Παρασκευή 18 Φεβρουαρίου 2011

Risi në artin e aktrimit - LEFTER SIMONI -

 MIHO GJINI
Mjeshtër i Madh

Risi në artin e aktrimit

As që mund ta merrja me mend se pas 30 vjetësh,  “shtëpisë mbi rota”  në periferi të Athinës, kthinës sime të famshme me llamarina e pa themele betoni, do t’i afrohej një kamion i vogël, mbushur me shkronja evidente e figura shishesh, do të pasonte një bori çjerrëse e unë do të shihja duke zbritur nga shkallarja e portës së shoferit një mjekrosh të panjohur. Vetëm buzëqeshja e tij e çiltër, ngrohtësia e syve dhe balli i gjerë zbutën kujtesën time të lodhur nga vitet e mundimshme, për të njohur përtej tre dekadave ish nxënësin tim, imcakun e dikurshëm, Lefter Simonin. Përqafimi i malluar i dy emigrantëve, pas së papriturës së këndshme dhe valës së ngrohtë të emocionit, m’u bë se ngrinë në ajër flokët e dëborës, që kishte filluar të binte atë mëngjes.
LEFTER SIMONI

Viti 2000

Edhe atë mbrëmje dimri të fillimshekullit të ri, nëpër rrugët e ngushta në brendësi të Athinës binte dëborë. Në stendën e vogël të teatrit “Fanari”, për habinë e kalimtarëve grekë qe mbërthyer një afishe e shkruar si me ngut, në gjuhën shqipe: “Aktor - regjisori shqiptar Lefter Simoni del përpara bashkatdhetarëve të vet emigrantë me shfaqjen “Ndyrësira”, monodramë e austriakut Robert Shnajder”.    
Diçka e pazakontë. Një guxim i rrallë. Si mund të vinin gjer këtu, në zemër të Athinës, emigrantët, pa kartat e identitetit në xhep, kur  fshesa policore greke vazhdonte të bënte kërdinë?! I lajthitur qe vallë, ky Lefter Simoni, që duke qenë edhe vetë  ilegal  mes ilegalësh, kish ndërmarrë këtë nismë çmendurie: kishte sjellë në skenë, bile që të flasë shqip, këtë shëmbëlltyrë të jetës së emigrantëve të pambrojtur?!
Megjithatë, në vazhdë të çudive që thashë më lart, salla e vogël e “Fanarit”  ishte mbushur aq shumë, sa  të përbuzurve emigrantë u merrej fryma. Aty do të mungonte vetëm autori i këtyre radhëve, që s’mundi ta mësojë në kohë këtë ngjarje të madhe artistike për shqiptarët emigrantë, të parën këtu në Greqi (Lefteri më tha më vonë, se po më kërkonte me gulm nga skena, teksa luante rolin e tij), por do ta mësonte disa ditë më vonë, nga vetë protagonisti, pikërisht në barangën mjerrane në periferi të Athinës.
Kishte ndodhur një mrekulli. Ai, Lefteri i imët dhe i ndrojtur i viteve 70-të, tashmë i burrëruar edhe ai nga peripecitë e mërgimtarit, kishte arritur atë që para pak kohëve, as që guxonim ta mendonim ne, njerëzit e artit të ardhur  klandestinë  nga Shqipëria: kishte dhënë shfaqjen e parë në gjuhën shqipe. Atëhere, më tha diçka që më mallëngjeu, që nuk mund ta harroj: gëzimin e suksesit donte ta ndante me ish pedagogun e tij, përmes lotëve të nxehtë të malluar, atë ditë fillimshekulli, gjatë atij takimi mes dëborës që binte, kur flokëzat e bardha që binin nga qielli bënte të dukeshim më të thinjur ne, tokësorët.

Tre role të kundërt

Një vit më pas Lefteri do ta rijepte këtë shfaqje në Teatrin “Melina Mërkuri”  të Koridhalosë. Përveç emigrantëve të thjeshtë, do të vinin për ta parë shumë miq e shokë, aktorë dhe regjisorë bashkëatdhetarë, që i kishte hedhur këtyre anëve fati i përbashkët i mërgimtarit. Në sallë, për habinë tonë, kishte edhe shumë grekë, njerëz të artit, të shtyrë mbase nga kureshtja e së panjohurës. Ndonëse nuk kuptonin gjuhën që flitej në skenë, kuptonin, megjithatë, gjuhën dramatike të interpretimit, si edhe mjeshtërinë regjisoriale. Kryebashkiaku i Koridhalosë, menjëherë pas shfaqjes, kishte hypur në skenë dhe ishte deklaruar mik i shqiptarëve. Metamorfoza ishte kryer.
Dhe nuk ishte e rastësishme, që fill pas kësaj premiereje, aktorët shqiptarë, të pranishëm në këtë ngjarje të rëndësishme artistike, ndjenë nevojën e një streheje të përbashkët artistike. Doemos, që Lefter Simoni, do të zgjidhej në krye të kësaj shoqate.
Vetëm atëhere do të mësoja se ish studenti im, për të ardhur gjer këtu, kishte akumuluar një bagazh të tërë krijimtarie. Në Vlorë, por edhe gjetkë. Në repertorin e tij do të radhiteshin disa role të spikatur në teatër, shumë spektakle do të kishin firmën e tij regjisoriale, si edhe mjaft veprimtari të kulturës masive.
Interesat krijuese të një njeriu të teatrit nuk përfshijnë vetëm skenën, por një gamë më të gjërë jetësore. Një jetë pasionante, këmbëngulëse. Nga e tëra kjo shtrirje, unë do të veçoja tre nga rolet që kanë spikatur gjer më sot në krijimtarinë e tij, si tre mbështetje kulmore, që mbajnë  tavanin  e qiellit të tij,  që i kanë krijuar portretin artistik. Janë: farmacisti Leon, emigranti  Sad dhe historiani shqiptar Vasjan.
Farmacisti Leon është një figurë komike, skalitur mjeshtërisht qysh në fillimet e karrierës së tij të aktrimit, fatmirësisht nën regjinë e kryemjeshtrit të skenës shqiptare, Pirro Manit dhe Vangjush Furxhiut. Në komedinë brilante të Viktor Eftimiut “Njeriu që pa vdekjen me sy” ka dy personazhe kryesorë: vagabondi dhe Filimoni. Ato udhëheqin veprimin skenik. Por ç’ndodh në të vërtetë? Në këtë shfaqje-diplomë të Akademisë së Arteve të Tiranës (që u dha disa herë edhe në skenën e Teatrit Kombëtar), Leoni i Lefter Simonit merr një vlerë parësore, ngaqë vizatohet si një portret origjinal, që ngacmon pa rreshtur dhe mban gjallë frymën e komedisë. Ky interpretim, krahas atij dinjitoz të Spiro Dunit në kryerolin e vagabondit, janë krijime që mbeten, ngaqë në to ndërthurret talenti me punën pasionante.
Tek "Njeriu që pa vdekjen me sy", në rolin fantastik të Leonit
Leoni i Lefter Simonit është një dhelpër dinake, kurdoherë në përgjimin e gjahut të vet. Ka një shikim të mprehtë, reagime të menjëhershme dhe impulse konfliktuese. Ai nuk është një "hije e moçme" , siç e quan Filimoni, por një kafshë grabitqare, që pret çastin e duhur të tregojë rrezikshmërinë e saj. Kemi të bëjmë me një partner të denjë, po kaq të rrezikshëm, që mban ndezur kaminën e zjarrit  të komedisë. Është po ky Leon, që do të pranojë riskun e triumfit mbi të gjithë, si çjerrës i maskave dhe zgjidhës i konfliktit.
Lefter Simoni, me këtë interpretim brilant, spikat e mbahet mend, diç më tepër, do të thosha, nga të dy protagonistët me emër.
Emigranti  Sad nga Iraku (një aludim krejt i qartë për fatin e njëjtë të bashkatdhetarëve emigrantë shqiptarë), që  shet krahët e tij në një qytet evropian, në dramën e austriakut Shnajder është një figurë skenike krejtësisht e ndryshme nga ajo e Leonit të Eftimiut. Përmasat dramatike të këtij personazhi janë thuajse tragjike. Emigranti Sad, i ardhur nga Arabia për t’u punësuar në fanarët e udhëve të Evropës, drita jeshile e të cilëve është vështirë që të hapet ndonjëherë për të, është një njeri i përbuzur, gati i humbur dhe i harruar edhe nga Zoti vetë. Është i vrarë nga jeta, i cfilitur nga dhimbja njerëzore, por jo pa dinjitet. Si emigrant që është i thërrasin Sad, që do të thotë: i trishtuar, i lodhur. Nuk janë të gjitha këto kaq të afërta për ne?
Në rolin e Saad-it, tek "Ndyrësira" e R. Shnajder, ku Simoni u laurua me çmime ndërkombëtare.
Por akoma më të afërta i bën të gjitha këto loja mjeshtërore e Simonit, që e zbërthen gjer në detaje karakterin që interpreton. Asgjë nuk është e pamenduar tek kjo figurë aktrimi, gjithshka është hulumtuar dhe zbatuar me përpikmëri në skenë nga aktori i talentuar.
Ky shitësh lulesh i Lefter Simonit, që e kërkon mbijetesën tek fanarët e kryqëzimeve të qyteteve moderne evropiane, që mezi pret të çelet drita e kuqe që të ndalet lumi i makinave, për të reklamuar llojet e karafilave të tij, ka një dinjitet ca më të dukshëm, se i atyre që i hedhin dy cent për lëmoshë dhe e përbuzin si qënie inferiore. Aktori e shndërron të parëndësishmin Sad në një figurë të ngrohtë dhe simpatike, krejtësisht të veçantë dhe origjinale.
Në finale, ky rol përcjell një mesazh drithëronjës. Shndrrohet në një simbol antiracist, në një hymn thellësisht njerëzor, që shpaloset edhe sot e kësaj dite udhëve të botës, për dinjitetin, barazinë shoqërore dhe mirëkuptimin midis njerëzve.
Së fundi, dua të bëj fjalë për një rol akoma më të ndryshëm të Lefter Simonit, kësaj here në kinema, ku transformimi i aktorit është më i plotë se kurdoherë. Fjalën e kam për rolin e historianit Vasjan,  personazh i filmit të suksesshëm të Gjergj Xhuvanit  “I dashur armik”, bashkëprodhim shqiptaro-franko-gjerman. Një figurë intelektuali shqiptar të viteve të luftës antifashiste, që përjeton dhe regjistron faktet historike të kohës së tij. Një vëzhgues disi pasiv. Në këtë ndërrim dramatik raportesh dhe realitetesh, ai nuk flet shumë, lëviz si hije. Ngjan se vetë e ka zgjedhur këtë pozicion, ngaqë i duket vetvetja i huaj për kohën që rron. 
Në rolin e Vasjanit, tek "I dashur armik" i Gj. Xhuvanit
 Megjithatë, është një figurë mjaft e spikatur. Të tillë e bën loja e thellë e Lefter Simonit. Më shumë se çdo herë tjetër, ngjan se ky rol i përshtatet. E përjeton dhe bëhet njësh me të. Dhe nëse kujdesi regjisorial do të ishte paksa më i madh për këtë figurë kaq të rëndësishme, për vetë mesazhet që kërkon të përcjellë filmi, atëhere - ky është mendimi im  - mbase roli do të ishte akoma edhe më i spikatur.
Ndihet qartë se një rrëkëllimë e madhe ndodh brenda shpirtit të historianit Vasjan. Kjo gjë kulmohet në finale, ku sytë tmerrsisht shprehës të Lefter Simonit, shprehin me një agoni prej orakulli, dramën e ardhshme të asaj bote që sapo lind.
Tre figurat e mësipërme, të dalë nga laboratori krijues i këtij njeriu të talentuar të skenës, ngaqë nuk ngjajnë aspak me njëra-tjetrën, të duket se janë luajtur nga aktorë të ndryshëm. Transplantimi është mjeshtëri e veçantë në artin e aktrimit. Kërkojnë talent, por edhe shumë punë për të arritur suksesin. Lefter Simoni i ka të gjitha.

“Zum” mbi portretin e krijuesit

Në repertorin e këtij aktor-regjisori, nga më të talentuarit e brezit të tij, mund të gjesh edhe një film me metrazh të shkurtër ( “Fëmijët me krahë të drunjta") dhe një dramë njëaktëshe, si ajo e Çehovit (“Kënga e mjelmës”), të interpretuara me të njëjtën korrektësi profesionale, por pa lënë gjurmët e krijimeve të mësipërme.
Duke e ndjekur Lefterin nëpër festivalet teatrore ballkanike e në të tjera ndërkombëtare, unë jam bërë njëkohësht dëshmues edhe i ngadhnjimit të tij mbi amullin që ka pushtuar skenat e vendit të vet, ku janë rikthyer amatorizmi dhe mediokriteti.
Çmimet dhe vlerësimet, madje edhe ndërkombëtare, nuk i kanë munguar Simonit. Por ai vë mbi gjithshka disa kujtime të paharruara, që kanë të bëjnë me vlerësimin, që i kanë bërë kohë pas kohe   idhujt e tij të dikurshëm, tashmë kolegë të ndritur të skenës.
Duke i dorëzuar diplomën speciale të Festivalit të Fierit, i madhi Kadri Roshi, aty, përsipër skenës, e puthi në ballë dhe i tha:  “Në skenë je shumë i vërtetë,  je organik. Të lumtë!”  Kurse Artistja e Popullit, Margarita Xhepa, shtoi: “Duke të ndjekur ndjeva kënaqësi si aktore, si qytetare, si shqiptare”. I tillë ishte edhe vlerësimi i Violeta Manushit:  “Ndjej krenari për djem si ty. Teatri është në rrugë të mbarë”. Për të përfunduar me prof. Josif Papagjonin:  “Lefter Simoni është aktor tepër premtues e pretendues, që krijon emocione të forta”.

***


Në Athinë, pas premierës së "Sokratit",  ku L. Simoni luajti në greqisht rolin e rrëfyesit,
si edhe me të dërguarit e "Pegasit", O. dhe G. Jovani, gjithashtu miq të Simonit.

Pas çdo udhëtimi pune, në Atdhe por edhe gjetkë, Lefter Simoni u kthehet përsëri udhëve të Athinës, të cilat i shkel përditë me atë kamionin e tij të punës. Dhe ashtu siç u ndodh të gjithë krijuesve, udhëton dhe mendon për artin e tij.

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου