Τρίτη 23 Μαρτίου 2010

AMANDA MIHALOPULU - e ftuar tek "Punishtja"


Linja: Berlin - Athinë dhe kthim
Avioni: krijimtaria
 
U takuam me shkrimtaren Amanda Mihalopulu, në sajë të ndërmjetësisë së një miku të përbashkët të letrave, në një vend jo të zakonshëm për takime të tilla pune, në aerodromin ndërkombëtar “Venizelos”, në periferinë jo dhe kaq të afërt të Athinës. U shfajësua: “Jam tërë kohën me një valixhe në dorë...”. Prapë mirë, që ky aerodrom modern, të ofron mjedise komode për të ndenjur dhe biseduar, shto këtu që kishim edhe kohën e pritjes në favorin tonë. Një mesogrua fine, e thjeshtë dhe e buzëqeshur, theksoi qysh në fillim se i ishin bërë pjesë e pandarë e jetës udhëtimet, kësisoj një fluturim më tepër me “Pegasin” tonë, nuk do t’i prishte punë. Përkundrazi, do t’i krijonte një variacon më tepër. Dhe na bëri një propozim konkret: të dy palët, ne si botues dhe ajo si e intervistuar, “kishim bërë qejf” me intervista të tilla, ku bëhen pothuajse të njëjtat pyetje dhe jepen, po ashtu, të njëjtat përgjigje. “Nuk bisedojmë për diçka tjetër, - tha ajo, - bie fjala, për inteneraret e udhëtimeve, realitet i natyrshëm në jetën e krijuesit; për mekanizmin e fshehtë të shpirtit, që përcakton pozicionin e shkrimtarit ndaj ambientit që e rrethon, që koordinon marrëdhëniet e tij me vendlindjen, kur ai jeton larg saj. Në fund të fundit, kultura shprehet gjithmonë me mënyrën që hamë, shëtisim, mendojmë, me ambientet që i krijojmë vetvetes. Të gjitha këto janë tema që kanë të bëjnë direkt me mua...”
Kështu bëmë. Dhe, nëse kjo ishte dëshira e saj një herë, “Pegasi” - “zanatçi i përjetshëm” edhe ai i udhëtimeve, kishte nisur ndërkaq fluturimin...
G. JOVANI


Berlin - Athinë. Ndryshimet?
Jeta në qytete të ndryshme nuk është e njejtë. Ndërkaq, Athina është një qytet, të cilin duhet ta duash shumë, që ta “gëlltitësh”. Kryesisht, të thërasësh për ndihmë “mjete rrethanore”, mbash mend qoshka, rrugica, çaste që të kanë lënë mbresa të pashlyeshme, që të kanë bërë dikur të lumtur. Me pak fjalë, kujtimet të shpëtojnë, kur realiteti është dëshpërues. Më vështirëson gjithmonë mungesa e bulevardeve për këmbësorët, fakti që makinat këtu të ndjekin edhe kur je duke ecur nëpër to, duke u rënë borive. Më shqetëson, që të gjitha sheshet dhe rrugët janë zënë me tryezat e dyqaneve, nuk duroj çimenton, që është kudo i pranishëm, mungesën e blerimit. Por prapë, mjafton të ngresh pak kokën dhe të shikosh Akropolin, poshtë qiellit mbrëmjesor, që të marrësh kurajo. Kur kjo vlen diçka për një shëtitës të thjeshtë të Athinës, mendoni ç’rëndësi ka për një krijues...
Ndërkaq, vendlindja juaj, Athina, duhet të ketë edhe tipare, që e karakterizojnë, në lidhje me metropolet e tjera evropiane. Cilat janë ato?
Jeta e natës, lëvizja, sheshett kryesore, Omonia dhe Sintagma, që u ngjajnë koshereve të bletëve. Qoshkat e vogla tregtare, që kanë mbirë kudo, një zbulim i vlefshëm grek. Të mos harroj edhe kinematë verore, traditë e lashtë e qytetit. Dhe dy-tre vënde, të cilat kushdo i mbart me vete dhe për vete, për të mos humbur rëndësinë e tyre të veçantë. E keni vënë re? Të gjitha këto janë pjesë përbërëse e veprës sime, janë kudo të pranishme në librat e mia.

Tashmë jetoni në Berlin. Ç’u thoni vendasve për vendlindjen tuaj?
Do mundohesha të isha sa më e sinqertë, duke lënë mënjanë, aq sa mundem, sentimentalizmat. Do tu thosha, se është një qytet, i cili është ndërtuar pa një projekt arkitektorial, një qytet anarkist, me një bukuri të çuditshme, që mund të të çmendë. Dhe do t’ju ofroja për të vizituar, kur do të ndodhen këtu, disa nga perlat e saj: Dionisin Aeropagitun, Pllakën, Mets-in, Likaviton dhe Kolonakin. Jo rastësisht, këto vende përbëjnë më së shumti gjeografinë e romaneve të mia. Këtu lëvizin heronjtë që krijova, pasi ata, si edhe këto vende, janë ajo ç’ka unë njoh mirë, gjer në detaje. Pa këtë njohje, nuk mund të bësh letërsi të vërtetë.

Në është kështu, ç’u shtyu ta “braktisnit” Athinën?
Një rast mjaft i favorshëm pune në Berlin. E lashë Athinën në çastet e saj më të bukura, pak përpara se të fillonin Lojrat Olimpike. Qysh prej asaj kohe, po ndjek me agoni zhvillimet e reja. Kafene historike, të cilat janë të pranishme në librat e nobelistëve tanë, po shndërrohen në dyqane, ku tashmë shiten firma të huaja rrobash. Fëmijët kanë braktisur përgjithmonë sheshet dhe janë mbyllur nëpër vende plastike lojrash, në katet e larta të apartamenteve. Askush nuk gëzon më mjediset publike. Kur flasim për jetë në qytet, fjalën e kemi për vizitat në ambjentet tregtare, kur duam të psonisim, për vizitat tona të punës në zyrat shtetërore. Pashmangshmërisht, ky realitet duhet të hyjë tani edhe në veprën time, nëse dua të bëj letërsi reale. Kjo gjë më dhemb shumë. Është si të jem e detyruar të shkoj në një festë, që nuk e dëshiroj.

Të marrim udhëtimin tuaj të tanishëm. Patë ndonjë ndryshim, për të mirë?
Jo, për fat të keq. Shoh gjithnjë e më shumë makina, ndërtesa pa shije, beton të pafund, që shtohet si bari në një mjedis të braktisur. Kështu që kthimi nuk është kaq i mirë...

Nëse e kishit në dorë, do të ktheheshit në vendlindje, apo do të qëndronit përgjithmonë jashtë?
Pyetje e vështirë. Nuk do të mundesha të isha qytetar i përhershëm i një qyteti. Pandryshueshmëria më tremb. Edhe në letërsi. Ç’të them, do të desha të rijetoja në Athinë, por nuk do të desha, njëkohësisht, të braktisja përngaherë Berlinin. Ai është qyteti që më ndryshoi, qyteti që më tregoi rrugën e lirisë sime, një stil se si mund të jetoja larg ndikimit dhe dëshirave të të tjerëve. Me fjalë të tjera, ç’ju them: Që qytetet shërbejnë kryesisht si simbole të frikës sonë rreth relitetit, vetmisë, kufinjve ndjenjësorë etj. Me këtë këndvështrim, rrojmë në qytetet e mbyllur, që kemi ndërtuar brenda vetes, në vendndodhje të përcaktuara. Sado larg që të shkojmë, në këto inteneraret tona të vazhdueshme dhe të ndryshme, vështirë t’u shpëtojmë këtyre kufinjve të padukshëm.
 
Ndërkaq, po ikni tashmë. Ç’merrni me vete nga kjo vizitë?
Shëtitjet në pjesën historike të qytetit. Aty mendova edhe subjektin e romanit tim të ri. Kur do të vij herën tjetër, do ta kem gati. Por, kur do të vij herën tjetër, do të desha që makinat të mos udhëtonin lirshëm në këto vende, siç ndodh në Berlin, që në vende të caktuara, siç është përshembull Pllaka e Athinës, janë zotër njerëzit, jo makinat. Mendoj se kushdo që udhëton lirshëm në një qytet, e njeh atë më mirë. Nuk e përshkon thjesht për të shkuar diku.


Bisedoi:
GRIGOR JOVANI
Aerodromi Ndërkombëtar i Athinës
Maj, 2009
(Marrë nga “PEGASI” 6)

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου