Σάββατο 20 Μαρτίου 2010

Denoncim


Njoftoj kolegët dhe miqtë, se porsa ka ndodhur midis nesh një piratëri e pazakontë artistike.

Poeti, prozatori, publicisti, kritiku, tekstaxhiu (kujdes: tekstaxhiu i këngëve, jo taksixhiu, se atë nuk e lë barku të ulet midis timonit dhe sediljes) Vaid Hyzoti, i nxitur nga dëshira për lavdi ndërkontinentale, përvetësoi një krijim timin poetik në shqip dhe ia paraqiti publikut anglofolës si të tijin.




Konkretisht:
Në Antologjinë Poetike “Zëri i shqiponjës”, të porsa botuar në Londër prej zotit Fatmir Terziu në anglisht, Hyzoti ka paraqitur si të vetën një nga brilantët e artit tim poetik, me titullin “When i haughed in my sleep”.
Turp, faqja e zezë dhe bark i pangopur! 
Nuk kam asnjë dyshim, se zoti Fatmir Terziu, i njohur për ndershmëri në pjacën artistike, nuk ka gisht në këtë akt të pashembullt piratesk. As zoti Roland Gjoza, miku, shoqëruesi dhe bashkëbiseduesi i tij i afërt. As dhe gjithë sinafi i miqve dhe kolegëve në Amerikë.

Mban erë prej kohësh kjo kolonjë...
Zoti Hyzoti ka qënë grabitqari sistematik i gjithë jetës sime.
Dikur, kalamanj, më vidhte shpatat prej druri, me të cilat improvizonim “Fan Fan Tulipanin” dhe d’Ardanjanin e “Tre Musketjerëve”.
Më vonë, adoleshentë, më vidhte brekët e banjos, që m’i kish dërguar gjyshi nga Amerika, për t’u shitur mend femrave në plazhin e Patogut.
Mandej, në rini, më vidhte dashnoret, pikërisht me këtë metodën e tanishme: u deklamonte poezitë e mia. Kur ishim bashkëstudentë, ka botuar një cikël të tërin timin tek “Studenti”, për të cilin kujdesej aso kohe miku i tij Ndue Lazri (asnjë dyshim nuk hedh për zotërinë në fjalë), duke i ndryshuar vetëm emrin... kuptohet, duke i vënë të tijin.
Mandej, në Mirditë, ku një fat i mbrapshtë na detyroi të punonim bashkë, unë si profesor letërsie dhe ai si mcus fshati, më organizoi skandalin më të madh të jetës sime: më dehu dhe më fejoi me kryetaren e kooperativës (dashuri jetëshkurtër kjo, pasi filloi jo normalisht, kur nuk isha esëll), duke më vjedhur, kësisoj, nderin tim të pafajsisë djaloshare.
Për të arritur në vitet e pjekurisë, kur një fat akoma më i mbrapshtë, na solli në të njejtën redaksi gazete, në të cilën nuk më la asgjë pa më vjedhur, gjer edhe talentin tim publicistik, duke më lënë në nivelin amatoresk të Pilo Zybës, bashkëpunëtorit tonë nga ferma e Thumanës, ku bënin jetën e tyre bujqësore dhe artistike të deklasuarit e kohës, të internuar në këtë cep parajse.
U detyrova të bëj këtë sqarim të stërzgjatur, për të dëshmuar, të dashur kolegë dhe miq, se hajdutët me patentë ka zënë vend këmbëkryq në radhët tona.
Ruani xhepat!
Kontrolloni gishtat e pëllëmbës, nëse janë të gjithë, kur ndaheni nga shoshoku!

Përfundimisht:
Unë ja fal Vaid Hyzotit poezinë që më ka vjedhur (ia kishte vënë syrin me kohë, ma mburrte publikisht, pikërisht atë, hera-herës), që e ka publikuar si të tijën tek Antologjia në fjalë, si dhe gjithë të tjerat, historikisht.
Të paktën, të më kthejë vetëm brekët e banjos...
Me nderime,
Grigor Jovani

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου