Τετάρτη 14 Απριλίου 2010

GRIGOR JOVANI Poezi të reja (Pjesa e dytë)

Gënjeshtra

Nuk dua të shkruhet asgjë
për ikjen time.

Shkruani diçka tjetër. Bie fjala:
“Ndjek Marko Polon,
nëpër tokë
dhe dete…”

Shkruam kaq gënjeshtra për të tjerët,
s’prish punë të themi edhe një
për vete.


Anketë

Kush e lexon Vaid Hyzotin?

“Unë! - tha miku i tij, Rolandi, -
është qesharak, si Al Bandi,
prandaj e lexoj Vaid Hyzotin”.

Kush e lexon Vaid Hyzotin?

“Unë! - thotë Ndue mirditori, -
syulët është, si cucat, hori,
prandaj e lexoj Vaid Hyzotin”.

Kush e lexon Vaid Hyzotin?

“Unë! - thotë Farro kanadezi, -
ngaqë krekoset si këndezi,
prandaj e lexoj Vaid Hyzotin”.

Kush e lexon Vaid Hyzotin?

“Unë! - zë vend në fund Albana, -
për të s’e çan kokën Tirana,
prandaj e lexoj Vaid Hyzotin”.

Kush s’e lexon Vaid Hyzotin?

“Ne! - thanë lexuesit, me dhjetra, -
në bythë të re vesh brekë të vjetra,
ndaj s’e lexojmë Vaid Hyzotin”.


“Golfi” im

Dikur,
me të kthyer çelsin
hungërinte,
si qen besnik.

Tani ri në qoshk,
mbi katër këmbë.
Është plakur shumë,
ka frikë.

Fuqia

E kanë zili:
Ka një vilë të bukur në bregdet,
ku rron me një “star” - gruan e dytë.
Ka “BMW” të re, ku në motor
një tigër Afrike çfryn bulçitë.
Ka gjetur sekretin e plotfuqishmërisë,
çdo gjë që dëshiron - e ka marrë.
Ka fuqinë e bardhë dhe fuqinë e zezë,
për karavet - ka erën e mbarë…
Ka miq të fuqishëm, ngado shkon e vjen
e rrethon avlia e një mbreti…
Së fundi, mora vesh: ka kancer.
Nuk di pse psherëtiva:
I shkreti!


Kanarina

Isha ulur në verandë. Bëja vjershë.
Sipër meje
një kanarinë këndonte.
Befas,
më hodhi sipër kokës një glackë.
Siç duket, u prek,
ngaqë askush s’e dëgjonte.

Loja e pushtetit

“Kush do ta marrë pushtetin?” - pyeti Noli.
“Unë do ta marr, - tha Vidi, -
se jam princ!”

“Kush do ta marrë pushtetin?” - pyeti Vidi.
“Unë!” - foli Zogu. Dhe u krekos
si gic.

“Kush do ta marrë pushtetin?” - pyeti Zogu.
Enveri nuk e zgjati:
“E kam marrë!”

“Kush do ta marrë pushtetin?” - tha Enveri.
Ramizi s’foli dot.
Çapitej zvarë.

“Kush do ta marrë pushtetin?” - tha Ramizi.
Berisha foli rreptë:
“Demokracia!”

“Kush do ta marrë pushtetin?” - tha Berisha.
“Në qofshin tre, - tha Nano, -
i marr të tria…”

“Kush do ta marrë pushtetin?” - pyeti Nano.
“Unë do ta marr!”
- ndërhyri prapë Berisha

“Po ti e ke marrë njëherë! - bërtiti Rama -
O luaj mirë!
O unë e lashë...
                         e prisha!”


Grua

Kam dëshmitar hënën që të mbron,
kam dëshmitar agimin që të zgjon,
kam dëshmitar detin që të lan,
kam dëshmitar flladin që të than,
kam dëshmitar erën që të kreh,
kam dëshmitar dritën që të deh,
kam dëshmitar Zotin që të njeh
më mirë se unë:

Se të dua shumë!

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου