, thuajse vetëm me 3-4 fotografi, pa reklama dhe, ç’është më e habitshmja, shtypur me radhitje në po ato shtypshkronjat e përpara një shekulli të gazetës, pranë Parlamentit të Vjetër, në qendër të kryeqytetit), më ra në sy emri i Pavlos Nirvanës, pseudonimi letrar i poetit dhe gazetarit të shquar athinas të fillimshekullit, Petros Apostolidis (1866-1937).
Nga kureshtja, i hodha një sy artikullit që mbante firmën e tij dhe pashë që s’ishte thjesht një shkrim publicistiki atij poeti dhe artikullshkruesi të shquar, mik i ngushtë me kolosë të tillë të letrave helene, si Kosti Palamas dhe Aleksi Papadiamanti. Do ta quaja më shumë një shkrim letrar. Nga ato që vetëm letrarët-gazetarë mund të shkruajnë dhe vetëm ata.
Ajo që më bëri më shumë përshtypje, aq sa nuk u besoja syve dhe kontrollova përsëri datën e atij numri të “ESTIA”-s, që kisha në duar, ishte fakti se nuk do të habitesha aspak, nëse ai shkrim do të ishte botuar në numrin e mëngjesit të ditës që jetoja,  shkruar një mbrëmje më parë, prej njërit nga artikullshkruesit e tanishëm të kësaj gazete. Gjithshka ishte kaq aktuale.  Siç ishte tejet bashkëkohëse edhe tema e këtij shkrimi: ndërvarja absolute e mendimit publik prej medias, ndikimi absolut i këtij “pushteti” të fuqishëm - shtypit - mbi masat.
Pra, për t’u siguruar që nuk bëja gabim, hodha sytë në datën e asaj gazete. Në krye të faqes së parë ishte shënuar kjo datë: 22 shkurt 1911.
Këtu e njëqind vjet, asgjë nuk kish ndryshuar!                
GRIGOR JOVANI

***

PAVLOS NIRVANAS
Nga Arkivi i gazetës greke “ESTIA”



Pa gazeta

- Ç’të reja? - më pyeti dje në agim fqinji im, me të cilin fati më luan trukun djallëzor të daljes bashkë, çdo mëngjes, nga shtëpia.
Pyetjet e tij e tij më vinin gjithmonë në vështirësi. Nganjëherë nxirja nga xhepi gazetën e mëngjesit, të cilën e kisha përpirë në krevatin tim, përpara kafesë dhe cigares sime të parë dhe ia falja bujarisht:
- Lexo të mësosh!
Mernim tramin, ai lexonte, duke përtypur vazhdimisht buzët, kurse unë rrija i qetë.
Dikur, më pyeste, për mirësjellje:
- E studiove për vete?
- E studiova! - i thoja thatë-thatë. - E falur...
- Atëhere, do ta marr ta studioj me qetësinë time.
Dhe e raste në xhepin e tij. Nuk u përpoqa të mësoj kurrë, përse ai njeri “i studionte” gazetat dhe nuk i lexonte, si gjithë bota tjetër. Ose mbase ishte thjesht një shprehje. E sigurta ishte, se me gjestin bujar të faljes së gazetës, iu shpëtoja sulmeve të tij të përditshme steriotipe dhe të mërzitshme:
- Ç’të reja?
- Merre të lexosh...

***
Dje, ama, më vuri në një gjendje më të vështirë akoma:
- Ç’të reja?
Vura mekanikisht dorën në xhepin tim, atje ku mbaja gazetën.
- Vërtetë! Sot nuk kemi gazeta.
Fqinji im gozhdoi sytë e tij përsipër meje. Më “studionte”, si të isha një gazetë. Vetëm se nuk përtypte buzët.
Pas pak, më tha:
- Nuk mësove, domethënë, asgjë? Ti që je brenda gjërave... aty, në qendër...
- Ç’të mësoj? Në ditë të tilla, ç’të mësojë njeriu? Të gjitha janë të mbyllura, ministritë, zyrat, gatetat...
- Të jenë qetësuar gjërat, me siguri?
- Besoj. Ç’dreqin!
- Për gripin, ç’thuhet? Thua të jetë pakësuar?
- E... mbase... Boll mbajti!
- Nuk dimë, se nëse mjaftuan vaksinat... siç thoshin...
- Do kenë mjaftuar. Nuk bëheshe ndryshe. U bë problem...
- Nuk mësuam, vërtet... Ku të ketë shkuar dje, zoti Edu! Cilën zonë, vallë, të ketë inspektuar?
- Diku do ketë shkuar.
- Jam kurioz të mësoj, vërtet, si i priti provinca masat e reja ekonomike. Do jenë bërë gati, patjetër, reportazhet dhe komentet reth tyre.
- Kështu besoj.
- Do t’i shikojmë në darkë.
- Sigurisht.
- Si të duket, vërtet, programi i ri ekonomik i Qeverisë?
- Ty si të duket?
- Ku di dhe unë... Nuk e “studiova” mirë-mirë akoma.
Kishim mbërritur, siç e kuptoni, tek artikulli kryesor. Fqinji im nuk kishte “studiuar” kryeartikullin e djeshëm, kështu që idetë e tij filluan të lëkunden. Ishte katandisur të mos kishte asnjë ide. Mbeti për një kohë i heshtur. Bënte përpjekje të mëdha të organizonte në mendjen e tij idetë e kryeartikullit të pardjeshëm, por, siç duket, nuk ia arriti.
- Në fund të fundit, këto janë çështje të holla, - tha. - Le t’i “studiojnë” specialistët. Rëndësi ka që mua nuk më shtohen taksat. Më duket, se shpëtoj edhe njëqind dhrahmi nga qeraja e shtëpisë. Apo jo?
- I shpëton, vërtetë!
- Më jep cigaret e tua tani...
Dhe fërkoi gjithë kënaqësi duart.
- Nuk dolën sot.
- Cigaret, o vëlla. Jo gazetën. Je, siç shoh, i hutuar, edhe ti...
- Urdhëro. Më fal..

***
Këto ndodhin, - thoja me vete, - kur nuk dalin gazetat! Të shikojmë çdo më kërkojë akoma, ky njeri i padurueshëm...
Veçse, Perëndia Rastësi nuk bën gjumë. I rregullon të gjitha. Dikush nga ndenjësia para, hapi një çantë dhe prej saj ra poshtë një gazetë. Ishte një gazetë e vjetër, e zverdhur nga koha, gjysmë e grisur, ku në faqen e parë i dallohehin ca shkronja të mëdha tek vendi i kryerartikullit: Shpallja e Qeverisë së re. “Studiuesi” i gazetave hidhte vështrime lemargjike mbi faqet e zverdhura. Pastaj vështroi me kujdes përreth dhe, pasi u bind se nuk e shikonte njeri, u përkul dhe e rrëmbeu gazetën, ma atë përkushtimin që mbledh duhanxhiu i sëmurë bishtat e hedhura të cigareve në bulevard. E palosi dhe filloi ta lexonte përshpëritmas, duke përtypur buzët. U ktheva dhe e pashë.
- Ej! Gjete ndonjë të re?
- Jo, more! Por gjeta një artikull, që nuk e kisha... “studiuar”.
Dhe vazhdoi kështu “studimin” e tij.
PAVLOS NIRVANAS

Përktheu nga origjinali:
GRIGOR JOVANI

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου