Τετάρτη 31 Μαρτίου 2010
Ditëlindja
para Teje
erdha që të rrëfehem,
Ati im
dhe Zot.
Por është 1 Prill…
Të bukur ditë
gjete të më lindje!
Tani as Ti
nuk më beson,
Imzot!
GRIGOR JOVANI
Nga libri “Punishtja e ëndrrave”, 2007
Δευτέρα 29 Μαρτίου 2010
Parada e urrejtjes

Buka dhe krypa. Turku i quajti si të tijat këto simbole, veçse këtu ndodh ajo që është e pranishme në të gjithë trashëgiminë kulturore të gadishullit: doket pleksen dhe përsëriten në magjen e çdo kombi ballkanas, sa është e vështirë, gjer dhe e pamundur, t’u gjendet amësia. Riti i nxjerrjes përpara mikut të bukës dhe krypës, si dësmi e besës dhe e zemrës së bardhë, përsëritet nga vendi në vend, në të gjitha viset ballkanase. Mjerë ai që shkel bukën dhe krypën e mikut! Në mos sot, nesër do të pendohet...
Të njohura, vërtet, të gjitha këto. Me një shtojcë, tejet të nevojshme: ballkanasit janë raca më e çuditshme, nga të gjitha ato që plotësojnë mozaikun e përbotshëm të racave. Thjesht, ngaqë harrojnë thënien e atij spanjollit të urtë, Sanço Pançës: “Të përsëritësh të përsëriturat, është budallallëk me okë!”.
Kohë pas kohe, këtu e mijra vjet, ballkanasit përsërisin gabimet e tyre. Fyejnë bukën dhe krypën e tjetrit. Të fqinjit. Pendohen mandej, por ç’e do. Duhen vite dhe vite të tjera, duhet shumë mund të riparohet paskëtaj dëmi i shumëpërsëritur, prej kokëshkretësisë së tyre...
Σάββατο 27 Μαρτίου 2010
MIHO GJINI “Teatri i luftimeve”
Në terminologjinë ushtarake përdoret jo pak herë ky term i çuditshëm, që s’ka të bëjë me teatrin real dhe, megjithatë, përmban diçka nga arti i skenës. Atje ku ndeshen forcat kundërshtare të dy ushtrive të rregullta e ku bëhet luftë për jetë a vdekje, “teatri i luftimeve” i ngjan një skene me interpretime të mara shtabeve të mëdha, ku personazhet shkojnë në “thertore” të kushtëzuar nga politika e “regjisorëve”, që ndodhen në krye të shteteve.
Edhe pse nuk e do askush luftën, dramaturgjia dhe teatri e kanë pasqyruar këtë temë edhe në skenën e vogël. Sidoqë thuhet që artistët janë e duhet të jenë apolitikë, prapë se prapë ata nuk janë të përjashtuar nga politikat e kryeshtetarëve të tyre. Nga që reken të jenë apolitikë, ata bëjnë një politikë të atillë (përmes artit të tyre), që del mbi kufizimet e këndvështrimet e politikanëve, të cilët thuhet se bëjnë “një politikë të mirëfilltë”.
Πέμπτη 25 Μαρτίου 2010
Dialog pranveror në Metronë e Athinës
Po kthehesha nga puna në shtëpi, pas mesditës, me metronë e Athinës, në intenerarin Omonia - Neo Faliro, ku banoj. Është koha e lëvizjes më të shumtë të njerëzve, në linjë bëheshin disa restaurime, ndaj në vagonin e trenit udhëtarët ishin ca shtrënguar. Pranë meje kisha një vajzë të bëshme, veshur lehtë, sipas stilit të stinës, e cila, megjithatë, mbante një erë si livadhet pranverore dhe kishte një fytyrë tepër të ëmbël. Veçanërisht sytë. I kishte të kaltër dhe sfumonin mahnitshëm në atë fytyrë të bardhë, që, siç dukej, nuk ishte ekspozuar akoma në plazhet e Atikës. Drejtpeshonim duke skarfëlitur duart në dy mbajtëset fqinje, që vareshin prej një shufre metalike sipër nesh dhe në çastin kur po mendoja, se mbase bukuria ishte një ngushëllim për kilet e tepërta, e metë shpirtgërryese për një femër të ditëve tona, ajo bëri një lëvizje të beftë, ngaqë donte të ndërronte dorë, duke më goditur në qafë me bërrylin e saj të butë. U kthye menjëherë dhe më pa me ato sytë, si burime livadhesh:
Τρίτη 23 Μαρτίου 2010
AMANDA MIHALOPULU - e ftuar tek "Punishtja"
Linja: Berlin - Athinë dhe kthim
Avioni: krijimtaria
U takuam me shkrimtaren Amanda Mihalopulu, në sajë të ndërmjetësisë së një miku të përbashkët të letrave, në një vend jo të zakonshëm për takime të tilla pune, në aerodromin ndërkombëtar “Venizelos”, në periferinë jo dhe kaq të afërt të Athinës. U shfajësua: “Jam tërë kohën me një valixhe në dorë...”. Prapë mirë, që ky aerodrom modern, të ofron mjedise komode për të ndenjur dhe biseduar, shto këtu që kishim edhe kohën e pritjes në favorin tonë. Një mesogrua fine, e thjeshtë dhe e buzëqeshur, theksoi qysh në fillim se i ishin bërë pjesë e pandarë e jetës udhëtimet, kësisoj një fluturim më tepër me “Pegasin” tonë, nuk do t’i prishte punë. Përkundrazi, do t’i krijonte një variacon më tepër. Dhe na bëri një propozim konkret: të dy palët, ne si botues dhe ajo si e intervistuar, “kishim bërë qejf” me intervista të tilla, ku bëhen pothuajse të njëjtat pyetje dhe jepen, po ashtu, të njëjtat përgjigje. “Nuk bisedojmë për diçka tjetër, - tha ajo, - bie fjala, për inteneraret e udhëtimeve, realitet i natyrshëm në jetën e krijuesit; për mekanizmin e fshehtë të shpirtit, që përcakton pozicionin e shkrimtarit ndaj ambientit që e rrethon, që koordinon marrëdhëniet e tij me vendlindjen, kur ai jeton larg saj. Në fund të fundit, kultura shprehet gjithmonë me mënyrën që hamë, shëtisim, mendojmë, me ambientet që i krijojmë vetvetes. Të gjitha këto janë tema që kanë të bëjnë direkt me mua...”
Kështu bëmë. Dhe, nëse kjo ishte dëshira e saj një herë, “Pegasi” - “zanatçi i përjetshëm” edhe ai i udhëtimeve, kishte nisur ndërkaq fluturimin...
G. JOVANI
Δευτέρα 22 Μαρτίου 2010
Lajm sensacional: zbulohet ilaçi kundër grindjes së krevatit bashkëshortor
Para disa ditësh, tek shkoja me taksi në punë, dëgjova nga radioja një lajm të jashtëzakonshëm, për një zbulim të ri sensacional, që i jep mundësinë gjysmës mashkullore të planetit, të shpëtojë një herë e mirë nga grindjet e zakonshme dhe të përnatshme të krevatit bashkëshortor, sëmundje e vjetër kjo, sa bota, qyshkur Adami vendosi t’i kalojë netët e tij në të njejtin krevat me Evën.
Σάββατο 20 Μαρτίου 2010
Denoncim
Poeti, prozatori, publicisti, kritiku, tekstaxhiu (kujdes: tekstaxhiu i këngëve, jo taksixhiu, se atë nuk e lë barku të ulet midis timonit dhe sediljes) Vaid Hyzoti , i nxitur nga dëshira për lavdi ndërkontinentale, përvetësoi një krijim timin poetik në shqip dhe ia paraqiti publikut anglofolës si të tijin.
Εγγραφή σε:
Αναρτήσεις (Atom)