Δευτέρα 28 Φεβρουαρίου 2011

ALBANA MELYSHI - LIFSCHIN Dje preva flokët…



Grigor Jovani dhe Albana Mëlyshi, pranverë 2009
Tinguj, që duke u bashkuar në formë, bëjnë një muzikë të magjishme.
Rreze, që duke u shkëputur nga hëna, vëjnë në gjumë dashnorët,
 që mallkojnë gjumin.
Fjalë, që duke u mbështjellë me metafora, tingëllojnë si përrallë në veshët e fëmijës.
Shpirt, që duke u zhveshur përpara aktit më të shenjtë, krijimit,
zbulon hire të mrekullueshme.
Sekrete, që duke u përshpëritur ëmbël, me delikatesën e gruas,
zbulojnë shumëkendshmërinë femërore.
Dhe poezi. Shumë poezi. Poezi e krijuar, duke mos dashur të bësh poezi,
por thjesht një këngë nën buzë.
Poezia e Albana Mëlyshit!
Aferim, moj mike! Dhe, njëkohësisht, mëkat. Si nuk të vjen keq,
që na bën të kujtohemi, se nuk jemi më për këto këngë...
Apo mos jemi?

GRIGOR JOVANI

Këto shkruheshin para 100 vjetëve!


Tek gërmoja përpara disë ditësh, për një punën time, në Arkivin e gazetës athinjote “ESTIA”, sigurisht më e vjetra (117 vjeçare) dhe mbase më seriozia në të gjithë historinë e shtypit grek (edhe sot e kësaj dite, ka mbetur, në kundërshti me rrjedhën, në formën e saj të parë, me pak faqe, të mëdha, thuajse vetëm me 3-4 fotografi, pa reklama dhe, ç’është më e habitshmja, shtypur me radhitje në po ato shtypshkronjat e përpara një shekulli të gazetës, pranë Parlamentit të Vjetër, në qendër të kryeqytetit), më ra në sy emri i Pavlos Nirvanës, pseudonimi letrar i poetit dhe gazetarit të shquar athinas të fillimshekullit, Petros Apostolidis (1866-1937).
Nga kureshtja, i hodha një sy artikullit që mbante firmën e tij dhe pashë që s’ishte thjesht një shkrim publicistiki atij poeti dhe artikullshkruesi të shquar, mik i ngushtë me kolosë të tillë të letrave helene, si Kosti Palamas dhe Aleksi Papadiamanti. Do ta quaja më shumë një shkrim letrar. Nga ato që vetëm letrarët-gazetarë mund të shkruajnë dhe vetëm ata.
Ajo që më bëri më shumë përshtypje, aq sa nuk u besoja syve dhe kontrollova përsëri datën e atij numri të “ESTIA”-s, që kisha në duar, ishte fakti se nuk do të habitesha aspak, nëse ai shkrim do të ishte botuar në numrin e mëngjesit të ditës që jetoja,  shkruar një mbrëmje më parë, prej njërit nga artikullshkruesit e tanishëm të kësaj gazete. Gjithshka ishte kaq aktuale.  Siç ishte tejet bashkëkohëse edhe tema e këtij shkrimi: ndërvarja absolute e mendimit publik prej medias, ndikimi absolut i këtij “pushteti” të fuqishëm - shtypit - mbi masat.
Pra, për t’u siguruar që nuk bëja gabim, hodha sytë në datën e asaj gazete. Në krye të faqes së parë ishte shënuar kjo datë: 22 shkurt 1911.
Këtu e njëqind vjet, asgjë nuk kish ndryshuar!                
GRIGOR JOVANI

Σάββατο 26 Φεβρουαρίου 2011

Poezitë e shkurtit (Pjesa e dytë)


GRIGOR JOVANI

Vëndi im

Nuk është thjesht
një emër vendi.

Është gardh resh,
që hapur rri.

Ngaqë shqipet
hyjnë e dalin,

i thonë Zotat:
Shqipëri!

Παρασκευή 18 Φεβρουαρίου 2011

Risi në artin e aktrimit - LEFTER SIMONI -

 MIHO GJINI
Mjeshtër i Madh

Risi në artin e aktrimit

As që mund ta merrja me mend se pas 30 vjetësh,  “shtëpisë mbi rota”  në periferi të Athinës, kthinës sime të famshme me llamarina e pa themele betoni, do t’i afrohej një kamion i vogël, mbushur me shkronja evidente e figura shishesh, do të pasonte një bori çjerrëse e unë do të shihja duke zbritur nga shkallarja e portës së shoferit një mjekrosh të panjohur. Vetëm buzëqeshja e tij e çiltër, ngrohtësia e syve dhe balli i gjerë zbutën kujtesën time të lodhur nga vitet e mundimshme, për të njohur përtej tre dekadave ish nxënësin tim, imcakun e dikurshëm, Lefter Simonin. Përqafimi i malluar i dy emigrantëve, pas së papriturës së këndshme dhe valës së ngrohtë të emocionit, m’u bë se ngrinë në ajër flokët e dëborës, që kishte filluar të binte atë mëngjes.
LEFTER SIMONI

Πέμπτη 17 Φεβρουαρίου 2011

“Poezitë e shkurtit”

GRIGOR JOVANI


Cikli më i ri i poezive

Tani...

Ditët
i jetoj këtu,
në Athinë.

Netëve,
bredh Shqipërinë.