Δευτέρα 22 Μαρτίου 2010

Lajm sensacional: zbulohet ilaçi kundër grindjes së krevatit bashkëshortor


 Të dashur miq!
Para disa ditësh, tek shkoja me taksi në punë, dëgjova nga radioja një lajm të jashtëzakonshëm, për një zbulim të ri sensacional, që i jep mundësinë gjysmës mashkullore të planetit, të shpëtojë një herë e mirë nga grindjet e zakonshme dhe të përnatshme të krevatit bashkëshortor, sëmundje e vjetër kjo, sa bota, qyshkur Adami vendosi t’i kalojë netët e tij në të njejtin krevat me Evën.

Zbulimin e bëri një koreanojugor (fatkeqësisht, nuk ia mbajta mend emrin këtij bamirësi të pashoq të racës mashkullore), që gjeti një mënyrë të shkëlqyer t’i shpëtojë kësaj gangrene: grindjes së krevatit.
Koreanojugori në fjalë, u martua me… jastëkun e tij.
Pasi vizatoi në faqen e jastëkut fytyrën e gruas që dashuronte, e mori atë për krahu (domethënë jastëkun) dhe shkoi në kishë, ku zhvilloi ceremoninë e tij të martesës me këtë jastëk. Menjëherë, çifti bashkëshortor, ai dhe jastëku, u tërhoq në banesën ku do të jetonin, u mbyllën në dhomën e tyre të gjumit, shijuan krevatin e ri bashkëshortor faqe më faqe dhe… Ç’ta zgjas, edhe sot e kësaj dite jetojnë dashurinë e tyre në paqe të plotë, madje pa nevojën e fjalëve. Sensacionalja: nusja nuk e ka hapur gojën asnjëherë, nuk ka kërkuar asgjë, nuk ka ndjerë kurrë deri më tani nevojën jetike të grave për një çikë… grindje. Edhe bashkëshorti fluturon në qiellin e shtatë të lumturisë: ka faqe më faqe një grua të pagojë dhe, ç’është më e rëndësishmja, e ka dashurinë në dorën e tij: e përdor kur dhe sa të dojë.
GRIGOR JOVANI

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου