Greqia e këtyre ditëve mban erë barut. E përditshmja e madhe filoqeveritare “Ta Nea” doli të mërkurën me kryeartikullin tronditës “LUFTË!” dhe me nëntitullin po kaq luftarak “SAKRIFICA - për të shpëtuar vendin nga falimentimi!”. Një ditë më vonë, konstatimi “ILEKTROSHOK!” zinte gjysmën e faqes së parë të gazetës, pranë një portreti tejet të dëshpëruar të Kryeministrit Papandreu (as sytë nuk i dukeshin, pasi i kishte të mbërrthyera në tokë, në pozën klasike të të gjithë shpresëdyshimtëve të botës), fill pasi kishte dalë nga mbledhja e Këshillit të Ministrave, që zgjati gjithë natën, gjer në agim (si seancat e zgjatura dhe të mbushura plot tension në kancelaritë e luftës), ku u vendosën “raprezalje” të jashtëzakonshme ekonomike për popullin grek, të cilat ishin të panjohura për Greqinë e pasluftës. Papandreu, si rrallë herë në historinë e liderëve të politikës helene, i tha gjërat troç, në deklaratat e rastit, për shtypin: “Nuk bëhet fjalë më për rrogën e 13-të apo të 14-të. Fjala është nëse mund të paguajmë rrogën e 4-t të këtij viti”. Në takimin informativ, të po asaj dite, me Presidentin Papulias, Kryeministri grek tha fjalët historike: “Jetojmë kohë shumë të vështira, zoti President!”. Si të mos mjaftonte gjithë kjo klimë e përndezur politike, që vetëm një shkëndijë kërkonte për të hidhur në erë statukuonë shoqërore greke, erdhi edhe deklarata publike në greqisht, e kryekomisonierit të Brukselit, Oli Ren, përpara gazetarëve në Athinë, në fund të pazareve dramatike ekonomike me liderët vendas: “Grekë, ju uroj kurajo!”
Mirë të gjitha këto, por nëse Greqia ishte në luftë, siç deklaroi Kryeministri i saj, cili ishte dhe ku gjendej armiku? Mund të organizohej mbrojtja kombëtare, pa njohur më parë armiqtë? Dhe që të kemi një sqarim sa më të saktë, gjendeshin ata në vend apo jashtë tij? Me një fjalë, ishin armiq të brendshëm apo të jashtëm?
Duhet thënë, se në panik e sipër, ky problem nuk është sqaruar akoma edhe sot, në opinionin tejet të shqetësuar të grekërve.
***
Tek kryevepra e Hashekut “Ushtari i mirë Shvejk”, bëhet fjalë për një situatë të ngjashme dramatike kohore. Patër Kanzi, ati shpirtëror dhe pronar i Shvejkut, ishte edhe ai brenda atmosferës së shthurrur që gjallonte në Austrohungarinë e 1914-ës: pinte, bënte sherr, provokonte të tjerët. Ishte, me një fjalë, rrezik publik. Kur e qortuan besimtarët e famullisë së tij, se nuk i kish hije një personi të kishës, të sillej në atë mënyrë, ai shpërtheu: “Zjarri që dogji Xhordano Brunon nxjerr tym akoma. U rishikua ndonjëherë procesi gjyqësor kundër Galileut?” Ata që e dëgjonin, ç’mund të bënin? Të rishikonin dhe të rikonstruktonin gjithë historinë kishtare, për të arritur tek dishepulli i saj më i fundit, pater Kanzi? Paksa e vështirë...
E njëjta gjë ndodhi këto ditë në jetën politike greke, ku zëvendëskryeministri, Teodoros Pagalos, i irituar nga një “shaka gjimnazistësh” i periodikut gjerman “Focus”, në të cilin tregohej simboli i bukurisë antike, Afërdita e Milos, me gishtin e mesëm të pëllëmbës të përthyer turpshëm, duke bërë atë shënjë që bëjnë adoleshentët, kur duan të shajnë kundërshtarët nëpër stadiume, u përndez dhe turfulloi: “Kush kujtojnë se janë ata, gjermanaxhinjtë? Të na kthejnë një herë ato që na vodhën, gjatë pushtimit...” Nënteksti ishte mëse i qartë: nuk duan të na ndihmojnë gjermanët? Përkundrazi, tallen me simbolet tona të shenjta dhe na akuzojnë për rrugaçëri? Atëhere, ne, grekët, nga ana jonë, kërkojmë dëmshpërblimet e ligjshme për të këqijat që na bënë gjermanët, gjatë Luftës së Dytë Botërore! I duam tani dhe pikë! Që të mësojnë...
Pagalos nuk është dokushdo, është zëvendëskryeministri i vendit, politikani me reputacion dhe me jetëgjatësi në sfondin politik grek. Ishte hera e dytë që ky politikan e vinte me supershtetin gjerman. Përpara disa kohësh, e kishte qëndisur kështu publikisht portretin e Gjermanisë së pasluftës: “Një gjigand, me tru prej nanoje!”, duke lënë me gojë të hapur gjithë Evropën dhe duke shkaktuar zëmërimin dhe protestat e “dojçëve”. Atëhere, ngaqë dikush duhet t’ia kishte tërhequr patjetër veshin, ishte detyruar të kërkonte falje publike nga “gjermanaxhinjtë”. Kurse tani... Tani koha nuk ishte edhe kaq e përshtatshme për akrobacira të tilla diplomatike. Vendi ishte në buzë të greminës dhe, për ironi të fatit, kryesisht ata - “gjermanaxhinjtë”, por dhe evropianët e tjerë, të cilët kishin vjedhur dikur nga Parthenoni simbolet e kulturës helene, për të plotësuar mangësinë e kulturës së tyre të kohëve të vona, kishin në duar “çelsin magjik të shpëtimit”! Atë të ndihmave ekonomike, pa të cilat, doemos, nuk mund të kishte shpëtim ekonomia e rrënuar greke. Por prit, nuk duhej harruar një gjë: pikërisht në këto kohë të vështira historike ngrihen shtizat e flamujve të qëndresës patriotike. Kështu, lideri i ekstra të djathtës greke, Karaxhaferis, duke kapërcyer nga entusiazmi patriotik hendeqet ideollogjike me zëvendëskryeministrin socialist, Pagalos, deklaronte kështu, me stofin e njëqind martirëve të kombit: “Makar të kishim njëzet Pagallos të tjerë!”
Patriotizmi grek kishte zënë tashmë llogoret. Ishte ravijëzuar edhe armiku. Në këto llogore zuri vend një mori patriotësh, siç ishte krijuesi i hymneve antigjermane të Luftës Çlirimtare, Teodoraqis, profesori i shquar Papanikolau, që la për një çast podiumet shkencore të mjekësisë, për t’iu përkushtuar atyre politike, aktori dramatik Kostas Prekas, i shquar edhe ai në veprat filmike me temë rezistencën antifashiste, e të tjerë. Të gjithë së bashku iu vunë punës të mbaronin detyrën kombëtare: të lanin fyerjen nga fytyra e Afërditës së Milos. Të paguanin, ata që kishin faj, për poshtërimin kombëtar të helenëve. Domethënë, për gjendjen tejet të dëshpëruar të kombit, të paguanin një orë më parë “të huajt”, në rastin tonë gjermanët. Ata, tani për tani, sa pa dalë të tjerët... Meqë është rasti, le t’u tregojmë, se ne e ndërtuam Parthenonin. Me që na ngacmuan, t’u vëmë kufirin tek thana, le t’u tregojmë, se cilët janë: ata që ngritën në pushtet Hitlerin. Dhe meqë fajësohen për një gjë të tillë të frikshme, që na dëmtoi kaq shumë gjatë një hëne të historisë sonë, atëhere me ç’të drejtë mbajnë në duart e tyre fatet e shpëtimit tonë? Të na i kthejnë! Menjëherë!
Ndërkohë, askush nuk u kujtua, se madhështorja Afërdita e Milos, u ble nga aventurieri shëtitës D’Urvil, në verën e 1920-ës, me një grusht parash nga vendasit, “me më pak se 1.000 franga”, siç dëshmojnë arkivat e kohës, për t’u strehuar përfundimisht pas kësaj shitblerjeje qesharake në sallonet e ndritshme të Muzeut të Luvrit, prej ahureve ku ekspozohej në vendlindjen e saj. Dakord, edhe atëhere ishte kohë krize, si sot. Po ç’bëjmë në kohë të tilla, për të shpëtuar, o patriotë: shesim patriotizmin dhe shpirtin tonë?
***
Fatkeqësisht për patriotët e llojit, kësaj here, në rastin e krizës së sotme greke, u përgënjeshtrua totalisht formula e “armikut të jashtëm”. U vërtetua katërcipërisht, se armiku nuk gjendej përballë, por brenda llogores. Këtu e dhjetëvjeçarë të kaluar gërryente nga brenda, si krimb, muret e Bastijës shtetërore greke. Pa i dhënë llogari kërkujt, prishte buxhetin publik, kafshonte këndej dhe andej pangopshëm rryshfetet e dukshme dhe të padukshme, të ligjshme dhe të paligjshme, u kundërvihej atyre që synonin nikoqirllëkun e shtetit, duke i zëvendësuar në postet kyçe me hajdutë, mashtrues dhe aventurierë, u thoshte vazhdimisht “stop!” forcave progresiste të vendit, për të krijuar parajsën e atyre, që shtetin e konsideronin ortak, në punët e tyre të fitimit për vete. U konsolidua me vite shteti i varfër i (pu)shtetarëve të pasur. Kështu, u krijua pashmangshëm borxhi gjigand i shtetit. I tillë, saqë investuesit e huaj kishin frikë të vazhdonin investimet, bangat dhe institucionet e tjera monetare ndërkombëtare nguronin të vazhdonin huazimet, nga frika se nuk do të paguheshin as ato, as të parat. Për të ardhur në gjendjen e tanishme, ku karavi shtetëror grek ka lëshuar zyrtarisht “soss”-in e përbotshëm publik.
Kush e krijoi këtë borxh, të brendshmit apo të huajt? Erdhi një kohë, kur grekët, duke kërkuar shkaqet e rënies dhe rrugët e shpëtimit, u vetëpyetën: në vend që t’u sulemi të huajve, për t’u kërkuar shpjegime, nuk shikojmë një herë në gjirin tonë? Nuk ia kërkojmë një herë fjalën edhe atij “brumbullit”, që na shkatërroi nga brenda Bastijën?
Fillojmë: ku shkuan paketat e njëpasnjëshme ekonomike, që i akordoi në këto dhjetëvjeçarët e fundit BE-ja Greqisë? Ç’u pagua me to? Fjala është për shuma gjigande: 1,2 miliardë ecu (1985-1987), 8 miliardë ecu (1988-1993), 17,5 miliardë evro (1994-1999), 25 miliardë evro (2000-2006) dhe... në vazhdim. Siç shihet, është bërë gosti e madhe në Greqi... Kush nuk ka pirë!
Për të gjitha këto, fajin duhet ta kenë patur, detyrimisht, të huajt?
Në vend që t’i përgjigjen kësaj pyetjeje themelore, për të kolauduar kështu sa më saktë patriotizmin, në shërbim të fateve të vendit të tyre, disa mendje të nxehta në Greqinë e ditëve tona (dhe pashmngshëm, ajo pjesë e opinionit, që frymëzohet prej tyre) preferojnë të akuzojnë Gjermaninë e sotme, për krimet që ndërmori në të kaluarën Hitleri (!) Vazhdojnë të kërkojnë shpëtimin e tyre, tek përftimi i “drejtësisë së vonuar historike”, që u ka munguar dhe që është shkaktare e të gjitha të këqijave në gjirin e shoqërisë moderne greke. Duke harruar, se pikërisht nga kjo Gjermani, e cila ka për detyrë, së pari, të mendojë për qytetarët e saj (bie fjala, për papunësinë gjithmonë në rritje në gjirin e shoqërisë gjermane), pushtetarët grekë kërkojnë kapitale të reja, për të shpëtuar atë që mund të shpëtohet në ekonominë e tyre. Logjikë e paralogut!
Nesër kryeministri grek, njëkohësisht edhe shef i politikës së jashtme, Jorgos Papandreu, do të vizitojë Parisin dhe Berlinin. Për të përfunduar “week end”-in e tij diplomatik tek Obama. Do-s’do krenaria patriotike greke, do të shkojë në Perëndim me dorën e shtrirë për ndihmë. Është i detyruar ta bëjë këtë udhëtim, si “bir plangprishës tek tutori i familjes”, ngaqë barku i uritur i popullit të tij, i shtërnguar rrezikshëm edhe me rrypin e masave të reja ekonomike të këtyre ditëve, nuk ngopet me fjalë dhe me krenari. Gjithashtu, ngaqë rroga e katërt e vitit, domethënë e prillit që kemi në prag, duhet paguar... Natyrisht, nëse duan ata, “gjermanaxhinjtë” e kapitaleve. Përndryshe, mund të ndodhë ajo, të cilën ka frikë edhe vetë Evropa: të nisë “kataklizmoja” shoqërore në Greqi, me rrezikun rrjedhës të tunden dhe të marrin të plasura të pariparueshme themelet e vetë BE-së. Por ç’bëhet, nëse zonja Merkel, i thotë mikut të saj, “diar Papandreut”: “Kishim menduar, me mësjë Sarkozy-në t’ju ndihmonim, duke menduar ca kushte serioze. Por siç e shikoj, ju nuk jeni seriozë. Vendosni zotin Pagalos në krye të karvanit tuaj, t’ju udhëheqë... Shpëtoni vetë!” Kjo do ishte katastrofa vetë!Do të doja të shikoja, në ato çaste, sytë e lodhur të zotit Papandreu, duke kujtuar sytë e përndezur, nga shëndeti i tepërt, të zëvendësit të tij qeveritar, zotit Pagalos. Atëhere kishim për të parë, me të vërtetë, sytë e një nanoje, në trupin e një gjigandi, po të huazonim atë shprehjen e famshme të këtij të fundit.
Lind pyetja vendimtare: Nëqoftëse kolosët bankarë gjermanë refuzojnë të ndihmojnë, kush mund ta bëjë tjetër? Do të mjaftojë “kumbaraja e shpëtimit kombëtar”, që shpalli me bujë Kretari i Parlamentit grek, zoti Pecalnikos, në frymën patriotike të këtyre ditëve, duke vendosur i pari në të rrogën e tij të lejes? Do të mjaftojnë, qoftë edhe dëmshpërblimet gjermane të Luftës (nëse pranojnë që t’i japin, natyrisht), siç kërkoi zëvendëskryeministri grek? Vështirë të ndihmojnë situatën, edhe nëse bëhet e mundur, që grekët të marrin dëmshpërblime për të gjitha luftrat e zhvilluar në historinë e tyre. Borxhi është kaq i madh...
***
Nuk jam aspak i sigurtë, se në Greqi e kanë kuptuar thellësisht situatën. Thjesht, karavi ka filluar të çajë dallgët, me “kurajon” që uroi Oli Ren dhe... ku të dali. Si të mos mjaftonte surealizmi i gërshërës së metrave më të fundit ekonomike - në bazë të të cilit grekët kaluan nga mentaliteti i zengjinit të ri, tek ai i të varfëruarit papritmas - opinioni publik është përqëndruar në temën e tij të dashur: për të gjitha na e kanë fajin ata... “barbarët”, siç do të thoshte Kavafis. Por problemi nuk është se çfarë ndodhi në Greqinë e kohës së barbarëve, por ç’ndodh në Greqinë e ditëve tona. Tani e në vijim...
Dhe nëse, megjithatë, shumë do të orvaten të hedhin në tryezë përsëri Gjermaninë e Hitlerit, për të vërtetuar tezën e tyre, se për të gjitha e kanë fajin “ata”, atëhere do të na duhet t’u kujtojmë një fakt tjetër: Greqinë e pasluftës, të dërmuar nga vëllavrasja e tmerrshme Civile, me 70 mijë viktima, kur më 1951 mbaronte edhe Plani i ndihmës amerikane Marshall. Kujtohet dashamirësi i historisë, Pagallos, dhe partizani demokrat i atyre kohëve, Teodoraqis, se cila fuqi perëndimore i shtriu e para dorën e ndihmës Greqisë së shkatërruar, duke u bërë “ortaku” më i rëndësishëm ekonomik dhe “tutori” i saj kryesor? Mos vallë ishte Gjermania Perëndimore, që, veç të tjerash, strehoi edhe milionat e emigrantëve ekonomikë grekë, që shpëtuan atëhere ekonominë e vendit?
Por të gjitha këto, nuk duhet të kenë edhe kaq rëndësi. Rëndësi ka gishti i përthyer, në pëllëmbën e Afërditës.
U linda në Jorgucat të Gjirokastrës më 1959. U rrita në Laç. Studiova Filologji. Pasi punova për dy vjet mësues letërsie në Mirditë dhe Krujë, deri sa u largova nga Shqipëria kam qenë gazetar profesionist. Prej vitit '91 jetoj familjarisht në Athinë, ku jam marrë me shtypin e emigracionit. Kam qenë në kohë të ndryshme kr/redaktor në gazetat "Zëri i emigrantit", "Rilindja XXI", "Tribuna", në revistën "Pelegrini" dhe drejtor i gazetës "Albanews". Aktualisht, shkruaj letërsi dhe botoj e drejtoj revistën letrare dhe artistike "Pegasi".
“Grigor Jovani ka lindur “Ditën e Gënjeshtrave”, për të thënë në poezi Të Vërtetën”.
NAUM PRIFTI
(Nju Jork)
“Është vështirë të gjesh gjetkë një pikëtakim të tillë, të cilin edhe Morrisey i Madh i lirikës do ta kishte zili. Është fjala për pikëtakimin tipik të poetit Grigor Jovani, i cili vjen mitik në poezinë e tij. Jovani del nga kuadraturat ballkanase dhe krijon anën pikëtakuese Perëndimore, duke sfiduar parësoren dhe duke i dhënë shans dytësores”.
FATMIR TERZIU
(Londër)
“Sjell vlera të mrekullueshme ky poet i vërtetë. I hoqa mënjanë, mezi kursehen në këto kohë. T’i kem aty, kur shpirti të ndjejë dimër...”.
FARUK MYRTAJ
(Toronto)
“Mund të them pa frikë se shtëpinë vjershave ua ke ndërtuar me gurë të skalitur, betonarme, që nuk e shembin dot as breshëri, as dëbora e tufani dhe as tërmeti me nëntë ballë. Shtëpia e vjershave të Grigor Jovanit qëndron e fortë dhe e patundur në mjedisin e poezisë më të arrirë shqipe”.
HYSKË BOROBOJKA
(Tiranë)
“Unë, që zakonisht ruhem nga superlativat, pasi lexoj poezitë e tua, them që je poet i mrekullueshëm, Grigor, gjithnjë befasues. Je poet i lindur, vllajo!”
ALBANA MËLYSHI-LIFSCHIN
(Bruklin)
“Poezia e Grigorit ka një qartësi që të habit me reflekset e dritëzave, nga përthyerjet në prizmat poetik dhe jetësor. Syri i hollë vëzhgues, depërtimi në labirinthet dhe të fshehtat e shpirtit të njeriut, veshja me një vello të butë hënore e motiveve jetësore, të ngritura në art, i japin poezisë së tij brishtësi, freski dhe veçanti”.
MYSLIM MASKA
(Athinë)
“Ndihem e respektuar dhe shumë e kënaqur me poezitë e Grigor Jovanit. Mundësisht, sa më shumë prej tyre, aq më ushqim për shpirtin. Më pëlqen, sepse shpesh ajo më ngjan me reflekset e asaj copëze kristali, që duke e vështruar, të krijohet përshtypja se brënda kësaj mase të magjishme do gjesh labirinthe pafund ndriçimesh.”.
LINDITA AGOLLI
(Tiranë)
“Vërtet të bukura poezitë e Grigor Jovanit. Të mrekullueshme! Më të koncetruara se vera që dehu Polifemin. Poezitë e tij, pa veçuar asnjerën, janë vërtet si një verë e vjetëruar, që sa më shumë të pish, aq më tepër do që ta ngresh gotën”.
NDUE LAZRI
(Bolonjë)
“Një poezi që të bëhet e dashur dhe të intrigon, aq sa ti, si lexues, ke njohur një poet jo të lodhshëm, por një bashkëbisedues të sinqertë dhe një mik të madh të njeriut”.
STEFAN MARTIKO
(Athinë)
“Jovani poet është tejet i çlirët, tejet i natyrshëm e komunikativ, tejet i ndjerë. Xixëllimi i poezisë së tij është në të përditshmen, pa asnjë lloj autocensure, por me një liri të habitshme. Në dukje të thjeshta, të gjitha poezitë kanë filozofinë, përjetimin e thellë, figuracionin e mjaftë për të shprehur me veshjen më të bukur mendimin”.
VAID HYZOTI
(Rixhvud)
“Ti fluturon me një kalë të magjishëm, miku im, me Pegasin. Ndaj krijon vargje të tilla. Dikur kisha bërë edhe unë një poezi, në qelinë e burgut: “Erdhi Pegasi në qelinë time”. Tani vjen tek unë ti, me kalin tënd fluturak. Me poezinë tënde të mrekullueshme”.
VISAR ZHITI
(Romë)
“Miku ynë, Grigor Jovani, është trajektore e spikatur në qiellin e poezisë së krijuesve jashtë Shqipërisë (ndoshta është ky qiell edhe më i kompletuari me yje). Kështu na vjen vlera e tij, duke u informuar me poezinë më të mirë që bëhet në Amerikë, Itali, Angli, Greqi e gjetkë”.
NOVRUZ ABILEKAJ
(Athinë)
“Poezi që botohen në vend të fjalëve të një urimi. I lexoj me një frymë, se ato dreqka janë një grimë, si sheqerkat e dashura të nënave korçare, përpihen menjëherë. Dhe më vjen të them, se ai që ka zemër të sëmurë, mund t’i kërkojë Grigor Jovanit një të re. Ai shejtan ka sa të duash”.
ROLAND GJOZA
(Nju Jork)
“Duke lexuar poezitë e Grigor Jovanit nuk mund të jesh indiferent, sepse ato të ngjiten pas shpirtit, si pjesëz e ndjesive të tua si lexues e kjo sepse ai është tepër i sinqertë në atë çfarë ka përjetuar e mishëruar në vargje, që në dukje mund të shfaqen të thjeshta, por gurgullojnë si burimet poshtë gurëve e fletëve, për t’u shfaqur më pas kristalore”.
KOLEC TRABOINI
(Boston)
“Këndo, Grigor Jovani, këndo këngën e bukur,/ atë këngë, që shpirti ta thotë,/ si dallgë, si valë, si e erë lehtë/ të bjerë zemrave tona, si puhizë e ngrohtë!”
PETRAQ J. PALI
(Virxhinia)
“Të shkurtra vërtet poezitë e Grigorit, por a s’janë të çmuar diamantët, pikërisht mes pakësisë sëformës së tyre?”
THANAS BOÇI
(Athinë)
“Në radhë të parë të uroj për keto poezi, që më dhanë kënaqësi të veçantë. Jo vetëm që jeni PURE i pastër në poezinë që shkruani ( siç thotë për juF.Terziu), por shumë i pastër dhe dashamirës në mendimin kritik ndaj miqve. Lum ata/ ato, që të kanë pranë!”
JULIA GJIKA
(Amerikë)
“Kjo poezi është një rrugëtim pa fund në botën e brendëshme të Grigor Jovanit, që rreket “të pushtojë” e të qetësojë shpirtrat tanë të munduar. Poezitë e Jovanit kanë një varg konciz, të lirë e bashkëkohor, ku të gjithë ne, miq e lexues të tij, e ndjejmë veten aq pranë, sikur të ishim pranë oxhakut të ngrohtë të shtëpisë së tij, në një ditë dimri”.
MIHO GJINI
Mjeshtër i Madh
“Na shtove bukën e kësaj vere, t’u shtoftë bereqeti! Të falenderoj për këto poezitë e bukura, secila sjell metaforisht një fabul, sa të këndshme, aq edhe mbreslënëse”.
AGIM BACELLI
(SHBA)
“Unë u përpoqa të të ndiqja në udhëtimin tënd brenda vetes, por nuk munda, u dorëzova, mbeta pas dhe kërkova gjirin tim, më të qetë, por nuk më linin ato dallgë, që më ngrite ti në mendje dhe në zemër, o Gole. Po me mua ç’pate?! Apo, ç’desha unë, që u ngatërrova me detin e shpirtit tënd?!”
LLAZAR VERO
(Filadekfia)
“Të bëj portretin poetik të Grigor Jovanit? Poet lirik i mrekullueshëm, ironik dhe i drejtpërsëdrejti, plot vezullime ngjyrash, ku në një pasqyrë të madhe sa bota sheh fytyrën e njeriut, nëpërmjet një vetvetjeje plot nerva, ndjenja e pasione të sinqerta...”
PIRRO LOLI
(Tiranë)
“Grigor Jovani luan me poezinë e tij, pse e ka nënshtruar plotësisht atë, vendos ai se në ç’monopate apo bulevarde do ta shpjerë, sa hapësirë do t’i lejojë, në ç’oktavë ta ngrejë apo ulë zërin. Poezia e mirë, si kjo që kemi në duar, detyrimisht është ngushëllim, shpresë, kurajë”.
ROBERT GORO
(Athinë)
“Të paça, o këngëtar, me shpirtin më fisnik,/ me ty sot derte qava, poezia jote mallet m’i ndezi,/ atje ku ti Greqisë, me fjalën e bukur shqipe i flet,/ porsi rrezja e dritës, në një bukuri mëngjezi!”
LLEMADEO
(Gjermani)
“Poezia jote të përkëdhel e të çjerr, të ngroh e të shkakton mornica, të mjegullon sytë e të dhuron një buzëqeshje. Je poet i vërtetë, Gole, e di apo jo? ”.
ZHANETA LAZRI
(Bolonjë)
“Kantina poetike e Grigor Jovanit, prodhon verë me cilësi të lartë. E di që e dini, por pse po e rikujtoj, nuk ka ndonjë të keqe...”
PILO ZYBA
(Monemvasia)
“Shpirti ma ka një maraz:/ do desha vargjet e mia/ të m’i çojë kali Pegas/ në Athinë, tek Gole miku,/ ku selinë ka poezia!”
PANO TAÇI
(Tiranë)
“Asnjë e shtënë tronditëse. Asgjë solemne. Magnetizim që të tërheq. Poezi sa rrënqethëse, aq dhe balsam qetësues. Një “sëmundje”, nga e cila nuk mund të shpëtosh, por infektohesh. Dhe që të duhet shumë mund, për të shpëtuar prej saj. Nëse dëshiron të shpëtosh, gjë që e konsideroj të pamundur”.
ALUSH AVDULI
(Sarandë)
“Mos, o Gole! Mos bëj vjersha të tilla, si ajo me titull '”Orë e çakordisur”, i dashur mik, se mirë ti je i “çakordisur” krejt, por na bën edhe ne të lëngojmë dhimbshëm për atë të shkretë... çakordisje”.
DILAVER BAXHAKU
(Tiranë)
“Usta” më është Grigor Jovani,/ Prej tij dua të vjedh ndonjë varg./ Sado që plasa nga “inati”,/ Mbeta pas tij, si çirak”.
Δεν υπάρχουν σχόλια:
Δημοσίευση σχολίου