Τετάρτη 3 Μαρτίου 2010

ARIANE MNOUCHKINE - Henrik Ibsen “viziton” Teatrin e Diellit


“Mendja ime shkon tek ajo çifutja ,
 që formoi e vetme një teatër, brenda getos së Vilnos.
Po, një teatër.
Duke vjedhur nga racioni i saj i përditshëm i bukës,
formonte  me brumin e saj kuklla të vogla.
Dhe çdo natë, gruaja e uritur u jepte jetë
atyre figurave të lindura nga kafshatat e saj të pangrëna,
nxirrte aktorët e vetë prej brumi në skenën e saj mikroskopike,
para dhjetra spektatorësh,
të uritur sikurse edhe ajo, të destinuar si ajo
për tek kampet e shfarrosjes.
Natë e përnatë, gjer në fund.
Duhet ta ruajmë kujtimin e kësaj gruaje,
si një plagë të pashëruar. Duhet.
Sepse, po të harrojmë teatrin e vogël të brumit të Vilnos,
 do kemi humbur Teatrin e Madh”.

A. MNOUCHKINE

Çmimi Ndërkombëtar “Ibsen 2009”, që shoqërohet nga shuma 2,5 milionë korona (285 mijë evro) iu akordua para pak kohësh regjisores së famshme frënge Arian Mnuskin (Ariane Mnouchkine), themelueses së Teatrit të Diellit në Paris.

Juria e Çmimit, ndër më prestigjiozët në botën ndërkombëtare teatrore, e formuloi kështu nocionin e dhënies së tij regjisores pariziane: “Veprat regjizoriale të Mnuskin-it i japin publikut përshtypjen se merr pjesë në një rrëfim tërheqës. Një rrëfim me përmasa të shumëanshme, matafizike, por që njëkohësisht zbulojnë jetën”.
Kryetarja e Jurisë, aktorja dhe regjisorja e madhe norvegjeze, Liv Ulman, thekson tek deklarata e saj se “… tek vepra e saj, Mnuskin është marrë kryesisht me historitë e krizave të mëdha të kulturës botërore, me beteja që janë dhënë para shumë kohësh në këtë fushë, si edhe me përndjekjet dhe dëshpërimin e refugjatëve në kohën tonë”. 
Themeluesja e Teatrit të Diellit më 1964, 70 vjeçarja Arian Mnuskin, që në karierën e saj ka ngjitur në skenë, duke njohur famën botërore, vepra të tragjikëve të lashtë grekë, por dhe të Shekspirit, Molierit dhe Arnold Ueskerit, mori në dorëzim këtë trofe të çmuar më 10 qershor, në Oslo, në një ceremoni të posaçme. 
Vlen të përmendet që fitues i vjetshëm i këtij Çmimi, që u institucionalizua nga qeveria norvegjeze, për nder të dramaturgut të famshëm norvegjez Henrik Ibsen (1828-1906),  është regjisori britanik Piter Bruk (Peter Brook), njëri nga korifenjtë e sotëm të skenës së përbotshme.


Art që udhëton përgjatë horizonteve

Jam e humbur brenda territ,
udhëheqmë,
të paktën pranë një qiriu...
Mnouchkine

Më 1960, gjeniu i mendimit frëng, Zhan Pol Sartri, vendosi të hedhë në eterin e turbullt të atmosferës teatrore të asaj kohe, e cila ziente nga teoritë novatore të bashkëkohësve, idetë e tij për skenën. Një fjalë goje. Së pari, duhej t’i kundërvihej një epiku tjetër, Bertold Brehtit, idetë e së cilit despotizonin skenën e përbotshme. Pikërisht asaj dite historike, kur përmbysësi i klisheve kulturore dhe artistike Sartr vendosi të shapallë devizën e tij të re për teatrin, i ftuar në amfiteatrin e madh të Sorbonës prej një shoqate të errët studentësh parizianë, qëlloi që ta prezantonte përpara turmës së paqetë të të rinjve universitarë, një sudente po kaq e paqetë, një e re me personalitet të rrëmbyeshëm, njëra nga themelueset e kësaj shoqate. Studentja e re, e cila e bëri menjëherë për vete Zhan Pol Sartrin me temperamentin e saj të jashtëzakonshëm, ishte bashkëthemeluese e një grupi teatror studentësh, i cili kishte arritur të ngjiste në skenë gjer më atë kohë dy vepra karakteristike për kriteret e tij: “Dasmat e gjakut” dhe “Xhingis Kan”.
Vajza me temperamentin e rrëmbyeshëm quhej Arian Mnuskin.
1964 themelon “Teatrin e Diellit”, duke mbledhur rreth vetes një grup njerëzish të pasionuar pas teatrit, aktorësh dhe teknikësh. Asgjë e veçantë deri këtu. Në Paris trupat teatrore mbinin dhe mbijnë si këpurdhat pas shiut. Por ja e veçanta, që as Zhan Pol Sartrit, por as Bertold Brehtit, nuk duhej t’u kishte shkuar ndër mend: të gjithë komponentët përbërës të premierave, aktorët, teknikët etj., nuk takoheshin para, gjatë dhe pas shfaqjeve, për të diskutuar rreth premierave. Për të bërë atë klasiken: provat. Seicili punonte për hesap të vetë, bënte punën e tij me përkushtim të vërtetë, me orë të tëra. Gjendeshin thuajse rastësisht ditën e premierës dhe çdokush “shikonte punën e tij”, pa u kushtëzuar nga tjetri, si të luanin natyrshëm mbi skenë vetë jetën. Përfundimi i kësaj pune ishte kolektiv. Veçse, mbi gjithhshka, në eterin artistik të premierave, përsillej syri vëzhgues, bashkërendues dhe udhëheqës i regjisë, i cili nuk shpallej, por ekzistonte dhe ligjësonte natyrshëm zhvillimin.
Vepra e parë e ngjitur në skenën e këtij teatri ishte “Mikroborgjezët” e Gorkit. Vjen një vit më vonë “Capitain Fracasse” e Filip Leotar, dramatizim i një tregimi të Teofil Gotiesë. Ndjekin njera-tjetrën vepra të tilla, si “Kuzhina” e Besker-it (1967), “Ëndrra e një nate vere” Shekspirit (1968) dhe “Kllounët” (1969), një premierë tejet novatore për nga ndërtimi. Të gjitha shfaqjet kishin nënshkrimin regjizorial të Arian Mnuskin dhe u bënë dëshmi e një talenti të jashtëzakonshëm, që shumë shpejt kaloi kufinjtë francezë, për të diellësuar edhe skenat e botës.
Prej vitit 1970 Teatri i Diellit transferohet. Djepi i ri teatror përzgjidhet në bazë të koncepteve përmbysëse dhe metaforike të themelueses: një fabrikë e braktisur dhe e rrënuar armësh, që njihej me emrin “Kartuseri”, e cila gjendet në periferinë Vensen të Parisit. Në vazhdim, ky emër u bë i famshëm në jetën kulturore pariziane. “Kartuseri”-ja u bë e njohur për idetë e jashtëzakonshme që hodhi në “pjacën artistike” drejtueja e saj. Arriti legjendën nisma, që aktorët dhe teknikët e premierave, krahas aktrimit, të improvizonin dhe t’u servirnin dreka të vërteta spektatorëve, me pije dhe ushqime të gatuara aty për aty, duke u bërë kështu të gjithë, artistë dhe artdashës, pjesëtarë të një familjeje të madhe artistike.
Në këtë skenë metaforike fillojnë të ngjiten vepra që u bëjnë jehonë epokave të zjarrta dhe përmbysëse të historisë frënge: 1789-ta dhe 1793-shi. Revolucioni frëng njohu në skenën e “Kartuseri”-t të gjithë madhështinë e tij.
Më 1976-77 xhirohet filmi “Moliere”, me skenar dhe regji të saj, ku mori pjesë gjithë trupa e “Kartuseri”-së. Suksesi ishte i jashtëzakonshëm. Siç shprehet ajo vetë karakteristikisht, me këtë film donte të tregonte “... se si i biri i një tapecieri arriti të bëhet një aktor i mrekullueshëm dhe një autor i përbotshëm veprash teatrale, aq i njohur dhe njëkohësisht aq i panjohur”.
Stacione të mëvonshme të mëdha artistike janë vëniet në skenë të veprave të tilla, si “Mefisto” (1979), inskenim nga vetë regjizorja të veprës së Klaus Manit, “Cikli i Shekspirit” (198-82-83) - ngjitja e veprave shekspiriane “Rikardi II”, “Nata e mbretërve”, “Henriku i IV” etj. - si edhe premiera 8-orëshe “Historia e tmerrshme e Norodom Sihanukut, mbret i Kamboxhias” (1984-85), me pjesëmarrjen e efeve filmike, një punë e jashtëzakonshme regjisoriale, sipas metodave Kabuki dhe Katakali, të paushtruara më parë në praktikën e skenës evropiane. Etja e pashuar novatore e regjisores Mnuskin gjente gjithmonë forma të reja për të befasuar. 
vitet 90-të iu përkushtua tragjedisë së lashtë greke. Ngjiti në skenë “Ciklin e Atridëve” (“Ifigjeninë” e Evripidit, “Agamemnonin” e Eskilit etj.). Në këtë kohë vizitoi Greqinë, u gjend në vendet natyrale të tragjedive të lashta helene, që ajo vetë kishte ngjitur në skenën frënge. Të asaj kohe janë edhe disa intervista, që botoi shtypi i Athinës, ku shpallet kredoja artistike dhe shoqërore e regjisores së famshme.
Njëri nga stacionet më të fundit të krijimtarisë së saj, padyshim që është Cikli i ri teatror “I huaji”. Premiera, që u dha në prill të 2003 në “Kartuseri”, u transferua paskëtaj në gushtin e po këtij viti tek Festivali i Athinës, një veprimtari tradicionale ndërkombëtare, që zhvillohet në mjedisin antik të Olimpisë së Lashtë, ku prezantohen vepra të rëndësishme të skenës botërore. Ne patëm fatin ta ndiqnim këtë premierë dhe mbresat janë të pashlyeshme.
Ky cikël ka për kryetemë një plagë të shoqërisë bashkëkohore, fatin e refugjatëve, të cilët janë të detyruar të lenë trojet e tyre, për një fat më të mirë. Synojnë t’u shpëtojnë luftrave dhe shkatërrimeve, për të rënë preh i egërsisë së shoqërisë moderne perëndimore. Ky teatër veprimesh transferohet në skaje të ndryshme të planetit: në Irak, në Iran, Afganistan, Ballkan, ish vendet sovjetike, prej nga të shpërngulurit nisin “odisetë” e tyre drejt metropoleve perëndimore. Por edhe këtu, e zakonshma e kësaj historie, gjen të veçantën artistike të regjisores së madhe për t’u shprehur, për t’u transferuar në art. Ja se si: këto historira të realitetit, grimca të botës që na rrethon, rrëfehen në skenë nga dyzetë aktorë të kombësive të ndryshme. Dëgjohen rreth dyzetë gjuhë. Ja ku është ndërtuar mozaiku i botës sonë, me këtë problem kaq aktual dhe shqetësues. Veçse dhimbja dhe mesazhi është i njejtë: Paqja është e drejta e pamohueshme e njerëzve!
Kjo premierë ka udhëtuar gati në të gjithë botën, në Evropë, në Japoni, në Amerikë, në vendet arabe, gjer në Australi. Arian Mnuskin, krijuesja e këtij cikli teatror të jashtëzakonshëm, mbase aktualisht nga më të rëndësishmit dhe më të sukseshmit në shkallë të përbotshme, ia ka arritur që të ngjitë në skenën e saj vetë kohën që jetojmë, me tërë problemet vigane që e shoqërojnë, për ta udhëtuar paskëtaj në katër anët e orizontit. Vallë, do ta kishte menduar këtë zhvillim të studentes së dikurshme, ati i saj shpirtëror, Zhan Pol Sartr, kur ajo e prezatonte në amfiteatrin e Sorbonës?

Athinë, maj 2009


Së fundi,
po përkthejmë mesazhin për Ditën Botërore të Teatrit,
që festohet çdo vit më 27 mars,
dhe që për vitin 2005 u shkrua në vargje nga Arian Mnuskin,
për t’u përcjellur orizonteve të artit të përbotshëm.

Ndihmë!
Teatër, ndihmomë!
Po flej. Zgjomë!
Jam e humbur brenda territ,
udhëheqmë, të paktën pranë një qiriu,
jam e pacipë, bëmë të përskuqem,
jam e lodhur, ngremë,
jam e pandjeshme, goditmë,
vazhdoj të jem e ftohtë, ikonën zhubravitmë,
kam frikë, më jep kurajo.
Jam e paditur, edukomë,
jam e panjerëzishme, njerëzomë.
Jam narciste, bëmë të shkrihem së qeshuri,
jam cinike, rrënomë,
jam shtazarake, ndryshomë,
jam frikacake, dënomë,
jam despotikia e ashpërr, luftomë,
jam skolastike, përgojomë,
jamë e ndyrë, lamë,
jam memece, çliromë.
Nuk ëndërroj, m’u sill si një të marre,
kam harruar, startoma sërish kujtesën,
ndjehem e plakur dhe e panevojshme,
shkëndijoma fëmijërinë.
Jam gjithë trishtim, më jep Muzikën,
jam e dëshpëruar, kërko Gëzimin,
jam e shurdhët, bëj gjatë furtunës të ulërijë Dëshpërimi,
jam e varfër, më armatos me Përkujdesjen,
jam e dobët, ndezmë Miqësinë,
jam e verbër, më sill gjithë Dritat.
I jam nënshtruar Shëmtirës, bëmë që të më fitojë Bukuria,
më ka pushtuar Urrejtja, bëmë që të më jepet gjithë forca
e Dashurisë.

Përgatiti:
GRIGOR JOVANI

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου