Κυριακή 31 Οκτωβρίου 2010

NË VEND TË FTESËS NGA “Klubi i poetëve”

Hyskë Borobojka
HYSKË BOROBOJKA
(GAQO VESHI)
           
NË VEND TË FTESËS NGA “Klubi i poetëve”

( Letër e hapur GRIGOR JOVANIT për librin e tij të dytë poetik
                           “Punishtja e ëndrrave” )


    

Τετάρτη 20 Οκτωβρίου 2010

Afër dhe larg... - LEFTER SIMONI - Regjisori dhe aktori.


Lefter Simoni
Më të shkuar, ai më qeshi. Më bëri dritë e qeshura e tij, këtë muzg dimri, në Pellgun e Atikës, diku në një kryqëzim rrugësh... Tek kundroja rrjedhën e gjatë të automjeteve, në pritje të kalimit me “jeshilen”, më thirri në emër. Më befasoi me thirrjen entusiaste, me buzëqeshjen e çiltër, me të tundurën energjike të dorës së zemrës, nga kabina e një furgoni të bardhë dhe i mëshoi gazit...
Ç’të bënte tjetër? Nuk frenonte dot. S’mund ta mbante peng gjithë atë lumë të zhurmshëm, të shpejtë, të nxituar. Humbi tej, me duart të shtrënguara në timon, me sytë të përqendruar në asfalt, me mendjen ëndërruese në skenë...
           Artisti - shofer!
           Aty për aty, në lëmin e mendjes, mblodha një për një duajt e kujtimeve për të, kujtime të përmallshme, kujtime të paharruara, për Lefter Simonin.
          

Σάββατο 16 Οκτωβρίου 2010

Katërmbëdhjetë minuta, gjer tek përjetësia



MARIO VARGAS LLOSA
“Pikërisht në gjashtë të mëngjesit, radioja, televizioni dhe interneti
vërtetuan që lajmi për “Nobelin” e letërsisë ishte i saktë.
Siç kishte parashikuar Patricia, shtëpia u pushtua prej kaosit
dhe nga ai moment pushova të mendoj, çaste-çaste edhe të frymëmarr”.
MARIO VARGAS LLOSA
“Le Monde”


Pikërisht në ato çaste, Mario Vargas Llosës iu kujtua ai gusht i largët i jetës së tij rinore, kur nuk dinte nëse do të bëhej avokat apo shkrimtar, Veçse e dinte shumë mirë, qysh atëhere, se edhe nëse i duhej të jetonte fare pa para, do të organizonte në atë mënyrë jetën e tij, që t’i krijonte mundësinë vetvetes t’i përkushtohej totalisht letërsisë. Ose, të paktën, t’i kushtonte asaj shumicën e kohës dhe energjisë, që kishte në dispozicion. Prej atij gushti e mandej, e mbante mend veten të kërkonte gjithëherë punëra të tilla, që, mbi të gjitha, t’i jepnin mundësi për një gjë: të kishte kohë dhe energji të shkruante.

Σάββατο 9 Οκτωβρίου 2010

Të reja

GRIGOR JOVANI

Libri i hapur

Nuk e di
si u gjend para meje
ky libër i hapur.
Kalonte era
dhe ndërronte fletët.
Kur mbërriti në fund,
i kisha lexuar
të gjitha jetët.

Bjeshkët e Namun

Vë buzën
tek qelqet e ftohtë
të burrimeve.
Kur uji është i tejdukshëm
pi bashkë me të
majat e maleve.
Kur ngjan i turbulluar,
është nga gjaqet e patretur
të hakmarrjeve.

Gratë

Vijnë edhe ikin,
dalin dhe hyjnë
gratë,
që dashuruam.
Fshiheshin,
kur i kërkonim,
shfaqeshin,
kur i tradhtuam.

Borxhi

Një fuçi që rrotullohet
bota.

I rrijmë përsipër,
pa ditur asnjëri,
në është jona,
apo ka tjetër pronar.

Kështu udhëtojmë
drejt pafundësisë.

Pa ditur akoma:
kujt i jemi në borxh
dhe sa kemi marrë..

Kruja

Në rrugica
japin shpirt
erërat.
Nëpër rënoja
fërshëllejnë
gjarrpërinjtë.
Veçse (o Zot!)
durojnë akoma,
tek muret e kalasë
qirinjtë!

Vonë...

Kur bien pemët,
ushtojnë pyjet,
kur bien malet,
gjëmon deti,
kur bien njerëzit
ngrihen këngë,
kur bie një botë
zbret Zoti në tokë,
gjithshka nga fillimi
për të ringritur.

I kotë mundimi!
S’del kush për ta pritur...

Gjiri i Palasës

Ato gjurmët e kuajve,
që nuk i ruajti rëra,
kaluan këtej,
ndonëse i shuajti era.

Megjithatë,
mbeti një ndriçim në hapësirë.

Të kujton se ranishtja ngjyrë ari,
sa e sa fytyra të ndërrojë,
në thellësi të saj do të kujtojë:

Këtu ka zbarkuar Jul Qesari!

E panjohura

Më priste e panjohura jashtë portës.
Më shikonte
me ca sy të pangjyrë.
I hodha një sy,
gjoja kalimthi,
me një buzëgaz falls në fytyrë.

Gjoja se doja të lidhja këpucët,
u ktheva për ta parë,
pak pak.
Ajo kishte zënë hijen time për dore.
Poshtë mantelit,
i ndriste syri dinak.

Gjurmët

Padashur,
shkela poshtë këmbëve
ditët e mia të gëzuara.
Kërcitën
si bletë të ngarkura
me mjaltë.
Të paktën,
ëmbëlsova një herë
gjurmët e mia,
ndonëse ato
s’rrojnë gjatë.
 
Koment i Roland Gjozës:
 
]1)Grate
 
...Fshiheshin
kur i kerkonim
shfaqeshin
kur i tradhtuam..
 
 
2)Kruja
 
 
..Vecse (o Zot!)
durojne akoma,
tek muret e kalase
qirinjte!
 
3)E panjohura
 
4)Gjurmet
 
Poezi te mrekullueshme, Grigor Jovani. Si thua, aman;
 
Me priste e panjohura jashte portes
......
 
U ktheva per ta pare
pas pak
Ajo kishte zene hijen time per dore.
Poshte mantelit
i ndriste syri dinak.
 
E panjohura. Ajo qe na ndjek me nje ndjellje dritheruese, kur jemi vet e vet sic thote Lasgushi.
Dhe sa shpesh jemi vet e vet. Ja, ai elementi i fshehur, me te cilin eshte marre aq gjate Mario Vargas Llosa, nobelisti i sivjetem, ai elementi qe i jep aq hir artit prej te pathenave.
Ky element buron prej teje, o torturues i fjales qe s'rri dot pa ia mbathur seciles ate kepucken kineze, qe cupkat te rriten me kembka fine. Si cupka i ke fjalet, o Dionis shkallues pas dalldise se dashurise.
 
Po ku i pe aman ato qirinjte qe durojne akoma.. o zot qe durojne akoma, aty ku gjarperinjte fershellejne.. Jo, s'kisha lexuar per Krujen nje brilantke te tille.
 
Po si m'i ngre keshtjellat vetem me tre gure a kater dhe ato ngrihen e s'shemben se vjegen e paskan ne veren e kuqe poshte ne altar te ajo maja e lugezes qe te pikon ne goje e lart ne boshin me lutje prej peshash te renda te qiellit.
E, lum si ti, o Grigor, qe dhe gjurmet ( nje poezi e shkelqyer) i ke me mjalte. Si thua?
 
Shkela poshte kembeve
ditet e mia te gezuara
kerciten
si blete te ngarkuara
me mjalte..
 
Dhe me poshte shton;
 
Te pakten
embelsova nje here
gjurmet e mia
ndonese ato
s'rrojne gjate.
 
Ku te rrojne, kapesh ti? E tradhton poezine dhe ajo te shfaqet, si grate. Tradhtar i lumtur.
Atehere te tradhtojme te gjithe. E bej dhe une. Po s'me shfaqet. E, c'na bere Grigor Jovani!
 
Rolja

Παρασκευή 8 Οκτωβρίου 2010

Etyde


Ah, ajo e imta jote qe po me ha shpirtin.
Aspak reklame s'ben. Ashtu me kursim te madh gjer ne maniere ma jep ate te shkrete fjale. Fjala do ankohet per ty, se e ke lodhur ne pistat e atletizmit. Fjale qe pergatitet per gara boterore, vella. mire ben.
Po si e thua ate te bekuar, aman;

Por ka ca kohe
qe vjersha shpirti s'me ka..

Kush tha. Kush tha. S'te besojme. Pastaj vazhdon me nje thagme tjeter;

Edhe te vallezoj kam harruar.

C'te ka shpirti, o xhan? Mos t'i kane hedhur uzos ndonje cike ashtu sic behej atehere me konviktoret?
Po kaq te thuash me trishtim eshte poezi me vete.
Po ajo tjetra? Lumi qe s'ka moshe te josh. Eshte e vertete. Si dashuria.
Po ajo thagme me fotografine?

Brenda kesaj fotografie
degjohet deti.

Dikur ishte varke.

E nxoren ererat ne breg
dhe mbeti.

Kaq.
Dhe te mbetet ne mend kjo poezi atlete e 100 metershit.
Po ajo me te thenat e babait qe s'ua veme veshin, vec atehere kur po mbarojme vete na kujtohen, po, o zot, eshte vone..
Filigran kinez. Si hajk. Me kurnacllekun e fjales ti behesh zengjin i poezise.
E ke gjetur veten, Grigor Jovani, ne keto shkurtimat si vetetima. Here sjellin shi dhe bollek poetik, here flaken si trendafile qe na dhurohen prej nje misteriozeje dhe kaq. Nje shenje dashurie.
Keto me lart ishin nje shenje dashurie.
Me dashuri,
ROLAND GJOZA

Δευτέρα 4 Οκτωβρίου 2010

“Karta e identitetit”


Si mund të hysh në art?
Edhe pse je marrë thuajse gjithë jetën me atë univers të stërmadh e të pafund, që çuditërisht ka një emërtim krejt të vogël, njërrokësh - “art”, vështirë se do të jesh në gjendje t’i japësh një përgjigje të vetme, aq më shumë të saktë, kësaj pyetjeje, që prapëseprapë mbart në vetvete diletantizëm, atë që themi shkurt “nuk di se ç’të bëhet...”. Ngaqë, thjesht, qiejt nuk mund t’i vizitosh vetëm nëpërmjet një monopati.
Ose, vetëm në një orë të caktuar të jetës tënde...
Nga rinia ime e parë, atëhere kur gëlltisja ç’do gjë që mund të më shpjegonte misterin e mësipërm, domethënë atë ankth që më shoqëronte prej kohësh: “Si hyhet në art?”, më ka mbetur ajo ç’ka kisha lexuar në librat e letërsisë të klasave të para të gjimnazit. Atëhere, kur në vendin e frengëve, në shekullin e artë të letërsisë së florinjtë që krijuan ustallarët e mëdhenj të letrave të këtij kombi, i riu Gi de Mopasan varej nga buzët e një mjeshtri të pashoq të fjalës letrare, Gustav Floberit, për të dëgjuar të vetmet fjalë magjike, që do ta dërgonin drejtpërsëdrejti në qiejt e lumtur të afirmimit: “Kjo bën!” Vetëm dy fjalë... Veçse ato u vonuan shumë. Vite dhe vite. I riu shkruante dhe mjeshtri griste. Dhe, njëkohësisht, plakeshin të dy, në pritje të atyre dy fjalëve, që nuk vinin, për qiamet. Jo, pa u merituar. Kjo ishte seriozja e çështjes. Gjersa erdhi më në fund një tregim disafaqesh i të pjekurit tashmë Mopasan, “Topi me dhjamë”. Dhe buzët e mjeshtrit u hapën: “Kjo, po!” Fill pas këtij miratimi, Gi de Mopasan kishte hyrë tek lavdia e të mëdhenjve të kësaj letërsie. Krahas Hygosë, Balzakut, Dymasë...
... Kam marrë një risk të madh mbi vete. E thashë historinë e mësipërme të frengjëve të mëdhenj të para disa shekujve, për të bërë një paralelizëm të vështirë, lehtas të keqkuptueshëm, me personazhe tashmë dy krijues të kohës sonë, të rretheve tona të afërme letrare, dy miqve dhe kolegëve tanë. Dua të shpjegoj si hyri në art Filip Prifti, shkrimtari i porsadëgjuar nga Piqerasi, që shkruan dhe krijon mes nesh, në Athinë.
Diskutohet këto ditë tek “Liter-Arti” romani i tij i porsabotuar, “Eftimia”. Dhe është krejt e natyrshme, që gjithkush të habitet: “Një roman i Filip Priftit?!” Po të vrasë pak më tepër mëndjen, do t’i kujtohet, se para një viti, ky autor bëri prezantimin e parë tek artdashësit me tregimin “Libri i urimeve”. Dhe kaq. Dhe tani një roman.
Vallë, kjo është rruga për të hyrë në art?
Jam dëshmitar i odisesë së botimit të atij tregimi. Filip Priftin e njihja si admirues të krijimtarisë sonë, si një lexues të pasionuar. Nuk dija se shkruante, ose, më saktë, se ëndërronte të gjente monopatin e tij për tek qiejt e artit. Më dha të lexoj një tregim shumëfaqesh të Filipit, miku dhe bashkëpunëtori im, Mjeshtri i Madh, Miho Gjini, njëkohësisht kryeredaktor i “Pegasit” tonë. “Shkruan mirë, - i thashë, - por gjatë. Do shumë krasitje...”. Pikërisht kësaj pune redaktoriale i kishte hyrë ish fqinji i tij i Piqerasit, Mjeshtri i tanishëm i letrave, Miho Gjini. “Do bëhet, - më tha. - Por do vuajë ca...” Dhe ja mori shpirtin Filipit. Për një tregim. Ai kthe dhe Filipi ripuno. Ai heq dhe Filipi shto. Për një kohë të gjatë. Kam qenë dëshmitar i bisedave të tyre, tek pinim kafe mëngjeseve të të djelave. Nuk hyja në bisedë. Isha i tepërt. Ishte punë e krijuesit dhe e redaktorit të tij. Gjersa u botua tregimi një ditë, në shtypin shqiptar të Athinës. U ribotua edhe tek përmbledhja “Shtigjeve të vendlindjes”, me krijime të autorëve të Bregut. Konkludimi ishte i njëzëshëm (e pohuan publikisht kësaj vere në Bregdet, gjatë përurimit të kësaj antologjie, kritikë të tillë mbarëkombëtarë, si Kallulli dhe Papagjoni) këtu në rrethet tona letrare, por dhe më gjërë: edhe vetëm me këtë tregim, Filip Prifti kishte hyrë, pa patur nevojë për rekomandim tjetër, në gjirin e krijuesve të Bregut dhe të Athinës. Tani gjendet atje, me të drejta të pakontesueshme.
Këto ditë, do t’i diskutohet romani i parë, “Eftimia”. Një roman?! Por, pa prit... Kujt duhej t’i merrte leje, për të ndërmarrë këtë udhëtim, sa të vështirë, aq dhe të gjatë? Shkrimtari i merr leje redaktorit të tij. Ai ka të drejtën e miratimit. Ja ç’thotë Miho Gjini, redaktori i përhershëm i Priftit, tek parathënia e këtij romani:”Kurajë e beftë kjo, e një autori të ri (edhe pse i vonuar) dhe njëherësh guxim krijues, që shkon përtej orvatjeve amatoreske. Pena e tij, ende pa përvojën e duhur, ndjehet e sigurtë dhe shprehet me emocione ngazëllyese. Pa harxhuar “fyshekë” nga “gjerdani” i kritikut, le ta inkurajojmë dhe ta përgëzojmë autorin në këtë udhëtim modest, por kaq të vyrtytshëm në “kopshtin letrar”, ku ka vend për të gjithë ata, që nuk i prishin “të mbjellat”.
Ka thënë shumë gjëra në këto fjalë Mjeshtri i Madh, Gjini. Edhe në ato që s’ka dashur të thotë. Ushtojnë shumë krismat e “fishekëve të paharxhuar” të kritikut. Kështu duhej të bënte! Ai e di më mirë se të gjithë. Di se kur janë bërë për t’u mbledhur “të mbjellat”... Kur ato nuk të bëjnë dëm.
Do të ishte e pamend nga ana ime, të harxhoja fishekët e mi, gjithsesi “të pakualiduar” në kritikë. Kur atë nuk e bëri Miho Gjini... Por një këshillë prej miku dhe kolegu do të doja t’ia thoja Filipit, aq simpatik dhe i çlirët, edhe ai, në debatet tona. Thotë diku tek romani i tij këtë frazë: “Le të na lejojë lexuesi ta tregojmë këtë ngjarje të rëndomtë, që përbën këtë kapitull...” (fq. 79) dhe diku më lart: “Por le t’i lëmë mënjanë këto “thashetheme”, sepse, siç tregojnë punët, mund të na i shtjellojnë një grup gazetarësh...” (fq. 75), apo më poshtë: “Le t’i kërkojmë ndjesë lexuesit tonë të nderuar, për këto shpjegime, ndoshta pa vend...” (fq. 85). Nuk thuhen këto fraza deklamative gazetareske në një roman, as nuk i merret leje lexuesit, për të mos u bërë ajo që natyrisht nuk duhet bërë në letërsi: tjerja herë pas here e të rëndomtës, vend e pa vend. Pikërisht këtu duheshin harxhuar “fishekët” e redaktorit dhe të kritikut, pikërisht eliminimi i proleksitetit, që aty-këtu nxjerr kokën në roman, do të përbënte “pashaportën” më të mirë udhëtuese të shkrimtarit, gjatë shtegtimit të tij në qiejt e artit.
Në art mund të hysh, gjithsesi. Dhe kur të duash. Problemi është se a e siguron dot “kartën e identitetit”, për t’u bërë qytetar i përhershëm i këtyre vendeve. Pikërisht këtë do ta mësojmë nga romani i dytë i Filip Priftit, të cilin, autori në fjalë dhe redaktori i tij, Gjini, po përgatiten ta hedhin për udhëtim.
GRIGOR JOVANI