Σάββατο 3 Απριλίου 2010

Një Edmond Dantes, që nuk kërkon shpagim

Para ca kohësh, i ndodhur mes miqve në Prevezë, u njoha me Bledi Gërbin.
Kalova orë me këtë djalosh, çaste intime, shëtitëm dhe u qerasëm në limanin e Prevezës, vizituam Neohorin, fshatin ku banon së bashku me familjen, emigrantë nga Fieri, madje e luta të më çonte me makinën e tij në bregun ku u vetëvra Kariotaqi, poeti im i dashur grek i paraluftës, që aq shumë më ngjason me Migjenin e letrave shqipe, nja dy km larg qytetit (përpara pllakës përkujtimore, Bledi më pyeti: “Ç’është ky, e njihje?”).
E ngacmoja paprerë të më rrëfehej. Ndërkohë, brenda meje, gazetari ishte mundur prej letrarit: më ngjante gjithmonë se kisha të bëja me Edmond Dantesin e Dymasë, që kaq shumë kishte ngacmuar fantazinë time në rininë e shkuar.
S’ma merr mendja që Bledi Gërbi të ketë lexuar Dymanë. Është vetëm 24 vjeç. Ka ikur qysh i vogël nga Atdheu dhe këtu, në atdheun e ri ku e hodhën dallgët e fatit, ka përvetësuar pasione të tjera, të cilat, jo për faj të tij, nuk i bëjnë vend letërsisë. Ka qejf makinat e shpejta, celularët, kasetat e DVD-së (këtu ishte rasti të njiheshe me Kontin misterioz të Montekristos, por ja që ai pëlqen, si shumica e të rinjve të sotëm, filma me heronj të ashpërr, të tipit Rambo, aspak sentimentalë), si edhe lokalet e qeta të limanit, ku me një lëng portokalli në dorë (nuk pi asgjë alkolike), papritur humbet kontaktin me realitetin dhe zhytet në një pellg të turbullt mendimesh.
Ku udhëton Bledi Gërbi?
Njerëzit udhëtojnë brenda vetes, thotë një frëng i ditur. Nëse ndodh kështu edhe me këtë djalosh, habitesh: kaq i ri për derte të tilla?!
E luta të më merrte me vete, një çast, kur bëhej gati të hynte në ato monopate kujtimesh. Nuk ma prishi. Jam i bindur se për asgjë nuk do ma prishte. Nuk e dinte që do ta bëja publik fatin e tij. S’ia kisha thënë këtë mundësi. Për të isha veçse një njeri, me të cilin e lidhte një krushqi e afërt dhe që i tregohesha miqësor. Thjesht donte edhe ai të kishte shoqëri në këtë kthim kohor të detyruar.
Tret shikimin, ashtu siç zbehen dalëngadalë dritat e një kinemaje dhe një realitet i ashpërr shpaloset përpara teje, në ekranin e madh të jetës. Le ta ndjekim. Sa për Bledin, tani e kam bërë kaq mik, sa të mos na përflasë këtë “përgjim” të jetës së tij intime.


***
Bledi Gërbi, 22 vjeçar. Aty nga fillimi i 2004-ës hap një dyqan shitjeje zarzavatesh dhe frutash përballë KTEL-it të vjetër të Prevezës. Vend i mirë për tregti, m’u në zemër të tregut turistik. Veprim jo i zakonshëm nga një shqiptar, për një shoqëri të mbyllur, si ajo e këtij qyteti të vogël periferik të Greqisë. Mbaj mend se vite më parë (shkoj shpesh në këtë qytet, ngaqë aty jeton ime motër), pas një aksidenti automobilistik, kur shkova të gjeja të drejtën time në organet e rendit, shefit të policisë, pasi kishte parë dokumentat e mia shqiptare, i kishte shpëtuar sinqeriteti i pazakontë: “Mendon se do të gjesh këtu të drejtën tënde?!”
Doemos që s’e gjeta...
Por 22 vjeçari i atëhershëm Bledi Gërbi kishte guximin e pakundërshtueshëm të moshës. Kishte edhe ndihmën e familjes. Myzeqarë punëtorë, të guximshëm, të zgjuar  dhe të ndershëm. Kishin krijuar në Neohor një biznes fitimprurës. Një sistem bashkëkohor serash (punën e njihnin qysh në Shqipëri), për të kultivuar zarzavate dhe fruta. Në to punonin fshatarë vendas dhe emigrantë shqiptarë. Hapën mundësira pune dhe jetese në sa e sa familje. “Qir Miçoja” dhe “qira Vasiliqija”, siç u thërrisnin në fshat (natyrisht, me emrat e reja, të përshtatura me “midenë” vendase), dalëngadalë kishin fituar respektin e bashkëfshatarëve. Kontratat ishin me tregun grek dhe të huaj. Gjithshka si vendasit. Dhe doemos, fitonin. Atëhere, ç’të pazakontë kishte fakti i ngritjes së një pike shitjeje të prodhimeve të tyre në pazarin e Prevezës? Asgjë, thoshte mendja e Bledit dhe e familjes së tij. Veçse llogaria ishte bërë pa hanxhinë. Nuk ishte dhe kaq e lehtë “qiraja” e re, që duhej të paguanin. Ku tjetër: në opinionin shoqëror të qytetit, që ziente: “Pa shiko shqiptarët! Dje erdhën dhe u bënë zotërinj, u gdhinë... afendikonj...”
Llotaria e pagesës së kësaj qiraje, falë edhe një loje të hidhur të fatit, i ra pjestarit më të ri të familjes, Bledi Gërbit.
Pak muaj pasi i riu kish filluar të tregtonte në dyqanin e tij prodhimet e të atit, në Prevezë ndodhi diçka, që preokupoi për ditë të tëra median vendase, por edhe atë të qendrës, si edhe opinionin shoqëror provincial, që “vdiste” për tema të tilla. Ruajtrendësit e zonës mburreshin nga shtypi dhe opinioni për një sukses me rëndësi: kishin zbuluar një rrjet trafikantësh të sarkës së bardhë, me heronj (kë tjetër?) pesë shqiptarë. Të 5 shtetasit shqiptarë, të gjithë të rinj në moshë, u vunë nën pranga. Aktakuza: kishin detyruar me forcë një bashkëkombësen e tyre 14 vjeçare, me banim në Kastoria, të shiste për llogari të tyren trupin e saj.
Asgjë e pazakontë. Kronikat televizive ishin të mbushura prej kohësh me lajme të tilla, ku protagonistë ishin të njëjtat personazhe. Tjetër ishte ajo që bëri bujë dhe tërhoqi blicet e menjëhershme të shtypit vendas ( gazeta preveziane “I apopsi” shkroi qysh të nesërmen): në mes të të arrestuarve ishte edhe djaloshi simpatik i tregut të zarzavateve, i biri i “qir Miços” nga Neohori, 22 vjeçari Bledi Gërbi.
Një kujtim: gazeta “I apopsi”, në reportazhin e saj të zgjeruar për ngjarjen, nuk solli në dritë një fakt të rëndësishëm, që mbase do t’i bënte të tjerët të mendonin. Harroi? Ishte i mangët profesionalizmi gazetaresk? Gjithshka e mundur. Aq më shumë kur kishte të bënte me një çështje shqiptarësh, që kushtëzonte pasione të tjera. Fakti i harruar, qëllimisht apo jo, ishte ky: Bledi Gërbi ishte dorëzuar vetë në Asfalien e Prevezës.
Kishte marrë vesh urdhër-arrestin në emrin e vet. Ia kishte thënë një polic i asfalies vendase, i cili blinte zarzavate në dyqanin e Bledit. Shkoi menjëherë t’u sqaronte autoriteteve, se kurrfarë lidhje nuk kishte me ngjarjen dhe të tjerët. Ishte ulur krejt rastësisht të pinte një kafe në paralijen (limanin) e qytetit, ishte njohur pikërisht aty me ca shqiptarë të moshës së tij, kur njëri prej tyre i kishte kërkuar makinën, të bënte një punë të ngutshme dhe të kthehej. Kaq. Ku ta dinte Bledi, se makina i duhej tjetrit për një punë të tillë, që atij i vinte turp edhe ta mendonte.
Në nxitim e sipër, mbase edhe i tronditur nga lajmi i nxjerrjes së urdhër arrestit në emrin e tij, nuk mendoi se në Asfalie duhej të shkonte me një avokat. (Edhe Edmond Dantesit nuk i kishte shkuar në mend kjo domosdoshmëri, përpara ca shekujsh). Biles Bledi kishte ikur pa e mbyllur dyqanin. I kishte thënë një gjitoni t’ia kishte kujdes për nja gjysmë ore, pasi do të kthehej së shpejti... 
Gabim fatal! Dhe e kishte shkelur. Ashtu si Shvejkut, të cilit hetuesit perandorakë i kishin flakur një karrike në kokë, kur u kishte thënë me mirësjellje “Mirëmbrëma, zotërinj!”, Bledi Gërbit, në fund të rrëfimit të tij të sinqertë, i kaluan prangat në duart e njomë. “Përse?!”, ishte habitur. Donte të shtonte: “Kam për të mbyllur edhe dyqanin”. Por nuk ia varën. As që e dëgjuan. E flakën në një qeli dhe, kur donte t’u sqaronte diçka përsëri, i kujtohet se e kishin goditur me kondakët e armëve në kokë.
Andej e tutje, për gati dy vjet, do t’i bërtiste murit.

***
Pas arrestimit, në pritje të gjyqit, e dërguan në burgun e Nafplios. Një muaj aty. 18 muaj të tjerë në burgun e Kordhalosë, në Athinë. Madje, atje i bënë “një nder” të veçantë. E vunë në zonën D, ku vuanin dënimin të burgosurit e përjetshëm (!).  
Bledi Gërbi – i të njëjtës rrezikshmërie me Jotopullon dhe Ksirotë, terroristët e famshëm grekë të organizatës po kaq të famshme terroriste “17 Noemvri” (“17 Nëntori”)... (!).
Ma merr mendja se as Aleksandër Dymasë ( i ati qoftë apo i biri) nuk do t’i shkonte në mendje një skenar i tillë.
Në Kordhalo njohu anën tjetër të monedhës. Katër veta flinin në një qeli të ngushtë, thuajse njeri mbi tjetrin. Kishte harruar kënaqësinë e ujit të ngrohtë dhe shijen e një gjelle për të qënë. Bënte shoqëri me një 14 vjeçar nga Shqipëria, që ishte dënuar 8 vjet, sepse kishte vrarë... një qen (!). E akuzuan se kishte shënuar me armë një njeri, se e kishte qëlluar për ta vrarë, por e kishte paguar kafsha e tjetrit. Ngaqë, siç u shkruajt në dokumentat e gjyqit: “... ishte shumë i ri dhe nuk dinte shënjë!” “S’ka se si”, e kundërshtoj unë Bledin, që s’mund të besoj historira të tilla, në kohën që rrojmë. “Shumica atje nuk dinë përse janë dënuar, -më sqaron Bledi.- Ç’është më e keqja, janë kaq të rinj, sa vështirësohen të kuptojnë, se përse u janë dhënë dënime të tilla. Fillimisht e marrin si lojë, madje edhe mburren, por pastaj, kur koha kalon, fillojnë e analizojnë ç’u ka ndodhur. Andej e tutje fillon zori ”. 
Bërtiste përditë se ishte i pafajshëm Bledi Gërbi. Shokët e tij të qelisë i thoshin se pas ca vitesh do ta braktiste këtë zakon të panevojshëm. Ngaqë nuk e dëgjonte dhe nuk kishte për ta dëgjuar njeri. Edhe avokatët që vinte familja, punën e tyre bënin: fitonin para. Asgjë nuk ndryshonte.
Përplaste kokën në murin e ftohtë. Bërtiste përsëri se ishte i pafajshëm. Gjithmonë e më shpesh, sa vinte më shumë. Aq sa një ditë u sëmurë rëndë. Muaj me radhë u izolua në spitalin e burgut. Me bronkoplemoni. Doktorët ndezën dritën e kuqe. 
Pikërisht atëhere i kishte vizituar në spitalin e burgut një përfaqësi nga vendi i tij. Disa zonja të reja e delikate, nga ato të shkolluarat. Asnjëherë nuk kish ndodhur të kishte të bënte me to Bledi Gërbi. Ato as dorën nuk u kishin dhënë të dënuarve. Mbase kishin ndot. Përse, në spital gjithshka ishte e pastërt! I ruanin policët grekë. “Mos keni frikë, -u kishin thënë,- këtu jemi të gjithë shqiptarë. Ju jeni motrat tona. Prej nesh do t’ju mbrojnë policët grekë?!”.

***
Vjen një çast, kur e lodh ky rrëfim. Është kaq i ri. Dhe porsa është kthyer në jetë. Nga një vend që, për çudi, nuk i ndez asnjë shpagim. Asnjë dëshirë për hakmarrje.
 Një Edmond Dantes dhe të mos kërkojë shpagim?!
 S’ka pak kohë që rifilloi të jetojë. Atëhere kur në Gjykatën e Janinës, me vonesë 18 muajshe, u shpall njëzëri prej trupit gjykues (7 me 0) pafajësia e tij. Ndodhi ajo, për të cilën kishte humbur çdo shpresë: muri kishte hapur më së fundi veshët e tij. Si në atë përrallën, kur i thuhet malit “Hapu!” dhe ai çuditërisht hapet...
Më mirë vonë se kurrë?
Më thotë tani: “Kam frikë të dal në botën e jashtme. Edhe pse jam shpallur i pafajshëm, akoma edhe sot nuk më bëhet të shkoj asgjëkundi. Më ngjan se diçka tjetër e keqe do të më ndodhë. Kam një rëndesë që s’e heq dot nga vetja. E vetmja gjë që dua është një jetë e qetë”.
Këtyre ditëve që isha në Prevezë, lokalja “I apopsi” e bëri Bledi Gërbin hero të saj për herë të dytë. Me kryeartikull. Me koment të zgjeruar në brendësi. Lexova në të: “E vetmja gjë që kërkon tani djaloshi i pafajshëm (!) shqiptar është të heqë “recinën” nga vetja”.
“Eshtë gjë e mirë për mua ky shkrim?”, më pyeti Bledi Gërbi, duke më treguar gazetën, ndërkohë që e kishte marrë vesh, që kisha të bëja edhe unë me gazetat.
Ia ngula sytë detit, mu atje kur ia kishte hequr vetes dikur poeti im i dashur, Kariotaqi. Kot thonë, që vetëm poetët kanë të drejtën e një trilli të tillë. 
                                                                                                   GRIGOR JOVANI
                                                                           drejtor i Revistës "Pegasi",
Athinë
                                                                                                

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου