Παρασκευή 9 Απριλίου 2010

GRIGOR JOVANI Poezi të reja




Pershendetje, i dashur!
Ja, qe une mrekullohem nga poezia jote, Grigor!
C'te bej? Lirizmi yt ka ngecur te nje xhakete 20 vjecari.
Aq je, ate moshe ke. C'gjetje te fresketa gjithmone.
si nuk shter. Do me bien pantallonat, thua..
Hapesh.. si stadium bosh..
Bore dhe shira, po do vdes i etur..
Darka e shenjte qe na gjen te ndare..
Sa shume perla ke. Te kam zili, jo per gje,
po per femrat, qe vdesin per perla.. C'dhurata berluksoniane!
Edhe njehere te uroj nga zemra, poet, jo vetem te shpallesh,
po edhe te te shpallin, ne vendin me te vonuar te botes ( shqipoja )
ne vendin e krizes me te madhe ( eladha )

Me shume dashuri
Roland Gjoza








Ky fat…

Brenda meje ranë borëra
                               dhe shira,
më përmbytën,
por një gllënkë
nuk kam pirë.

Mbeti brenda meje
                      Sahara me diell,
një rërë e pafund
shkretëtirë.

Do të shkoj në Qiejt
i etur.

Mbase bëhem lugat,
i patretur.

Koha

Nuk e di
nëse do të çlodhem
ndonjëherë.

Tani për tani ngutem,
bëhem erë.

Ndjek ëndrrat e një jete...

Do t’iu mbërrij, o ëndrra,
nuk më thoni?

Por koha rend si e tërbuar,
ndërsa mua më bie
pantelloni.

 Asgjë

Hape rrobën e natës,
para meje u shpalos
trupi yt,
si një stadium bosh.

Asnjë tundje rrjete,
as një top në kosh.

Vërtet,
një lojë pa spektatorë
ngjall trishtim.

Por s’ka gjë
më të mërzitshme në botë,
se një lojë që përfundon
barazim!

Mulliri

Gjithë ditën bluaj
në mullirin tim
                 shpresa,
                 ëndrra,
                 dëshira.
Mbush thasë me miell,
gjer në tavan i stivos.
Dhe përsëri
nata më gjen pa bukë.
Dhe përsëri
e gdhij me një kos.

Njeriu

E akuzuan për krim. Ndërtoi një spital,
jeta u rilind
qindra herë.

I thanë gënjeshtar. U bë tjetër njeri,
ndërroi pashaportë
dhe nder.

E shanë hajdut. Mbushi plot një treg,
e la të lirë,
pa tutorë.

Thanë s’ka fe. Ngriti kishë të re,
priti Zotin vetë
me Shenjtorë.

Kur, megjithatë,
në litar e shpunë,
“Ç’prisnit tjetër?! - tha. -
                              Njeri jam dhe unë!”

Darka e Shenjtë

Tani nuk hamë të gjithë bashkë
Darkën e Shenjtë,
                              Imzot,
drekohemi seicili në të tjera vënde…
Ndodhi si pa e kuptuar,
një nga një u larguam
dhe mungesa jonë
u ul nëpër kariget e mbetura bosh,
përreth tryezës Tënde.
Ndoshta ngaqë vetes
shumë trazira i vumë,
u bëmë ortakë me demonët,
por mbase edhe Ti
nuk mund të duroje kaq kohë
sinfoninë e lugëve,
                             në të gjitha tonët.
E keqja është,
që nuk hamë të gjithë bashkë
Darkën e Shenjtë,
                             si më parë...
Juda iku i pari.
S’do më binte në mend,
nëqoftëse nuk e dënoje
për këtë blasfemi
                             ... me litar.

Arusha e Madhe

Tek dremis në verandë,
mendjen time mendoj,
që nuk ka ku të fshihet.

Ku t’i gjej një strehë,
mendjes sime të mjerë,
gjersa të gdhihet?

Dalloj Arushën e Madhe.

Atje do ta çoj...
Po s’e ngave, s’të nget,
kjo dihet.

Paridi

Mund të rri,
këtu në Spartë,
orë të tëra,
ashtu i përgjunjur,
duke të parë,
Helenë,
i dashuruar.

Pasi e di,
se në Trojë
kurrë
nuk kam
për të të çuar...

Unë, Agamemnoni

Kam fluturuar me zogjtë,
përsipër malesh dhe fushash,
kalova detra dhe shtete,
pa llogaritur kufinj.

Fola gjuhë njerëzish,
                    në shekuj harruar,
rrafshova tempuj,
ku faleshin minj.

Bëra dashuri me Penelopën,
ndërsa Odiseja
flinte i qetë,
                      nën ullinj.

Kur pragun tim
më në fund
                     kapërceja,
... ndjeva thikën e gruas
në brinj.

Frika e Akejve

Pashë gjithë muzeumet
me trashëgiminë e helenëve,
një habi e madhe më zuri
në fund:

Kali i Drunjtë -
simbol i dinakërisë së akejve,
askund.

Asnjë ekspozim,
qoftë imitim,
i Kalit Dorik.

Akejt e sotëm
kanë frikë se dinakëria
sanksionohet:
                      “Made in Greece”.

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου