Παρασκευή 12 Μαρτίου 2010

VAID HYZOTI - "mysafir" në punishten time



Grigor, i dashur!
Nuk e kuptoj kërkesën tënde, për të të çuar ca të dhëna për veten time.
Për të mëdhenjtë duhen studiusit të rrëmojnë.
Por si tolerant që jam dhe 
duke e njohur dembelizmin tënd proverbial, po të nis diçka:

Më kanë thënë se jam lindur më 10 mars 1960 në Ishëm të Durrësit.
Ndonëse erdha pa vullnetin tim në jetë, vazhdoj të jetoj në mënyrë të  vullnetshme. Nga 4 kile që linda, sot jam afro 125 kg, - tregues ky mjaft sinjifikativ për  këmbënguljen time për të qëndruar në jetë. Kam kërkuar të punoj që herët, por meqë  s’gjeta punë (i persekutuar nga familja ime) vazhdova shkollën deri më 1982, kur kreva fakultetin e Historisë dhe Filologjisë për gjuhë dhe letërsi shqipe, kurse më pas një specializim pasuniversitar për kritikë letrare, më 1987.
Kam punuar mësues dhe gazetar, pa iu ndarë kurrë letrave. Artikujt kritikë të botuara në ca revista e gazeta, që tani nuk ekzistojnë më, si “Nëntori” dhe “Drita”, thonë që e  kanë çuar ne kahje të këndshme letërsinë shqipe.
Botova dhe vetë një vëllim poetik më 1986, “Zërat e ditës së re”, por që vendosa ta  harroj, se vetëm 70%  ishte i imi, se u qeth, u rrumbullakua nga botuesit, nën shijen  e  censurës tematike të kohës. Me dhimbje për letërsinë shqiptare, thashë mos të shkruaj  më libra...
Nuk e mbajta betimin, se në vitin 2000 erdha në Amerikë. Takova shumë patriotë shqiptarë dhe çdo ditë merreshim me thashetheme. “Thashethemet e vërteta” - një  libër me skica, profile e tregime humoristike i botova në Detroit, më 2002. Kur shkova në New York u habita nga qyteti gjigand, ku pashë dhe shoh çdo ditë  njerëz që shkojnë rrugës, duke folur e qeshur me vete nën peshën e streseve. Për hir  të tyre dhe vetvetes, që bëja pjesë në këtë peisazh lëvizës, botova librin me  poezi “Qyteti i të marrëve”.
Ndërsa më 2007 botova librin me tregime e novelë “Fëmijë i vjedhur”, ngaqë siç e kupton, të tillë jemi të gjithë ne, emigrantët, miku im i shtrenjtë!
Grigor, s’e di në e ke kuptuar se po plakemi, po bëhemi gati “për andej”, siç thotë në  një tregim miku ynë, Faruk  Myrtaj. Unë dua të shkoj i pastër, i parfumuar, ndaj po  mbaroj romanin “Parfum të vdekurish”. Por ti mos u shqetëso, se do rri dhe ca në emigrim, në këtë “Varr me qera”, siç  shkruaj në librin me poezi, që këto ditë do t’ia shpie botuesit...

Si thua, Gole?
Me këto gjëra të trishta, a e kupton se nuk ka pse të duhet CV-ja ime?

VAID HYZOTI


Dhimbja është për ne

Tranzicioni

Frikë dhe stress - në atdhe.
Stres,
përbuzje hasëm me emigrimin.
Fati ynë
-
I fshehur ku je?
Kush e mban
Si peng shpëtimin?

Gjarpëri im

Prej ditësh i mbërthyer pas TV-së,
I sëmurë pas emisionit  “Animal planet”,
Mik i afërt me natyralistët,
Jam me ta në Amazonë,
Në Australi,
Në Afrikën e zezë…

Nga njollat e lëkurës dalloj gjarpërinjtë,
Ia njoh ngjyrën e helmit që i marrim në qelqe…
Por ende, akoma s’kam përcaktuar
Cili helm më vlen mua
Për dhimbje zemre.

Ende s’e di cili është gjarpëri im.
Më thoni, o mjekë, o natyralistë.
Eshtë në Florida,
Apo Siberi?
A ngjason me gjarpërin
Që kanë farmacitë?

Eshtë gjarpër uji, apo është nëpërkë,
Kobra, anakonda,
Boa mund të jetë…
S’kam para çdo muaj që të blej ilaçe,
Falmëni gjarpërin tim,
Ta ushqej unë vetë.

Le t’i bëjmë letrat - dua ta birësoj,
Ta mbaj ngrohtë në gji,
Le të rrijë tek zemra…
Se s’kam dokumenta
Dhe për ilaçet
Jashtë më hodhi
Mua ishurenca.
Viti 97-të

Gjithçka u deformua:
U tjetërsuan të gjallët...
U gungosën udhët.
Mbajnë frymën dhe varret.

Thuhet - vërtetë
Do të ketë lëvizje:
Heronjtë do të zbresin
Në varre masive?

Thuhet - vërtetë
Do ikin të gjallët?
Ky vend do të jetë
Për lebrozët e të marrët?

Se pas marrëzisë
Të gjithë i zu rryma:
Të gjallët po vriten.
Varreve iu sos fryma.

Meshtar i fëmijëve

S’jam teolog a famulltar, por çdo ditë
Në shtëpi për fëmijët jap meshë.
Nga picërrim i syve,
Kokëkruarja,
Rrudhat e mërzisë…
Kuptoj se ata më urrejnë shpesh.
(Fshehtas qeshin me fjalët e mia:
“S’është mirë… Mos!... Kujdes!”).

Unë nuk tërhiqem nga riti zakonor
Dhe fshehtas gjithë ditën jam me ta.
Druhem nga djali -
Mëz i hasdisur -
Po vrapon? U rrëzua?
Këmba iu vra?...

Bëhem gjethe vjeshte ballë furtunës,
Sa herë që vajza ka provime…
Por nuk ndryshoj
Në meshën e përditshme:
Veç nota të larta
Të marrësh në mësime!

Vetëm ngaherë, ngaherë harroj,
Jepem pas llastimeve, fal gabime… pa zarar.
Se jam si soji
I të gjithë prindërve:
Një shërbëtor
Autoritar.

Pa pretendime...

Jemi ngjeshur mirë
Në këllëfin e ditës.
Jemi të zakonshëm
-
Krejt pa pretendime:
Dy-tri herë në ditë
Zbrazemi në banjo;
Dy-tri herë në ditë
Përtypim ushqime.

Eshtë e njëjtë rruga:
Vajtjeardhja nga puna,
Asnjë shkallë më shumë,
Më lartë asnjë kat.
Jetojmë të zakonshmen
(Thonë:
s’kemi  etë).
Ne jemi të druajtur,
Ne nuk bëjmë mëkat.

Iku një fëmijë...

Tek vendos lajmortin  tënd,
                                       vogëlush,
Më  hedhin dhjetra njerëz
Vështrim ngushëllues.

Si t’u përgjigjem vështrimit të tyre?

Mund të më sjellë në vete
Një e qarë fëmije.

Emigrantë

… dhe ëndrrën e zumë,
Jemi të lumtur.
Pa shihe qytetin:
Çmendurisht i bukur!
Ka drita, ka ujë
Dhe kurrë me pluhur
S’të bëhet këpuca…

Ende s’e dimë,
Ende s’kuptonim:
Mbi ne ecte rruga!

Amaneti

Asnjë lajmërim në shtylla e mure me fotografi,
Asnjë telefon - të njoftoni vdekjen time.
Atyre që s’më deshën, mos u servirni kënaqësi.
Të dashurit - sa më vonë të ndjejnë dhimbje…

Ti, grua dhe vajzë, mos u vishni me të zeza,
Në krah të djalit mos të vini shirit të zi.
Gjithçka të errët në arkëmort hidhni,
T’i marr atje, ku kam vendosur të rri.

Vëllezërit e motrat mos nxitoni t’i lajmëroni,
Se jetojnë larg, sa larg: në Lindje!
Dhimbja edhe më shumë do t’u peshonte
Nga stresi e tmerri për marrjen e një vize.

E di që shumë do të lodhen varrmihësit,
S’do të ketë njerëz t’i ndihmojnë,
të hedhin dhe me grushte.
Ca para kam lënë veç, në xhepin e këmishës -
Pagujini dyfish për orë pune.

E di: diku do të gjendet një varr.
Mos vini rras
ë, as pllakë, asnjë nishan.
Në pata mirësi
- të gjithën e dhashë.
Trupin ma fshihni, si të isha cigan.

Zogjtë

I keni parë zogjtë, jo kur fluturojnë,
Por kur ecin me këmbë, të mblidhen përqark.
Si sot, që u shtruan të hanë me mua
Këtu, në një stol
Madison park”.

Ecnin dhe më shihnin përgjërueshëm,
Krejt të gatshëm në sulm,
Qoftë për një thërrime.
Temenara më bënin me kokë,
Veç të ndanim bashkë drekën time.

Dhe unë u dorëzova, s’gjeta udhë tjetër,
Drekën me ta e kam ndarë.
Se zogjtë, si unë,
Ishin të huaj,
Ishin zogj shtegtarë.

I sëmurë në shtëpi

Jam sëmurë:
kolla në gjoks zjarr më ndez.
Me lot dhe me ujë
Më vë vajza  kompresë.

Burrërisht djali 
tok dorën time:
- Eja, babo, bashkë të rrimë:
Sot më premtove për pishinë...

Ndërsa gruaja - ah, gruaja -
kur i thashë se po vdes:
- U bënë kaq herë,
Që vazhdon të gënjesh!

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου