Lexova tregimin tënd me një kënaqësi që rrallë e kam provuar dhe në shkrimtarë më të mirë në botë (nuk kam asnjë arësye të të bëj qejfin, se më shumë do më vinte turp nga vetja). Do thoshja - një mrekulli proze, ngrohtësi Kuteli me inteligjencë Migjeni! Më tepër se me dorë, qe shkruar me frymë, me frymë të vërtetë femre në kulme të artit. Reshtat ridhnin si skalitje burri dhe qëndizmë gruaje! Më gëzon shumë që arrin gjer në maja të tilla. Mbi të gjitha, është dëshmi se sa gjëra të bukura ke për të shkruar, kur ende je kaq e re, të paktën në shpirt. Të përgëzoj me nderim e dashuri prej miqsh poezie.
AGIM SHEHU
Gjenevë, 21.9.2008
ALBANA MËLYSHI - LIFSCHIN
Magjia e një zëri
Tregim
Rrallë ndodh që puna që bën të jetë njëkohësisht edhe hobi yt. Unë e pata këtë fat. Prej dy dekadash si gazetar i Radios, jam marrë me regjistrime zërash, intervistime njerëzish të ndryshëm. Kam krijuar një arkivë përrallore. Fillimisht kisha një manjetofon të vogël portativ. Me pas, gradualisht krijova një koleksion të tërë aparatesh regjistrimi. Kam programe ku përpunoj zera, i zbus dhe i egërsoj, u heq zhurmat apo ua shtoj. Kështu jam ambjentuar me zërat, i njoh thellë ata. Kam arritur në perfundimin që nga zëri mund të percaktosh karakterin e tjetrit deri në skajet e tij. Zëri është ADN-ja e shpirtit.
Disa zëra janë krejt të veçantë. Brenda tyre ka lot dhe gaz njëherësh gjen shushurimë ujrash dhe nota muzikore, zëmërim e përkëdhelje, pëshperimë ....Jane të gjitha njëherësh, nuk i ndan dot. Zëri i saj kishte diçka të tillë, e më shumë se kaq. Ishte një zë i pa moshë. Në bisedë me të, ai zë përcillte një ngrohtësi të paspjegueshme. Të tërhiqte e të mbante në magjinë e tij, të bënte të ndiheshe mire, të ngacmonte në shpirt, por edhe shumë joshës. Ndërsa kur qeshte, qeshte me gjithë shpirt me çiltërsinë e një fëmije. U obsesova me atë zë...Kalova në marrëzi për një grua që s'e kisha parë kurrë. Fillova t'i telefonoj kur nuk ndodhej në shtëpi, vetëm për të dëgjuar zërin e saj në sekretarinë telefonike. Ishte një mesazh i shkurtër, por edhe aq ishte i mjaftueshem elektriciteti që percillte ai zë tek unë. Një efekt të tillë kishte zëri i saj . Ndjeja nevojë ta dëgjoja për ditë kur kisha nevojë të prehem. Ia "vodha" zërin, e rregjistrova. Më së fundi, mik i dashur, siç mund ta marrësh me mend, kërkova ta takoj. Le të mbytesha në grackën qe i kisha ngritur vehtes. Le të shkoja me symbyllur drejt një muri ku mund të thyeja kokën, por vetëm ashtu s'jetoja dot më. Kërkova një arsye për te shkuar në qytetin ku banonte. Dhe e gjeta: Rregjistrimin e një aktiviteti pikërisht në qytetin e saj. E njoftova nëpërmjet një mesazhi elektronik. I thashë që do të isha në atë qytet tre ditë më pas dhe se doja ta takoja.
Nuk mora përgjigje as atë mbrëmje, as të nesërmen. S'bëra rehat gjithë natën. Qe një natë e çmendur. E perfytyroja në krahët e mi. Heshtja e saj më trembi. Mos ndoshta kishte ndonnje dashnor e une rrahja ujë në havan?
I bëra telefon. Mu pergjigj një zë pa nota zanore. U tremba. Më tha se ishte sëmurë. Ndjeva dhimbje.Gjithesesi i tregova qe të ejten do të ndodhesha me shërbim në qytetin e saj dhe kisha dëshirë ta takoja.
- Ndoshta do na krijohet mundësia të shihemi. Do të vi që nga treni me taksi deri aty ku punoni ju.
- Taksia kushton shumë...
- Unë nuk jam i pasur- iu përgjigja, por ka raste kur shpenzimet nuk llogariten.
Mu duk se vuri buzën në gaz, por qe një gaz i pa zë.
Ja kështu. U ndodha në qytetin e saj atë të ejte dhe kisha 15 minuta që prisja para godinës ku punonte ajo. Bënte ftohtë. Vështroja fytyrat e grave që dilnin nga hyrja për të parë ndonjë përngjasim me foton që mbaja në xhep. Qe një foto me një kualitet të dobët që e kisha 'shkulur' nga interneti. Asnjera s'ishte si ajo. Pata frikë se nuk do ta njihja. Ndërsa mendoja këto ajo u dha në krye të shkallëve. Duhet të ishte ajo sepse mbajti këmbët e qëndroi një copë herë duke vështruar përreth. Kishte veshur një pallto blu me një shall të trendafiltë reth qafës. Flokët ngjyrë gështenjë i binin onde-onde mbi mbi supe. E përshëndeta me dorë. U afrua e kujdeseshme, si të mos kishte siguri për të panjohurin që qëndronte përpara saj. I zgjata dorën. Ndjeva në pëllëmbë për pak sekonda një dorë të vogël, të freskët.
Ajo iu përgjigj atij shtrëngimi me një buzëqeshje miqësore. Ecem disa minuta duke hedhur fraza të shkëputura, pa lidhje, siç ndodh midis dy njerëzve që shihen për herë të parë me njëri tjetrin, deri sa ndalëm pranë nje restoranti te vogel. E ndihmova të hiqte pallton duke zbuluar një fustan të trëndafiltë që i shkonte shumë. Ajo porositi për të dy.
Kur kamarjerja u largua, ktheu sytë nga unë.
- Ja pra, ku jemi, thashë unë. Faleminderit që më dhatë mundësi tu njihja personalisht. Nuk munda ta shmangja këtë.
Ajo u skuq lehtë në mollezat e faqeve. Ku i kisha parë ato mollëza ashtu? Hëm.. kohëra të shkuara, në një album të nënës sime; koleksiononte foto artistësh.
Mu duk se u mat të thoshte diçka, pastaj sikur ndrroi mendje. Vështronte përtej dritares dhe ndërsa unë kundroja profilin e saj, ajo u kthye papritur:
- Ç'thotë puna?
Qe një pyetje e përgjithshme. Nuk ishte ngacmuese për një bisedë intime, por gjithsesi të nxirrte nga situata; të lejonte të flisje për shumë gjëra. Nuk mbaj mend se çfarë i thashë sepse në mendje kisha të tjera .
- E dëgjoj shpesh programin tuaj. Gjej tema me interes, por ndonjëhere ka disa tekste që nuk di si.
- Si? Pyeta une, pa e kuptuar se ç'desh te thoshte .
- Mediokër. Mbase janë shkruar jo nga profesionistë, tha ajo duke vënë tek buzët shishen e limonatës.
- Duhen edhe ata, thashë unë.
- Si? Ajo vuri shishen e limonatës në tavolinë, pa pirë asnjë pikë.
- Thonë që kur Petro Marko punonte me Merxhanin, në gazetë, i shkon në zyrë me një dorëshkrim e i thotë: Po shiko ç'sjell ky... I ka shkrimet të dobëta, po ngulmon që t'ja botojme. "Botoja, Petro, botoja! Ta shikojë tërë bota se ç'mall është!
Ajo qeshi për herë të parë dhe mua mu bë se ndjeva gurgullimën e ujrave në gushën e saj. Fustani kishte një prerje si gojë zambaku tek gusha e bardhë dhe mua me erdhi ta puthja . Kishte një lëkurë të hollë të bardhë. Përfytyroja një gjoks verbues. Mu duk se më ndihmoi të dilja nga turbullimi im duke u hedhur në një tjetër temë. Fliste me bindje për ato që thoshte ndërkohë që unë bëja çudi si i kombinon Zoti ndonjëherë bukurinë me mençurinë e inteligjencën dhe sikur këto të ishin pak, u jep edhe zërin. Ose ndoshta ky qe privilegj vetëm për të.
Kishte filluar të errej dhe po ndizeshin dritat e rrugëve. Ajo kërkoi me sy kamarieren.
Nuk desha ta lija të paguante, por ajo nguli këmbë. Vuri pëllëmbën e saj mbi timen duke më penguar të fusja dorën në xhep. Na u përplasën vështrimet njëherësh dhe ajo u skuq për herë të dytë. U ngrit nga tavolina dhe unë e lashë të ecte përpara meje. Palltua i vinte pak nën gjunjë duke i zbuluar një pulpë të bukur. Më bënë përshtypje këpucët e saj elegante, por shumë të vogla. Ç'numër i mbante këpucet vallë, pesë? Pesë e gjysëm?
- Ku i blini këpucët, në dyqanet e fëmijëve?
- Si?
Ajo u kthye nga unë.
- Këpucët, thashë, në dyqanet e fëmijeve i blini?
Asaj iu mbyllën sytë nga të qeshurit dhe pastaj me cepin e një shamie të bardhë fshiu bishtin e syrit.
- Kësaj i thonë të qeshësh me lot, tha.
- Duket se kishit shumë kohë pa qeshur. Duhet të vijmë ne aljenët-thashë unë, që t'u bëjmë për të qeshur juve këndej.
Ajo nuk iu përgjigj shakasë sime.
- E keni lexuar këmbkën e vogël?
- Këmbkën e vogël? Ajo po mendohej
“Nuk ka mundësi që të mos e ketë lexuar Çehovin”, thashë më vehte.
- Kam lexuar për një këmbë të vogël, tek Çehovi, por ai tregim më duket se e kishte titullin "Bashkëshortja", në mos gabohem.
U skuqa si një budalla. Kaq më kishin mbytur ndjenjat për këtë grua, sa nuk po dëgjoja se çpo thoja. Mora inat me shkrimtarin e madh.Në fund të fundit, ai tregim pikërisht ashtu duhej të quhej: Këmbka e vogël! Një këmbë aq e vogël me thëmbër të trëndafiltë mund ta mbaje brenda pëllëmbës së dorës.
Ishin minutat e fundit të takimit dhe ndjeja se si po më mbaroheshin fjalët.
- Unë duhet të pohoj që erdha këtu, vetëm për tu takuar ju. Nuk mund të më jepni më shumë kohë? Kam shumë nevojë të të njoh më shumë, kemi nevojë të njihemi, e ktheva në shumës. Nuk dua të ndihem në pozitë qesharake sepse ndjej për ju. U bë një kohë e gjatë që e kam ëndërruar këtë takim e sot më duket se kam folur vetëm budallallëqe.
Papritur vura re që ajo qe zbehur në fytyrë. Shtrëngonte çantën e saj të zezë me të dy duart tek gjoksi, sikur të kishte thesaret e saj aty dhe dhe vështronte kalimtarët e çpërqëndruar. Mu duk një çast si një gjimnaziste që po i propozonin për herë të parë.
- Te lutem, nuk mund te ndahemi keshtu. Thashë përsëri.
Një bllok më tutje ishte stacioni qëndror i trenave. Me të hyrë në atë galeri ajo do të humbiste në mes turmës. E urreja atë hark te madh pas te cilit njerëzit zhukeshin si në një gojë të madhe balene.
- Të lutem eja të ulemi gjëkundi, ku të duash ti, ndoshta në këtë lulishten këtu pranë. Mos shko tek treni që tani, thashë vrullshëm. Ia zura kokën me të dy duart dhe e putha në buzë. Ajo e priti atë puthje si e ngrirë.
- Më falni, tha duke u zbrapsur,- ka ndodhur një keqkuptim i madh këtu, dhe u largua pothuajse me vrap në drejtim të stacionit.
Dy ditë shërbimi në atë qytet nuk isha në gjendje të bëja asgjë. Kisha dështuar. “Gjete ç'kërkove” - i thoja vehtes. Me siguri ka qënë e zënë. Ti s'e pyete kurrë për këtë. Ose qe një koketë që i pëlqente ta dashuronin.
Kur u ktheva nga shërbimi, në postën elektronike gjeta një e-mail nga ajo:
“Ju falenderoj shumë për mirëkuptimin Do të qe krejt e pamundur për mua t'u takoja në atë ditë të ftohtë. Jam ende në shtrat pas operacionit të kordave të zërit. Ime motër mori përsipër tu priste për të më justifikuar mua. Asaj i kishit pëlqyer shumë”.
U linda në Jorgucat të Gjirokastrës më 1959. U rrita në Laç. Studiova Filologji. Pasi punova për dy vjet mësues letërsie në Mirditë dhe Krujë, deri sa u largova nga Shqipëria kam qenë gazetar profesionist. Prej vitit '91 jetoj familjarisht në Athinë, ku jam marrë me shtypin e emigracionit. Kam qenë në kohë të ndryshme kr/redaktor në gazetat "Zëri i emigrantit", "Rilindja XXI", "Tribuna", në revistën "Pelegrini" dhe drejtor i gazetës "Albanews". Aktualisht, shkruaj letërsi dhe botoj e drejtoj revistën letrare dhe artistike "Pegasi".
“Grigor Jovani ka lindur “Ditën e Gënjeshtrave”, për të thënë në poezi Të Vërtetën”.
NAUM PRIFTI
(Nju Jork)
“Është vështirë të gjesh gjetkë një pikëtakim të tillë, të cilin edhe Morrisey i Madh i lirikës do ta kishte zili. Është fjala për pikëtakimin tipik të poetit Grigor Jovani, i cili vjen mitik në poezinë e tij. Jovani del nga kuadraturat ballkanase dhe krijon anën pikëtakuese Perëndimore, duke sfiduar parësoren dhe duke i dhënë shans dytësores”.
FATMIR TERZIU
(Londër)
“Sjell vlera të mrekullueshme ky poet i vërtetë. I hoqa mënjanë, mezi kursehen në këto kohë. T’i kem aty, kur shpirti të ndjejë dimër...”.
FARUK MYRTAJ
(Toronto)
“Mund të them pa frikë se shtëpinë vjershave ua ke ndërtuar me gurë të skalitur, betonarme, që nuk e shembin dot as breshëri, as dëbora e tufani dhe as tërmeti me nëntë ballë. Shtëpia e vjershave të Grigor Jovanit qëndron e fortë dhe e patundur në mjedisin e poezisë më të arrirë shqipe”.
HYSKË BOROBOJKA
(Tiranë)
“Unë, që zakonisht ruhem nga superlativat, pasi lexoj poezitë e tua, them që je poet i mrekullueshëm, Grigor, gjithnjë befasues. Je poet i lindur, vllajo!”
ALBANA MËLYSHI-LIFSCHIN
(Bruklin)
“Poezia e Grigorit ka një qartësi që të habit me reflekset e dritëzave, nga përthyerjet në prizmat poetik dhe jetësor. Syri i hollë vëzhgues, depërtimi në labirinthet dhe të fshehtat e shpirtit të njeriut, veshja me një vello të butë hënore e motiveve jetësore, të ngritura në art, i japin poezisë së tij brishtësi, freski dhe veçanti”.
MYSLIM MASKA
(Athinë)
“Ndihem e respektuar dhe shumë e kënaqur me poezitë e Grigor Jovanit. Mundësisht, sa më shumë prej tyre, aq më ushqim për shpirtin. Më pëlqen, sepse shpesh ajo më ngjan me reflekset e asaj copëze kristali, që duke e vështruar, të krijohet përshtypja se brënda kësaj mase të magjishme do gjesh labirinthe pafund ndriçimesh.”.
LINDITA AGOLLI
(Tiranë)
“Vërtet të bukura poezitë e Grigor Jovanit. Të mrekullueshme! Më të koncetruara se vera që dehu Polifemin. Poezitë e tij, pa veçuar asnjerën, janë vërtet si një verë e vjetëruar, që sa më shumë të pish, aq më tepër do që ta ngresh gotën”.
NDUE LAZRI
(Bolonjë)
“Një poezi që të bëhet e dashur dhe të intrigon, aq sa ti, si lexues, ke njohur një poet jo të lodhshëm, por një bashkëbisedues të sinqertë dhe një mik të madh të njeriut”.
STEFAN MARTIKO
(Athinë)
“Jovani poet është tejet i çlirët, tejet i natyrshëm e komunikativ, tejet i ndjerë. Xixëllimi i poezisë së tij është në të përditshmen, pa asnjë lloj autocensure, por me një liri të habitshme. Në dukje të thjeshta, të gjitha poezitë kanë filozofinë, përjetimin e thellë, figuracionin e mjaftë për të shprehur me veshjen më të bukur mendimin”.
VAID HYZOTI
(Rixhvud)
“Ti fluturon me një kalë të magjishëm, miku im, me Pegasin. Ndaj krijon vargje të tilla. Dikur kisha bërë edhe unë një poezi, në qelinë e burgut: “Erdhi Pegasi në qelinë time”. Tani vjen tek unë ti, me kalin tënd fluturak. Me poezinë tënde të mrekullueshme”.
VISAR ZHITI
(Romë)
“Miku ynë, Grigor Jovani, është trajektore e spikatur në qiellin e poezisë së krijuesve jashtë Shqipërisë (ndoshta është ky qiell edhe më i kompletuari me yje). Kështu na vjen vlera e tij, duke u informuar me poezinë më të mirë që bëhet në Amerikë, Itali, Angli, Greqi e gjetkë”.
NOVRUZ ABILEKAJ
(Athinë)
“Poezi që botohen në vend të fjalëve të një urimi. I lexoj me një frymë, se ato dreqka janë një grimë, si sheqerkat e dashura të nënave korçare, përpihen menjëherë. Dhe më vjen të them, se ai që ka zemër të sëmurë, mund t’i kërkojë Grigor Jovanit një të re. Ai shejtan ka sa të duash”.
ROLAND GJOZA
(Nju Jork)
“Duke lexuar poezitë e Grigor Jovanit nuk mund të jesh indiferent, sepse ato të ngjiten pas shpirtit, si pjesëz e ndjesive të tua si lexues e kjo sepse ai është tepër i sinqertë në atë çfarë ka përjetuar e mishëruar në vargje, që në dukje mund të shfaqen të thjeshta, por gurgullojnë si burimet poshtë gurëve e fletëve, për t’u shfaqur më pas kristalore”.
KOLEC TRABOINI
(Boston)
“Këndo, Grigor Jovani, këndo këngën e bukur,/ atë këngë, që shpirti ta thotë,/ si dallgë, si valë, si e erë lehtë/ të bjerë zemrave tona, si puhizë e ngrohtë!”
PETRAQ J. PALI
(Virxhinia)
“Të shkurtra vërtet poezitë e Grigorit, por a s’janë të çmuar diamantët, pikërisht mes pakësisë sëformës së tyre?”
THANAS BOÇI
(Athinë)
“Në radhë të parë të uroj për keto poezi, që më dhanë kënaqësi të veçantë. Jo vetëm që jeni PURE i pastër në poezinë që shkruani ( siç thotë për juF.Terziu), por shumë i pastër dhe dashamirës në mendimin kritik ndaj miqve. Lum ata/ ato, që të kanë pranë!”
JULIA GJIKA
(Amerikë)
“Kjo poezi është një rrugëtim pa fund në botën e brendëshme të Grigor Jovanit, që rreket “të pushtojë” e të qetësojë shpirtrat tanë të munduar. Poezitë e Jovanit kanë një varg konciz, të lirë e bashkëkohor, ku të gjithë ne, miq e lexues të tij, e ndjejmë veten aq pranë, sikur të ishim pranë oxhakut të ngrohtë të shtëpisë së tij, në një ditë dimri”.
MIHO GJINI
Mjeshtër i Madh
“Na shtove bukën e kësaj vere, t’u shtoftë bereqeti! Të falenderoj për këto poezitë e bukura, secila sjell metaforisht një fabul, sa të këndshme, aq edhe mbreslënëse”.
AGIM BACELLI
(SHBA)
“Unë u përpoqa të të ndiqja në udhëtimin tënd brenda vetes, por nuk munda, u dorëzova, mbeta pas dhe kërkova gjirin tim, më të qetë, por nuk më linin ato dallgë, që më ngrite ti në mendje dhe në zemër, o Gole. Po me mua ç’pate?! Apo, ç’desha unë, që u ngatërrova me detin e shpirtit tënd?!”
LLAZAR VERO
(Filadekfia)
“Të bëj portretin poetik të Grigor Jovanit? Poet lirik i mrekullueshëm, ironik dhe i drejtpërsëdrejti, plot vezullime ngjyrash, ku në një pasqyrë të madhe sa bota sheh fytyrën e njeriut, nëpërmjet një vetvetjeje plot nerva, ndjenja e pasione të sinqerta...”
PIRRO LOLI
(Tiranë)
“Grigor Jovani luan me poezinë e tij, pse e ka nënshtruar plotësisht atë, vendos ai se në ç’monopate apo bulevarde do ta shpjerë, sa hapësirë do t’i lejojë, në ç’oktavë ta ngrejë apo ulë zërin. Poezia e mirë, si kjo që kemi në duar, detyrimisht është ngushëllim, shpresë, kurajë”.
ROBERT GORO
(Athinë)
“Të paça, o këngëtar, me shpirtin më fisnik,/ me ty sot derte qava, poezia jote mallet m’i ndezi,/ atje ku ti Greqisë, me fjalën e bukur shqipe i flet,/ porsi rrezja e dritës, në një bukuri mëngjezi!”
LLEMADEO
(Gjermani)
“Poezia jote të përkëdhel e të çjerr, të ngroh e të shkakton mornica, të mjegullon sytë e të dhuron një buzëqeshje. Je poet i vërtetë, Gole, e di apo jo? ”.
ZHANETA LAZRI
(Bolonjë)
“Kantina poetike e Grigor Jovanit, prodhon verë me cilësi të lartë. E di që e dini, por pse po e rikujtoj, nuk ka ndonjë të keqe...”
PILO ZYBA
(Monemvasia)
“Shpirti ma ka një maraz:/ do desha vargjet e mia/ të m’i çojë kali Pegas/ në Athinë, tek Gole miku,/ ku selinë ka poezia!”
PANO TAÇI
(Tiranë)
“Asnjë e shtënë tronditëse. Asgjë solemne. Magnetizim që të tërheq. Poezi sa rrënqethëse, aq dhe balsam qetësues. Një “sëmundje”, nga e cila nuk mund të shpëtosh, por infektohesh. Dhe që të duhet shumë mund, për të shpëtuar prej saj. Nëse dëshiron të shpëtosh, gjë që e konsideroj të pamundur”.
ALUSH AVDULI
(Sarandë)
“Mos, o Gole! Mos bëj vjersha të tilla, si ajo me titull '”Orë e çakordisur”, i dashur mik, se mirë ti je i “çakordisur” krejt, por na bën edhe ne të lëngojmë dhimbshëm për atë të shkretë... çakordisje”.
DILAVER BAXHAKU
(Tiranë)
“Usta” më është Grigor Jovani,/ Prej tij dua të vjedh ndonjë varg./ Sado që plasa nga “inati”,/ Mbeta pas tij, si çirak”.
Δεν υπάρχουν σχόλια:
Δημοσίευση σχολίου