Σάββατο 9 Οκτωβρίου 2010

Të reja

GRIGOR JOVANI

Libri i hapur

Nuk e di
si u gjend para meje
ky libër i hapur.
Kalonte era
dhe ndërronte fletët.
Kur mbërriti në fund,
i kisha lexuar
të gjitha jetët.

Bjeshkët e Namun

Vë buzën
tek qelqet e ftohtë
të burrimeve.
Kur uji është i tejdukshëm
pi bashkë me të
majat e maleve.
Kur ngjan i turbulluar,
është nga gjaqet e patretur
të hakmarrjeve.

Gratë

Vijnë edhe ikin,
dalin dhe hyjnë
gratë,
që dashuruam.
Fshiheshin,
kur i kërkonim,
shfaqeshin,
kur i tradhtuam.

Borxhi

Një fuçi që rrotullohet
bota.

I rrijmë përsipër,
pa ditur asnjëri,
në është jona,
apo ka tjetër pronar.

Kështu udhëtojmë
drejt pafundësisë.

Pa ditur akoma:
kujt i jemi në borxh
dhe sa kemi marrë..

Kruja

Në rrugica
japin shpirt
erërat.
Nëpër rënoja
fërshëllejnë
gjarrpërinjtë.
Veçse (o Zot!)
durojnë akoma,
tek muret e kalasë
qirinjtë!

Vonë...

Kur bien pemët,
ushtojnë pyjet,
kur bien malet,
gjëmon deti,
kur bien njerëzit
ngrihen këngë,
kur bie një botë
zbret Zoti në tokë,
gjithshka nga fillimi
për të ringritur.

I kotë mundimi!
S’del kush për ta pritur...

Gjiri i Palasës

Ato gjurmët e kuajve,
që nuk i ruajti rëra,
kaluan këtej,
ndonëse i shuajti era.

Megjithatë,
mbeti një ndriçim në hapësirë.

Të kujton se ranishtja ngjyrë ari,
sa e sa fytyra të ndërrojë,
në thellësi të saj do të kujtojë:

Këtu ka zbarkuar Jul Qesari!

E panjohura

Më priste e panjohura jashtë portës.
Më shikonte
me ca sy të pangjyrë.
I hodha një sy,
gjoja kalimthi,
me një buzëgaz falls në fytyrë.

Gjoja se doja të lidhja këpucët,
u ktheva për ta parë,
pak pak.
Ajo kishte zënë hijen time për dore.
Poshtë mantelit,
i ndriste syri dinak.

Gjurmët

Padashur,
shkela poshtë këmbëve
ditët e mia të gëzuara.
Kërcitën
si bletë të ngarkura
me mjaltë.
Të paktën,
ëmbëlsova një herë
gjurmët e mia,
ndonëse ato
s’rrojnë gjatë.
 
Koment i Roland Gjozës:
 
]1)Grate
 
...Fshiheshin
kur i kerkonim
shfaqeshin
kur i tradhtuam..
 
 
2)Kruja
 
 
..Vecse (o Zot!)
durojne akoma,
tek muret e kalase
qirinjte!
 
3)E panjohura
 
4)Gjurmet
 
Poezi te mrekullueshme, Grigor Jovani. Si thua, aman;
 
Me priste e panjohura jashte portes
......
 
U ktheva per ta pare
pas pak
Ajo kishte zene hijen time per dore.
Poshte mantelit
i ndriste syri dinak.
 
E panjohura. Ajo qe na ndjek me nje ndjellje dritheruese, kur jemi vet e vet sic thote Lasgushi.
Dhe sa shpesh jemi vet e vet. Ja, ai elementi i fshehur, me te cilin eshte marre aq gjate Mario Vargas Llosa, nobelisti i sivjetem, ai elementi qe i jep aq hir artit prej te pathenave.
Ky element buron prej teje, o torturues i fjales qe s'rri dot pa ia mbathur seciles ate kepucken kineze, qe cupkat te rriten me kembka fine. Si cupka i ke fjalet, o Dionis shkallues pas dalldise se dashurise.
 
Po ku i pe aman ato qirinjte qe durojne akoma.. o zot qe durojne akoma, aty ku gjarperinjte fershellejne.. Jo, s'kisha lexuar per Krujen nje brilantke te tille.
 
Po si m'i ngre keshtjellat vetem me tre gure a kater dhe ato ngrihen e s'shemben se vjegen e paskan ne veren e kuqe poshte ne altar te ajo maja e lugezes qe te pikon ne goje e lart ne boshin me lutje prej peshash te renda te qiellit.
E, lum si ti, o Grigor, qe dhe gjurmet ( nje poezi e shkelqyer) i ke me mjalte. Si thua?
 
Shkela poshte kembeve
ditet e mia te gezuara
kerciten
si blete te ngarkuara
me mjalte..
 
Dhe me poshte shton;
 
Te pakten
embelsova nje here
gjurmet e mia
ndonese ato
s'rrojne gjate.
 
Ku te rrojne, kapesh ti? E tradhton poezine dhe ajo te shfaqet, si grate. Tradhtar i lumtur.
Atehere te tradhtojme te gjithe. E bej dhe une. Po s'me shfaqet. E, c'na bere Grigor Jovani!
 
Rolja

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου