Τετάρτη 20 Οκτωβρίου 2010

Afër dhe larg... - LEFTER SIMONI - Regjisori dhe aktori.


Lefter Simoni
Më të shkuar, ai më qeshi. Më bëri dritë e qeshura e tij, këtë muzg dimri, në Pellgun e Atikës, diku në një kryqëzim rrugësh... Tek kundroja rrjedhën e gjatë të automjeteve, në pritje të kalimit me “jeshilen”, më thirri në emër. Më befasoi me thirrjen entusiaste, me buzëqeshjen e çiltër, me të tundurën energjike të dorës së zemrës, nga kabina e një furgoni të bardhë dhe i mëshoi gazit...
Ç’të bënte tjetër? Nuk frenonte dot. S’mund ta mbante peng gjithë atë lumë të zhurmshëm, të shpejtë, të nxituar. Humbi tej, me duart të shtrënguara në timon, me sytë të përqendruar në asfalt, me mendjen ëndërruese në skenë...
           Artisti - shofer!
           Aty për aty, në lëmin e mendjes, mblodha një për një duajt e kujtimeve për të, kujtime të përmallshme, kujtime të paharruara, për Lefter Simonin.
          
Sos e njoha sot!
           Që në fillim të viteve tetëdhjetë, sy më sy, me shumë përzemërsi, shkëmbyem duarshtrëngimin e parë - maratonomak i një miqësie tepër të sinqertë...
Në Pire, duke shëtitur në Pashaliman, ku banon
Me ish regjisorin e talentuar të Pallatit të Kulturës të Vlorës më lidhi sektori ku punoja prej vitesh. Me artistin e buzëqeshur vlonjat - shembull i sedrës vetmohuese, kushedi sa herë jemi takuar nëpër mbledhje, konkurime, festivale a seminare. Kohë e gjatë bashkëpunimi, shkëmbime përvoje e dhënie ndihme, me emocione e mbresa të pashlyera...
           Si shumë e shumë herë të tjera, në fund të shtatorit të vitit 1988, kishte ardhur në Himarë për t’u dhënë bashkërisht dorën e fundit përgatitjeve të grupit të ri polifonik, i cili me këngën “Thëllëzë që shkel mbi vesë” do të paraqitej në Kalanë e Festivalit të Gjirokastrës. Pas provave, sa të lodhshme, po aq të këndshme, me mikun dhe kolegun tim më të mirë, në orët e vona të mbrëmjes, lamë skenën dhe u ulëm, tek për tek, të pinim një kafe përzemërsie, tek lokali në buzë të detit. Në pritje të filxhanit të kafesë, që do të shëqërohej me gotën e rakisë karakteristike himariote, Lefteri (që në greqishten përkon me fjalën “ i lire”) i hodhi sytë matanë, te deti i dritave të shtetit fqinj.
           -         Korfuzi? - më pyeti, me një nënqeshje të zgjuar, tërë nënkuptime.
           -         Po! - iu përgjigja, duke hedhur sytë rrotull.
           -         Sa afër dhe sa larg! - i rrokëzoi fjalët në meditim, me zë të ulët, gati në pëshpërimë.
E, bela! Pse ta fsheh, më friku me atë thënie. Paçka se Lefter Simoni, ashtu si sot, edhe atëhere ishte njeri i përkushtuar i djersës dhe njerëzit llërëpërveshur s’ua kanë ngenë atyre punëve të provokimeve, prapë se prapë, në fraksionin e sekondës, shprehja lakonike "sa afer dhe sa larg” më vuri korentin në çdo qelizë e ind të trurit. Frika ruan vreshtat, thotë populli. Në fakt, vreshtat tona, si ato të Lefterit dhe të miat, ishin parcelat skenike, ku hidhnin shtat veprimtaritë e shumta kulturore dhe artistike.
Më çliroi disi ardhja e tabakasë...
          -         Spektakël të suksesshëm e kishe shfaqjen me poezinë e sotme arbëreshe, të cilën, pak kohë më parë, ta mirëpriti gjithë Vlora, - i dhashë tjetër monopat bisedës. – Bukur e kishe menduar edhe titullin e spektaklit, “AFER DHE LARG”.
               Pa folur, Lefteri ngriti gotën e rakisë. “Tring”, ia bëri qelqi.
            -         Kristal i paçim përherë zemrat! - uroi ai. Fytyrën e pashme ia përshkoi një e kuqur fisnikërie.
“Lefteri, siç themi këtu, në Himarë, është djalë i kuqur”, e kishte cilësuar kështu atë mbrëmje, gjatë provave, Dhimitër Varfi, bardi i paaritshëm i këngës himariote, tek u dorëzonte stafetën të rinjve, në gjysmëharkun karakteristik. Pastaj Lefteri, me një ëmbëlsi prekëse, përqafoi kryemjeshtrin e Polifonisë së Jugut. 
-         Kur kuqet artisti, - buzëqeshi me një përskuqje të re turpi dhe emocioni Lefteri, pa ia hequr dorën artistit popullor himariot, - kjo i buron nga brendavetja, ku mban ngjyrën më të shtrenjtë për jetën, atë të gjakut, të dashurisë së shenjtë për njerëzit. Kjo dashuri është përfaqësuar denjësisht nga kënga juaj, si bij të popullit...
Si bir i popullit i ka hedhur kurdoherë hapat në jetë dhe në skenë Lefter Simoni.
Erdhi në dritën e kësaj bote të trazuar një ditë të ftohtë janari, të vitit 1958. Baltrave të Llakatundit i ka gjurmët e fëmijërisë së tij, këmbëzbathur. Pa i mbushur mirë të dhjetë vitet e para të jetës, si zog zëbukur cicëroi në skenë me recitimet e tij. Nis kështu për aktorin dhe regjisorin e ardhshëm maratona në art...
            Kryen shkollen e mesme te Kultures ne Tirane per Regjisor- aktor e me pas diplomohet si profesionist ne Akademine e Arteve te Bukura, ne vitin 1983.
 Filloi ushtrimin e profesionit, së pari në Televizionin Publik Shqiptar dhe më pas në Teatrin e Vlorës. Pas disa vjet pune ne kete teater, papritur nje ''vendim-urdher" nga " lart " dhe Lefteri, pa deshiren e tij, e sheh veten regjisor ne pallatin e Kultures se qytetit....

***
                 Si regjisor, ka vënë në skenë rreth 20 premiera teatri dhe estrade. Si aktor, ka realizuar mbi 30 role, disa prej të cilave kanë pasuruar fondin e aktrimit shqiptar. Ka mbajtur peshë të ndjeshme krijuese, për gjallërimin e qytetit kulturedashës të Vlorës. Ka realizuar, gjithashtu, dhjetra spektakle dhe koncerte të mëdha artistike, të cilat janë mirëpritur nga publiku vlonjat, madje, disa prej tyre janë përcjellur edhe për publikun e jashtëm, në festivale të ndryshme ndërkombëtare.
Tek filmi "I dashur armik", i Xhuvanit
Sukseset e kanë ndjekur edhe kur ka bashkëpunuar plot pasion me Televizionin Shqiptar, si regjisor dokumentarësh artistikë. Firmën e tij regjisoriale e mbajnë dokumentarët televizivë “Margarita dhe Kristaq Tutulani” e “Ramë Sadria”. Më pas, në kohën pasmoniste, me frymëmarrje të gjerë dhe demokratike ka drejtuar në Vlorë dy mediat e para elektronike private, “TV Amantia” (1997) dhe “TV 6+1 Vlora” (1998).
Kur Vlora e kishte nevojë më shumë se kurrë birin e saj - regjisorin dhe aktorin e talentuar, mjerimi ekonomik i vendit dhe ngjarjet tejet të hidhura të vitit të mbrapshtë ’97 i detyruan edhe atij, si shumë e shumë të tjerëve, shtegun e ikjes në dhe të huaj. Për të ringritur çerdhen e tij familjare, bashkë me gruan dhe dy vajzat, të mitura atëhere, në Athinë. Këtu, natyra e tij e etur për kulturë dhe dije, sheh dhe lexon nga afër librin e madh të antikitetit grek, si edhe atë të kulturës greke të ditëve tona. Por gjithmonë larg skenës dhe artit, që i përvëlonin zemrën.
Mban mbi supe peshën e mbijetesës, me duart në timon, nga mëngjesi në mbrëmje. Mbi katër rrotat e furgonit të bardhë i bie kryq e tërthor kryeqytetit të zhurmshëm helen, duke transportuar mallra të ndryshme, për të nxjerrë ditën e punës. Veçse për Lefter Simonin ëndrra e ëndrrave ishte dhe mbetet skena...
                Para nisjes per ne emigracion nje gazetar e pyet Lefterin se si do ta ndjente veten pa skenen, publikun dhe duartrokitjet e tij!?
                Dhe Lefteri, syperlotur, pergjigjet: Vertet do me mungojne ,por, perkohesisht....Por mendoni; ata qindra mijera emigrante qe ndodhen ne Greqi a nuk jane nje publik qe ka nevoje per ushqimin shpirteror, per artin dhe artistet e vet!?................
                Me kete bindje dhe besim, profesionalisht i kompletuar dhe me nje pervoje tashme te konsoliduar, me modestine qe e karakterizon, vihet ne krye
te drejtimit te veprimtarive kulturore e artistike qe organizoheshin nga ambasada shqiptare ne Athine se bashku me shoqatat e shumta patriotike e kulturore ku jane percjelle vlerat shpirterore kombetare, si dhe krijimtaria letrare qe zhvillohet ne emigracion.....
                Ne vitin 2000 realizon ne Athine, si regjisor dhe aktor, te paren shfaqje teatrore ne historine e emigracionit shqiptar ne Greqi, me monodramen
" NDYRESIRA" te R. Shnajder, prone tashme e televizionit Publik Shqiptar.
                Ndersa dy vjet me vone Lefteri si regjisor dhe drejtues, realizon suksesshem Festivalin e Pare te Fjales Artistike ne gjuhen shqipe me aktore profesioniste dhe amatore, shfaqje kjo e organizuar nga Shoqata "Vellazerimi" dhe "Klubi i shkrimtareve DRITA"
                Lefter Simoni, ky "marathonomak i artit skenik shqiptar ne Greqi" sic e cilesonte nje gazete ne Shqiperi, njihet si themelues i shoqates teatrore
"Aleksander Moisiu" ne Athine ne vitin 2002....
                Emigranti - artist Lefter Simoni, i ka te shumta dhe te larmishme menyrat e organizimit te materialit artistik, prandaj nuk bie ne perseritje. Shfaqjet dhe rolet qe mbajne vulen e tij krijuese, kane vertetesi e ritem, muzikalitet e ngjyre, force dhe harmoni, bukuri dhe dhimbje.
                Shpirt i dhembur, sy i perlotur, karakter i gjendur, Lefter Simoni, ka shpenzuar kaq shume per artin ne emigracion dhe s`ka fituar asgje....Pa u terhequr
percjell vlera kombetare, hedh ura miqesie, mirekuptimi e vellazerimi mes njerezve, popujve, vendeve...

***
Në rolin e Saadit, tek monodrama "Ndyrësirat" e R. Shnajder
               
Korifejte Pirro Mani , Esat Oktrova, Dhimiter Anagnosti, Vangjush Furxhi, Viktor Gjika e te tjere  pedagoge te nderuar, diten se c'bene me Te , kur i
dorezuan celesin per te hapur dyert ne art, si profesionist i vertete....
                I mbeshtetur me gjithe bujarine e shpirtit, nga Mjeshteri i Madh Miho Gjini, kritik teatri, nga komediografi Skender Demolli dhe koleget e vet te skenes,
i ndjekur kemba -kembes nga shoqja e tij e jetes Raimonda - prezantuese koncertesh e valltare virtuoze, Lefter Simoni, me sjelljen e kulturuar, krenarine qe e fisnikeron me teper, ka cmuar dhe nderuar kurdohere shikuesit e shumte, koleget rreth vetes, vete veten....Vloren e detit me vale....
                Lefteri e do shume detin. Ka nje kontrate te heshtur , te lidhur qyshkur me te....Eshte Vlora qe ia ka ushqyer shume vjet me pare dashurine per detin...
I pelqen ta mbaje perhere ne sy, me gjithe kaltersite e "melodite mahnitese" t`i thote; miremengjes, miredita, mirmbrema, naten e mire, te gdhihemi mire...
Ndryshe , nuk do ta gjente shtepine mbi nje koderze prej nga duket Porti i Pireut...Te ballkoni, me detin perbri, enderron i lodhur shfaqjet e ardheshme, thur motivet, skalit rolet.....
               Ka shkelur me shfaqjet gjithandej neper Athine, ishujve te Egjeut, ka levizur ne disa qendra banimi emigrantesh! Eshte pritur me perzemersi, kudo qe ka shkuar dhe eshte duartrokitur me gjithe ngrohtesine e zemres se shikuesve, te cilet jane te etur per te bukuren ne art.
               Me kurajo krijuese dhe dinjitet te plote ka perfaqesuar emigracionin shqiptar ne Greqi neper festivale te ndryshme teatrore nderkombetare si ne Kosove,
Shkup, Korce, Fier e Vlore duke u vleresuar me disa cmime speciale...
               Por e shohim gjithashtu si aktor dinjitoz ne filmat ku luan perkrah aktoreve te shquar si Margarita e Ndricim Xhepa, Agim Qirjaqi e Luiza Xhuvani,
Birce Hasko e Mirush Kabashi, me aktore gjermane, italiane e greke,  filma te cilat kane marre pjese ne festivale europiane dhe boterore dhe jane nderuar me cmime te ndryshme. Kujtojme filmat e realizimeve te fundit, " I dashur armik" ; " Busulla"; " Femijet me krahe te drunjta" etj......
              Keshtu qe Lefter Simoni, fale sakrificave te panumurta, nuk e sheh veten jashte artit, por nga puna ne art, nga suksesi ne sukses...nga skena ne skene...

Pas "Apollogjisë..." me M. Kabashin, në Athinë, ku Simoni luajti rolin e Rrëfyesit. Në foto, edhe çifti Jovani.
                       Epilog....
              Ishte viti 2002....
              Ne skenen e teatrit " BYLIS", te Fierit, ne Takimin Mbarekombetar te Aktrimit, aktori Lefter Simoni, artisti- emigrant, shpertheu me shpirt vullkanik ne rolin
e SADIT ne monodramen "Ndyresira"... Gjemoi i vertete zeri i tij, sa elektrizoi salllen e mbushur si rrallehere...Zemrat e shikuesve te shumte, buruan lote te nxehte prekjeje...
             Ngrihet nga mesi i salles, i kerrusur nga pesha madhore e roleve, i renduar prej gezimit dhe emocioneve, me hap te ngadalte, ngjitet ne skene Artisti i Popullit Kadri Roshi, Nderi i Kombit.....Me krahe hapur, sic shkon babai te djali, i drejtohet Lefterit:
             - Afroma ballin, o bir!
             - Mos me puthni, Profesor!... Jam me djerse! - mundohet ta ndaloje me ze te dridhur Lefteri...
             - Eshte flori ajo djerse, djerse skene , o bir!
           E puthi ne balle nxenesin shembullor.....
                Mesuesi i Madh!.... I pavdekshmi Kadri Roshi!...
               
              ".... Po Shqiperine ta duash, degjon, ta duash!..."  - monologon bresheri i duartrokitjeve qe jane nje pjese e paket, e atyre qe e ndjekin me brohorime, kudo qe shkel Lefter Simoni, - perhere i qeshur mes njerezve...
ODISE GORO

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου