Δευτέρα 1 Μαρτίου 2010

Majkëll Xhakson - Kurorëzimi dhe rënia e një mbreti


 “Nuk mundem të ndaloj së qari.
Gjithmonë më mrekullonte.
 Ishte ylli më i ndritur
dhe muzika e tij do të jetojë në jetë të jetëve”
MADONA

Ishte Majkëll Xhaksoni i 750 milionë disqeve, i 13-të vendeve të para në Billboard, i 13-të Çmimeve Grammy, i rekordeve të njëpasnjëshme Gines, i turneve legjendare nëpër botë, i marrëveshjeve ekonomike mamuth me shoqëritë më presigjioze të reklamës në rang të përbotshëm, i “moonwalking”-ut dhe i Neverland-it. Por ishte edhe Majkëll Xhaksoni i viteve të vjedhura fëminore, i vetmisë së pashoqe, i problemeve të parreshtura ekonomike, i llogarive të pambyllura me ligjin, i varjes prej ilaçeve nga më të çuditshme. Fenomeni muzikor i përbotshëm, kjo figurë e papërsëritshme mjegullore, krijuesi dhe interpretuesi më tragjik që ka njohur bota, i pashërueshmi Piter Pan, rob i përjetshëm në trupin e një adoleshenti, i pari - dhe mbase i fundit - mbret i pop-it, iku me të mbushur të 51 vitet, vetëm pak ditë para duartrokitjeve të radhës: më 13 korrik të 2009-ës, mbas një heshtjeje të gjatë, do të riktheheshe në skenë, për të rrëmbyer sërisht kurorën e mbretit të pop-it, me 50-të shfaqjet e tij sold out në londrinezen “02 Arena”, me super shoun “This is it”. Tani, të 750.000 biletat, të shitura paraprakisht brenda pak orëve për këtë premierë, ngjajnë si suveniri më i shkëlqyer i pasvdekjes së një mbreti. Shumica e “të pafatëve” kanë vendosur të mos i kthejnë biletat. Kanë ç’t’u thonë pasardhësve: kishin siguruar ftesën në party-n e një mbreti...

Me notat dhe me piruetat e tij - ngulçuese, sipas më të shumtëve - Majkëll Xhaksoni shtronte rrugën e restaurimit të ngadalshëm të nderit të Amerikës së Zezë, në të gjitha fushat, shumë më shpejt se Opra Guinfrei të uleshe në fronin e saj televiziv, se Majkëll Xhordani të pushtonte parketet basketike të NBA dhe se Barak Obama të bëheshe “qiraxhiu i radhës”Shtëpinë e Bardhë, me stilin dhe famën e një ylli të muzikës rrok. Al Sarpton, njëri nga udhëheqësit fetarë të lëvizjes panamerikane për të drejtat e të zinjve dhe mik i Xhaksonit, e cilësoi si një figurë historike për Amerikën e Zezë. “Ky njeri detyroi këtë shoqëri të pranojë një të zi si star, shumë më shpejt nga Opra dhe akoma më shumë nga Obama”.
Duke u rritur në vitet 60-të dhe duke dëgjuar gjërat e mrekullueshme, të cilat nuk janë përsëritur qysh atëhere - ndërmjet të tjerave muzikën e Beatles dhe Stones - do të thoshte dikush: “ç’gjë tjetër të dëgjoj, që të më impresonojë më tepër?”, veçanërisht në fushën e muzikës së zezë, ku mbretëronin talente si Stiv Guonter dhe Marvin Gei. Megjithatë, ato këngët e para të Xhaksonit në vitet 70-të, paksa si tepër rinore dhe të lehta, nuk kalonin kurrsesi pa u vënë re.
Vazhdoi paskëtaj një karierë gjithmonë në ngritje. Në vitin 1982 bashkëpunoi me Kuinsi Xhouns tek “Of the wall”, në një disk stacion për zhvillimin e muzikës bashkëkohore, i cili edhe sot e kësaj dite mbetet albumi më i sukseshëm në botë, me mbi 750 milionë kopje të shitura. Dhe menjëherë pas këtij bashkëpunimi legjendar, albumi “Thriller”, nga më të mirët që kanë qarkulluar ndonjëherë, me 104 milionë shitje në të gjithë botën. Pastaj doli deviza muzikore: artisti që ëndërron një karierë me fat, duhet patjetër të ketë një album të tillë në koleksionin e tij. I të njejtit fat dhe rëndësie ishin edhe dy albumet e mëvonshme: “Bad” dhe “Dangerous”.
Mbase për këtë shkak, në lajmin sensacional të vdekjes së Majkëll Xhaksonit, bota “ndaloi” për pak çaste. Të paktën, adresat e përbotshmet internetike “Twitter”, “Google” dhe “Wikipedia”, asfiksuan nga vizitorët e pallogaritur: miliona njerëz nëpër botë shprehnin agoninë për mbretin e pop-it. Vetë producienti që stimuloi suksesin e parë të Xhaksonit, i famshmi Kuinsi Xhouns, deklaroi: “Nuk gjej fjalë për të komentuar vdekjen e papritur të Majkëll Xhaksonit, në një moshë kaq të re. Është legjenda që do të zotërojë përgjithmonë në botë. Sot humba vëllain tim më të vogël dhe, bashkë me të, humbi edhe një pjesë e shpirtit tim”. Paniku ishte më i madh në entet gjigande të shitjes së disqeve muzikore “Amazon” dhe “eBay”, që nuk arrinin të plotësonin nevojat e njerëzve për disqet e Xhaksonit. Vetëm gjatë 24 orëshit të parë pas vdekjes së tij, “Amazon” shiti kaq disqe, sa kishte shitur 11 vitet e mëparshme.
Në podiumin e mitheve muzikorë, Majkëll Xhaksoni qëndron ndërmjet Elvis Presley dhe Beatles-ve. Shumë janë tiparet karakteristike, që lidhin me një fill të artë këtë treshe të shenjtë të muzikës moderne botërore: Xhaksoni bashkëpunoi me Pol Mak Kartnei-n, bëri të tijat të drejtat për 200 e ca këngë të Beatles dhe, ç’është më e rëndësishmja, u martua me vajzën e vetme të Mak Kartneit, Prislei-n. Të përbashkëtat e mbretit të pop-it me mbretin e rrok en rollit nuk mbarojnë këtu. I ishte rrëfyer dikur Miko Brandos, me të cilin ishin miq të ngushtë, se do preferonte vdekjen e Elvis Presley-t, se sa fundin e Marlo Brandos. Regjisori me famë botërore, Stiven Spilberg, tha: “Ashtu siç nuk do të ketë më Elvis Presley, ashtu edhe askush nuk do të mund të krahasohet paskëtaj me Majkëll Xhaksonin”.
Kariera e tij, teksa afronte finishin, ishte gjithmonë e më e ndryshme, se sa ajo e fillimit: Shpërfytyrimi nga ndërhyrjet e shumta plastike dhe kirurgjikale, sjellja gjithmonë e më shumë e çuditshme, borxhet, vendosja e herëpasëherëshme në bangon e të akuzuarit për pederasti, allishverishet e shumta ekonomike, të cilave as ai vetë nuk ua gjente më fillin, autoemigrimi në Bahrein, falimentimi dhe shitja e Neverland, kthimi i shumëreklamuar dhe i shumëdëshiruar edhe prej vetë atij dhe... fundi. Media botërore u sul mbi jetën dhe fatin e Xhaksonit, me zellin e hijenës përpara viktimës së saj: nuk u la pa u ndriçuar edhe skaji më i largët i jetës së tij. Veçse ata që u mrekulluan dhe jetuan me artin e mbretit të pop-it, preferojnë të kujtojnë vetëm çastet e arta të mbretërimit të tij muzikor.  

Stacione...

  • Është martuar dy herë dhe ka tre fëmijë.
  • Emri i tij i mesëm është Xhozef.
  • Statuja e tij përngjasuese ndodhet në pesë Muzeume Tiso (vetëm Madona dhe Presley kanë më shumë).
  • Vishte një shirit të zi, për t’i kujtuar botës vuajtjet e fëmijëve.
  • 1989 u shpall “këngëtari më i mirë i dhjetëvjeçarit”.
  • Disku “Thriller” mbeti në krye të Billboard album chart për 37 javë me radhë, fitoi 7 Çmime Grammy dhe 7 këngë të tij u ngjitën tek Top 10.
  • “Billie Jean” ishte videoklipi i parë i një artisti të zi, që transmetoi MTV-ja.
  • Nuk është mbret metaforik, por real, pasi banorët e një fshati të Kepit të Fildishtë në Afrikë e shpallën të tillë më 1992.
  • Libri i Rekordeve Gines i vitit 2000 e shpall si artistin me veprimtari më të shumta filantropike në botë, me mbi 60-të të tilla.
  • I ati, Xhozef Uolter Xhakson e keqtrajtonte shpirtërisht dhe fizikisht qysh në moshë të vogël.
  • 1991 i fali zërin e tij serisë së famshme multiplikative “The Simpsons”, me pseudonimin Xhon Xhei Smith.
  • Para koncerteve shkrinte në një gotë uji një karamele të veçantë për fytin.
  • Miqtë e tij e thërrisnin Xhako ose Uako Xhako (Xhako i marrë).
  • Në fund ishte katandisur hija e vetvetes: i sterilizuar, pa flokë, me duar dhe këmbë të shpuara nga gjilpërat e shumta që bënte, për të mos e ndjerë dhimbjen. Ishte i gjatë 1,77m dhe peshonte 50 kg.
  • E përditshmja e madhe britanike “The sun” zbuloi se vishte peruke.
  • Gjykata e Los Anxheles caktoi përkohësisht si tutore të tre fëmijëve gjyshen e tij, Kathrin.
  • Sipas gazetës italiane “La Republika”, varrimi i tij ishte një show i tillë, që ia kaloi ceremonive për Prisley dhe princeshën Dajana.

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου