Δευτέρα 29 Μαρτίου 2010

Parada e urrejtjes



Diku, në shkronjat e vogla të gazetave greke të së hënës, dallova diçka që më bëri përshtypje: pas një takimi në Bruksel midis ministrit turk Egemen Bajis, titullar i palës turke në bisedimit inkuadruese me BE-në, dhe kryeministrit grek Papandreu, i pari i kujtoi bashkëbiseduesit një proverb të vendit të tij: “Gjitoni ka nevojë për krypën e fqinjit”. E tha për të shprehur gatishmërinë e turqve, në se e shikonin të nevojshme grekët, për t’i akorduar fqinjit ndihmën e tyre ekonomike.
Në ditët që jetojmë, kur janë ndezur papritur dufet ballkanike të “patriotizmave” reciprokë, fjalët e diplomatit turk ngjajnë më adekuate se kurrë. Dhe, natyrisht, me rrënjë të thella në traditën e lashtë të marrëdhënieve ndërballkanase.
Buka dhe krypa. Turku i quajti si të tijat këto simbole, veçse këtu ndodh ajo që është e pranishme në të gjithë trashëgiminë kulturore të gadishullit: doket pleksen dhe përsëriten në magjen e çdo kombi ballkanas, sa është e vështirë, gjer dhe e pamundur, t’u gjendet amësia. Riti i nxjerrjes përpara mikut të bukës dhe krypës, si dësmi e besës dhe e zemrës së bardhë, përsëritet nga vendi në vend, në të gjitha viset ballkanase. Mjerë ai që shkel bukën dhe krypën e mikut! Në mos sot, nesër do të pendohet...
Të njohura, vërtet, të gjitha këto. Me një shtojcë, tejet të nevojshme: ballkanasit janë raca më e çuditshme, nga të gjitha ato që plotësojnë mozaikun e përbotshëm të racave. Thjesht, ngaqë harrojnë thënien e atij spanjollit të urtë, Sanço Pançës: “Të përsëritësh të përsëriturat, është budallallëk me okë!”.
Kohë pas kohe, këtu e mijra vjet, ballkanasit përsërisin gabimet e tyre. Fyejnë bukën dhe krypën e tjetrit. Të fqinjit. Pendohen mandej, por ç’e do. Duhen vite dhe vite të tjera, duhet shumë mund të riparohet paskëtaj dëmi i shumëpërsëritur, prej kokëshkretësisë së tyre...


***
Seria më e re në tragjikomedinë ballkanike të urrejtjes u luajt përpara disa ditëve në bulevardin qendror “Panepistimiu” të Athinës. Pikërisht atje, ku përpara godinave klasike të Universitetit dhe Bibliotekës Kombëtare ngrihen statujat e Të Urtëve të Antikitetit, atyre burrave të mençur filozofë dhe artistë, që ndriçuan mijëvjeçarët e një botë të tërë me mendjen dhe artin e tyre. Njëri syresh, Hisokrati, tha atë frazën e famshme: “Helenë janë të gjithë ata, që i përfshihen arsimimit të helenëve”. Më demokratikisht nuk kishte si të shprehej. Domethënë, nuk përjashtoi njeri nga sofra helene e bukës, e krypës dhe e dijes filozofi i antikitetit. Çdo i huaj ishte vendas atje, mjaftonte të mësonte shkronjat greke... Për të marë automatikisht identitetin e “aristokratëve të botës”, siç i quajti helenët më vonë filozofi gjerman Engels.   
Veçse sot gjërat janë ndryshe.
Nuk kanë të njejtin mendim me paraardhësit e tyre të lashtë të gjithë grekët e sotëm. Përkundrazi. Nuk lënë rast pa trumbetuar kundërshtimin e tyre për “përzierjen e racës”. Siç ndodhi të enjten e kaluar, gjatë paradës së Festës Kombëtare të helenëve të rinj, kur gjithshka mbante vulën “Zyrtare”. Njësia më e përzgjedhur e Ushtrisë Kombëtare Greke, forca speciale e “vatrahanthropon” (Njësia e Ekspeditave Nënujore të Forcave Detare), demonstroi gjatë parakalimit zyrtar përpara Udhëheqjes më të lartë politike të vendit, “vullnetin” e forcave të armatosura: “JO! - politikës zyrtare të politikanëve në lidhje me fqinjët!”
Ushtria ka mendimin e saj... Qoftë ajo edhe në strukturat e NATO-s. Veçse këtu i thonë Ballkan. Janë ndryshe gjërat...
Dhe, duhet thënë, që Ushtria kishte kohë që nuk demonstronte kaq hapur mendimin e saj, qysh nga koha kur kolonelët kishin nxjerrë për të folur në rrugët e Athinës tankset e tyre. Pikërisht në këto rrugët e qendrës së Athinës, vite më vonë, u këndua në kor, prej burrave të saj të përzgjedhur: “Grek lindesh,/ nuk bëhesh asnjëher’,/ do të të derdhim gjakun,/ shqiptar, o derr!”
Ç’koment të bësh këtu?! Këtu të zihet fryma...
Ja si e komenton këtë çast të pazakontë “historik”, profesori i Universitetit të Athinës, Thanos Kakuriotis, gjatë një komenti të tij të këtyre ditëve, tek e përditshmja e madhe greke “Elefterotipia”:
“Gjërat fillimisht shkonin mirë: Presidenti dhe të gjithë zyrtarët e tjerë ndiqnin parakalimin e ushtarakëve  me uniformë, njerëzit duartrokisnin hareshëm, gjersa diku tek “Panepistimiu”, afër “Ideal”-it, një turmë “vatrahanthropon” (“njerëzitbretkoca”), siç quhet kjo njësi e Ushtrisë, fillon të “kuakëzojë”: “kuak” - “kuak”, gjithnjë e më fortë. E, mendova, siç duket flasin gjuhën e bretkocave: “vre-ke-keks”, “kuaks-kuaks” e të tjera si këto, të përshtatshme për britmat luftarake të njësive të tyre speciale. Veçse ajo që pasoi, pas “kuaks-kuakseve” të para, ishte thjesht e pabesueshme. Ushtarët flisnin në gjuhën armagjedonase: “Do bëhet kasaphanë,/ pastaj do hakmerrem,/  kur do t’i faleni/ flamurit dhe kryqit!”. Kësisoj, “shqiptaro-shkupofagët” (kinezët dhe pakistanezët kishin shpëtuar) dëshmuan se ekziston një lidhje midis nazistëve gjermanë dhe grekëve, ndonëse të dytët paraqiten disi më praktikë. Në kampin e Buhenvaldit, “ulkonja” e paharruar, nazistja Ilze Koh, fabrikonte abazhurë dhe kapakë librash me lëkurën e të internuarve. Levendët tanë, nga ana e tyre, kërcënonin: “U thonë shkupianë,/ u thonë shqiptarë,/ rrobat e mia do qep/ me lëkurën e tyre!” Domethënë, do qepnin uniformat e tyre ushtarake me lëkurë origjinale...”
Ç’t’i shtojmë këtij rrëfimi rrënqethës të akademikut grek?
Mbase, e vetmja gjë që harroi pa thënë ishte shprehja e njohur greke:
“ O theos filaksi!” (Zoti na ruajt!).

***
Gjithë këto ditë që pasuan, fill pas kësaj ndodhie të pabesueshme (fillimisht, pse ta fsheh, më ngjau me skenar fantastiko-shkencor, gjersa pashë me sytë e mi vidion e publikuar prej kolegut grek D. Agjelidis, tek Kanali “E”You Tube (www.youtube.com/enetgr), botën greke të mediave e pushtoi një vakum i pazakontë. Heshtje.
Asnjë fjalë në shtyp. Asnjë emision televiziv. Asgjë. Kur gjëra shumë herë më të vogla, gjer edhe zënkat e fëmijëve shqiptarë nëpër shkolla,  do të monopolizonin dritaret televizive të mëngjeseve dhe pasditeve, para të cilave shqyejnë sytë nikoqiret greke, duke krijuar mendimin publik për problemet “kaq të rëndësishme”.  Madje edhe krejt shtypi i së djelës, i gjigandësuar për nga madhësia në krahësim me atë të ditëve të tjera, nuk i rezervoi asnjë rrjesht kësaj ngjarje, që ndërkohë, ishte bërë “best seler” në median e përbotshme, sidomos në botën internetike. 200.000 njerëz kishin parë brenda disa orëve të së shtunës “vidion e turpit” You Tube, që e bëri ngjarje të parë CNN-i, duke i dhënë këtij lajmi vendin e dytë në shkallë botërore.
Kjo stepje e pazakontë e grekërve fjalëshumë ka shpjegimin e saj: pësuan “autogol”.
Madje, në pikën kulmore të lojës, atëhere kur nuk e priste askush, në minutat shtesë.
Ngjarja tragjikomike e “Panepistimiut” ndodhi pikërisht në këto kohë, kur sytë e evropianëve dhe amerikanëve janë kthyer vëmëndshëm drejt Greqisë, për shkak të ndodhive më të fundit, rrjedhojë e krizës së rëndë ekonomike që ka përfshirë këtë vend dhe e përpjekjeve titanike për të dalë prej saj. Aq më shumë, kur Vëzhgimi Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut shpalli këto ditë një komunikatë, ku dënohet rreptë shpërthimi racist i këtyre kohëve në këtë shtet.
Dhe të donin të kundërshtonin grekët, britmat e “bretkocave” të Ushtrisë së tyre ua mbyllën gojën. Ushtria bëri “puçin” e dytë, pas atyre të kolonelëve, disa dekada më parë. Viktima, edhe kësaj here, ishte e njëjta: demokracia.
Ah, kjo nusja e përgjakur, DEMOKRACIA, që ka lindur pikërisht në këtë vend!

***
Pikërisht sot, të hënën, kur shkruajmë këto radhë, problemi plasi në shtypin grek. Katër ditë me vonesë. Nuk kishte ç’të fshihej më.Tirana dhe Shkupi zyrtar kishin protestuar. Nëpër qytetet shqiptare kishte marrë hov indinjata popullore. Pikërisht në kohën kur Parlamenti Shqiptar miratonte marrëveshjen dypalëshe për krijimin e dy varrezave ushtarake greke në teritorin e Shqipërisë, duke plotësuar kështu një boshllëk të ndjeshëm dhe të kahershëm shpirtëror të fqinjve të jugut. 
Qarqet diplomatike në Athinë nuk mundën të përmbanin më dufin e zemërimit të tyre ndaj ushtarakëve. Por se mos vetëm ata...
Presidenti Papulias, prej festimeve tradicionale të Mesollongjit, ku arvanitasit kishin shkruar faqe të ndritura heroizmi në historinë e helenëve, nuk i mëshoi fjalët e tij të zëmërimit: “Patriotizmi nuk është ritori, ai nuk mund të shprehet me parulla!”
Si rrallë herë përplasi dorën në tavolinë ministri i Rendit, Hrisohoidis: “Nuk kanë vend tek forcat e armatosura, të tilla mentalitete dhe praktika, që nuk i përshtaten asnjë ushtaraku!”
Shtypi grek radhiti emrat e ushtarakëve të lartë, që u vunë përpara përgjegjësisë dhe hetimit ligjor të organeve kompetente.
Nga ana e tij, ambasadori grek në Tiranë, Pazios, siç e vërteton edhe shtypi shqiptar, i kërkoi ministrit të Jashtëm, Meta, ndjesën e Qeverisë së Papandreut.
I vetmi zë “falc” në orkestrën zyrtare greke të indinjimit, ishte ai që pritej, i partisë së Karaxhaferit, i cili u doli hapur “bretkocave” të Forcave Detare, që përndiqen, sipas tij “sepse përdorën thirrje dhe parulla, që deri dje përbënin flamurin e kombit”.
Ç’ndodh kështu me politikanët grekë?
Hedh dikush një gur në gjol dhe qindra të tjerë hajde ta nxjerrin...

***
Duke përfunduar, do të desha të sqaroja diçka.
Nesër, kur fëmijët e emigrantëve do të shërbejnë në njësitë e Ushtrisë Greke, në bazë të të drejtave që u jep Ligji i ri i Dyshtetësisë, që porsa miratoi Parlamenti helen, do t’i nënshtrohen edhe ata këtij “plani mësimor”, me parullat dhe këngët kundër popujve, të cilëve u përkasin?
Ruana zot, nga të papriturat e kohëve në Ballkan!
GRIGOR JOVANI

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου