Ndodhi diçka përpara disa ditësh në skenën politike greke, që çuditërisht, nuk e preokupoi dhe kaq median e shkruar dhe elektronike të këtij vendi.
E pra, në kohë të tjera do të ishte bërë nami.
Por, siç duket, këtu hyn risia: “Kur fshati digjet, e ëma e Zeqos nuk kërkon krehërin...”. Bëra një modifikim të risisë së njohur ndërballkanase, pasi në këto kohëra, në viset e gadishullit, të gjithë bëjnë ç’t’u shkrepet. Gjer edhe “fatfa”-në myslimane, atë ligjin e shenjtë të ndëshkimit kapital, kundër atyre që mëkatojnë ndaj Profitit (atë de, që shpalli Homeini ndaj Salman Ruzhdisë për “Vargjet satanike”) u kujtuan të shpallin këto ditë në Greqi, në zemrën e Evropës, kalorësit e “Urdhrit të Kryqit dhe Flamurit”.
Mos t’u shkojë mendja, që “fatfa”-ja e krishterë u shpall ndaj mëkatares numër 1 të këtyre ditëve, pornostares së re televizive Xhulia Aleksandratu, që këto kohë ka monopolizuar vëmendjen e opinionit publik me “Bëmat satanike”, aq të rrezikshme për këtë opinion, saqë u harrua si me magji problemi tjetër i rëndësishëm: që nuk ka vënd më për vrima të reja në rrypin e mesit të grekut Thanas (kujto filmin e njohur “Thanas, shtrëngo më tepër rrypin”, aq të njohur dhe aktual edhe për publikun shqiptar).
Jo, “fatfa”-ja nuk u shpall në Greqi ndaj Thanasis Vengos, aktorit të famshëm komik të filmit të mësipërm, ndonëse tani, në të 80-tat e shkuar, do ta meritonte “ndëshkimin e shenjtë” të “kalorësve të kombit”, për ato fjalët proverbiale, që tha në filmin po kaq proverbik grek “Shpirt i thellë”, dedikuar një periudhe tjetër të vështirë të historisë së helenëve, vëllavrasjes së tmerrshme të pasluftës, me rreth 70 mijë viktima: “Ç’soj lufte është kjo?! Grekët të dyfeqizin grekët?!”
Në fund të fundit, do na lini rehat, me ato supozimet tuaja!
Shikoni lajmet!
***
Kryetari i SYRIZA-s, Aleksis Çipras, me cilësinë edhe të kryetarit të grupit parlamentar të partisë së tij, të mërkurën që kaloi regjistroi zyrtarisht në dokumentat e Vulisë (Parlamentit) greke një denoncim sensacional. Në e-mail e tij privat (sipas njoftimeve, njëkohësisht edhe të të gjithë deputetëve të partisë së tij dhe të PASOK-ut qeveritar) ishte shfaqur në mëngjesin e asaj dite mesazhi i mëposhtëm: “Deputet, votimi i ligjit për dhënien e shtetësisë greke dhe të të drejtave të tjera politike emigrantëve, përbën Tradhti të Lartë. Dhe Tradhtia e Lartë dënohet me vdekje. Nëqoftëse kontribon tek ky krim kombëtar, do të ekzekutohesh!”.
Siç shihet, “fatfa”-ja e krishterë, nuk i lë gjë mangut asaj myslimanes.
***
Le të hyjmë në llogjikën e medias greke: ajo risija e fshatit që digjet...
Do ta gjenim me vend këtë përngjasim dhe nuk do t’i “frynim zjarrit”. Por zjarri që u ndez në Parlamentin grek, gjatë diskutimit dhe votimit të Ligjit për Emigracionin, që për herë të parë synon ta regullojë çështjen e dhënies së të drejtave politike emigrantëve sipas standarteve evropiane, na detyron të shohim edhe zjarrin që djeg shkurret, duke rrezikuar vetë pyllin.
Namin bëri atje e djathta parlamentare greke. U hoqën maskat. Opozita e djathtë e Demokracisë së Re të Samarasë dhe e LAOS-it të Karaxhaferit u pozicionua në gjendje lufte ndaj këtij projektligji të PASOK-ut, që synon të sanksionojë me ligj mundësinë dhe kriteret e dhënies së shtetësisë greke të huajve, që rrojnë ligjshëm në këtë vend.
Me mllef zeusian, lideri i ri i opozitës, Antonis Samaras, që dikur, nga fillimet e 90-tës, kur ishte ministër i jashtëm i qeverisë Micotaqis, kishte ndihmuar të hidheshin “urat e para të kalimit” të qindra mijra emigrantëve ekonomikë shqiptarë për në Greqi (akuzohet gjithmonë për këtë “krim” të dikurshëm të rinisë së tij politike, nga ekstra e djathta greke), tani bubulloi rrufe nga podiumi parlamentar: “Mos e bëni! Ju dhamë rrugëdalje, që t’i shmangeni! Ju këmbëngulni!Mbani përgjegjësi të plotë, për çdo gjë që do të ndodhë, këtej e tutje!”
Eh, ç’situata të çuditshme antifatike të venë hera-herës kohërat!
“Udhëhiqni shoqërinë greke në monopate të rrezikshme, pa rrugëdalje, - profetizoi lideri i ri Samaras, - duke e kthyer këtë vend në një pol tërheqës magnetik për emigrimin e paligjshëm. Hapni një portë, prej nga do të rrezikohet gjithë Evropa!”
Ah, Evropa! Është një letër që e kanë luajtur dinakërisht qysh herët politikanët grekë. Sipas interesit. Veçse Evropa ka ndryshuar mend. Ngjarjet e fundit politike, me Brukselin të përjashtojë mundësinë e vazhdimit të taktikës së “Kalit të Trojës” në ekonominë evropiane, ku “kali” grek vazhdon të përlajë paketat e BE-së, pa e përligjur “tagjinë” evropiane, duket se e kanë djegur këtë kartë një herë e mirë. Ajo vetëm për konsum propagandistik mund të shërbejë grekëve. Prandaj edhe ministri i Brendshëm, Ragushis, që i paraqiti Parlamentit grek projektligjin në fjalë, nuk “e hëngri” kartën kërcënuese evropiane të Samaras: “Kush flet?! DR-ja, që gjatë periudhës 2004-2009 ligjëroi pa kritere 150.000 emigrantë! Vetëm dhe vetëm, që t’u shërbenin lojërave të saj politike...”
U pa kjo punë! Nuk ndryshon dhe kaq lehtë në Greqi: emigrantët - tullumbace në duart e politikanëve. Më leverdis, u fryj. Nuk më leverdis, i shpoj.
***
Për të ravijëzuar më tej “vijën e kuqe” përkundrejt politikës qeveritare ndaj këtij problemi, që duhet thënë se nuk rreshti së preokupuari kurrë skenën shoqërore dhe politike greke të këtyre njëzet viteve të fundit, me mbizotërues, natyrisht, mentalitetin e djathtë, që i përjashton me sa mundet emigrantët nga kjo skenë, lideri i opozitës hoidhi edhe “gurin e fundit”: Demokracia e Re, me të marrë pushtetin do të anullojë menjëherë ligjin për dhënien e shtetësisë greke të huajve, shoqëruar me të drejtat e tjera politike. Kjo - hypja në pushtet e DR-së, sipas analistëve, mund të vonohet ca si shumë, kur shoqëria të ketë harruar gjynahet e mëdha ekonomike të së djathtës, gjersa qeveriste, që e shpunë Greqinë në buzë të falimentimit.
Por kjo nuk ka edhe kaq rëndësi për kokat e nxehta politike në Greqi.
Fjala thuhet, ajo materializohet dhe shpreh një botëkuptim. Pikërisht këtë mentalitet, aspak të parëndësishëm për jetën politike të këtij vendi, shprehu edhe lideri i partisë tjetër opozitare, LAOS-it, Jorgos Karaxhaferis, i njohur për progromin e tij politik ndaj të huajve, kur i bëri të ditur Parlamentit, me këtë rast, se gjer më atë ditë partia e tij kishte grumbulluar 503.000 firma për peticionin popullor kundër këtij ligji. Propozon plebishit mbarëkombëtar kundër të huajve, zoti Karaxhaferis?
E kishte bërë këtë dikur i përndritshmi Hristodulos, kryepeshkopi që nxorri në rrugë miliona njerëz, për problemin maqedonas, duke u tundur mbi kokë flamujt kombëtarë, si udhëheqësit me fustanelë të Revolucionit Antiosman. Veçse kjo metodë nuk e ndihmoi problemin. Përkundrazi. U humb kohë me atavizmat e tipit ndërballkanas të tubimeve patriotike, duke lënë mënjanë praktikën e sotme evropiane të bisedimeve të qytetëruara perëndimore, bazuar në të drejtën ndërkombëtare. Dhe bisedimet vazhdojnë edhe sot e kësaj dite, duke u munduar të dalin nga qorsokaku, që i futi dikur politika e tubimeve dhe e flamujve të shpalosur të patriotizmit.
***
Ç’do bëhet me këtë çështje në Greqi? Do të zgjidhet më në fund “nyja gordiane” e dhënies së të drejtave politike, që i meritojnë, të huajve?
Apo do të zbatohet për ta dhe për mbrojtësit e tyre “fatfaja” e “Kryqit dhe Flamurit”?
Ligji u votua nga Parlamenti grek. Fushata e kërcënimeve dhe e mallkimeve nuk kaloi. Veçse problemi është gjetkë: do të zbatohet? Është proverbiale taktika e vonesës në zgjidhgjen e problemeve që kanë të bëjnë me të huajt, në aparatin shtetëror ekzekutiv grek. Këtu e kishte fjalën edhe ministri i Brendshëm, Janis Ragushis, kur tha: “Ky ligj nuk do të gjykohet me votimin e tij, por me rezultatet që do të ketë pas dy vjetëve”.
Ta vazhdojmë këtë koment pas dy vjetëve?
Nëse nuk kanë mendim të kundërt ata që shpallin “fatfatë”...
U linda në Jorgucat të Gjirokastrës më 1959. U rrita në Laç. Studiova Filologji. Pasi punova për dy vjet mësues letërsie në Mirditë dhe Krujë, deri sa u largova nga Shqipëria kam qenë gazetar profesionist. Prej vitit '91 jetoj familjarisht në Athinë, ku jam marrë me shtypin e emigracionit. Kam qenë në kohë të ndryshme kr/redaktor në gazetat "Zëri i emigrantit", "Rilindja XXI", "Tribuna", në revistën "Pelegrini" dhe drejtor i gazetës "Albanews". Aktualisht, shkruaj letërsi dhe botoj e drejtoj revistën letrare dhe artistike "Pegasi".
“Grigor Jovani ka lindur “Ditën e Gënjeshtrave”, për të thënë në poezi Të Vërtetën”.
NAUM PRIFTI
(Nju Jork)
“Është vështirë të gjesh gjetkë një pikëtakim të tillë, të cilin edhe Morrisey i Madh i lirikës do ta kishte zili. Është fjala për pikëtakimin tipik të poetit Grigor Jovani, i cili vjen mitik në poezinë e tij. Jovani del nga kuadraturat ballkanase dhe krijon anën pikëtakuese Perëndimore, duke sfiduar parësoren dhe duke i dhënë shans dytësores”.
FATMIR TERZIU
(Londër)
“Sjell vlera të mrekullueshme ky poet i vërtetë. I hoqa mënjanë, mezi kursehen në këto kohë. T’i kem aty, kur shpirti të ndjejë dimër...”.
FARUK MYRTAJ
(Toronto)
“Mund të them pa frikë se shtëpinë vjershave ua ke ndërtuar me gurë të skalitur, betonarme, që nuk e shembin dot as breshëri, as dëbora e tufani dhe as tërmeti me nëntë ballë. Shtëpia e vjershave të Grigor Jovanit qëndron e fortë dhe e patundur në mjedisin e poezisë më të arrirë shqipe”.
HYSKË BOROBOJKA
(Tiranë)
“Unë, që zakonisht ruhem nga superlativat, pasi lexoj poezitë e tua, them që je poet i mrekullueshëm, Grigor, gjithnjë befasues. Je poet i lindur, vllajo!”
ALBANA MËLYSHI-LIFSCHIN
(Bruklin)
“Poezia e Grigorit ka një qartësi që të habit me reflekset e dritëzave, nga përthyerjet në prizmat poetik dhe jetësor. Syri i hollë vëzhgues, depërtimi në labirinthet dhe të fshehtat e shpirtit të njeriut, veshja me një vello të butë hënore e motiveve jetësore, të ngritura në art, i japin poezisë së tij brishtësi, freski dhe veçanti”.
MYSLIM MASKA
(Athinë)
“Ndihem e respektuar dhe shumë e kënaqur me poezitë e Grigor Jovanit. Mundësisht, sa më shumë prej tyre, aq më ushqim për shpirtin. Më pëlqen, sepse shpesh ajo më ngjan me reflekset e asaj copëze kristali, që duke e vështruar, të krijohet përshtypja se brënda kësaj mase të magjishme do gjesh labirinthe pafund ndriçimesh.”.
LINDITA AGOLLI
(Tiranë)
“Vërtet të bukura poezitë e Grigor Jovanit. Të mrekullueshme! Më të koncetruara se vera që dehu Polifemin. Poezitë e tij, pa veçuar asnjerën, janë vërtet si një verë e vjetëruar, që sa më shumë të pish, aq më tepër do që ta ngresh gotën”.
NDUE LAZRI
(Bolonjë)
“Një poezi që të bëhet e dashur dhe të intrigon, aq sa ti, si lexues, ke njohur një poet jo të lodhshëm, por një bashkëbisedues të sinqertë dhe një mik të madh të njeriut”.
STEFAN MARTIKO
(Athinë)
“Jovani poet është tejet i çlirët, tejet i natyrshëm e komunikativ, tejet i ndjerë. Xixëllimi i poezisë së tij është në të përditshmen, pa asnjë lloj autocensure, por me një liri të habitshme. Në dukje të thjeshta, të gjitha poezitë kanë filozofinë, përjetimin e thellë, figuracionin e mjaftë për të shprehur me veshjen më të bukur mendimin”.
VAID HYZOTI
(Rixhvud)
“Ti fluturon me një kalë të magjishëm, miku im, me Pegasin. Ndaj krijon vargje të tilla. Dikur kisha bërë edhe unë një poezi, në qelinë e burgut: “Erdhi Pegasi në qelinë time”. Tani vjen tek unë ti, me kalin tënd fluturak. Me poezinë tënde të mrekullueshme”.
VISAR ZHITI
(Romë)
“Miku ynë, Grigor Jovani, është trajektore e spikatur në qiellin e poezisë së krijuesve jashtë Shqipërisë (ndoshta është ky qiell edhe më i kompletuari me yje). Kështu na vjen vlera e tij, duke u informuar me poezinë më të mirë që bëhet në Amerikë, Itali, Angli, Greqi e gjetkë”.
NOVRUZ ABILEKAJ
(Athinë)
“Poezi që botohen në vend të fjalëve të një urimi. I lexoj me një frymë, se ato dreqka janë një grimë, si sheqerkat e dashura të nënave korçare, përpihen menjëherë. Dhe më vjen të them, se ai që ka zemër të sëmurë, mund t’i kërkojë Grigor Jovanit një të re. Ai shejtan ka sa të duash”.
ROLAND GJOZA
(Nju Jork)
“Duke lexuar poezitë e Grigor Jovanit nuk mund të jesh indiferent, sepse ato të ngjiten pas shpirtit, si pjesëz e ndjesive të tua si lexues e kjo sepse ai është tepër i sinqertë në atë çfarë ka përjetuar e mishëruar në vargje, që në dukje mund të shfaqen të thjeshta, por gurgullojnë si burimet poshtë gurëve e fletëve, për t’u shfaqur më pas kristalore”.
KOLEC TRABOINI
(Boston)
“Këndo, Grigor Jovani, këndo këngën e bukur,/ atë këngë, që shpirti ta thotë,/ si dallgë, si valë, si e erë lehtë/ të bjerë zemrave tona, si puhizë e ngrohtë!”
PETRAQ J. PALI
(Virxhinia)
“Të shkurtra vërtet poezitë e Grigorit, por a s’janë të çmuar diamantët, pikërisht mes pakësisë sëformës së tyre?”
THANAS BOÇI
(Athinë)
“Në radhë të parë të uroj për keto poezi, që më dhanë kënaqësi të veçantë. Jo vetëm që jeni PURE i pastër në poezinë që shkruani ( siç thotë për juF.Terziu), por shumë i pastër dhe dashamirës në mendimin kritik ndaj miqve. Lum ata/ ato, që të kanë pranë!”
JULIA GJIKA
(Amerikë)
“Kjo poezi është një rrugëtim pa fund në botën e brendëshme të Grigor Jovanit, që rreket “të pushtojë” e të qetësojë shpirtrat tanë të munduar. Poezitë e Jovanit kanë një varg konciz, të lirë e bashkëkohor, ku të gjithë ne, miq e lexues të tij, e ndjejmë veten aq pranë, sikur të ishim pranë oxhakut të ngrohtë të shtëpisë së tij, në një ditë dimri”.
MIHO GJINI
Mjeshtër i Madh
“Na shtove bukën e kësaj vere, t’u shtoftë bereqeti! Të falenderoj për këto poezitë e bukura, secila sjell metaforisht një fabul, sa të këndshme, aq edhe mbreslënëse”.
AGIM BACELLI
(SHBA)
“Unë u përpoqa të të ndiqja në udhëtimin tënd brenda vetes, por nuk munda, u dorëzova, mbeta pas dhe kërkova gjirin tim, më të qetë, por nuk më linin ato dallgë, që më ngrite ti në mendje dhe në zemër, o Gole. Po me mua ç’pate?! Apo, ç’desha unë, që u ngatërrova me detin e shpirtit tënd?!”
LLAZAR VERO
(Filadekfia)
“Të bëj portretin poetik të Grigor Jovanit? Poet lirik i mrekullueshëm, ironik dhe i drejtpërsëdrejti, plot vezullime ngjyrash, ku në një pasqyrë të madhe sa bota sheh fytyrën e njeriut, nëpërmjet një vetvetjeje plot nerva, ndjenja e pasione të sinqerta...”
PIRRO LOLI
(Tiranë)
“Grigor Jovani luan me poezinë e tij, pse e ka nënshtruar plotësisht atë, vendos ai se në ç’monopate apo bulevarde do ta shpjerë, sa hapësirë do t’i lejojë, në ç’oktavë ta ngrejë apo ulë zërin. Poezia e mirë, si kjo që kemi në duar, detyrimisht është ngushëllim, shpresë, kurajë”.
ROBERT GORO
(Athinë)
“Të paça, o këngëtar, me shpirtin më fisnik,/ me ty sot derte qava, poezia jote mallet m’i ndezi,/ atje ku ti Greqisë, me fjalën e bukur shqipe i flet,/ porsi rrezja e dritës, në një bukuri mëngjezi!”
LLEMADEO
(Gjermani)
“Poezia jote të përkëdhel e të çjerr, të ngroh e të shkakton mornica, të mjegullon sytë e të dhuron një buzëqeshje. Je poet i vërtetë, Gole, e di apo jo? ”.
ZHANETA LAZRI
(Bolonjë)
“Kantina poetike e Grigor Jovanit, prodhon verë me cilësi të lartë. E di që e dini, por pse po e rikujtoj, nuk ka ndonjë të keqe...”
PILO ZYBA
(Monemvasia)
“Shpirti ma ka një maraz:/ do desha vargjet e mia/ të m’i çojë kali Pegas/ në Athinë, tek Gole miku,/ ku selinë ka poezia!”
PANO TAÇI
(Tiranë)
“Asnjë e shtënë tronditëse. Asgjë solemne. Magnetizim që të tërheq. Poezi sa rrënqethëse, aq dhe balsam qetësues. Një “sëmundje”, nga e cila nuk mund të shpëtosh, por infektohesh. Dhe që të duhet shumë mund, për të shpëtuar prej saj. Nëse dëshiron të shpëtosh, gjë që e konsideroj të pamundur”.
ALUSH AVDULI
(Sarandë)
“Mos, o Gole! Mos bëj vjersha të tilla, si ajo me titull '”Orë e çakordisur”, i dashur mik, se mirë ti je i “çakordisur” krejt, por na bën edhe ne të lëngojmë dhimbshëm për atë të shkretë... çakordisje”.
DILAVER BAXHAKU
(Tiranë)
“Usta” më është Grigor Jovani,/ Prej tij dua të vjedh ndonjë varg./ Sado që plasa nga “inati”,/ Mbeta pas tij, si çirak”.
Δεν υπάρχουν σχόλια:
Δημοσίευση σχολίου